/Kisha e Labovës së Kryqit/Të vërteta dhe gojëdhëna Nga Ilirjan Gjika

Kisha e Labovës së Kryqit/Të vërteta dhe gojëdhëna Nga Ilirjan Gjika

E ndodhur në qëndër të Labovës, kisha e Shën Mërisë, dallon për së largu prej formave dhe ngjyrave të saj. Një simbiozë që e shoqëron prej shekujsh faltoren e njohur tek e cila ndërthuren historitë dhe legjendat. Kisha konsiderohet si një prej veprave më të spikatura të arkitekturës bizantine në vendin tonë, unike në llojin e vet. Studjuesi Aleksandër Meksi mendon se ajo duhet të jetë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIII, ndërkohë që autorë të tjerë shprehin mendime të ndryshme(1). Kështu, Sotiriu thekson se ajo mund të jetë ndërtuar në shek. XII-XIII, ndërsa Guntram Koch e zbret ndërtimin e saj në shek. X(2). Me të bashkohen edhe Megav dhe Vokotopoullos, kurse një tjetër mendim shpreh Theofan Popa, i cili thekson se nga struktura e ndërtimit ajo duket si një ndërtim i shek. XI(I3). Ndërkohë krahas tezave të studjuesve të fushës ekzistojnë edhe gojëdhëna sipas të cilës, kisha e hershme e Shën Mërisë së Labovës është ndërtuar në kohën e perandorit Justinian(4). Një gjë të tillë e mbështet edhe mbishkrimi që gjendet në pjesën e poshtme të timbanit në tamburin e kishës, në të cilin thuhet se: “Ky tempull i gjithënderuar dhe hyjnor i së mbishenjtës Hyjlindëse dhe gjithmonë virgjëreshës Mari u ndërtua në vitin 551 me shpenzimet e Justinianit, mbretit të madh dhe u meremetua me kontributin e epitrop Kostandinit të këtij katundi, Labovë në vitin 1806, mars”(5).
Duhet theksuar se mbishkrimi duhet të jetë kopje e vonë që dëshmonte ndërtimin e kishës së hershme, mbi të cilin bazohet edhe gojëdhëna që lidhet me kryqin e dhuruar kësaj faltoreje nga Justiniani. Ai ishte një copë e vogël druri nga kryqi ku ishte kryqëzuar dikur Krishti, i cili ishte vendosur brenda një kryqi më të madh prej argjendit, ku ishin paraqitur artistikisht disa skena nga jeta e krishtit dhe figura ungjillorësh. Kryqi që ruhej brenda një relikuari do të grabitej në mënyrë misterioze në vitin 1989(6).
Sipas legjendës, perandori Justinian, pas ndërtimit të kishës së ‘’Tërëshenjtës Hyjlindëse’’ i dhuroi asaj një sipërfaqe të konsiderueshme toke, 20 pendë qe, dy mullinj, një sasi monedhash, si dhe një copë druri nga kryqi i Krishtit. Copëzën e drurit të shenjtë e solli nga Kostandinopoja, Kostandini nga Labova, një prej njerëve të besuar të perandorit. Kjo e dhënë burimore përveç ruajtjes ndër breza në kujtesën e klerit dhe komunitetit vendor dëshmohet edhe nga ‘’Kronika e Dropullit’’, një dorëshkrim i shek. XVIII, botuar nga Pukëvili në vitin 1821(7).
Ndërkohë që legjenda, mbishkrimi dhe kronika në fjalë, gjejnë mbështetje edhe nga pikëpamja studimore. Studjuesi Gazmend Muka në librin ‘’Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit’’, thekson se strukturat dhe elementët e vjetra ndërtimore dhe dekoracioni i kësaj kishe i përkasin kësaj shek. VI, periudhës së Justinianit(😎. Ndërkohë që edhe sot në një kënd të naosit të kësaj faltoreje ruhet një kapitel i vjetër i periudhës paleokristiane, me gjasa pjesë e dekoracionit të dikurshëm të kishës.
Ndërkohë përsa i përket karakterit arkitektonik të saj variojnë disa mendime. Kështu, Aleksandër Meksi thekson se në pamjen e jashtëme, kisha e Labovës, shfaqet në formën e tipit kryq i brendashkruar me kupolë në variantin provincial(9). Ndërsa Guntram Koch thekson se ajo i përket tipit të kishave kryq me kupolë me katër mbështetje, të kuadratit me kupolë me mbështetje përreth, një tip unik në arkitekturën byzantine(10).
