/Jeta juaj, Fortlumturi, ka vulën vendimtare të të Madhit, të unikales dhe të mrekullisë.

Jeta juaj, Fortlumturi, ka vulën vendimtare të të Madhit, të unikales dhe të mrekullisë.

Jeta juaj, Fortlumturi, ka vulën vendimtare të të Madhit, të unikales dhe të mrekullisë.
Jeta juaj është udhë kryqi dhe triumf Ngjalljeje! Siç na e theksoni shpesh që nuk ka ngjallje pa kryq!
– Nëntori të vitit 1929 i dhuroi njerëzimit një foshnjë të cilët mjekët sugjeruan të mos dalë në jetë. Por nëna e tij besimtare dëgjoi më shumë Zotin se njeriun dhe ja vjen në jetë Anastasi i vogël. Rritet në Pire dhe në Athinë kalon vitet e adoleshencës, shkëlqen në mësime; provë kjo për rrugëtimin e shkëlqyer që do të pasonit. Ju foshnja që s’do të lindnit kurrë, ishit shembulli i bashkëmoshatarëve tuaj dhe i më të vegjëlve, mburrja e botës fëmijërore – siç ju kujtojnë bashkënxënësit tuaj, sot njerëz të shquar shpirtërorë. Kërkimet tuaja të brendshme, si i ri karizmatik, përjetimi i besimit në mënyrë personale, në të cilin kuptuat nevojën urgjente për qaqe të brendshme në mes të kaosit nga të këqijat e Luftës II Botërore, si dhe nga pasojat e luftës civile në Greqi, ju shtynë të studionit theologji dhe jo ndonjë shkencë tjetër më të vlerësuar sipas kritereve të zakonshme dhe ky vendim juaji përbënte një skandal të madh për kohën, por edhe një hap të parë drejt një vetëmohimi të vullnetshëm, anët e tjera të të cilit nuk vonuan të dalin në skenë.
Kaq drithëruese ishte kjo dëshirë juaj për të ndjekur Krishtin, saqë thoshit: Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin.
Kur i riu Anastas, ishte në të 30-tat, dmth nga gjysma e dytë e shek XX, Kisha nuk ishte shumë aktive në misionarizëm. Në fundin të viteve 1950, një numër teologësh të rinj orthodhoksë filluan të ngrenë zërin për nevojën e misionarizmit jashtë Kishës. Konferenca rinore e vitit 1958, nxiti thirrje për misionarizëm, duke theksuar që përgjegjësia e Kishës ndaj misionit nuk ishte thjesht diçka e së kaluarës, por përkundrazi një përgjegjësi për Kishën bashkëkohore. Udhëheqësi i këtij grupimi shumë të ri ishte Anastas Janullatos, i riu orthodhoks dhe teolog, i cili sfidoi Kishën e Greqisë, si edhe Kishën Orthodhokse në një shkallë më të gjerë, që të ringjallte traditën e dikurshme misionare.
Pikërisht në të 30-tat, (1959) kjo dhuratë e Zotit, ky djalosh fenomen, ndihmoi në themelimin e lëvizjes misionare “Porefthentes” (Shkoni). Artikulli nxitës i Anastasit, të titulluar “Porosia e harruar”, I botuar në revistën “Shkoni”, ftonte Kishën për të rizbuluar zellin misionar të brezave të mëparshëm.
Aq i fortë ishte zelli i Anastasit për misionarizmin, saqë kur u drejtoi thirrje studentëve të teologjisë në Universitetin e Athinës, në janar të vitit 1959, dikush nga salla bëri një vërejtje duke thënë në mënyrë skeptike, se “organizimi i një Qendre Misionare të Jashtme është njësoj si një mrekulli”. Kësaj, Anastasi iu përgjigj: “Jemi plotësisht në një mendje, por si të krishterë ne besojmë në mrekullitë”.
Kështu me zell misionar dhe besim në Kishën e Shenjtë Katholike dhe Apostolike do të vazhdonte jeta dhe vepra e Anastasit, misiologjistit më të rëndësishëm në botën e sotme, duke treguar shembullin e realizimit të një mrekullie në Kishën Orthodhokse bashkëkohore.
