I nderuar Fortlumturi!
Të nderuar Mitropolitë!
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Përulësisht qëndroj sot para jush, si dëshmi e asaj që shumë, tashmë e quajnë mrekullia e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, për të reflektuar sadopak për personin dhe veprën e atit tonë të shtrenjtë, Kryebariut tonë vizionar, Kryepiskopit Anastas, bekimit të madh që Zoti i dha mbarë botës, këtij vendi, kësaj kishe edhe neve bijve të saj.
Prania jonë këtu sot, si klerikë, si laikë dhe si të rinj dëshmon qartë se Perëndia ynë është Perëndi i mrekullive dhe bën çudira ndër shenjtorët e tij, nëpërmjet atyre që i dorëzohen Dashurisë së Tij dhe shërbimit të njerëzimit.
Ati ynë i shtrenjtë, jemi këtu sot në këtë përvjetor të 31-të të shërbimit tuaj në Shqipëri, dhe pothuajse një shekulli shërbimi në mbarë njerëzimin, për të falenderuar Zotin, sidomos për atë që ka bërë nëpërmjet Jush në shkretëtirën e shumanshme të vendit tonë: shkretëtirë kishash që ishin kthyer në gërmadha e pirgje gurësh të egër, shkretëtirë skllavërie, ku prangat e diktaturës mbysnin shumë njerëz, shkretëtirë zemrash të akullta, që nuk njihnin emrin e Zotit dhe nuk vaditeshin me hirin e Mistereve, shkretëtirë e shumformëshme, të cilën vetëm dora e të Shumëlatrit do të mund ta lulëzonte!
Sa të pamjaftueshme dhe të cekëta duken fjalët, kur përpiqemi të shprehim këtë mrekulli dhe ripërtëritje të shkretëtirës së shumanshme! Heshtja soditëse edhe plot admirim do të fliste më shumë, por po marr guxim, ati im i shtrenjtë, dhe po shprehem.
Pothuajse një shekull jete dhe shërbimi në Zotin, do të përpiqem ta sjell në pak minuta.
A do të mundet dikush të paraqesë në pak paragrafë zgjimin hierapostolik të Kishës Orthodhokse, atë që pas shekujsh, u realizua falë Jush, Fortlumturi!
A mundet vallë ky fjalim të paraqesë, sikur edhe titujt e 400 studimeve, shkrimeve, artikujve, e të paktën 10 monografive, teksteve të botuara në revista prestigjoze shkencore ndërkombëtare, e dhjetra librave të përkthyera në mbi 10 gjuhë të botës?
Si mund të përmblidhet në pak rreshta roli juaj esencial në konsolidimin e paqes në Ballkan, për të cilin jeni propozuar për çmimin Nobel nga 37 akademikë dhe personalitete botërore nga i gjithë globi?
A mund të mjaftojë koha për të përshkruar ringritjen e Kishës në Afrikë dhe Shqipëri për dekada me radhë në fronte të ndryshme zhvillimi?
Kur Ju u tërhoqët në ishullin e Patmosit, për të qëndruar vetëm, i ulur përpara detit të pafund, përballeshit me një dilemë sfiduese – të qëndronit në vendin e tuaj të bukur në Evropë, në mes të njerëzve që i donit dhe të donin apo t’i bindeshit urdhërimit të fundit të Zotit: “Shkoni”, dhe të niseshit për në Afrikë. … Përgjigjja ju erdhi në formën e një pyetje shumë kritike: “A të mjafton Perëndia? Nëse është kështu atëherë nisu. Nëse jo, atëherë qëndro këtu ku je”. Një pyetje që pasoi e forcoi edhe më shumë të parën. “Por nëse nuk të mjafton Perëndia, në cilin Perëndi beson ti”? Pastaj një vendim shumë i paqshëm pasoi, duke ju dhënë drejtim të ri në fushën e misionarizmit.
Edhe sot të gjithë ne të mrekulluar me veprën që ka bërë Zoti, nëpërmjet jush që ecët me moton “Më mjafton Perëndia” dhe shkuat deri në skajet të dheut, për të mbjellë farën e besimit dhe për të zbukuruar botën me lulet shumëngjyrëshe të dashurisë prej së Larti.
