/Dr. Niko Ferro – Manastiri i Ardenicës në një këndvështrim të gjerë

Dr. Niko Ferro – Manastiri i Ardenicës në një këndvështrim të gjerë

Manastiri i Ardenicës në një këndvështrim të gjerë.

Manastiri i Ardenicës përfaqëson një nga ndërtimet religjioze më të mëdha të zonës së Myzeqesë (fig 1). Ky manastir paraqet interes jo vetëm për vlerat e tij monumentale, arkitekturore dhe artistike por edhe për historinë e pasur që mbart me vete. I ndërtuar në një vend dominues në kodrat të “Ardenicës”, në lartësinë 210 m mbi nivelin  e detit dhe i pozicionuar midis fshatrave Kolonjë e Libofshë, ai përbënte padyshim një stacion kulmor, në kontakt të vazhdueshëm me marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore të këtyre dy zonave.

Thuhet që ky manastir të jetë ndërtuar në kohën e Despotatit të Epirit, midis shekujve XIII – XIV, nga Perandori bizantin Androniku II Paleologu.[1]  Gojëdhënat e identifikojnë atë si vendin ku është kryer ceremonia martesore e Gjergj Kastriot Skënderbeut në vitin 1451, ndërsa mbishkrimi që mban datën 1 Maj 1477 mbi portën hyrëse dëshmon për ekzistencën e manastirit në këtë periudhë. Në fakt, ndërhyrjet restauruese që janë bërë në monument në fillim të viteve ’80, treguan se manastiri ka njohur disa faza ndërtimi. Arkeologët arritën në përfundim se faza më e hershme e ndërtimit lidhet me kishën e “Shën Triadhës”, themelet e së cilës janë në një nivel me një varrë të datueshëm në shek X. Në këtë kontekst vlejnë të përmendim se në anën perëndimore të kodrës ku ngrihet manastiri, janë zbuluar gjurmët e rrugës së vjetër Egnatia,[2] tjegulla dhe kapitel të Antikitetit të Vonë si dhe enë Mesjetare.

Manastiri i Ardenicës bën pjesë në tipin e manastireve ortodoksë ku veçori kryesore është zhvillimi i planimetrisë me fokus qendror kishën. Kompleksi që përfshin majën më të lartë të kodrës i shfrytëzon mjaft mirë mundësitë që afron terreni. Ky i fundit ka kushtëzuar edhe formën planimetrike të konakëve, konturi i të cilave  formon një trekëndësh të parregullt. Në qendër të kompleksit ndodhet kisha “Fjetja e Shën Mërisë”, ndërsa në qoshen verilindore të saj, ngjitur me konakët e kësaj ane, qëndron kapela “Shën Triadhës”. Vargu i konakëve në pjesën më të madhe, është dykatësh. Në të përfshihen dhomat e fjetjes, dhomat për miqtë, mjediset e depove, qilarëve, furra, stallat, mulliri e të tjera. I gjithë kompleksi zë një sipërfaqe prej 2500 m2.

Pjesa e lirë organizohet në katër oborre, prej tyre oborri perëndimor zhvillohet në dy nivele, një pjesë e zë platforma, në kuotë të njëjtë me hajatin e kishës. Forma e terrenit bëri që ndërtimet të realizohen në disa nivele. Pjesën më të lartë e zë kapela e “Shën Triadhës” (fig 2), pastaj vjen kisha “Fjetja e Shën Mërisë” (fig 3), ndërsa kuotën më të ulët e zë qoshja perëndimore e  konakëve (shiko fig 1).

Konakët që zënë sipërfaqen më të madhe të kompleksit, përfaqësojnë pjesën e tij periferike. Fasadat nga oborri përshkohen nga një korridor i hapur, i cili realizon komunikimin e mjediseve të vendosura njëri pas tjetrit. Hyrja kryesore zhvillohet në formën e një galerie të mbuluar me qemer cilindrik, me seksion më të shtrirë se gjysma e rrethit. Hyrja tjetër, për bagëtinë ndodhet në anën veriore. Blloku i hyrjes përbën pjesën më të trajtuar, jo vetëm nga ana formale, por edhe funksionale. Ai përkon me rrugën që të sjell në manastir nga fshati i Kolonjës, të Bashkisë Lushnje. Këtu bëhet dhe paraqitja e parë me vizitorin. Kalldrëmi i rrugës ndërpritet vetëm nga porta e mbuluar me hark guri (fig. 4). Pas portës ndodhet mjedisi i mullirit të vajit (fig. 5) i mbuluar me qemer cilindrik me formuese veri-jug. Qemeri është i ndërtuar me tulla dhe përforcohet nga dy harqe-nervatura. Ndriçimi kryhet nga tri dritare në faqen lindore. Faqja e kundër nuk ka dritare, pasi kjo anë ndodhet, thuajse në të lartësinë, nën tokë. Kjo dhomë sot ruan edhe disa objekte arkeologjike të Periudhës Qytetare Ilire, Antikitetit të Vonë dhe pllaka varri të Mesjetës së Vonë.