Në vitet 60-të, në Afrikë, ku shërbenit plot përkushtim në zona të vështira, u sëmurët për herë të parë nga malarja, u ulët në gjunjë dhe u lutët: “Perëndia im, mund të kesh shumë dyshime për mua, por besoj se e di që që jam përpjekur të Të Dua”. Mjekët thanë se nuk do të mund të punonit asnjëherë si misionar nëpër botë, por përkujdesja e Perëndisë nuk tha të njëjtën gjë.
Njeriu vazhdon të thotë JO, por Perëndia thotë sërisht PO, të pamundurat për njeriun janë të mundura për Perëndinë.
Mosha 40 vjeçare, (vitet 1970-të) shënon hedhjen e themeleve misionare brenda Kishës së Greqisë, e cila filloi të dëgjonte dhe t’i përgjigjej zërit të këtij parashikuesi të guximshëm. Në vitin 1968, Anastasi dhe stafi i “Porefthentes” ishin nismëtarët e parë të Zyrës për Misionet e Jashtme brenda “Apostoliki Dhiakonia” (“Shërbimi Apostolik”, një degë shërbimi e Kishës së Greqisë). Themelimi i një organizate misionare të përhershme brenda Kishës zyrtare Orthodhokse në Greqi ishte guri i qoshes. Kisha e njohu punën e Anastasit, duke e ngritur në vitin 1972 si Episkop të Andrusës dhe duke e bërë drejtor të përgjithshëm të gjithë departamentit të Apostoliki Dhiakonisë.
Bashkë me përgjegjësitë kishtare, Episkopi Anastas vazhdoi të jetë aktiv në nivelin akademik. Në vitin 1972 Universiteti i Athinës e zgjodhi atë si profesorin e saj të Historisë së Feve. Në Universitet, ai themeloi dhe drejtoi një qendër për studimet misionare gjatë viteve 1971-1975. Kjo qendër hapi rrugën për një tjetër pikë referimi, ku u ngrit një katedër për misiologjinë, në vitin 1976. Në këtë atmosferë akademike ai vazhdoi të shpallë thirrjen e tij të “zgjimit” për Kishën, duke sfiduar vetkënaqësinë e saj në shërbimin misionar: “Plogështi në fushën e misionit do të thotë, në analizën e fundit, mohim i Orthodhoksisë, një anë e errët e herezisë praktike të lokalizmit… “.
Pra, në moshën 40 vjeçare Episkopi Anastas ndikoi në botën akademike, në hapjen e qendrës misionare, dhe hapjen e manastirit me frymë misionare në Kareas, Athinë.
Kur profesor Vajos Vajopulos dhe bashkëstudentët e tij në vitet ‘80 dëgjonin për një mësues të madh në fakultetin fqinj të Theologjisë dhe kur aroma e fjalës së tij derdhej përtej amfiteatrove të Ilisias, pyesnin si është e mundur që një personaliet i tillë të ketë vetëm titullin e episkopit (ose ndihmës – epsikopit) dhe të mos ketë nën drejtimin e tij baritor grigjën e ndonjë mitropolie?!
Plani i Perëndisë ishte se Kisha, e njerëzit mbi të gjitha, kishin kudo nevojë për të; komuniteti akademik ndërkombëtar kishte nevojë për fjalën e tij shkencore, për ndriçimin e hierapostolisë së tij dhe veprën e tij sociale e reformuese në të gjithë planetin: në Azi, Afrikë, dhe “deri në skajet e dheut”, pra, në Shqipëri.
Kisha e Greqisë tha jo Mitropolit, po Perëndia tha PO, Mitropolia jote biri im është gjithë bota!
Në moshën 50 vjeçare, (vitet 80-të), thirret për të ndihmuar Kishën e Kenias, që ishte në buzë të dështimit. Edhe ia doli! Përgatitët udhëheqës vendas, përkrahët traditën misionare Orthodhokse të përkthimeve, u dhatë përparësi botimeve dhe përkthimevë të të shërbesave në 7 gjuhë të ndryshme. Krijuat një ndjenjë vazhdimësie në strukturat e Kishës, duke drejtuar ndërtimin e 67 kishave, restaurimin e 25 kishave ekzistuese, 7 ndërtesa për misionarët, 7 qendra mjeksore, 5 shkolla fillore dhe 12 shkolla infermjerie.
