/Esenca e Perëndisë dhe Njohja e Tij – A mund ta njohim ne Atë?

Esenca e Perëndisë dhe Njohja e Tij – A mund ta njohim ne Atë?

Esenca e Perëndisë dhe Njohja e Tij

A mund ta njohim ne Atë?

 Çfarë mund të njohim ne në të vërtetë rreth Perëndisë? Esencën e Tij? Natyrën e Tij? Përsosmërinë e Tij? E pamundur. Në lidhje me këtë Shën Joan Damaskinoi na informon: “Hyjnia është e pafund dhe e pakuptueshme. Dhe gjëja e vetme e kuptueshme e saj është pafundësia dhe pakuptimshmëria”. Me fjalë të tjera, Perëndia është e pafund dhe e gjithë-përsosur për ne që jemi të papërkryer dhe të kufizuar dhe kemi mendje të kufizuara (dhe nuk jemi në gjendje ta kuptojmë Atë). Me të vërtetë, si mund të arrijë mendja jonë kaq larg? Si mund ta njohim ne Perëndinë? Si mund të depërtojmë në thellësitë e esencës së Tij dhe të ekzaminojmë natyrën e Tij, përbërjen e Tij dhe Personin e Tij? Është e pamundur. Dhe është e pamundur për shkak se Perëndia është esencë dhe natyrë shpirtërore ndërsa ne jemi njerëz joshpirtëror dhe të kësaj bote. Perëndia është e pafund ne jemi të kufizuar. Ai është Krijuesi ynë dhe ne jemi krijesat e Tij. Si mund e papërkryera të kuptojë të përsosurën? Krijesat të matin Krijuesin? “Perëndia është e pakapshme dhe mendja jonë nuk mund ta nxërë Atë”. As nuk mund t’i afrohemi afër sa të mund ta njohim Atë plotësisht. As mendja jonë e kufizuar nuk mund ta nxërë Perëndinë e pafund dhe të gjithë-përsosur. Kjo është ajo çfarë nënkupton Shkrimi i Shenjtë kur thotë se: “Askush s’e pa Perëndinë kurrë” (Joani 1:18) dhe se “asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shoh” (1Timoteut 6:16). I urti Solomon deklaron të njëjtën gjë kur thotë: “Cili njeri mund të dijë synimin e Perëndisë? Kush do të mund të kujtohet se çka do Zoti? (Urtësia e Solomonit 9:13). Shkrimi i Shenjtë në këtë mënyrë dëshiron të na tregojë se Hyjnorja është e padepërtueshme dhe e pakuptueshme nga njeriu.

 Vet Perëndia i tha Profetit Moisi i cili e pyeti të shihte Perëndinë: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë” (Eksodi 33:20).Prandaj, ne njerëzit nuk mund ta kuptojmë Perëndinë sepse ne jemi të vegjël, të kufizuar dhe të papërkryer; dhe më e rëndësishmja, ne jemi mëkatarë ndërsa Ai është i shenjtë. Si rrjedhim Perëndia është i panjohur për ne. I panjohur për engjëjt. Por lind pyetja: Ndaj kujt është bërë i njohur? Ai është bërë i njohur te Biri i Tij i Vetëmlindur që lindi përpara gjithë shekujve prej esencës së Atit. Kjo citohet qartazi në Shkrimin e Shenjtë:  Askush s`e pa Perëndinë kurrë; i Vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t`Et, është ai që e ka bërë të njohur (Joani 1:18). “ Dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t`ia zbulojë (Mateu 11:27). Shpirti i Shenjtë, gjithashtu, duke qenë Perëndi, e njeh Perëndinë At, sepse Shkrimi i Shenjtë na thotë: “ Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë (1 Korithianëve 2:10).  Shën Vasili i Madh shton se: “Esenca e Perëndisë është ‘tërësisht e pakufizuar’ dhe tërësisht e pakapshme dhe e paafrueshme nga të gjithë, dhe aftësia për ta kuptuar Atë tejkalon jo vetëm njeriun çdo natyrë racionale (siç janë engjëjt dhe të gjitha frymërat shpirtërore). Ati bëhet i njohur te Biri dhe Shpirti i Shenjtë”. Prandaj ne njerëzit nuk mund të njohim natyrën, esencën dhe jetën e brendshme të Perëndisë. Për ta kuptuar më mirë le të sjellim ndërmend për një çast shembullin e filozofit Hiero. Një herë mbreti i Sirakuzës e thirri atë dhe i tha: “dua të më thuash se çfarë është Perëndia”. Filozofi iu përgjigj: “Më jep tre ditë kohë të mendohem”. Mbreti i la tre ditë kohë për t’i kthyer përgjigjen. Mbasi kaluan tre ditë filozofi u paraqit te mbreti dhe i tha: “Më duhen dhe tre ditë të tjera për tu menduar”. Mbreti ia plotësoi kërkesën, dhe kur ditët kaluan, filozofi i kërkoi edhe tre ditë të tjera. Mbreti filloi të pyeste veten dhe e pyeti atë cila ishte arsyeja që po i vononte përgjigjen. Hiero iu përgjigj: “Sa më shumë mendoj se çfarë është Perëndia, aq më e vështirë bëhet përgjigja”. Sidoqoftë, pavarësisht gjithë kësaj, ne mund ta njohim Perëndinë, sepse Perëndia “nuk e la Veten e Vet pa dëshmi” (Veprat 14:17). Ai nuk e la Veten plotësisht të fshehur dhe të panjohur. Por sigurisht, është e pamundur për ne të kemi një njohje të plotë për Perëndinë. Megjithatë, ne nuk jemi tërësisht të paditur për Atë. Dhe ne kemi njohje për Atë duke qenë se ne jemi krijesat e Tij dhe meqenëse Ai ka zbuluar Veten tek ne nëpërmjet natyrës dhe me anë të veprave të krijimit dhe nëpërmjet dëshmisë së brendshme brenda shpirtrave tanë edhe me anë të Ligjit që na dha edhe nëpërmjet Birit të Tij të Cilin e dërgoi në botë. Ne marrim njohje për Atë aq sa natyra jonë mund të mbajë, aq sa mendja jonë e kufizuar mund të perceptoj, aq sa na duhet për udhëzimin dhe ushtrimin fetar, dhe aq sa Perëndia Vet na paraqet me anë të zbulesës së Tij hyjnore.

