Dr. Niko Ferro
Shën Sotiri, kisha rrënojë në kufij të dy bashkive
Kisha për të cilën do flasim më poshtë nuk është bërë ndonjëherë objekt studimi, hulumtimi apo kërkimi arkeologjikë madje ekzistenca e rrënojave të saja sot vihet në diskutim. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet dhe ndoshta nuk kemi për t’i mësuar. Por pavarësisht këtyre përshkrimi i saj sot, ndonëse i vonuar mund të ngjallë kureshtje dhe interes për rivlerësim të zonës në pikëpamjen turistike. Mund të themi vendi në të cilën është ndërtuar kisha ka një pamje nga më të bukurat. Prej këtu syri “të prek” me shikim të gjithë fushën e Myzeqesë.
Le ta nisim me një pyetje:
Ku ndodhet kjo kishë?
Siç shkruhet dhe në titull, rrënojat e saj ndodhen në mes të kufirit administrativë që ndan Lushnjën me Belshin. Në këto koordinata: 40°53’06.1″N 19°48’59.3″E 110 m mbi nivelin e detit. Për të shkuar tek rrënojat e kishës terreni është i vështirë, ekzistojnë dy rrugë nga fshati Sejmenas, Bashkia Lushnje ose nga fshati Kosovë e Madhe, Bashkia Belsh.
Territori në të cilën ndodhen rrënojat e kishës, është i mbuluar nga bimësia madje në brendësi kanë mbirë edhe pemë. Pranë kishës dallohen varre të vjetra mbi një shekullor si dhe varre të reja të banorëve të zonës. Nga kisha nuk ruhet shumë, dallojnë disa blloqe guri dhe copa tjegullash të shpërndarë në një perimetër 60 m x 60 m. Blloqet e gurit janë të punuar mirë ato kanë këto përmasa 60 cm x 28 cm x 40 cm. Gurët janë të tipit gëlqerorë ka mundësi të jenë nxjerrë nga gurorja e Çërragës, e cila ndodhet vetëm 3.5 km në veri të kishës. Duke ndjekur formën e rrënojave, zbulojmë se kjo kishë ka qenë një nefëshe, me orientim lindje-perëndim. Kisha mund të ketë pasur edhe një nef anësore (në anën veriore) ? Dallohet disi absida.
Hyrja për në kishë ka qenë në anën jugore mundet të ketë pasur një hyrje të dytë në anën perëndimore. Prej saj kanë ngelur vetëm pak gurë të skalitur. Megjithatë në pamje të përgjithshme është vështirë të jepet forma e saktë e kishës për shkak të bimësisë e cila është e dendur. Sakaq mungesa e tjegullave na bënë të mendojmë se ato mund të jenë ripërdorur.
Të dhëna rreth kohës kur është ndërtuar kisha e gjejmë të shkruar në librin 5000 Vjet Fortifikime në Shqipëri të arkeologut Gjerak Karaiskaj në faqen 314. Aty jepet si kishë mesjetare. Ndërsa në dokumentin që ruhet në Muzeun Historik të Lushnjës, i cili daton në vitin 1948 thuhet: Kisha e Shën Sotirit ruhet në gjendje rrënojë mendohet të jetë ndërtuar në shek. XIII. Në lidhje me shkatërrimin e saj nuk kemi një datë të saktë pasi ajo sipas dokumentit në vitin 1948 rezultonte e shkatërruar por edhe dëshmitë e banorëve vendas nuk kanë një profil të qartë të formës së kishës, të cilën shpesh e ngatërrojnë me një tjetër kishë, atë të Shën Dhimitrit në Kosovë e Madhe për të cilën do flasim një herë tjetër.
Në vend të përfundimit vëzhgimi jonë shtyhet edhe më tej.
A mos vallë ka ardhur momenti që këto vlera të kësaj treve të ruhen madje dhe të restaurohen pse jo të bëhen edhe të vizitueshme nga turist vendas apo të huaj? Shpresojmë në një zgjidhje në të ardhmen.