Përballë dhomës së mullirit, ndodhet dhoma e rojës së portës e mbuluar po me qemer cilindrik të ndërtuar  me një teknikë si dhoma përballë. Mjedise që ndodhen mbi këtë bllok kanë qenë më të zgjedhurat dhe më të punuara nga ana arkitektonike. Dallon pjesa qendrore mbi hyrje, e cila shërbente si dhomë pritjeje. Ajo ka të suvatuara të dyja fasadat dhe pjesërisht strehët e çatisë, të cilat kanë një profil të kurbuar veçori që haset në banesat qytetare.  Në ballë ajo ka dy dritare, ndërsa në qendër ndodhet porta e drurit e cila i shërbente ballkonit. Dy dritare të tjera, në  nivel më të ulët, ndodhet në faqen anësore. Brendia ndahet në dy pjesë. paradhoma, e cila zë krahun perëndimor, ndriçohej nga dy dritare.

Hyrja ndodhet në qoshen jugore, prej nga me dy këmbë shkallë kalohet në një korridor të ngushtë, i cili shërben edhe për dhomën e pritjes. Në korridor hyhet nëpërmjet shkallësh druri në skajin lindor të vargut të dhomave. Shkallët janë prej guri dhe përfshijnë nën veten e tyre gjurmë e njërit prej harqeve të katit përmes, të cilët formonin arkadën e angazhuar për tërë anën jugore e jugperëndimore të dhomave. Në veri të dhomës së pritjes ndodhen dy dhomat mbi ullirin e vajit. Hyrjet e tyre janë të drejtpërdrejta dhe kanë te përbashkët platformën e një shkalle te vogël. Me tutje në drejtimin nga veriu ndërtimi është me i ri. Dhomat e kësaj pjese deri në qoshen veriore kanë qenë përdorur si klasa shkolle, ndërsa kati përdhe i tyre ka shërbyer si kotec apo vend për mbajtjen e bagëtisë. Ndarja e para e katoit komunikon ne krahun perëndimor me një dhomë të mbuluar me qemer guri , e cila ka funksionuar kohët e fundit si vend për të sëmurët psikikë. Në këtë mjedis mund te hyhet edhe nga oborri, nëpërmjet një shkalle guri. Ne qoshen verilindore të konakëve ndodhet një hajat, i cili kufizohet prej dhomave dhe sterës ngjitur me kapelën e “Shën Triadhës”.

Vargu i krahut verior përbehet nga dhoma të lidhura nga një korridor gjatësor hyrja e të cilit del në oborrin verior. Ky krah vazhdonte deri në drejtim të murit perëndimor të narteksit të kishës. Sot një pjese e tij është zhdukur me shume gjasa nga një zjarr (fig 6). Pothuajse e plotë ruhet vetëm fasada jugore, ku dallohen dritaret dhe porta me hark. Faqja veriore ruhet vetëm në lartësinë e katit përdhe ku ndodheshin stallat. Me tej linja thyhet, dhe dhomat që pasojnë në drejtimin perëndimor s’postohen për nga jashtë.

Dy mjediset e para te këtij segmenti janë përdorur si furrë pjekje. Mjedise te tjera ndihmese ka pasur dhe në anën e jashtme. Fasada nga oborri i kësaj pjese ka qenë me arkade guri prej së cilës ruhen vetëm dy harqe. Ne pjesën e brendshme te njërit nga pilastrat e tyre dallohet një gur me gjurmë llaci shamot, i cili dikur ishte pjese e ndonjë stere uji. Ne faqen e jashtme te pilastrit ndodhet një pllake guri me mbishkrim ne gjuhen greke e cila mban datën 1770. Nga gjurmët e sotme nuk kuptohet nëse kjo pjesë ka qenë me dy kate ose jo.

Gjurmët e vjetra të ndërtimit në vazhdim janë të padiskutueshme, pasi deri në qoshen perëndimore një rindërtim dy katësh i kohëve të fundit ka zhdukur mjaft nga gjurmët e para.  Dhomat mësipërme komunikojnë me krahun jugperëndimor nëpërmjet korridorit të hapur si në katin përdhe, ashtu edhe në atë të sipërm. Ndërsa kati përdhe i krahut jugperëndimor ruan formën origjinale të arkadës, pjesa tjetër është rindërtuar me kolona guri, mbi të cilat mbështet struktura e sipërme prej druri.

Korridori i sipërm i krahut jugperëndimor komunikon me oborrin me anë të shkallë dyrampëshe, të realizuar me dy qemerë lehtësues. Ashtu sikurse në mjediset e hyrjes edhe në dhomat e kësaj pjese, dyert janë të mbuluara me harqe guri të përvijuar nga sipër me një shirit tullash. Në drejtim të hyrjes, godina ndërpritet. I tërë segmenti jugperëndimor i dhomave në anën e jashtme të tij, është i përforcuar nga një sërë kontrafortesh. [3]

[1] J. Jano. Fisnikëri myzeqare. Shtëpia Botuese ASD.Tiranë 2009 f.196

[2] S. Mihalçka. M Beçi, Monumentet 2/1988 Tiranë fq 107 e vazhdim.