Etërit e Kishës, kur theksojnë mosnjohjen e Perëndisë, e drejtojnë këtë mosnjohje tek esenca e Tij, tek Qenia e Tij e brendshme, pikërisht tek ajo çfarë Ai është, tek natyra dhe hyjnia  e Tij. Ata na thonë se ne mund ta njohim Perëndinë nëpërmjet energjive të Tij hyjnore. Shën Vasili thotë: “Nga shkaku i energjive të Tij – nga të gjitha të mirat që Ai bën për dobinë dhe shpëtimin tonë – e njohim Perëndinë; ne nuk mund të themi se mund t’i afrohemi Atij nëse ka ta bëjë me esencën”. Përse? Sepse “energjitë e Tij zbresin tek ne ndërsa esenca e Tij mbetet e paafrueshme”. Veprat dhe punët e Tij na shfaqen dhe ne i shohim ato, ndërsa esenca e Tij mbetet një mister i paafrueshëm. Ne mund të kemi vetëm një njohje të pjesshme të Perëndisë, dhe këtë e kemi nga karakteristikat dhe energjitë e Tij hyjnore, nga Përkujdesja (Providenca) e Tij që zbret tek ne dhe me anë të së cilës i Gjithëpushtetshmi tregon kujdesin e Tij për mirëqenien dhe progresin tonë. Dhe këtë mësojnë Etërit e Shenjtë, duke thënë se shpirti, “kur çlirohet nga çdo mbetje e mëkatit dhe ruan të pastër vetëm ‘imazhin’ sipas të cilit u krijua … sheh si në një pasqyrë imazhin e Atit: Logosin, dhe në Atë, Atin” (Shën Athanasi). Njeriu që ruan shpirtin e tij të pastër dhe të dëlirë i duket se ka para tij një pasqyrë në të cilën ai sheh Perëndinë,si Atin ashtu edhe Birin. Edhe Shën Grigori i Nisës na mëson të njëjtën gjë kur thotë: “Ai që ka pastruar zemrën e tij nga të gjitha gjërat e krijuara dhe nga prirja plot temperament (natyra pasionante) sheh në bukurinë e tij imazhin e natyrës hyjnore” sepse “Perëndia tek njeriu ka vulosur shenja që  dëshmojnë  dhe tregojnë ngjashmëri me cilësitë e Vet natyrës së Tij hyjnore”.

Le ta shprehim më qartë: O njeri, për aq kohë sa mëkati të errëson shpirtin, edhe ato mistere të Perëndisë të cilat mund t’i njohësh nëpërmjet natyrës tënde mbeten të fshehura dhe të panjohura për ty. Vetëm nëse pastron veten nga ndjenjat dhe pasionet mëkatare, vetëm atëherë hapet dera dhe rruga që të çon në njohjen e Perëndisë, dhe në njohjen e gjërave esenciale që të nevojiten për shpëtimin.