Butrinti është një nga vatrat e para të krishtërimit në truallin e të cilit do të përndiqeshin dhe martirizoheshin të krishterët e parë. I tillë ishte rasti i Shën Terimit i cili do të ekzekutohej për shkak të besimit në teatrin e këtij qyteti. Kjo ngjarje tragjike ndodhi në vitin 250 gjatë përndjekjeve të autoriteteve romake në kohën e perandorit Decius (1). Zyrtarizimi i krishtërimit me Ediktin e Milanos në vitin 313 do të shoqërohej edhe në Butrint me ngritjen e stukturave kishtare dhe ndërtimin e objekteve të kultit. Dokumentet historike dëshmojnë ekzistencën e peshkopatës së këtij qyteti në mesin e shek. V. Kështu, në vitin 458, në letrën dërguar perandorit Leon I, ndeshim edhe peshkopin e Butrintit Stefanin. Ndërsa në vitin 516 përmendet edhe Peshkopi Mateo në letrat dërguar papës Hormisdas (2).
Gjatë shek. VI peshkopata e Butrintit do të ishte ishte në varësi të metropolit të Nikopolit, kryeqëndrës së provincës së Epirit të Vjetër. Krahas dokumentave historike, arkeologët, kanë dokumentuar edhe vendodhjen e selisë peshkopale e cila gjendej në një godinë pranë murit jugor të qytetit, në afërsi të kanalit të Vivarit. Prej saj është zbuluar një oborr katërkëndësh dhe salla e banketeve, së bashku me disa pjesë përbërëse të saj (3). Kësaj periudhe të antikitetit të vonë i përkasin në Butrint edhe bazilika e Akropolit, kisha trekonkëshe pranë kanalit të Vivarit, Baptisteri dhe Bazilika e Madhe (4). Nga këto objekte, bazilika e akropolit dhe kisha trekonkëshe pranë kanalit të Vivarit, do të rrënoheshin herët ndërkohë që dy objektet e tjera si, Bazilika e madhe dhe Baptisteri, do të vijonin aktivitetin duke ju nënshtruar edhe rikonstruksioneve dhe përshtatjete të mëvonshme. Kështu, ndërtimi më i madh dhe i përkryer ndër shumë ndërtime kulti të kohës është natyrisht Bazilika e madhe e Butrintit (5). Njoftimin e parë rreth saj e jep arkeologu italian Ugolini i cili kreu edhe gërmimet e para arkeologjike në Butrint. Sipas tij ajo ishte një bazilikë trekonkëshe e periudhës Bizantine të cilës më vonë do ti shtoheshin tre nefe (6). Ndërsa arkeologu Neritan Ceka në librin e tij ‘’Ilirët’’, thekson se kjo ndërtesë është më e madhja prej kishave, ndoshta katedralja e Butrintit. Ajo është një bazilikë bizantine trenefëshe me transept e ngjashme me bazilikat e Skampinit, Bylisit dhe Nikopolit e ndërtuar mbi një godinë të periudhës romake në pjesën lindore të qytetit (7). Ndërkohë që studjuesi i objekteve mesjetare të kultit, Aleksandër Meksi, në disa studime të tij si, ‘’Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit’’ apo ‘’Arkitektura paleokristiane në Shqipëri’’, thekson se kemi të bëjmë me një bazilikë trenefëshe me transept tërthor që i jep këtij objekti formën e shkronjës T. Bazilika përbëhet nga naosi trenefësh me përmasa 20.15 x 18.33 m, transepti dhe altari. Naosi ndahej nga transepti nga një ikonostas i gurtë prej të cilit ruhet vetëm një kolonë ndarëse Nefi qëndror është më i gjërë se dy nefet anësorë, përkatësisht me përmasa 4.02 x 7.08 x 3.90 m, dhe ndahet prej tyre mbi dy harkada që mbështeten mbi gjashtë pilastra (9). Ai është më i lartë se dy pjesët e tjera dhe mbi pjesën e sipërme mbi harkadat, ngrihen dritaret prej të cilave depërtonte drita. Po kështu, nën nivelin e nefit qëndror ishin edhe dy krahët e transeptit, të cilat krijonin frontone në anë dhe mbuloheshin nga çati tjegullash dy ujëse (10).
Naosi mbulohej me me kapriata druri, kurse dyshemeja e nefit qëndror të naosit ka qënë e shtruar me pllaka të mëdha, të skuadruara dhe të vendosura në mënyrë të rregullt. Ndërsa nefet anësore ishin shtruar me pllaka më të vogla dhe janë përdorur më vonë për varrim. Kjo shihet te varret e zbuluara të cilat ndodhen nën dhe mbi sipërfaqen e dyshemesë (11).
Transepti i bazilikës kishte përmasa prej 23.87 x 7. 57 m dhe përbëhej prej tre pjesësh, si altari, absida në qëndër dhe dy krahët verior dhe jugor në anë, që dilnin jashtë nefeve anësore. Ato ndaheshin nga njëra tjetra me harkada mbi pilastra, kurse altari dikur ishte shtruar me mozaikë me motive gjeometrike. Absida ishte pajisur me një dritare treshe ndërsa në brendësi të saj ruhen fragmente të pikturës murale, e cila ashtu si edhe bazilika përbëhet prej dy duarsh. Hyrja kryesorë e kishës ishte në pjesën perëndimore e mbuluar me hark gjysëm rrethor dhe me dy radhë tullash. Ndërsa dy dyert e tjera përkonin me dy nefet anësorë (12).