Puna juaj në Afrikë tërhoqi vëmendjen e mbarë botës. Aspekti më i rëndësishëm i punës së Kryepiskopit Anastas në Afrikën Lindore, nuk ishte dorëzimi i klerikëve, as botimet dhe as interesi për mision që krijuan grupet misionare, por përpjekjet e tij për t’u bashkuar me të krishterët vendas. Si rezultat i kësaj, Kisha në Afrikën Lindore vazhdoi të rritej.
Njeriu tha Jo, nuk mund të shkosh kurrë në mision, pas sëmundjes së malarjes, Perëndia tha PO, i dorëzuari im do të ringjallë e ripërtërijë kishën time në Afrikë që po shkon drejt rrënimit. Dhe kështu ndodhi!
Arritjet në Afrikë, të Episkop Anastasit u shoqëruan me arritje të tjera në Greqi, ku në 1981 episkopi filloi të botonte, nën mbikqyrjen e Apostoliki Dhiakonia-s, revistën e parë zyrtare misionare të Kishës së Greqisë, të titulluar ”Panda ta ethni” (Të gjithë kombet).
Gjithashtu gjatë viteve 80-të Episkopi Anastas shtoi aktivitetin e tij me Këshillin Botëror të Kishave. Ashtu si ka thënë dhe teologu i famshëm protestant dhe misionar David Bosch: “Anastasi ka mbetur forca që drejton lëvizjen misionare në Orthodhoksi dhe që kur Kishat Orthodhokse u pranuan në Këshillin Botëror të Kishave, në vitin 1961, ai dhe të tjerë i kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe mendimit dhe praktikës misionare në qarqet ekumenike… “.
Njeriu tha JO, do punojmë në kufijtë tanë, Perëndia tha Jo, i zgjedhuri im do të ndikojë mbarë botën Orthodhokse, dhe jo vetëm kaq, madje edhe më gjerë në mbarë botën nëpërmjet Këshillit Botëror të Kishave.
Vazhdon Golgothaja e Episkop Anastasit. Në Ugandë, 1990, makina me të cilën udhëtonte përplaset dhe nga xhami i parë i makinësu copa xhami futën në sytë e tij. Nuk kishte as ujë. Edhe në spital nuk u gjend njeri për ndihmë. Por Zoti dërgon një djalë të ri që kishte studiuar okulistikë me ndihmën e Anastasit, dhe me anën e një pishtari të ndezur nxori 24 copa xhami nga sytë e tij.
Se Zoti ka edhe një tjetër Golgotha për Episkop Anastasin. Një grup besimtarësh në Korçë po luten që Zoti të dërgojë dikë në Shqipëri.
Dhe ja, mosha 60 vjeçare, (vitet 1990) do të shënojnë fillimin e një tjetër mrekullie që mendja s’e kap dot. Pothuajse në moshën kur do të fillonit të shijonit në qetësi pensionin, thirreni në janar të vitit 1991, nga Patriku i Kostandinopojës të vini në Shqipëri si “Eksark Patriarkal”, me mandatin që të takoheni me orthodhoksët, pavarësisht nga origjina e tyre etnike dhe të ringjallnit edhe një tjetër Kishë martire, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
U ftuat të përballeni me sfidën për të për të rilindur një Kishë që ishte shkatërruar, e cila pas 45 vjet persekutimi komunist humbi 95% të klerikëve të saj; një kishë që pothuajse kishte humbur nga harta e Kishës Orthodhokse. Dhe jo vetëm kaq. Ardhja juaj në Shqipëri kërkonte të hiqnit dorë nga dashuria juaj e misionit në Afrikë dhe nga dashuria juaj në fushën Akademike, për të përqafuar një dashuri martirike si Shqipëria dhe Kisha Orthodhokse në Shqipëri. Edhe emri juaj që tashmë është njesuar me Ngjalljen e Orthodhoksisë në Shqipëri, mishëron brenda tij edhe një Golgotha të madhe. Golgothaja e sakrificës, Golgothaja e shpifjeve, Golgothaja e akuzave, Golgothaja e lotëve… dhe në këtë Golgotha ju ecni ende, me durim, modesti dhe besim absolut, se fjalën e fundit në histori e ka Zoti i plotfuqishëm.
Ju jeni Kryepiskopi, jo vetëm Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, por i gjithë shqiptarëve, të cilët në 1994 kundërshtuan referendumin për largimin tuaj.