Jeta juaj, Fortlumturi, ka vulën vendimtare të të Madhit, të unikales dhe të mrekullisë.
Jeta juaj është udhë kryqi dhe triumf Ngjalljeje! Siç na e theksoni shpesh që nuk ka ngjallje pa kryq!
Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë të flas sot këtu për një prej dashurive të Perëndisë në jetët tona, për Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin Anastas! Prej 31 vjetësh në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ai ka qenë personi që na ka udhëhequr në një rrugë e vështirë, plot me të panjohura e sfida, duke ringritur nga hiri gjithçka, një ngrehinë të fortë dhe të plotë të kishës, me objekte, klerikë dhe besimtarë. Dhe brenda kësaj ecjeje të sigurtë kujtojmë me respekt një rrugëtim të sigurtë drejt vazhdimësisë dhe garantimit të besimit orthodhoks dhe Kishës së Shenjtë në këtë vend martirik ku Ungjilli u predikua nga goja e vet Apostujve të Zotit Krisht.
Ligjëratën time të sotme do ta trajtoja të ndarë në disa paragrafë për të nxjerrë sa më në pah personalitetin e jashtëzakonshëm të Kryepiskopit Anastas.
Ashtu si dikur Zoti ynë dërgoi Apostujt në të gjithë botën edhe Kisha Mëmë Patriarkana Ekumenike u kujdes që të dërgonte në Shqipëri si ekzark Episkopin e Andrusës Pr. Dr Anastasin. Ai do të mbërrinte në Shqipëri në 16 korrik 1991 i shoqëruar nga një grup i vogël bashkëpunëtorësh, ku menjëherë vendosi kontaktet e para me komunitetin orthodhoks, për të vizituar më pas qytetet dhe qëndrat kryesore të kishës së atëhershme orthodhokse, që kishin mbijetuar nga nata e gjatë, e errët dhe tragjike e ateizmit.
Gjatë vizitës në këto qëndra duke meshuar dhe predikuar Fjalën Hyjnore, duke kryer Efqeli dhe Ajazma, duke kontaktuar me priftërinjtë dhe këshillat kishtare, Fortlumturia e tij, nisi rrugën e e gjatë dhe të vështirë të ringritjes të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Do të ishte e kremtja e profetit Ilia, pikërisht në 20 korrik 1991, Liturgjia e parë Hyjnore e zhvilluar në kishën katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë, që do të shënonte zyrtarisht fillimin e këtij rrugëtimi. Më pas ajo do të shoqërohej me ceremoni të tjera ku do të transmetoheshin uratat atërore, bekimet, dhe do të kryheshin predikimet e Ungjillit në të gjithë trevat e Shqipërisë ku jetonin komunitetet orthodhokse.
Duke e parë me aspektin e statistikës historike veprën dhe misionin e Kryepiskopit Anastas do ta ndaja në tre dimensione: si Hierark i shenjtë, si shkencëtar dhe si qytetar i denjë i Mbretërisë së Qiejve.
1. Në qershor 1992, ai u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe në 2 gusht 1992 u fronëzua në kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë. Përmes vështirësive të shumta, ai do të ringrinte nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Kontributi si Hierark dhe si misionar në Shqipëri përfshin ngritjen e 160 kishave të reja, restaurimin e 70 kishave dhe manastireve që gëzojnë statusin monumente kulture, rindërtimin dhe riparimin e 170 kishave. Ndërsa do të ishin 80 godina të tjera të ndërtuara apo të përshtatura për kopshte, shkolla, qëndra rinore, seli mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte dhe mensa, ku e gjithë vepra ndërtuese shkon në 500 godina dhe objekte.