[3] Reshat Gega. Arkitektura dhe restaurimet në manastirin “Fjetja e Shën Mërisë” në Ardenicë. Monumentet 1988 f. 145

Kapela e “Shën Triadhës” (“Trinia e Shënjtë”)  

Është një ndërtesë e vogël një nefëshe me përmasa 7, 50 x 3, 70 m  së cilës nga ana lindore i ngjitet volumi i stere uji. (fig 8). Hyrjen ajo e ka në anën perëndimore. Brendësia e kapelës ndriçohet nga dy dritare të vogla në murin jugore. Përmasat e brendshme janë 5.15 x 3.06 m. Nga ana veriore kapelës i mbështeten dhomat e manastirit, duke lënë në këtë mënyrë të lira faqen perëndimore dhe jugore. Kisha është trajtuar me mbulesë me hark guri të punuar mirë. Absida është një thellim me seksion jo plotësisht gjysmë rrethorë, brenda trashësisë së murit i cili shërben edhe si mur ndarës i kapelës me sterën. Në krahun verior të absidës ndodhen të thelluarat e protezisit, të cilat kanë seksion gjysmë rrethor, më të vogël nga ai i absidës.  Porta e hyrjes është e mbuluar me hark guri. Me gurë të punuar janë dhe shpatullat, ndërsa e tërë fasada perëndimore është e suvatuar. Shpatullat dhe korniza e dritareve janë me nga një bllok guri gëlqeror. Kjo kishë e vogël ka objekte të murosura të njohura si fenomeni “spoglia”. Kështu në anën perëndimore ka një stelë varri. Stela e varrit ndoshta me origjinë nga Apolonia? Duhet sqaruar se nuk janë shenjtorë si jepet në disa libra por një stelë varri të shek. III-II p. Kr. Në anën perëndimore janë të murosura një pllakëz me gurë gëlqerorë me temë nga amazonomakia. Po në këtë anë ruhen janë edhe pllaka një stelë votive dhe një stelë varri e dëmtuar të cilës i kanë mbetur vetëm pjesa e poshtme në të cilën dallohen këmbët.

Kisha e “Fjetja e Shën Mërisë” ose “Kisha e Madhe

Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” ndodhet fare pranë kapelës së “Shën Triadhës” në jug perëndim të saj. Kisha paraqitet si një ndërtesë e tipit bazilikë  me tre nefe, të cilët ndahen nga njeri tjetri me dy rreshta kolonash prej druri. Sanktuari ose bema ka dysheme rreth 10 cm më të lartë se naosi dhe kufizohet prej tij me anë të një ikonostasi prej druri. Absida në murin lindor ka formë gjysmë rrethore me një dritare të ngushtë në mes. Në krahët brenda seksionit të murit zhvillohet protezisi dhe diakoni, ndërsa në qendër ndodhet tavolina e altarit. Ambienti i bemës ndriçohet nëpërmjet dy dritareve të vogla në murin lindor, në dy krahët e absidës, dhe me anë të dritares e cila ndodhet në murin verior, pranë linjës së ikonostasit. Naosi ndriçohet nga dritaret e faqeve jugore dhe veriore të mureve, nga katër për secilën anë. Dyshemeja e tij është e shtruar me pllaka drejtkëndore prej guri gëlqeror, e cila ka në qendër një rozetë. Në brendësi të kishës hyhet me anë të dy hyrjeve të vogla në muret veriore dhe jugore si dhe nga porta perëndimore, e cila është më e madhja. Kisha mbulohet nga një tavan i rrafshët dhe çatia prej druri që mbështetet në muret anësorë dhe në kolonat prej druri. Mjedise të tjera të kishës janë narteksi dykatësh, dhoma e pagëzimit, hajati dykatësh në anën perëndimore dhe ai në jug si dhe kambanorja. Kambanorja është e veçantë, ka formë katrore dhe është e bardhë, njëlloj si ajo e Pojanit. [1] Narteksi i naosit shtrihet përgjatë gjithë gjerësisë së naosit në katin e parë ndërsa në katin e sipërm përfshin edhe oborrin verior. Ai ndahet në tre pjesë me anë të dy arkadave prej guri. Dyshemeja e katit të sipërm është shtruar me pllaka guri ndërsa ajo e katit të poshtëm me gëlqere të përzierë me lesh dhie. Komunikimi i këtij ambienti me mjedisin e jashtëm kryhet me anë të dy portave në faqen jugore dhe perëndimore kurse komunikimi midis dy kateve realizohej me anë të shkallëve prej druri, të cilat zhvillohen në qoshen veriperëndimore. Në nën jugore të narteksit ndodhet dhoma e pagëzimit, e cila përfaqëson një hapësirë njëkatëshe me hyrjen pranë murit perëndimor të narteksit. [2]

