Që në Shqipëri, ka media anti Orthodokse, kjo dihet. Që në Shqipëri, mediat i japin hapësirë retorikave anti Orthodokse, edhe kjo është diçka e ditur. Por, që në Shqipëri, të promovohet, tallja, ofendimi, shpifjet e qëllimta, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, përveçse në Shqipëri. Teorikisht, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, garanton lirinë e fjalës dhe të shprehjes, në ambjent privat ose publik. Por në praktikë, kjo është shumë larg realitetit, sepse ka grupe që ju jepet kjo fjalë e lirë dhe ka grupe që ju cënohet kjo fjalë e lirë.
Në anën tjetër, njerëz janë dhe ata që manipulojnë programet televizive, në pjesën më të madhe janë anti Orthodoksë dhe kjo kuptohet nga programet e ditëve të fundit, ku vetë media i jep hapësirë individëve dhe personave të cilët nuk kanë as njohuritë më të vogla për Orthodoksinë, por që flasin kundër Orthodoksisë, dhe kjo është për të ardhur keq. Persona të tillë janë të paguar dhe me plane të qëllimta.
Dhe këto gjëra vijnë edhe në forma të shtypura që janë librat dhe deklarata të atyre individëve që ofendimin ndaj KOASH, e kanë në majë të gjuhës (ashtu si thotë dhe populli). Nëpër media qarkullon një deklaratë e të ashtu quajturit prift Nikolla Markut, i cili mund të jetë gjithçka por vetëm prift jo, i cili deklaron dhe thotë gënjeshtra të ulëta ndaj Kryepiskopit Anastas. Por ashtu si Nikolla Marku, më vjen keq që edhe një ish politikan, sot shkrimtar si z. Ben Blushi, pranon që të shkruajë në libër i titulluar (41 Sekretet), me gënjeshtrat e një gënjeshtari si Nikolla Marku.
Por, raste të tilla, nuk janë aspak të rralla dhe të pakta por janë të shumta dhe ashtu si e kam përmenduar janë të qëllimta, me një prapaskenë të caktuar, qoftë politike apo diçka të ngjashme me të. Përveç Nikolla Markut dhe në rastin e Nikollës tjetër, Xhufkës, ajo që media bën dhe vazhdon që të bëjë është promovimi më dëshirë të atyre personave që cënojnë në një mënyrë ose në një tjetër direkt ose indirekt KOASH (Kishën Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë). Dikush mund të habitet dhe dikush tjetër jo, por sjellja aktuale e mediave dhe gazetarëve ndaj KOASH është e turpshme dhe e ulët.
Kjo propagandë e ulët, tregon dhe një herë, mendësinë që kanë këto portale dhe media, të cilat vazhdojnë me parimin ‘shpif dhe vetëm shpif se diçka do mbetet’. U bëj thirrje portaleve, mediave dhe atyre autorëve që publikojnë gënjeshtra ndaj Orthodoksisë të ndalojnë këto sulme që synojnë të minojnë harmoninë fetare në vendin tonë, të vetmen vlerë që na ka mbetur. Kjo vlen edhe për ata individë që u besojnë fjalëve të këtyre portaleve dhe shumë personave të tjerë.
Jeni për tu mëshiruar!
Nga: Kostandin Luçi