/Roli i Engjëjve në Shpëtimin e Njeriut nga Frymërat Demoniake – At Ilia Mazniku

Roli i Engjëjve në Shpëtimin e Njeriut nga Frymërat Demoniake – At Ilia Mazniku

Roli i Engjëjve në shpëtimin e njeriut nga frymërat demoniake – Intervistë e Radio Ngjallja me At Ilia Maznikun në ambientet e katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë. – KRYEENGJËJT MIHAIL E GAVRIIL DHE FUQITË E PATRUP (Engjëjt, Keruvimet, Serafimet etj.). – Që nga përjetësia Perëndia është dritë: e vetmja dritë e vërtetë, jomateriale, e pafundme dhe absolutisht e pakuptueshme. Ai prehet në misterin e padepërtueshëm të Natyrës së Tij unike dhe qëndron në lidhjen e pashprehshme të dashurisë mes Tre Personave të Tij: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Ai është i mirë dhe parimi i çdo të mire dhe i çdo dashurie, por në pasurinë e mirësisë së Tij, dëshiroi që dikush tjetër të merrte pjesë në Dritën e Tij dhe e nxori botën nga mosqenia në qenie. Para se të krijonte botën e dukshme, e solli në ekzistencë me Fjalën e Tij dhe përsosi në shenjtëri natyrën engjëllore përmes Shpirtit të Shenjtë, duke krijuar Fuqitë qiellore dhe të patrup, shërbëtorët e Tij të zellshëm dhe të zjarrtë si zjarr jolëndor. Ato janë drita të dyta, që marrin nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë shkëlqimet e Dritës së parë pa fillim dhe pjesëmarrjen në pavdekësinë e Tij; janë ikona besnike të esencës hyjnore. Engjëjt e shenjtë janë të një natyre shpirtërore, pa peshë trupi, gjithnjë në lëvizje, të lirë dhe me arsye. E shikojnë Perëndinë në masën që munden ta pranojnë, dhe në soditjen e Tij gjejnë ushqimin, qëndrueshmërinë dhe arsyen e ekzistencës së tyre. Megjithëse janë të lirë nga çdo ndjenjë trupi, ata u krijuan nga një ndryshim (kalimi nga mosqenia në qenie). Perëndia ka vendosur padukurisht pranë secilit prej nesh personalisht një engjëll mbrojtës, i cili vigjilon pa pushim mbi ne, pa u ndarë nga Perëndia. Na sugjerojnë të mirën përmes zërit të ndërgjegjes sonë, na ndihmojnë t’u shmangemi kurtheve të djallit dhe nxisin brenda nesh zjarrin shpëtimtar të pendimit kur mëkatojmë (Eks. 23.20; Tobit 6.4). Vetëm Krijuesi njeh gjininë dhe kufijtë e natyrës engjëllore. Ajo është një në raport me Perëndinë, por e panumërt në raport me ne. “Një lumë zjarri rridhte para Tij; mijëra e mijëra i shërbenin, dhe mori e mori mbaheshin para Tij”, thotë profeti Daniel (Dan. 7.10). Nuk mund t’i numërojmë, prandaj dhe Trinia e Shenjtë zakonisht i radhit në 9 urdhra të ndarë në 3 treshe. Dispozita e parë hierarkike është ajo që gjendet gjithmonë pranë Perëndisë dhe që është e bashkuar me të, para të tjerave dhe pa ndërmjetës. Ajo përmbledh Serafimet, ku ky emër në hebraisht do të thotë “të zjarrtë”. Natën e shenjtë të Ngjalljes së Krishtit, Gavriili zbriti nga qiejt, u vesh me rroba të bardha e të shndritshme të dritës hyjnore, lëvizi gurin që vuloste varrin dhe u ul atje. Kur gratë Miroprurëse erdhën atje, ai i qetësoi nga frika duke iu thënë: “E di që kërkoni Jisuin e kryqëzuar. Nuk është këtu, siç ju tha” (Mt. 28.5). Kështu, me krijimin e botës dhe deri në Ngjalljen e Krishtit dhe me fundin e kohëve, Kryeengjëlli Gavriil është lajmëtari i dërguar nga Perëndia për të shpallur te njerëzit mrekullitë e mëshirës së Tij në Personin e Zotit Jisu Krisht.