Dekoracioni mural, vepër e artistëve Kostandin dhe Athanas Zografi,  u realizua në vitin 1745. Ai përfshin muret anësore të sallës dhe faqen perëndimore të narteksit, me një program të pasur ikonografik nga historia e Dhjatës së Re.[3] Piktura e ndarë në regjistra përbëhet nga kompozime katërkëndëshe, brezi ornamental me profetët dhe shenjtorët në këmbë me madhësi natyrale. Gjithashtu, programi ikonografik, në faqen lindore  përfshin  afresket e absidës, Shën Mërinë Platitera me Krishtin e vogël në prehër dhe anash saj, ëngjëjt me ilitot e hapura. Lart mbi hark, “Liturgjia e Shënjtë” dhe figura shënjtorësh të paraqitura në tors, janë piktura në të dy anët e mureve të altarit, poshtë Platiterës. Etërit e Kishës janë paraqitur si hierarkë, dhe në fund Kungimi i Apostujve. Në të dy niket, afreskët paraqesin Krishtin përpara kryqit dhe Shën Theoforin e Martirizuar nga luanët. Në murin jugor trajtohen skena nga Jeta e Shën Mërisë, që nga lindja e saj dhe peripecitë që lidhen me Jetën e Krishtit, si Ngjallja e Shën Llazarit, Darka mistike, Lutja në malin e ullinjve, Magjistarët dhe përfundon me Puthjen e Judës, për të vazhduar më pas në faqen perëndimore. Në qëndër të saj qëndron Fjetja e Shën Mërisë dhe skena të tjera që plotësojnë dekoracionin.[4] Në murin verior, ndonëse një pjesë e afreskeve mungon, piktura vazhdon me ciklin e Vuajtjeve. Vajtimi, Ngritja nga varri, Zbritja në ferr,etj. dhe poshtë tyre ndodhen skena të tjera që paraqesin Krishtin si Kryehierark ose simbolet e Shën Mërisë si tek Dritëdhënësja dhe Hymnizimi i saj si mëmë e zotit,etj. Shënjtorët e kishës, me qëndrimet ballore, vendosur sipas rëndësisë së tyrë në bazën e murit, shquhen nga karakteristikat individuale,si Shën Gjergji veshur me gëzofin e leshtë, Minai dinamik, Nestori me shprehjen melankonike dhe Shën e Djela si Virgjëreshë. Në radhën e shënjtorëve është edhe Johan Kukuzeli, personazh historik i shekullit XIII-të. (I njohur edhe si “Zëri i Ëngjëllit”). Shohim që i një frymëzimi lokal është peisazhi lirik nga skena e Magës me kafshët që kullosin dhe barinjtë me qëndrimet e lira ose gjallëria e vrapit të kuajve nga kthimi i Magëve, trajtime që tregojnë për të tjera prirje realiste të stilit të këtyre piktorëve.Vepra e Zografëve tregon për nivelin mjeshtëror që arritën piktorët në kulmin e aktivitetit të tyre, të konceptimit estetik të kohës që jetuan, duke u bërë burim frymëzimi për pikturimin e kishave të Myzeqesë gjatë shekujve XVIII-XIX-të.[5]

[1] S. Adhami, po aty f.122

[2] Në narteksin e kishës “Fjetja e Shën Mërisë” shumë pranë derës perëndimore në anën e majtë dhe të djathtë janë varrosur dy Dhespotët e Mitropolisë së Beratit, Metodi dhe Joasaf “Plaku”. Dy varret janë të shoqëruara me një pllakatë me mbishkrim në gjuhën greke.

[3] A. Meksi, P. Thomo, “Arkitektura pasbizantine në Shqipëri-bazilikat”. Monumentet 1,1988 f.

[4] Th.Popa, “Mbishkrimet e kishave të Shqipërisë si burime historike”, Tiranës 1958

[5] V. Puzanova, “Prapë mbi artin shqiptar të shekullit XVIII-të”,Tiranë 1958, f. 158.

 

Sterat e ujit

 Territori i manastirit nuk ka burime ujore. Vetëm në gjysmë të rrugës për në fshatin Kolonjë, ndodhen një burim në kodrën e “cfakës” me prurje të pakta uji. Për shkak të mungesës së ujit u pa e nevojshme nevoja për ndërtimin e katër stereva të ujit. E katërta ndodhet nën nivelin e dyshemesë së korridorit, në veri të narteksit. Fasada e çezmës së sterës është trajtuar me kujdes. Edhe këtu, përdoren gurë e pllaka guri gëlqeror të puthitura shumë mirë. Pjesa e saj qendrore trajtohet si nike. Furnizimi me ujë bëhej nga çatitë e kishës dhe të dhomave të këtij krahu nëpërmjet ulluqesh qeramike. Stera pus është e vetmja sterë që qëndron  e shkëputur prej volumeve të tjera arkitektonike. Volumi i saj ndahet në dy nivele: në depozitën nën tokë dhe pjesën mbi tokë. Depozita është katërkëndëshe e mbuluar me qemer cilindrike tulle (fig 9). Planimetria e volumit mbi tokë është gjashtëkëndëshe. Tubacioni i qeramikës për prurjen e ujit ndodhej mbi një harkadë prej së cilës kanë mbetur dy harqet e para. Harkada vazhdonte drejt lindjes. Stera jugore e Kishës së Madhe ka një vëllim kubik të mbuluar me qemer të përfshirë nën çatinë e hajatit. Fasada e saj ndodhet në një rrafsh me atë të hajatit. Përballë saj gjendej mbulesa e portikut me dy harqe. Çezma ka një nike të mbuluar me hark të profiluar guri të kufizuar me një shirit  tulle. Si thembra të harkut shërbejnë dy pjesë kornize antike. Pranë gjurmës së harkut ndodhet vrima e kontrollit të nivelit të ujit. Stera ngjitur me kishën e vogël është e punuar me gurë të gdhendur (shiko fig 8), ka qenë e mbuluar me çati dyujëse. Në pjesën fundore është vendosur një govatë ku mblidheshin ujërat. Brendësia e sterës dhe fugat e pjesës qendrore janë suvatuar me llaç shamot në faqen jugore të pa suvatuar, ndodhet i murosur një reliev antik mermeri. Të katër sterat kishin një vëllim rreth 80 m 3 ujë. Shpërndarja e tyre në të katër skajet e manastirit i përgjigjej shtrirjes së konakëve. Trajtimi i tyre është i larmishëm.[1]

[1] Reshat Gega. Arkitektura dhe restaurimet në manastirin “Fjetja e Shën Mërisë” në Ardenicë. Monumentet 1988 f. 145

