/E DIELA VIII E LUKAIT Luka 10, 25-37. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 10 NËNTOR 2019 Imitues të Samaritanit të Mirë “Atëherë Jisui i tha: Shko edhe ti bëj kështu.” v. 37.

E DIELA VIII E LUKAIT Luka 10, 25-37. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 10 NËNTOR 2019 Imitues të Samaritanit të Mirë “Atëherë Jisui i tha: Shko edhe ti bëj kështu.” v. 37.

E DIELA VIII E LUKAIT Luka 10, 25-37.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E DIELE, 10 NËNTOR 2019

Imitues të Samaritanit të Mirë

“Atëherë Jisui i tha: Shko edhe ti bëj kështu.” v. 37.

Të shumtë janë shëruesit dhe mjekët e njeriut dhe të gjithë njerëzimit, të shumtë reformatorët dhe pedagogët. Dhe ata shfaqen herë pas here. Shumë nga ata mund të sjellin një mirëqenie materiale në botë, të bëhen engjëj ngushëllues dhe mbartës të shpresave të përkohshme. Por asnjëri nuk mund të jetë mjek i vërtetë, asnjëri nuk mund të jetë shërbëtorë i vërtetë i shpëtimit. Janë të gjithë të paaftë të shërojnë shpirtin, ta shërojnë përjetë njeriun, t’i ofrojnë shpëtimin e vërtetë dhe të përjetshëm. Asnjë prej tyre, përveç njërit, që është Samaritani i mirë i shëmbëlltyrës së sotme të Ungjillit.

* * *

Me të vërtetë, pranë të plagosurit për vdekje nga kusarët, kaloi prifti, kaloi dhe leviti. Çfarë bënë? Vetëm erdhën, panë dhe u larguan. Nuk i thanë asnjë fjalë të mirë njeriut që vuante. Në epokën tonë, shumë njerëz mbyllen në vetvete. Shpesh herë nuk dinë se kush banon pranë tyre. Vetmohen dhe tregohen indiferentë për dhimbjen ose për problemin që ka i afërmi i tyre.

Sa ndryshe sillet Samaritani i shëmbëlltyrës së sotme! Sapo u gjend përpara njeriut gjysmë të vdekur, pa humbur asnjë minutë, i afrohet dhe përkulet mbi të. I plagosuri është i huaj dhe i panjohur. Dhe madje Jude. Do të mundte të ishte indiferent. Vendi është i shkretë. Kusarët ndoshta gjenden akoma diku atje fshehur. Ekziston rreziku të pësojë dhe ai të njëjtën gjë…

Samaritani, nuk kërkon ta shikojnë të tjerët në kohën e veprës së tij njeridashëse, nuk do që ta lavdërojnë, ta reklamojnë. Natyrisht nuk do t’i jepte askujt llogari nëse nuk do të ndalonte të ndihmonte, ashtu si dy të mëparshmit. Madje, nuk mjaftohet me urime dhe me shprehjen e simpatisë. As nuk i llogarit mundimet apo kohën apo dëmin nga vonesa e punëve të tija, apo shpenzimet. Të gjitha këto i harron. Përpara tij është vëllai, që ka nevojë për ndihmë. Përkulet me dhembshuri mbi të, i lanë plagët e tij me verë, i zbut me vaj dhe i lidh përkohësisht dhe e transporton tek bujtina, ku edhe paguan.

* * *

Brenda shëmbëlltyrës, nuk është vetëm modeli i neveritshëm i krimit, as modeli i errët i indiferentizmit. Ekziston dhe modeli i ndritshëm i dashurisë. Projektorë qiellor hedhin dritën e tyre dhe ndriçojnë vendin e krimit, dhe arrin i hipur mbi kafshën e tij Samaritani, dhe siç psal Himnografi i hirshëm: “Vjen Samaritani, jo nga Samaria, por nga Virgjëresha Mari.” Dhe me dritën e projektorëve hyjnorë shikojmë pas figurës së atij Samaritani të mirë, figurën e dikujt, që është Samaritani i mirë i përjetshëm i gjithë njerëzimit të plagosur dhe të gjakosur dhe mëkatar dhe gati për të vdekur. Dhe ky Samaritan i mirë është Krishti. Dhe akoma, projektorët hyjnorë, që ndriçojnë mbi Samaritanin e mirë, e hedhin dritën e tyre dhe në epokën tonë; dhe tregojnë se ai veprim i Samaritanit të mirë mund të përsëritet edhe tani.