Bazilika e madhe e Butrintit është ndër bazilikat e paleokristiane të pajisura edhe me amvon. Ekzistenca e tyre është karakteristikë e kishave të dimensioneve të mëdha dhe të pasura me elemtë të instalimeve të brendëshme, thekson arkeologu Elio Hobdari në studimin e tij ‘’Ambonët e kishave të Shqipërisë’’ (13) Në këtë bazilikë ruhet vetëm bazamenti i tij në nivelin e dyshemesë (14).
Muratura e vjetër e këtij objekti kulti është ndërtuar me gurë në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç ndërsa në brezin e poshtëm muri ka një brez tullash. Për harkadat, hyrjet dhe dritaret janë përdorur gjerësisht tullat. Bazilika i takon dy fazve të ndërtimit duke ruajtur kështu vëllimin dhe planimetrinë e saj fillestare (15). Për arkeologun Neritan Ceka, bazilika e madhe e Butrintit, është ndërtuar në periudhën e Justinianit në shek. VI dhe është rindërtuar më vonë në shek. IX (16). Edhe studjuesi Aleksandër Meksi duke u bazuar te arkitektura, teknika e ndërtimit dhe dekoracioni thekson se kjo bazilikë është ndërtuar në shek. VI dhe rindërtuar në shek. IX (17). Një gjë e tillë duhet të ketë ndodhur me rivendosjen e pushtetit bizantin në këtë rajon dhe krijimin e themës së Nikopolit. Në këtë kohë fillon dhe përmendet përsëri në analet historike peshkopata e Butrintit, ku kjo bazilikë do të luajë përsëri rolin e saj.
Ndërkohë që rindërtime të tjera si ato në pjesën e altarit këtij objekti kulti i janë bërë edhe gjatë shek. XVI-XIII në periudhën otomane. Me largimin e banorëve nga Butrinti në shek. XVIII do të vinte edhe braktisja e këtij objekti kulti (18). Pas kësaj kohe bazilikës do ti bëheshin edhe disa shtesa të fundit. E tillë do të ishte edhe kapela e ndërtuar në pjesën jugore të këtij objekti, e cila ashtu si edhe bazilika do të pushonte funksionin e saj.
I të njëjtës kohë për nga teknika e ndërtimit dhe ndoshta e ndërtuar nga e njëjta atelje është edhe baptisteri i Butrintit. Sipas studjuesit Aleksandër Meksi, baptisteri, ka qenë objekti më i madh me planimetri qëndrore në botën mesdhetare, i ndërtuar në mesin e shek VI (19). Objekti i kultit përbëhet nga dy ambiente, salla kryesore e pagëzimit dhe ajo ndihmëse në veri të saj. Salla e pagëzimit ka planimetri rrethore me diametër 13. 5 m e cila i brendashkruhet një katrori, ndërsa në katër këndet e tij krijohen ambiente të vogla ndihmëse. Brenda saj janë vendosur dy radhë prej tetë kolonash graniti që krijojnë tre unaza rrethore, ku në qëndër është vendosur vaska e pagëzimit. Mbi kolonat dhe pilastrat e murit të jashtëm (24) mbështetej tamburi rrethor dhe qemeret (20). Dyshemeja e baptisterit është shtruar me mozaikë me vlera të larta artistike dhe është shtruar menjëherë pas ndërtimit të baptisterit. Ajo përbëhet nga një mozaik prej shtatë unazash bashkëqëndrore të ndara me një bordurë nga njëra-tjetra, të zbukuruara më motive florale, bimore dhe zoomorfe. Mozaikut nuk i mungojnë edhe skenat e eukaristisë dhe pagëzimit.
Ndërkhë që në murin verior të baptisterit në shek. IX-X u ngrit një kishë me muraturë gurësh dhe tullash e cila njëlloj si bazilika e madhe do të braktisej më vonë. Duhej të vinte shek. XX, kur në objektet paleokristiane të Butrintit të trokisnin kazmat e arkeologëve. Do të ishte i pari Ugolini që duke nisur nga viti 1928, do të zbulonte baptisterin dhe bazilikën e madhe (21). Më pas do të ishin arkeologët dhe restauratorët shqiptarë, të cilët do ti shndërronin ato në objekte të vizitueshme, të hapura për vizitorët dhe turistët përgjatë territorit të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit.
……………………..
1-Dhimitër Beduli, Shën Terini i Butrintit, Gazeta Ngjallja, prill 1995, f. 9
2-Acta Albaniae, 23, 30
3- Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 289-290
4-Aleksandër Meksi, Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 47
5-Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 19
6-L. M. Ugolini, Butrinto il mito di Enea, gli scavi, Roma 1937, p. 172
7-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 289
8-Aleksandër Meksi, Arkitektura paleokristiane në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 18
9-Po aty, f. 18
10-Po aty, f. 19
11-Aleksandër Meksi, Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 49
12-Po aty, f. 47-48
13-Elio Hobdari, Ambonët e kishave të Shqipërisë, Iliria, 33, Tiranë 2007, f. 325
14-Aleksandër Meksi, Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 49
15-Aleksandër Meksi, Arkitektura paleokristiane në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 18
16-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 289
17-A. Meksi, Arkitektura paleokristiane në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 18; A. Meksi, Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 51
18-Aleksandër Meksi, Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 51
19-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, 23-27; A. Meksi, Arkitektura paleokristiane në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 24-25
20-A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, 23-27
21-Aleksandër Meksi, Bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit, Monumentet, 1, Tiranë 1983, f. 47-58