Kambanorja

 Kambanorja e kishës “Fjeta e Shën Mërisë” është ngritur në vitin 1925 në themelet e një më të vjetre. Kambanorja është ndërtuar në përmasat 4 x 4 me një lartësi prej 24 metrash. Ajo është e ndarë në 5 kate. Dy katet e fundit janë më të lartë dhe më të punuar më bukur nga ana arkitektonike. Sipër kambanores është vendosur një kryq i madh. Nën këmbët e kambanores dhe rreth saj, shtrihet hapësira e nëndheshme e sterrës, një hapësirë e madhe që përfshinë dhe një pjesë të nëndheshme të kishës , që ka shërbyer e vazhdon të shërbejë për grumbullimin e ulluqeve të çative, që krijojnë rezerva uji për nevojat e manastirit.

 Mbishkrimet

                       Mbishkrimi më i vjetër gjëndet në hyrjen qëndrore të Manastirit  dhe mban datën 1 maj 1477 (fig. 10). Nuk dihet me saktësi se ku mund të ketë qënë më përpara, ose çfarë simbolizon kjo datë, ndoshta zbulimet e mëtejshme do të hedhin dritë.

Në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në brendësi të naosit mbi portën kryesore na jepen vitet 1743 – 1744, që është edhe periudha e pikturimit të kishës nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Athanas Zografi. Po në këtë kishë në anën e jashtme të murit lindor është murosur një pllakat guri të gdhendur një mbishkrim në greqisht (fig. 11).  Aty thuhet:

Viti 1743- 10 Maj. U rindërtua ky tempull në kohën e peshkopatës së Mitropolitit të Shënjtë, Zoti Metodi nga katundi Bubullimë, kur ishin igumenët Neofiti dhe Andoni”.[1]

Në anën e jashtme të murit jugor të kishës “Shën Triadha” është murosur një pllakat, guri të gdhendur një mbishkrim në greqisht (fig. 12). Aty thuhet:

Maj 1778. U përtëri nga themeli godinat përqark në Manastirin e Ardenicës, kur ishte peshkop në Mitropolinë e Beratit, Joasafi dhe jeromonakët, Mojsiu, Jerotheu, Jakovi, Theodosi, Danieli, Dionisi dhe dhjak Anastasi”.[2] Po në këtë kishë në anën perëndimore ndodhet edhe një pllakë me mbishkrim shqip të vitit 1925. Aty thuhet:

“Ndërtuar rishtas nga kujdestari i këtij Manastiri Zoti Llazar Bozo, nga katundi Kolonjë, më 29 Maj 1925”.

Brenda në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme, që i përkasin shekullit XVIII. Njëra pllakë, ka të shënuar vitin 1754 dhe ndodhet në pjesën perëndimore të hajatit të kishës, ndërsa tjetra fikson vitin 1770 dhe ndodhet në një nga harqet e furrës.

[1] Th. Popa. Mbishkrimet kishtare në Shqipëri. Tiranë 1998 f.97

[2] Th. Popa. Mbishkrimet kishtare në Shqipëri. Tiranë 1998 f.98

Stelat e varrit të murosura brenda në manastir

Stelë varri i mermertë (fig 13) (i mesit të shek II m. Kr) është murosur në pjesën e poshtme të kullës së kambanores  së manastirit, pra i ardhur nga Apolonia, duket se i takon grupit të altarëve maqedonas të varreve: sidoqoftë tani për tani nuk mund të lokalizohet më me saktësi (kështu Beroia ose Selanik), meqenëse materialet paralele në pjesën më të madhe janë të pabotuara.[1]

Stelë/Gur varri e punuar në gur(fig 14), është i muruar në anën perëndimore të kishës “Shën Triadha” ndoshta me origjinë nga Apolonia ? Ajo ka formë katërkëndëshe. Gjatësia e stelës në pjesën më të madhe është 108 cm,  gjerësia: 90 cm, trashësia nuk e njohim pasi është e murosur.  Stela paraqitet shumë e dëmtuar në pjesën e  sipërme dhe të poshtme. Brenda katrorit të thelluar të stelës, në reliev të ulët, janë paraqitur tre figura me tipare njerëzore. Të tre figurave i mungojnë kryet dhe këmbët (përveç figurës në anën e majtë). Figura që ndodhet në anën e majtë ka tipare femërore. Dorën e djathtë e ka të vendosur në anën e zemrës, ndërsa me dorën e majtë mban një pasqyrë me bisht. Gruaja ka të veshur një himation i cili zgjatet deri tek pjesa e këmbëve. Dallohen disi këmbët që mbajnë të veshur ndoshta sandale? Figura e vogël që paraqitet në mes është mjaft e dëmtuar. Ajo ka tipare femërore. Figurës i mungojnë kryet dhe këmbët. Figura ka të veshur një himation. Me dorën e djathtë mban një amforë. Dorën e majtë e ka të mbështetur mbi bel. Ka mundësi që kjo të jetë shërbëtorja e çiftit që paraqitet në stelë. Figura mashkullore e cila ndodhet në anën e djathtë edhe kjo paraqitet shumë e dëmtuar. I mungon kryet dhe këmbët. Figura pozon i kthyer lehtë në të majtë. Dorën e djathtë e ka të vendosur mbi barkë ndërsa me dorën e majtë mban një objekt. Ai ka të veshur një himation. Mendohet se i përket shek. III-II p.Kr.