Paralelisht me ngritjen e ngrehinës së kishës ai do të punonte edhe për ngritjen e strukturave klerikale, krijimin e legjislacionit përkatës dhe formimin dhe konsolidimin e një trupe të gjerë klerikale prej 160 klerikësh mbi baza të shëndosha formimi dhe arsimimi profesional. Për nevojat e ngutshme dhe të mëdha të arsimimit në vitin 1992 nisi funksionimi i Shkollës Hieratike, për tu pasuar më vonë nga Akademia Teologjike ‘’Ngjallja e Krishtit’’, Liceu Kishtar ‘’Kryqi i Nderuar’’ në Gjirokastër, Liceu Kishtar i Sukthit, Shkolla e Muzikës Bizantine në Tiranë, Kolegji Universitar Logos me fakultetet e tij dhe kompleksi arsimor ‘’Protagonistët’’ në Tiranë, kompleksi arsimor ‘’Frymë Dashurie’’ në disa qytete të vendit, konvikti i vajzave ‘’E Tërëshenjta Mari, Trëndafili i Pavyshkur’’, pa harrur dhe përmendur këtu edukimin e të rinjve nëpërmjet ngritjes së Lidhjes Rinore ‘’Bijtë e Dritës’’, kampeve dhe veprimtarive të përvitshme rinore që organizohen çdo vit në të gjithë Shqipërinë, si dhe të një rrjeti të gjerë kopshtesh në qytetet kryesore të vendit.
Nga kjo veprimtari që për analogji është konsideruar me shumë të drejtë si një aktivitet ‘’Hieroapostolik dhe Baritor’’, ne trashëgojmë një kishë të konsoliduar që e ka shtrirë veprimtarinë e saj në të gjithë vendin me gjashtë Mitropoli dhe 460 enori orthodhokse, me një Sinod të konsoliduar në krye. Po kështu, ai është protagonisti kryesor në formulimin dhe miratimin e Statutit të ri të KOASH, aprovuar në nëntor të vitit 2006 në Manastirin e hirshëm të Shën Vlashit në Durrës, nga ansambleja kleriko-laike. Mbi bazën e këtij dokumenti në 24 tetor 2008, Kryepiskopi Anastas do të nënshkruante marrëveshjen midis Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Qeverisë Shqiptare, e cila në janar 2009 do të ratifikohej nga kuvendi i Shqipërisë dhe do të dekretohej edhe nga presidenti i republikës. Një marrëveshje e rëndësishme që rregullon marrëdhëniet midis Shtetit Shqiptar dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Vëllezër dhe motra!
2. Dëshiroj të theksoj se si shkencëtar, intelektual dhe dhe personalitet i shquar, Kryepiskopi Anastas, do ti kushtonte një prioritet të madh edhe botimeve kishtare. Në këtë kuadër me inisiativën e tij do të ngrihej një shtypshkronjë moderne, e cila do të botonte gazetën e përmuajshme ‘’Ngjallja’’, revistën për fëmijë ’Kambanat’’, buletinin studentor ‘’Fjala’’, revistën shkencore periodike ‘’Kërkim’’, buletinin në gjuhën angleze ‘’Neës from Ortodoxy of Albania’’, etj. Përveç botimit të dhjetra librave liturgjikë, shpirtërorë, shkencorë, janë sponsorizuar edhe botime të tjera me karakter shkencor, filma dokumentarë simpoziume shkenore, pa harruar edhe veprimtarinë e Radio Ngjalljes, stacionit radiofonik orthodhoks që trasmeton një spektër të gjerë programesh që nga viti 1998.
Krahas punës misionare ai do të vijonte edhe kontributin e tij intelektual në fushën e botimeve si autor i dhjetra librave shkencorë, studimeve dhe artikujve me përmbajtje theologjike dhe fetarologjike. Kontributi i tij në fushën e shkencës, në dëshminë e krishterë bashkëkohore, në përafrimin me konfesionet e tjera të krishtera, në dialogun ndërfetar dhe në bashkekzistencën paqësore midis popujve dhe feve, është i njohur botërisht.
Libri i tij ‘’Globalizmi dhe Orthodhoksia’’ do të pritej shumë mirë jo vetëm nga lexuesit por edhe kritika, ku shumë autorë nga sfera laike do të shpreheshin me superlativa rreth tij.
‘’ Sa pranë qëndron fjala me veprën e Hirësisë së Tij në rimëkëmbjen e Kishës OrthodhokseAutoqefale të Shqipërisë’’, thekson në refleksion të tij mbi këtë libër Prof. Dr. Neritan Ceka.
