Gjendja fillestare e njeriut
Kur ne flasim për gjendjen fillestare të njeriut, ne nënkuptojmë gjendjen e parë shpirtërore dhe morale të njeriut të parë para se ai të mos i bindej urdhrit të Perëndisë dhe të binte në mëkat. Shkrimi i Shenjtë na tregon se Perëndia i krijoi gjithë gjërat “shumë mirë” dhe flet për njeriu në mënyrë sublime dhe të madhërishme. Ai na thotë që para se Perëndia të niste krijimin e njeriut Ai tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë” (Zanafilla 1:26). Me fjalë të tjera Ai e bëri atë një mikro-hyjni dhe e caktoi atë si zot, mbret dhe sundimtar, sovran dhe drejtues të tokës. Ai i dhuroi atij privilegjet me të larta dhe të drejtat mbi tokën dhe autoritetin suprem mbi të gjitha krijesat dhe gjërat e tokës, si ato të drejta dhe privilegje që kishte Perëndia mbi gjithë krijimin. Duke vazhduar Shkrimi i Shenjtë citon: “Perëndia e krijoi njeriun në përngjasimin e Vet, e krijoi në përngjasimin e Perëndisë” (Zanafilla 1:27). Sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij. Kjo është gjendja fillestare e njeriut. Fillimisht “sipas shëmbëlltyrës së Tij” dhe më pas “sipas ngjashmërisë së Tij”. “Sipas shëmbëlltyrës” është formimi, fillimi që bëri Perëndia dhe e vendosi tek njeriu. “Sipas ngjashmërisë” ka të bëjë me të ardhmen, që njeriu duhej ta kërkonte dhe ta arrinte në jetën e tij për shkak të krijimit të tij “sipas shëmbëlltyrës së Tij”. Kështu që ne mund të themi “sipas shëmbëlltyrës” është fati i njeriut. “Sipas ngjashmërisë” janë aftësitë shpirtërore dhe dhuratat hyjnore me anë të së cilave njeriu realizon fatin e tij. Por le t’i ekzaminojmë secilën prej tyre më nga afër:
Çfarë është “sipas shëmbëllesës”? “Sipas shëmbëllesës” sigurisht nuk i referohet trupit të njeriut, për shkak se Perëndia duke qenë frymë, është patrup dhe s’ka të bëjë fare me komponentin material të njeriut, megjithëse i dha nder trupit të njeriut, sepse Perëndia nuk e krijoi atë në pozicion të kërrusur (përmbys), ashtu si trupat e shtazëve të tjera. Ai e krijoi atë me qëndrim drejt, për të parë lart, drejt qiejve. Përse? Me qëllim që njeriu mund të përmbushte qëllimin e tij hyjnor dhe të vështronte vazhdimisht drejt banesës së Perëndisë.Ai i dha njeriut një qëndrim mbretëror dhe madhështor, një qëndrim që i shkonte zotit dhe mbretit të gjërave tokësore, sepse Perëndia e krijoi atë si sundimtar të tokës. Gjithashtu, për shkak se trupi është i bashkuar me shpirtin dhe kryen dëshirat dhe urdhëresat e shpirtit, konsiderohet i ngjashëm sipas shëmbëlltyrës, kopje e imazhit ose “shëmbëlltyrë e shëmbëlltyrës”, siç na thotë Shën Grigori i Nisës. Kështu, Shën Joan Damaskinoi, himnologu i Kishës, me një gjuhë poetike duke identifikuar shpirtin me trupin, psal në një prej himneve të Shërbesës së Varrimit: “Qaj e vajtoj, kur shkoj ndër mend vdekjen, dhe shoh bukurinë tonë të formuar sipas ikonës së Perëndisë, të shtrirë në varr, të shëmtuar, pa rëndësi, pa formë”. Por siç e kemi thënë, këtë ai e thotë në mënyrë poetike, sepse trupi realisht nuk ka të bëjë aspak me “sipas shëmbëlltyrës”. “Sipas shëmbëlltyrës i referohet shpirtit.,, frymës. Duke qenë se Perëndia është Frymë, Frymë e pafund dhe absolute, Ai dhuroi shpirtin te njeriu së bashku me cilësitë morale dhe dhuratat e Tij (karizmat).Perëndia ia dhuroi njeriut këto dhurata shpirtërore më qëllim që ai mund të arrinte nëpërmjet përpjekjeve të tij “sipas ngjashmërisë”. Pra “sipas shëmbëlltyrës” nënkuptohet