Populli i privuar dhe i martirizuar më keq dhe më shumë se çdo komb në botë, ngaqë iu hoq e drejta e të ushtruarit të besimit dhe ushtrimit të tij, ju mikpriti dhe ju do si ninevitët profetin Jona. Edhe këtë e tregon qartë ringjallja në shumë dimensone të Kishës.Nuk mjafton koha të rendis punën tuaj 31 vjeçare të lulëzimit të Kishës sonë në fushën e përgatitjes së strukturave kishtare, dorëzimit të klerikëve, departamenteve të edukimit të krishterë, institucioneve arsimore, qendrave shëndetësore etj.
Atë i dashur dhe që kujdesesh, jo vetëm për bijte orthodhoksë, të cilët i rrit në besim, në edukim dhe punësim, por Samaritani i mirë gjatë krizës së Kosovës, tragjedisë së Gërdecit, tërmetit të nëntorit etj. Ju jeni përkujdesur për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, urave, riparimin e shkollave publike etj.
Që të marrim edhe ne hir nga jeta dhe vepra e tij, ju nxit të lexojmë librin “Në Shqipëri, Kryq e Ngjallje”, në çdo fletç të të cilit shikojmë dorën e Zotit në jetën e Kryebariut tonë.
Fortlumturi, ju jeni Anastasi i gjithë botës, por më tepër i shqiptarëve dhe i Shqipërisë, vendi ku Zoti deshi të ofronit veten për 3 dekada e urojmë edhe për shumë të tjera.
Jeta jote, Fortlumturi, ka vulën vendimtare të të Madhit, të unikales dhe të mrekullisë.
… Fortlumturia është personalitet ekumenik. Kjo, jo vetëm se është i njohur në mbarë botën, as sepse ka studiuar, punuar e shkuar thuajse në të gjitha kontinentet, as edhe pse ka njohur shumë fe e qytetërime dhe as që është nderuar me shumë çmime e dekorata ndërkombëtare.
Fisnikëria e tij ekumenike ka të bëjë me vetë natyrën e tij, mendimet, ndjenjat, cilësitë e personit të tij, aftësitë natyrale. Kur mendimi i dikujt nuk mund të rrijë në kornizat e ngushta të logjikës së zakonshme, kur teprica e dashurisë së tij nuk mund të kufizohet në qëllime, synime dhe parashikime, kur përulësia e fisnikërisë së tij nuk matet, atëherë ai nuk i takon një pakice, nuk ka kufi, është ekumenik. …
Dashuria e tij për njeriun e çdo race, të çdo feje, ngjyre apo vendi të tokës, të çdo qytetërimi, të çdo shtrese shoqërore dhe besimi i thellë se Perëndia është i kudogjendur, se “sipas ikonës së Tij”, ndodhet e shkruar në çdo njeri, nuk e izoloi tek ajo që është e afërt, tek tanët, në të njohurit, të burgoset në egoizmin e tij personal apo social. Theu enën e origjinës së tij, si të një identiteti që të kufizon, shpërtheu derën e besimit të tij tradicional për sa i takon ideologjisë fetare, shfuqizoi fjalët kufi, caqe, racë, gjuhë. Iu shmang terrenit rëndues të egoizmave dhe e përqafoi botën si krijesë të Perëndisë.
Njeri guximtar, vizionar, i vendosur, plot fryte. Njëkohësisht i urtë, i sjellshëm, dinjitoz, kreativ. Teorik dhe praktik, akademik dhe administrativ, i qartë në besimin e tij dhe dashamirës në marrëdhëniet e tij me të tjerë. Ekumenik në pohimin tij, i hapur ndaj qytetërimeve të tjera, ndaj vepra e tij nuk është nga kjo botë. Nuk shpjegohet, nuk justifikohet. Thjesht admirohet. Nuk është e tija, nuk është sipas njeriut. Është vetëm e Perëndisë. Prandaj edhe si njeri nuk gjykohet, vetëm vlerësohet.
Se Perëndia tha PO! Ndaj ne të gjynjëzuar para kësaj vepre të hirit themi nga thellësia e shpirtit: Lavdi Zotit! Për shumë vjet, Kryebariu ynë, që erdhe në botë mrekullisht dhe po mrekullon gjithë botën!