3. Kontributi i jashtëzakonshëm i Kryepiskopit Anastas shtrihet edhe në fusha të tjera midis të cilave edhe edhe ai me karakter social, të cilin ai e plotëson më së miri si qytetar i denjë i Mbretërisë së Qiejve me personalitetin e tij shumëplanësh ku gërshetohet humanizmi, morali kristian, intelektualizmi.
Profili human i tij do të binte në sy që në momentin e parë të ardhjes së Tij në Shqipëri por do ti bëhëj i njohur botërisht veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, kur me inisiativën e tij do të organizohej një program i gjerë humanitar, gjatë të cilës u ndihmuan dhe sistemuan në vend pritjeje 33.000 refugjatë lufte. Po kështu vepra të tij humanitare kanë qënë përkujdesja për për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, urave, riparimin e shkollave publike, etj.
‘’… Në një kohë kur shteti shqiptar kalonte një periudhë të vështirë tranzicioni dhe restaurimi i monumenteve nuk mund të ishte ndër prioritetet e saj, veprimtaria e Kishës Orthodhokse në këtë drejtim duhet konsideruar si kontribut tepër i vlefshëm dhe si një fat i madh për shpëtimin e këtyre dhjetëra monumenteve nga rrënimi i mëtejshëm i tyre’’, thekson në ligjëratë të drejtë në artikun e tij të titulluar ‘’Kontributi i Kryepiskopit Anastas për mbrojtjen dhe restaurimin e Monumenteve’’, Prof. dr. Pirro Thomo.
Ndërkohë që një kujdes të veçantë nën drejtimin e Tij ju kushtua edhe sherbimit shëndetësor dhe atij social. Përveç një sërë qëndrash të kujdesit parësor shëndetësor që do të funksiononin në disa qytete të Shqipërisë nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Qëndrën Mjekësore Diagnostikuese Orthodhokse ‘’Ungjillizimi’’ në Tiranë me 24 specialitete, apo Qëndrën Okulistike dhe Otoringologjike me pajisjet mjekësore nga më modernet.
Përveçse detyrës dhe misionit si klerik Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas ka qenë në këto edhe një veprimtar dhe ndërveprues i shquar shoqëror, veprimtari e zhvilluar jashtë kuadrit të kishës sonë. Kështu u vendosën marrëdhënie të rregullta dhe reciproke me të gjitha fetë zyrtare që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë si Kishën Katolike, Komunitetin Myslyman të Shqipërisë dhe Kryegjyshatën Bektashiane Botërore, bashkëpunimi me të cilat vijon edhe sot. Nga viti 2018 dhe në vijim ai do të ishte edhe president i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Po kështu, Kisha jonë me praninë dhe aktivitetin e saj të gjithanshëm ka kontribuar në këto tre dekada në jo vetëm në ristrukturimin por edhe në konsolidimin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare, duke qënë jo vetëm një faktor i rëndësishëm shpirtëror i komunitetit orthodhoks, por edhe një institucion stabiliteti dhe mbështetje për shtetin shqiptar.
Ndërkohë që edhe në aspektin ndërkombëtar ai do ta shndërronte Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në një kishë që qëndron dinjitoze dhe e barabartë me simotrat e saj në rajon, Europë dhe në botë, me pjesëmarrje aktive në organizmat ndërkombëtare. Si kryebariu ikishës sonë orthodhokse ai e ka përfaqësuar atë në Këshillin Evropian të Liderëve Fetarë “Fetë për Paqen”, Konferencën e Kishave Evropiane, Këshillin Botëror të Kishave, Konferencën Botërore të Feve për Paqen, etj.
Njëkohësisht, ai është përpjekur si faktor për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin midis kishave dhe popujve të rajonit të Ballkanit, ku për merita të shquara i janë akorduar shumë dekorata dhe çmime nga vende të ndryshme.
Fortlumturi, Ju jeni Anastasi i gjithë botës, por më tepër i shqiptarëve dhe i Shqipërisë, vendi ku Zoti deshi të ofronit veten për 3 dekada e urojmë edhe për shumë të tjera. Edhe emri Juaj që tashmë është njesuar me Ngjalljen e Orthodhoksisë në Shqipëri, mishëron brenda tij edhe një Golgotha të madhe. Golgothaja e sakrificës, Golgothaja e shpifjeve, Golgothaja e akuzave, Golgothaja e lotëve… dhe në këtë Golgotha Ju ecni ende, me durim, modesti dhe besim absolut, se fjalën e fundit në histori e ka Zoti i plotfuqishëm.