Relievi i Afërditës dhe Erosit fig 15, është i muruar në anën jugore të kishës “Shën Triadha” ndoshta me origjinë nga Apolonia. Relievi ka formë katërkëndëshe me këto përmasa lartësia maksimale: 80 cm, min 50 cm. Gjerësia: 54 cm; Trashësia nuk e njohim pasi është e murosur. Dalja maksimale e relievit (kofsha e Afërditës) 10 cm. Relievi është i punuar në mermer të bardhë me kokrriza të imta kristalin. Pllaka e relievit është e kthyer diagonalisht lart dhe poshtë. Mbi të gjithë sipërfaqen, epiderma e mermerit është e korroduar dhe ka marrë një pamje kokrrizore. Në reliev paraqiten një figurë femërore. Asaj i mungon koka, kraharori, krahët dhe këmba e majtë; gërryerje e thellë në fund të barkut dhe mbi këmbën e djathtë. Nga figura e vogël në të djathtë kanë mbetur vetëm dy këmbët që prej gjunjëve por mjaft e dëmtuar. Figura femërore e ruajtur që prej belit e poshtë paraqitet në këmbë, përballë, e zhveshur; trupi i saj mbështetet mbi këmbën e djathtë ( e majta mungon por duhet të ketë qënë e përthyer nga gjuri i sjellë përpara). Kofshët janë me forma të bëshme. Në të majtë një siluetë e vogël (30 cm), me flatra zhveshur në profil ( në një pozicion kërcimi?), mban me dorën e djathtë një objekt të padallueshëm. Figura femërore e zhveshur si personazhi i vogël me flatra identifikohen me

[1] Guntram Koh. Monumente varresh të kohës së Perandorisë Romake në Shqipëri. Iliria nr 2 1988 Tiranë f. 161

grupin e Afërdita – Erosit. Ky reliev datohet në fund të periudhës helenistike ndoshta i përket shek. I p. Kr [1]

Për relievin në fig 13 ruhet edhe një dëshmi, një rit i vjetër, i përdorur kryesisht nga gratë e fshatrave përreth manastirit. Legjenda tregon se lehonat pas lindjes duke parë që qumështi i tyre vononte së ardhuri shkonin tek kjo “ikonë” e gërvishtnin dhe granulat e mermerit i gëlltisnin. Pasi mbështesnin mirë gjoksin këtu thonin edhe një lutje të cilën e përsërisnin tre herë. Duke vepruar kështu ato shpresonin tu vinte qumështi. Një banor i vjetër tregon se gratë e fshatit shpesh e gërvishtnin “ikonën” dhe copëzat nuk i hanin por i mbështillnin me një copë prej mëndafshi dhe i ruanin nën gji.

Stelë/Gur varri në fig 16, është e muruar në anë jugore të kishës “Shën Triadha” ndoshta me origjinë nga Apolonia ? Ka formë katërkëndëshi me këto përmasa: Gjatësia  është 82 cm, gjerësia 54 cm trashësinë nuk e njohim pasi stela është e muruar. Stela paraqitet shumë e dëmtuar. Prej saj ruhet vetëm pjesa fundore. Brenda katrorit të thelluar të stelës, në reliev të ulët, dallohen këmbët e dy figurave me tipare njerëzore. Në anën e majtë shquhen këmbët e një figure mashkullore. Ai mban të veshur një himation, i cili zbret deri në fund të këmbëve. Në anën e djathtë paraqiten këmbët e një figure femërore. Ajo mban të veshur një himation i cili zbret deri në afërsi të thembrës Në lidhje me datimin, mendohet se i përket shek.III-II p.Kr.

[1] Iris Pojani. Relievet me temë heroike dhe votive nga Apolonia. Iliria n. 1-2 2000-2001, f. 129

Reliev me kavalier. I muruar në anën jugorë të kishës “Shën Triadha”. Ky reliev i murosur është parë fillimisht nga arkeologu austro-hungarez Carl Patsch. I cili siç dihet vizitoi manastirin e Ardenicën në vitin 1900. Këtë reliev ai e botoi në vitin 1904, në librin me titull (Das Sandschak Berat im Albanien, 1904, f. 155 fig 122)

Relievi ka këto përmasa 24 cm lartësi dhe 27 cm gjerësi. Trashësinë nuk e njohim pasi është i murosur. Dalja e relievit 1.5 cm (tek krahu i majtë i kalorësit).  Ky reliev është gdhendur në gur gëlqeror. Relievi është i thyer majtas dhe djathtas. Ai kuadrohet në pjesën e sipërme dhe të poshtme nga një listel i thjeshtë 2 cm i gjerë.

Figura qendrore paraqet një kavalier të armatosur mbi kalë në galop . Nga ajo çfarë dallohet ai ka të veshur një  χλαμύδιον (khlamúdion, “mantel i vogël”). Koka është sferike dhe paraqitet pak e dëmtuar. Tiparet e fytyrës janë fshirë nga koha.  Kalorësi në fjalë në dorën e majtë mban frerin e kalit ndërsa në dorën e djathtë (e cila është pak e dëmtuar) mban shpatën. Mbrapa tij shquhet (jo qartësisht) silueta e një amazone në moment luftimi, e cila në dorën e majtë mban të ngritur lart një mburojë.  Ndërsa poshtë mburojës shquhet forma e një heshte ?

