/Shkatërrimi i tempujve fetarë në vitin 1967 Nga Ilirjan Gjika

Shkatërrimi i tempujve fetarë në vitin 1967 Nga Ilirjan Gjika

Shqipëria është një nga vendet ku krishtërimi ka rrënjë të vjetra që nga periudha apostolike. Në “Letrën dërguar Romakëve”, Shën Pavli thekson se: “…kështu prej Jeruzalemit e përqark deri në Iliri kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit”. Ndërsa në “Letrën dërguar Titit”, Shën Pavli thotë: “Kur të dërgoj Artemanë dhe Tikikun bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopol, sepse vendosa të kaloj dimrin aty” (1). Këtu, mund të veçojmë si shembull të qartë ekzistencën në Durrës të një komuniteti kristian qysh në shek. I. Dokumentat dëshmojnë se bashkësia e krishterë e këtij qyteti përbëhej në vitin 58, nga 70 anëtarë së bashku me familjet e tyre (2). Peshkopi i parë i kësaj bashkësie ishte Shën Qesari i cili u emërua në këtë detyrë nga Apostulli Pavli (3). Pas shumë vitesh shërbimi në Durrës, Shën Qesari do të largohej për të drejtuar komunitetin kristian të Koronës në Peloponez. Përpara largimit, ai vendosi në vendin vakant peshkopin e ri: Shën Astin. Kështu, në dorëshkrimin. Nr. 423 të Bibliotekës së Patriarkanës të Jeruzalemit, jepen 70-të apostujt e parë, të cilët u dorëzuan si peshkopë të komuniteteve kristiane që funksiononin atëherë në Perandorinë Romake. Midis tyre me nr. 54 është shënuar emri i Shën Qesarit të Durrësit, ndërsa nr. 55 është shkruar emri i Marinit, peshkopit të Apolonisë (4).
Nga kjo traditë e hershme me zyrtarizmin e krishtërimit si një prej feve të Perandorisë Romake në vitin 313, organizimi i klerit dhe ndërtimi i faltoreve fetare. Kështu, prej shekujve IV-VI, në territorin e vendit tonë janë gjetur nga arkeologët, një sërë rrënojash bazilikash paleokristiane, vepra të mirëfillta arkitektonike dhe të trajtuara edhe nga pikpamja artistike. Të tilla mund të përmendim mozaikun e kishës së Tiranës, vepër e periudhës kostandiniane, si dhe bazilikat e Arapajt në Durrës, të Elbasanit, Linit në Pogradec, Zaradishtës në Korçë, pesë bazilikat e Bylisit dhe ato të Amantias, Mesaplikut, Antigonesë, Sarandës, Butrintit, Finiqit, etj. Gjithashtu gjatë mesjetës u ndërtuan një sërë kishash dhe bazilikash, një pjesë e të cilave funksionojnë edhe sot si trashëgimni kulturore shumë e çmuar dhe me vlera. Të tilla objekte e periudhës bizantinte si, kisha e Apolonisë, kishat të kalasë së Beratit, kishat në Kurjan, Sinjë, Ristozit dhe Boboshticës në Korçë, Kosinës në Përmet, Labovës dhe Peshkëpisë në Gjirokastër (5). Ato do të pasoheshin nga një sërë ndërtimesh gjatë shek. XVI-XIX, objekte që spikasin për dekorimin e brendshëm me afreske, ikonostase dhe ikona, vepra të mirëfillta artistike, që së bashku me emrat e mjeshtërve të tyre si Onufri, i biri i tij Nikolla, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, piktorëve të familjes Zografi, asaj Çetiri, Mihal Anagnosti, etj (6).
Të gjitha këto vlera u ruajtën ndër shekuj me kujdes dhe përkushtim nga Kisha Orthodhokse jo vetëm si objekte të funksionit kishtar, por edhe si ndërtime të trashëgimnisë kulturore dhe artistike të popullit tonë. Një veprimtari e tillë do të vijonte deri në vitin 1967, kur shteti komunist mori një prej vendimeve më të papreçedentë në historinë e ekzistencës së tij, atë të mbylljes së objekteve të kultit dhe ndalimin e besimeve fetare. Gjithçka nisi me fjalimi e Enver Hoxhës në 6 shkurt të këtij viti për “Revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë dhe pushtetit”. Mbi këtë bazë nisi aksioni popullor i masës së të rinjve nxënës, punëtorë dhe kooperativistë për shkatërrimin e objekte të kultit (7). Ai përfundoi me dekretin e 22 nëntorit 1967, ku Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Kështu qindra kisha u rrafshuan, ndërsa dhjetra të tjera u kthyen në depo, stalla, ofiçina, punishte, palestra, vatra culture, repartee ushtarake, etj.