Kisha e Shën Mërisë përbëhet nga naosi, altari, narteksi, disa shtesa të mëvonshme nga ana e jashtëme dhe portiku në pjesën perëndimore. Në vitin 1776 u rindërtuan absidat dhe u shtua narteksi, ndërsa pak më vonë u ndërtuan qimitiri dhe këmbanorja. Naosi përbëhet nga hapësira qëndrore dhe kupola që mbështetet në harqet mbajtëse, të cilat ngrihen mbi katër pilastra dhe nga dy kolona në anën jugore, veriore dhe perëndimore(11). Naosi ndahet nga altari nga një ikonostas i vonë druri i cili mban mbishkrimin ‘’Viti 1805 gusht 26 në kohën e epitrop Kristo Papaqirisit me dorën e Kostë Tunit Meçovitit”(12). Ndërkohë që altari mbulohet nga një qemer cilindrik dhe përbëhet nga bema, protezisi dhe diakonikoni, të cilat janë të pajisura me nga një absidë të ngushtë dhe të lartë. Midis absidave anësore ndodhet absida e madhe e cila ka në qëndër një dritare të përbërë nga harqe të dyfishta tullash që ndahen nga një kolonë guri në mes. Të tre absidat në pjesën lindore të kishës janë rindërtuar në vitin 1776(13). “Jezu Krishti fiton, viti 1776, papa Zoto”, lexohet në mbishkrimin që gjendet i gdhendur në absidën qëndrore(14).
Kisha nga ana e jashtëme përbëhet nga katër krahët e kryqit të cilat krijohen nga frontone të pajisura me dritare dyshe me kolonë në mes. Krahët e kryqit dhe çatia dyflegrëshe e mbuluar me tjegulla krijojnë një formë piramidale që lartësohet me tamburin dhe kupolën. Edhe frontonet janë dekoruar njëlloj si tamburi me tulla dhe pllaka të vendosura në radhë në formë brezash midis murit prej gurësh të latuar. Tamburi cilindrik është i dekoruar i gjithi me tulla të vendosura me teknika të ndryshme. Ai është pajisur me katër dritare dhe katër nike që alternohen me njëra-tjetrën(15). Vendosja e ulët e tyre në tambur është karakteristikë në këtë rast(16).
Në pjesën perëndimore kishës ndodhet portiku i hapur i cili përbehet nga dy pilastra dhe tetë kolona të lidhura midis tyre me harqe. Këtu ndodhet edhe porta hyrëse e kishës e mbuluar me qemer e cila hapet me një çelës të veçantë të punuar në mëyrë artizanale me simbolikën e kryqit. Çatia e portikut së bashku me atë të shtesës jugore është mbuluar me çati me rrasa guri. Ndërkohë që në brendësi kisha është e zbukuruar me pjesë të afreskeve të dikurshme përfshirë edhe pjesën e brendëshme të kupolës. Po kështu edhe ikonostasi ka qenë i dekoruar nga një sërë ikonash të mëdha dhe të vogla, së bashku me pikturat në miniaturë të dyerve të bukura. Që prej vitit 1963, kisha e Labovës së Kryqit, mban statusin monument kulture duke funksionuar jo vetëm si faltore për komunitetin vendor dhe pelegrinët e shumtë, por edhe si një qëndër e turizmit historik dhe kulturor në jug të Shqipërisë.
…………………….
Literatura
1-Aleksandër Meksi, Dy kisha bizantine në rrethin e Gjirokastrës, Monumentet, 9, Tiranë 1975, f. 91
2-G, Sotiriu, Kristianiqi qe vizantini arkeologjia, Athina 1942, A, 381; Guntram Koch, Disa mendime për kishën e Labovës së Kryqit, Monumentet, 1, Tiranë 1987, f. 51;
3-Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, f. 234; Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 219
4-Stilian Adhami, Monumentet e kulturës në Shqipëri, Tiranë 1958, f. 104
5-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 219
6-Andrea Llukani, Arti Kshtar në Shqipëri, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, f. 176
7-Andrea Llukani, ndihmesa e Theofan Popës për shpëtimin e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2019, f. 34-35
8-Gazmend Muka, Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, Albas, Tiranë 2013, f. 106-116
9-Aleksandër Meksi, Dy kisha bizantine në rrethin e Gjirokastrës, Monumentet, 9, Tiranë 1975, f. 83-92
10-Guntram Koch, Disa mendime për kishëne Labovës së Kryqit, Monumentet, 1, Tiranë 1987, f. 27
11-Aleksandër Meksi, Dy kisha bizantine në rrethin e Gjirokastrës, Monumentet, 9, Tiranë 1975, f. 83-92
12-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 262
13-Aleksandër Meksi, Dy kisha bizantine në rrethin e Gjirokastrës, Monumentet, 9, Tiranë 1975, f. 83-92
14-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, f. 246
15-Aleksandër Meksi, Dy kisha bizantine në rrethin e Gjirokastrës, Monumentet, 9, Tiranë 1975, f. 83-92; Aleksandër Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, f. 234
16 Guntram Koch, Disa mendime për kishën e Labovës së Kryqit, Monumentet, 1, Tiranë 1987, f. 39