Poshtë këmbëve të kalit dallohet figura një amazone të shtrirë. Janë të dukshme flokët e gjata e të lëshuara,  pjesa e zbuluar e gjoksit dhe këmbët e shtrira, koka e saj e varur dhe trupi i saj i vendosur sipër mburojës çka simbolizon fundin e saj tragjik. Sipas Carl Patsch ky reliev me temë nga amazonomakia i përket shek. III p. Kr [1]

[1] Carl Patch. Das Sandschak Berat im Albanien, 1904, f. 155 fig 122

Pak histori për manastirin e Ardenicës

Në këtë kishë, igumeni Nektar Terpo, me origjinë nga Voskopja,  në vitin 1731 shkroi  një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja  është  shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip (fig 18). Teksti shqip është shkruar me gërmat e  alfabetit grek : “Virgjin dhe mame e Perendis uro pren fajtoret e”, nënshkruar nga autori: Hieromonah – murgu, Nektar.

Në vitin 1741, banorët e krishterë të katundit të Ardenicës i kërkuan kazasë së Karbunarës fermanin (autorizim) për meremetimin (restaurimin) e Manastirit të tyre, të dëmtuar rëndë gjatë dimrave të viteve të shkuara.[1] Me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima, ne  vitin 1743 u bënë rindërtimet dhe restaurimet në pjesët më të dëmtura. Murgjit tregojnë se në vitin 1744 në këtë manastir ka qënë strehuar Ahmet Kurt Pasha. Të cilin e shpëtuan nga një grup ushtarësh osman që donin ta vrisnin. Më pas Ahmet Kurt Pasha, Pashai i Beratit urdhëroi ndreqjen e dhomave dhe të kthyerën e Portës nga Jugu, që më parë ishte nga Veriu. Të gjitha këto i bëri me shpenzimet e veta një ndër dhuratat e tjera ishte edhe një armaturë të tij personale të vlefshme dhe u ndihmonte kallogjerëve për ç’ do nevojë që kishën.[2]

Në këtë manastir që prej shekullit të XVII ka ekzistuar një bibliotekë mjaft e pasur me dorëshkrime, botime të kohës, si dhe shkrime të periudhave të mëparshme. Të shumtë ishin edhe studiuesit të cilit vinin nga të gjithë viset e Ballkanit. Thuhet që brenda mureve të manastirit ka pasur edhe një internat me gjimnaz klasik me 50 nxënës. Në fillim të shek. XVIII biblioteka e manastirit u pasurua edhe më shumë me prurjet të siguruara nga “Shoqëria  Manastiri i Shën Mërisë” në Ardenicë. Siç dihet kjo shoqëri u formua në Poloni por që më vonë pati edhe një degë në Hungari. Libra të shumtë u sollën nga “Shoqata Voskopojare” me qendër në Voskopojë. Thuhet se në këtë bibliotekë ruheshin edhe dy letra të rëndësishme të firmosura nga “Luani i Tepelenës”. Por këto nuk ishin të vetmet dhurata, ndihmat ishin në të holla, veshje për priftërinjtë, orendi, për t’u përmendur edhe një kandar që të ardhurat e tij i dërgoheshin Manastirit.

Tregohet që deri në vitin 1684 këtu ka qenë hapur një shkollë katekizmi (udhëzues për doktrinën ortodokse) për mësimin e klerikëve të Myzeqesë dhe Mitropolitët nga Berati: Dionisi nga fshati Perondi, Metodi nga fshati Bubullimë, Joasafi edhe ky prej Bubullime, Joasafi II edhe ky nga i njëjti fshat. Oborrtarët e administratës urdhëruan mbylljen e shkollës. Pas gati një shekulli (1778) u rihap si shkollë katundi e cila qëndroi e hapur deri në fillim të shek XX. Për të shfrytëzuar fondin e bibliotekës duhej të merrje një leje të veçantë nga shtatë kryepleqtë e fshatrave, ekonomati dhe kujdestari i kishës. Pasi merrej leja lexuesi mund të shfrytëzonte fondin për qëllimi studimi.[3]  Në natën e 12 shkurtit të vitit 1932, në mjediset e bibliotekës shpërtheu një zjarr  i madh dhe i papritur.  Të gjitha volumet shekullore u shkrumbuan tërësisht.  Në vetëm pak orë i gjithë “thesar i dijes” u zhduk. Pavarësisht se thuhet se ishte nën kujdesin e 7 kryepleqve të zgjedhur nga fshatrat e nories së Manastirit, shpërthimi i flakëve ngelet ende një mister. Ndoshta qe edhe i qëllimshëm?  Dëmi ishte i pazëvendësueshëm. U përpinë nga flakët afërsisht 32000 vëllime, duke përfshire dhe dokumentacionin historik dhe objektet e tjera me vlere.  Për fat të mirë zjarri kurseu vetëm disa volume, [4] saktësisht tre libra te vegjël. Epitafi i vitit 1700-1800, i cili është shkruar shqip me shkronja greke. Bibla e po kësaj periudhe dhe një libër Apostulli. Mbijetoi gjithashtu edhe një koleksion i vogël fotografish.[5]