Mbi bazën e relacionit që zv. Ministri i Arsimit dhe Kulturës, Hasan Duma, i dërgon në dt. 17 tetor 1967, Komitetit Qëndror të PPSH, figuron se deri në vitin 1966 në Shqipëri funksiononin 600 kisha ortodokse, nga të cilat 66 të tilla u vunë në mbrojtje nga shteti si monumente kulture, së bashku me rrënojat e 19 bazilikave paleokristiane dhe shpellave eremite, si objekte që vinin nga gërmimet arkeologjike dhe ekspeditat studimore me karakter etnografik dhe historik (9).
Furia ateiste nuk kurseu nga shkatërrimi gjatë fushatës antifetare kisha të vjetra, të rralla, unike, së bashku me vlerat e jashtëzakonshme që ato bartnin. Objekti i parë i cili u shkatërrua ishte Manastiri i Shën Vlashit në Durrës për tu pasuar më pas nga shumë kisha të tjera orthodhokse në të gjithë Shqipërinë. Sipas relacionit të mësipërm u hoqën nga lista e mbrojtjes si monumente kulture të shpallura qysh në vitin 1963, në fletoren zyrtare nr. 1, një numër i konsiderueshëm objektesh pa qenë nevoja e bërjes së dokumentacionit (10). Ndërkohë që ato jo vetëm nuk u vunë në përdorim publik por fati i tyre ishte edhe më keq. Kështu mund të përmendim dy shembuj, atë tëkishës së Gjergjit në Fier e shkatërruar në formë spektakli ,në 23 prill 1969 dhe rastin e kishës së “Ungjillizimit” në Tiranë, e cila u shemb në vitin 1970 për ti hapur rrugë ndërtimit të 15 katëshit, hotel Tiranës. Po kështu një fat të ngjashëm pati edhe ky manastir i hirshëm ku jemi mbledhur për të komunikuar së bashku. Në vitin 1946, manastiri i Shën Theodhorëve, u mor nën kontroll nga ushtria shqiptare dhe u kthye në një pikë vrojtimi të saj, pikërisht këtu ku ndodhemi ne ishte vendosur një prozhektor i fuqishëm, që kontrollonte lëvizjet e njërëzve që tentonin të arratiseshin jashtë vendit. Por edhe situata e objekteve të tjera që u morën nën kujdes nga shteti si monumente kulture nuk ishte më e mirë. Sipas raporteve që Rrapi Saqellari, kujdestar i Institutit të Monumenteve të Kulturës për zonën e Libofshës, i dërgon në vitin 1989, Muzeut Historik Fier, ngre shqetësimin e tij për një sërë vjedhjesh të ikonave dhe orendive të tjera kishtare në Kishën e Shën Gjergjit Libofshë, kishën e Shën Kollit Vanaj dhe manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas. Një gjë e tillë për mungesë rojesh dhe kujdesi nga ana e pushtetit vendor i cili siapas këtyre informcioneve qëndron indifferent. Kështu, në relacionin e dt. 25 gusht 1989, lexojmë në ligjëratë të drejtë këtë pasazh: ‘’Ju njoftojmë se në datën 24. 8. 1989 te kisha e Shën Kozmait në Kolkondas është thyer një dritare me heqjen e kornizë së hekurt dhe janë futur brenda disa persona…te kisha e Shën Kollit në Vanaj janë marrë gjashtë ikona (11).
E tillë ishte gjendja e kishave dhe manastireve të Shqipërisë deri në vitet 1991-1992, kohë kur gradualisht dhe me pengesa të mëdha nga autoritetet përkatëse u morën nën kontroll nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Sipas statistika të këtij institucioni krahas ringrijes aë tij nga themelet përveç ndërtimit të 160 kishave të reja, u restauruan edhe 68 kishave dhe manastireve që gëzonin statusin monumente culture dhe u rindërtuan dhe u ripariruan edhe 170 kishave të tjera. Për rolin e jashtëzakonshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në mbrojtjen dhe përkujdesjen e tempujve kishtarë është me shumë vend përcaktimi që ka bërë në këtë rast Prof. Dr. Pirro Thomo, një nga njerëzit me merita të theksuara në studimin dhe restaurimin e objekteve të kulturës në Shqipëri. Në artikullin e tij të titulluar ‘’Kontributi i Kryepiskopit Anastas për mbrojtjen dhe restaurimin e Monumenteve’’, ai midis të tjerave thekson se: ‘’… në një kohë kur shteti shqiptar kalonte një periudhë të vështirë tranzicioni dhe restaurimi i monumenteve nuk mund të ishte ndër prioritetet e saj, veprimtaria e Kishës Orthodhokse në këtë drejtim duhet konsideruar si kontribut tepër i vlefshëm dhe si një fat i madh për shpëtimin e këtyre dhjetra monumenteve nga rrënimi i mëtejshëm i tyre’’.