Jeta jote, Fortlumturi, ka vulën vendimtare të të Madhit, të unikales dhe të mrekullisë.
… Fortlumturia është personalitet ekumenik. Kjo, jo vetëm se është i njohur në mbarë botën, as sepse ka studiuar, punuar e shkuar thuajse në të gjitha kontinentet, as edhe pse ka njohur shumë fe e qytetërime dhe as që është nderuar me shumë çmime e dekorata ndërkombëtare.
Fisnikëria e tij ekumenike ka të bëjë me vetë natyrën e tij, mendimet, ndjenjat, cilësitë e personit të tij, aftësitë natyrale. Kur mendimi i dikujt nuk mund të rrijë në kornizat e ngushta të logjikës së zakonshme, kur teprica e dashurisë së tij nuk mund të kufizohet në qëllime, synime dhe parashikime, kur përulësia e fisnikërisë së tij nuk matet, atëherë ai nuk i takon një pakice, nuk ka kufi, është ekumenik. …
Dashuria e tij për njeriun e çdo race, të çdo feje, ngjyre apo vendi të tokës, të çdo qytetërimi, të çdo shtrese shoqërore dhe besimi i thellë se Perëndia është i kudogjendur, se “sipas ikonës së Tij”, ndodhet e shkruar në çdo njeri, nuk e izoloi tek ajo që është e afërt, tek tanët, në të njohurit, të burgoset në egoizmin e tij personal apo social. Theu enën e origjinës së tij, si të një identiteti që të kufizon, shpërtheu derën e besimit të tij tradicional për sa i takon ideologjisë fetare, shfuqizoi fjalët kufi, caqe, racë, gjuhë. Iu shmang terrenit rëndues të egoizmave dhe e përqafoi botën si krijesë të Perëndisë. Njeri guximtar, vizionar, i vendosur, plot fryte. Njëkohësisht i urtë, i sjellshëm, dinjitoz, kreativ. Teorik dhe praktik, akademik dhe administrativ, i qartë në besimin e tij dhe dashamirës në marrëdhëniet e tij me të tjerë. Ekumenik në pohimin tij, i hapur ndaj qytetërimeve të tjera, ndaj vepra e tij nuk është nga kjo botë. Nuk shpjegohet, nuk justifikohet. Thjesht admirohet. Nuk është e tija, nuk është sipas njeriut. Është vetëm e Perëndisë. Prandaj edhe si njeri nuk gjykohet, vetëm vlerësohet.
(Mitropoliti i Mesogias dhe Lavriotiksë –Atikë, Hirësia e Tij Nikolla (Haxhinikolau), Doktor në Teologji, Kërkim nr.3. Tiranë, 2009.
Vëllezër dhe motra!
Klerikë dhe laikë!
Po e mbyll këtë ligjëratë me fjalët e historianit dhe politikanit të mirënjohur Pr. Dr. Paskal Milo: “Ne kemi fatin e madh që kemi pikërisht këtë personalitet kaq të madh të fesë dhe të shkencës të cilin e kemi këtu midis nesh. Është pronë e jona, është pasuri e jona, e komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë por edhe i vet Shqipërisë”.
Le ta falenderojmë Zotin tonë Jisu Krisht që na dërgoi në Shqipëri këtë Hierark dhe këtë Atë kaq të dashur dhe të dhembshur për të gjithë ne!
Në këtë përvjetor të 31 të Fronëzimit Fortlumturisë së Tij do ti uroja në emrin Tuaj – Kryespiskopit tonë Anastas, jetë të gjatë dhe shumë vite të tjera shërbimi në krye të kishës sonë të shenjtë! Për shumë vjet o Kryezot!
(Fjalë e përgatitur nga Atë Grigor Pelushi me rastin e 31 vjetorit të Fronëzomit të Fortlumturisë së Tij
Pr. Dr. Anastasit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë).
Lexuar pjesërisht në Aktivitetin e mbajtur me këtë rast në Qendrën Kulturore pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë.
2 Gusht 2023