Në vitin 1913 një pjesë e konakëve të manastirit u përshtatën si ambient klasash për mësimin e gjuhës shqipe. Drejtori i parë ishte Mihal Bellkameni. Kjo shkollë qëndroi e hapur deri në vitin 1932. Në vitin 1917 ambientet e manastirit u kthye në një kazermë të ushtrisë austro-hungareze. Gjatë tërheqjes ato grabitën 4 kambanat e manastirit. Kambana e madhe kishte të stampuar vitin 1707 më e vogla mbante vitin 1738. Thuhet që kambana e madhe peshonte 500 kg dhe se tingulli i saj dëgjohej 30 km distancë. [6]

Kambanat e reja janë sjellë nga Triestja e Italisë, prodhim i viti 1937. Ato janë kontribut i besimtarëve Zonja Kostantina Xoxa dhe Zoti Theodor Xhumurteka. Në vitin 1922 patrioti Llazar Bozo duke qënë administrator i këtij manastiri, së bashku me patriot të tjerë që shërbenin pranë shkollës ngritën një kovikt me ushqim për nxënësit e varfër nga e gjithë Myzeqeja pa dalim feje.

Në vitin 1943 në manastiin e Ardenicës u vendos një kazermë e ushtrisë gjermane. Në vitin 1967 në të gjithë vendin u mbyllën institucionet fetare, një fatë të tillë pësoi edhe manastiri. Një pjesë e konakëve të tij u përdorën si depo nga kooperativa bujqësore e fshatit. Më pas këto ambjente të manastirit u morën në përdorim nga Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit, të cilët bënë ndërhyrje të shumta për restaurimin e ambjenteve. Një pjesë e konakëve u kthye në shërbim turistik, restorant dhe hotel.

Pas vitit 1990 dhe me rikthimin e besimeve fetare në vend Manastiri i Ardenicës kaloi në pronësi të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Pas më shumë se 30 vjetëve,  sot manastiri është i hapur për këdo. Duke e kthyer atë në destinacionin kryesorë të turistëve që vizitojnë Bashkinë Lushnjë.

Priftërinjtë dhe igumenët që kanë shërbyer në këtë manastir

Hieromonak Nektar Terpo i cili ka qëndruar në këtë manastir në vitet 1725-1731, i njohur për mbishkrimin në formë lutje shkruar në katër gjuhë ka shqipja është shkruar me gërmat greke.  Pas tij citohet prifti Marko (kleriku që u interesua për varrosjen e trupit të murgut Kozma). Pas tij ka shërbyer Protosingjel Igumen Sako, Igumen Papa Trifon Kordhishta. Aty nga viti 1890 kanë shërbyer dy klerikët Papa Kristo Leshi dhe Papa Marko Mërtiri. Një tjetër klerik i cili më shumë shërbeu si mësues sesa si prift ishte Ikonom Kozma Dhima mjaft i dëgjuar për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe, takimin me Ismail Qemalin, ndihmesën që dha gjatë Luftës Parë Botërore në mësimin e gjuhës shqipe dhe paharruar kontributin që dha në organizimin e punëve të Komisionit Nismëtar për thirrjen e Kongresit në Lushnjë. Më pas kanë qenë Papa Aleks Doko dhe Ikonom Kozma Qirjo deri në vitin 1967. Për një kohë të shkurtër në manastir kanë qendruar të izoluar nga regjimi komunist Kryetari KOASH Kristofor Kisi dhe prifti Irine Banushi

[1] J. Bizhyti. Kolonja në sofrën myzeqare. Historiku i fshatit.Tiranë 2008 f.28

[2] Bardhyli (Llukë Karafili). Historia e Bibliotekave në Shqipëri. “Hylli i Dritës”. V XIV . N. 4 Viti 1938 f. 167-169

[3] J. Bizhyti. Manastiri i Ardenicës. Simbol i besimit ortodoks dhe i kulturës së lashtë mesjetare në Myzeqe. Shtëpia botuese “ASD” Tiranë 2017 f.164

[4] S. Adhami. vep e cit .123

[5] S. Adhami. vep e cit .123

[6] J. Bizhyti. Manastiri i Ardenicës. Simbol i besimit ortodoks dhe i kulturës së lashtë mesjetare në Myzeqe. Shtëpia botuese “ASD” Tiranë 2017 f.68

Kuriozitete

Parë nga lartësia, manastiri ka formën e një maje heshte me drejtim nga Perëndimi. Kuota në pikën më lartë është regjistrua në kishën “Shën Triadha” 212 m mbi nivelin e detit. Kur futesh tek porta hyrëse, sapo kalon harkun të shoqëron një oborr i gjerë dhe një rrugë e shtruar me kalldrëm gurësh rreth 50 metra të gjatë dhe 6 metra e gjerë. Në vitin 1900 në manastir qëndroi për një natë arkeologu Carl Patsch i cili bëri edhe një foto, ku sot paraqitet me vlera të mëdha historike dhe dokumentuese. Në këtë fotografi (fig 19) dallohen në sfond dy priftërinjtë (Papa Kristo Leshi dhe Papa Marko Mërtiri) ndërsa në anën e majtë dallohet shoqëruesi dhe një djalë i vogël. Dhe ajo që është më e rëndësishmja në anën e majtë për herë të parë kemi foton e bibliotekës përpara djegës. Sakaq në anën ku aty sot ndodhet kambanorja ka pasur një mur me një derë me hark dhe ndoshta ndonjë pllakat sipër për të cilën vështirë të dallosh qartë pasi fotografia është pak e vjetëruar plot 118 vjeçare). Kjo foto është botuar në librin “Das Sandschak Berat in Albanien” në vitin 1904 në Vjenë.