Por le të kthehemi tashmë tek ana problemore e ligjëratës së sotme. Pavarësisht punës shumë të mirë që është bërë në drejtim të mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së kishave monumente kulture, ka shumë objekte të tilla që ndodhen në një gjendje jo të mirë. Një fakt të tillë e kemi kostatuar me ekipin e Radio Ngjalljes nëpërmjet cilkit dokumentar ‘’Udhëtim në kishat e hershme të Shqipërisë’’. Të tilla janë kishat e kisha e Shën e Premtes në Povelçë të Fierit, dy kisha në territorine Bashkisë Lushnje si ato të Shën Mërisë në Bishqethëm dhe manastirit të Shën Todrit në Kadipashaj, kisha e Shën Gjergjit në Strumë të Roskovecit, Kisha e Perondisë në Kuçovë, kishat e kalasë së Himarës, etj.
Por cila është zgjidhja e këtij problemi pasi Kisha Orthodhokse nuk mundet ti përkushtohet njëkohësisht të gjitha këtyre objekteve dhe tempujve fetarë, ndërkohë që përgjegjësinë në ruajtjen dhe administrimin e rasteve kur këto faltore janë monumente kulture e ka Ministria e Kulturës, nëpërmjet Drejtorive Rajonale të Monumeteve të Kulturës. Ndërkohë që një shembull tipik i
Kujdesit dhe vizionit na vjen nga Bashkia Roskovec. Kështu pas konstituimit të saj në vitin 2015 si rezultat i reformës administrative territoriale, ky institucion i qeverisjes vendore krijoi ura komunikimi me Kishën Orthodhokse fillimisht me Mitropolinë e Beratit, Kaninës, dhe Myzeqesë dhe më pas me krijimin e saj në 16 prill 2016 edhe me Mitropolinë e Apolonisë dhe Fierit. Si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe ndjeshmërisë qytetare dhe intelektuale, autoritetet e kësaj bashkie ndërmorën financimin e projektit që u zbatua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, për restaurimin e kishës së Shën Nikollës në Kurjan, monument kulture. Vërtet një punë e lavdërueshme e cila pas përfundimit të saj në vitin 2018 e ka kthyer këtë objekt në një atraksion jo vetëm të turizmit fetar por edhe atij kulturor dhe historik.
Pra bashkëpunimi, vullneti i mirë, përgjegjshmëria dhe vizioni sin ë këtë rast janë shembulli më i mirë për të punuar në mbrojtjen dhe përkujdesjen e tempujve fetarë. Inisiativa të tilla vendore duhet të kenë një përhapje më të gjerë për ti dhënë një zgjidhje këtij problem. Të gjithë mund të kontribuojmë si aktorë qytetarë, intelektualë, njërëz të kishës apo publik. Është një sfidë e jona që duhet përballuar qysh tani, për të ruajtur këto thesare shpirtërore dhe indentitare të kulturës sonë.
………………..
1-Bibla, LIM, Tiranë 1991-1994, f. 189, 252
2-Daniele Farlato, Ilyricum Sacrum, II, Venetiis, MDCCLXXV, f. 374
3-Po aty, f. 12-13
4-Anthimos D. Alexoudes, Sintomos historike perigraphe tes hieras metropoleos
Belegradion, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 110
5-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 20-303
6-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 23-33
7-Pjerin Mirdita, Objekte të kultit dhe në shërbim të komuniteteve fetare të shkatërruara apo tjetërsuara gjatë regjimit komunist, www.akademia.edu
8-Anastasi, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Kisha e Shqipërisë nga vitet apostolike deri më sot, Art&Trashëgimni, 7, Tiranë 2016, f. 20
9-Relacioni i 1967, si shkatërroi regjimi 200 kisha e xhami monument kulture, Shqiptarja.com, dt. 17 prill 2014
10-Gazeta Zyrtare Nr. 1 – 1963, Relacioni i 1967, si shkatërroi regjimi 200 kisha e xhami monument kulture, Shqiptarja.com, dt. 17 prill 2014
11-Dosja Rrapi Saqellari, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
Temë e mbajtur në kampin studentor të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Manastiri i “Shën Theodhorëve” Dhërmi
25 Gusht 2023