shpirti, shpirti i njeriut, që është i pajisur me inteligjencë, me logjikë, me urtësi dhe dituri, për të qenë në gjendje për të dalluar të mirën nga e keqja. “Sipas shëmbëlltyrës” është gjendja e pavarur e njeriut dhe vullneti i tij i lirë, liria dhe autoriteti për të zgjedhur dhe për të bërë të mirën dhe për të shmangur me kujdes të keqen. Është tendenca dhe prirja e njeriut drejt Perëndisë, pafajësia, çiltërsia, thjeshtësia; është mendimi i vazhdueshëm, dëshira e tij e zjarrtë për të jetuar me Perëndinë dhe për të qëndruar në praninë e Tij dhe nën drejtimin dhe autoritetin e Tij. “Sipas shëmbëlltyrës” është tendenca dhe preferenca natyrale e njeriut për virtytin, shenjtërinë, pamëkatshmërinë dhe ndershmërinë, një tendencë që njeriu e ka të mbjellë dhe të depozituar brenda tij nga Perëndia në gjendjen e tij fillestare, të cilën ai duhej ta kultivonte dhe forconte në jetën e tij, dhe kështu ta bënte të prekshme atë që ishte thjesht pamëkatshmëri dhe virtyt teorik. “Sipas shëmbëlltyrës” do të thoshte “sipas ngjashmërisë” në mundësinë për ta ruajtur gjendjen ekzistuese dhe për ta zhvilluar atë. Dhe “sipas ngjashmërisë” do të thotë “sipas shëmbëlltyrës” në praktikë.
“Çfarë do të thotë “sipas ngjashmërisë”? Destinacioni i jetës tokësore të njeriut është kërkimi dhe arritja e virtytit; të gjithë virtytet dhe shenjtërinë. Duke përdorur dhuratat dhe fuqitë e tij shpirtërore dhe hiret e tij morale që Perëndia i ka rrënjosur brenda tij, njeriu duhet të përparojë nga naiviteti i tij natyral dhe pastërtia morale të gjendur në “shëmbëlltyrën” tek perfeksioni i virtytit, të cilin ai duhet ta transformojë në shenjtëri mbinatyrore. Ai në realitet duhet të bëhet i drejtë dhe i shenjtë, ashtu si Krijuesi i tij, Perëndia, i Cili është i përsosur dhe i shenjtë në virtyt dhe drejtësi. Dhe nëse ai e arrin këtë, dhe bëhet si Perëndia Krijuesi i Tij në virtyt dhe shenjtëri Ai mund të bëhet si Perëndia me lavdi dhe lumturi të përjetshme. Të dy virtytet si shenjtëria dhe lumturia bashkekzistojnë në Perëndinë, dhe njëri bëhet shkak i tjetrit. E njëjta gjë qëndron dhe për njeriun. Virtyt me anë të imitimit, lavdi me anë të të qënit i ngjashëm me Perëndinë, shenjtëria, lumturia dhe virtyti duhet të bashkekzistojnë brenda tij, dhe ai duhet t’i arrijë këto veçori në jetën e kësaj bote. Sigurisht që në këtë jetë, lumturia arrihet në një shkallë më të vogël. Ndërsa në jetën tjetër njeriu do të arrijë përsosmërinë. Njeriu, i shenjtë dhe i dëlirët mbi tokë me anë të betejës së tij shpirtërore, do të lartësohet pas kësaj jete në mbretërinë qiellore të Perëndisë, ku, sipas fjalëve të Zotit: “Të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në Mbretërinë e Atit të tyre” (Mateu 13:43). Kjo është ajo çfarë do të thotë “sipas ngjashmërisë” – shenjtëri dhe lumturi.
Shkrimi i Shenjtë, duke përshkruar thjeshtësinë dhe naivitetin natyral të paraetërve, citon se përveç se u krijuan “sipas shëmbëlltyrës” ata ishin të zhveshur, “si Adami dhe gruaja e tij, dhe nuk kishin turp nga njëri-tjetri”. Dhe ata nuk kishin turp nga njëri – tjetri, ndonëse ishin lakuriq, për shkak se ishin të pamëkatë dhe të pafaj (të pastër). Sigurisht te Adami “shenjtëria nuk ishte permanente ose e formuar plotësisht. Megjithatë, gjendja fillestare e Adamit ishte një gjendje hiri, jo një shenjtëri e përsosur, ndonëse farërat e ngjashmërisë së tij potenciale te Perëndia ishin evidente brenda tij” (Niko Trembela).