I erdhi keq Perëndisë. Ndjeu dhimbje. Prandaj, “uli qiejtë dhe zbriti”. Psalm 17, 10. I erdhi keq dhe i bëri plagët e njeriut, plagë të Tija. “Mori përsipër dhimbjet tona” Isaia 53, 4. I erdhi keq Perëndisë dhe prandaj iu afrua njeriut dhe tregoi dashurinë e tij të madhe… Keqardhje dhe dhembshuri do dhe bota sot. Shumë kusarë. Shumë të shthurur. Shumë indiferentë. Shumë kritikues. Por, pak keqardhës dhe të dhembshur. Dhembshuri, mirëkuptim kërkon njeriu me problemet e tija të larmishme, me aq shumë plagë në shpirtin e tij. Krishti është mjeku i trupave dhe i shpirtrave. Të ekspozuara edhe sot plagët trupore, plagët familjare, plagët shoqërore. Kush do t’u afrohet këtyre plagëve? Ai që do t’u afrohet, do të dijë se do të ndotet, disi, ai vetë, do të vuajë nga era e keqe dhe papastërtia, por, do të kontribuojë në mjekimin e plagëve.

“Vaj dhe verë”ofroi dhe Krishti, Samaritani i mirë. Vaj është mësimdhënia e Tij. Kurrë fjalët nuk ngushëlluan aq shumë, sa fjalët e Krishtit. Dhe vera, Gjaku i Tij i gjallë dhe jetëprurës. Gjaku i Tij i tërëshenjtë ka veti pastruese dhe shëruese, si asnjë mjekim tjetër në tokë. “Gjaku i Jisu Krishtit, na pastron nga çdo mëkat” 1 Joanit 1, 7. “Vaj dhe verë”kërkojnë dhe plagët e epokës sonë. Ngushëllim, por edhe qortim. Të butë por shumë herë dhe të gjallë. Jo, nuk shërohet një plagë nëse nuk digjet. Djegia është qortimi i së keqes. Por, dhe ngushëlluese, mësuese, ndërtuese, katekizuese.

Samaritanë të mirë duhen edhe sot. Të plagosurit nga armiq të dukshëm dhe të padukshëm janë shumë. Rreth nesh, ndoshta dhe shumë afër nesh, ekzistojnë “gjysmë të vdekurit” dhe të plagosurit nga e keqja e botës apo nga fatkeqësitë e larmishme. Nuk ekziston pothuajse asnjë shtëpi, që të mos ketë ndonjë sprovë. Të gjithë këtyre le t’u tregojmë aq dashuri sa duam të na tregojnë të tjerët në rastet kur gjendemi në vështirësi. “Duaje të afërmin tënd si veten tënde”, na thekson Zoti.

Mësuesi i ligjit në Ungjillin e sotëm pyeti si do ta fitojmë jetën e përjetshme. Dhe Zoti e drejtoi tek njeriu i dashurisë. Feja jonë nuk është teori, është jetë dhe veprim. Është sakrificë në altarin e dashurisë. “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”, do të thotë të mendojmë për të tjerët si për veten tonë! Që ta arrijmë këtë duhet të çlirohemi nga prangat tona, nga çështjet tona, nga interesi ynë. Fjala e frymëzuar nga Perëndia thekson: “Gëzohuni me ata që gëzohen, edhe qani me ata që qajnë.” Romakëve 12, 15. Domethënë të jetojmë bashkë me të tjerët, me mendimin e gëzimit të tyre dhe të fatkeqësisë së tyre. Të vuajmë me dhimbjen e tyre.

Nuk mjafton të prekesh, deri sa të lotosh, përpara një fatkeqësie. Duhet t’i afrohesh tjetrit, “të afërmit tënd”, dhe të ofrosh sa mundesh. Nuk është e mundur t’i bësh të gjitha, por mund të fshish disa lot dhe të zbutësh pak dhimbjen. Kryesisht, Samaritani i mirë nuk u mjaftua vetëm duke lidhur plagët. Në vazhdim e mori në krahët e tij dhe “e hipi mbi kafshën e tij”. Këtu fshihet misteri i dashurisë së Krishtit, që është “Ai që ngre mëkatin e botës”. Joani 1, 29.

Mbi vete, si një kafshë, mbi trupin njerëzor, që mori për të zbritur mbi tokë, mbi atë trup njerëzor, “të hyjnizuar”, për shkak të bashkimit të tij me natyrën hyjnore, mori njeriun e plagosur. Mbi vete, siç thamë më parë, ngriti mëkatet e botës. U bë shërbëtor për mëkatet tona.

Ku janë njerëzit e sotëm, t’u shërbejnë të tjerëve, t’u shërbejnë vështirësive dhe nevojave shpirtërore të botës? Të gjithë duan të jenë zotërinj siç duhet. Asnjë nuk do të jetë hamall i dashurisë, hamall i detyrës së tij.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

E mira duhet të bëhet, që njeriu t’i pëlqejë Perëndisë dhe njerëzve. Që t’i shërbejë me dashuri dhe pa interes të afërmit të tij; gjithmonë me guxim dhe vendosmëri. Atëherë ka vlerë përpara Perëndisë dhe njerëzve. Zoti Jisu Krisht Perëndinjeri na paraqet Samaritanin e mirë -veten e Tij- si frymëzues dhe shembull të njeridashjes së vërtetë dhe i thërret secilit prej nesh: “Shko edhe ti bëj kështu”.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 10.11.2019