/KUJTIMI I DËSHMORIT TË MADH SHËN DHIMITËR MIROVLITIT – MITROPOLITI I BERATIT HIRËSI IGNATI

KUJTIMI I DËSHMORIT TË MADH SHËN DHIMITËR MIROVLITIT – MITROPOLITI I BERATIT HIRËSI IGNATI

Malli për Krishtin Kapërcen çdo Mall Tokësor

Shën Dhimitri jetoi kur mbretëronin perandorët Dioklician dhe Maksimian. Ai e kishte prejardhjen nga qyteti i Selanikut. Ishte një i krishterë shpresëtar, që nga prindërit e tij dhe një mësues i besës më Krishtin. Kur erdhi Maksimiani në Selanik, shenjtori u arrestua si një i krishterë shumë i njohur për shprestarinë e tij. Mbreti mburrej për një nga njerëzit e tij, që quhej Lieo, i cili kishte një trup kolosal dhe fuqi të tmerrshme, dhe i nxiste të gjithë banorët e zonës të dalin dhe të ndeshen me atë. Një i krishterë i ri, që quhej Nestor, erdhi tek shën Dhimitri, që ishte i burgosur, dhe i tha: “O shërbëtor i Perëndisë, dua të ndeshem me Lieun; lutu për mua”. Dhe ai, pasi e vulosi ballin e Nestorit me shenjën e Kryqit, i thotë: “Dhe Lieun do ta mundësh dhe në emër të Krishtit do të martirizohesh”.

Nestori mori guxim nga këto fjalë dhe u përball me Lieun dhe, si përfundim, e mposhti atë deri në vdekje, duke përulur mendjemadhësinë e tij. Për këtë arsye mbreti u turpërua; dhe kur kërkoi dhe mësoi se shkaku i vrasjes së Lieut ishte shën Dhimitri, urdhëroi ushtarët e tij, që të venë në burgun ku ndodhej dhe me shtiza t’i shpojnë brinjët. Sapo u bë kjo, përnjëherë shenjtori dha shpirtin e tij, ndërsa që atëherë filloi të bëjë shumë mrekulli të çuditshme dhe shërime. Pastaj, përsëri me urdhërin e mbretit, i prenë kokën shën Nestorit.

* * *

Habi, çudi, admirim, lavdërim, shumë dashuri hyjnore! Këto janë përshtypjet e para, që merr dikush kur vjen në kontakt me himnet e Kishës sonë kushtuar shën Dhimitrit, Dëshmorit të madh Çudibërës dhe Mirovlit. Është kaq e madhe pasuria shpirtërore e shenjtorit, saqë nuk mjaftoi himnografi Theofan me kanunin e tij për të himnuar tërë jetën e shën Mitrit, por u mobilizua dhe shën Filotheu, Patrik i Kostandinopojës, i cili me një kanun të dytë e përqendron kryesisht vëmendjen tonë në burimin e miros së shenjtorit. Përpara personalitetit të mrekullueshëm, pra, të shën Dhimitrit, Kisha jonë nëpërmjet himnografëve ndjen pamjaftueshmërinë e përhimnimit të përpiktë të luftërave dhe ndereve, që gëzon shenjtori në qiej. “Mendja dhe fjala njerëzore nuk mjaftojnë, o Dëshmor, të tregojnë nderet e mbinatyrshme dhe lavditë, që ke marrë”.

Dhe me të drejtë. Si mund të himnohet saktë dhe me përpikëri, ai që tashmë bashkëmbretëron me Zotin e gjithësisë? I veshur me rrobën e purpurt të mbretit, për shkak të gjakrave të tija martirike, duke mbajtur në duar kryqin në vend të skeptrit, bashkëmbretëron me të vërtetë me Krishtin. Cila lëvdatë mund të jetë më e lartë dhe më e madhe se kjo? Rrjedhimisht, himnet theksojnë se e kremtja e shën Dhimitrit nuk ka karakter lokal, por ka karakter mbarëbotëror. Dhe ky universalitet nuk i referohet vetëm kësaj bote, domethënë besimtarëve të të gjithë botës, por edhe vetë engjëjve. “Në qiell dhe në tokë sot u shfaq si dritë ngazëllimi kujtimi i Dëshmorit shën Dhimitër. Engjëjt e kurorëzojnë me lavdërime dhe njerëzit e lavdërojnë me himne”.

Atje ku lirizmi arrin kulmin e tij është me kanunin e shën Filotheut, i cili thekson, siç thamë, burimin e miros së shenjtorit. Figurat që përdor na habisin, duke shfaqur, veç të tjerave, dhe madhështinë e vetë atit asket, si një poet i rëndësishëm. Si fillim, si e shpjegon burimin e miros së Dëshmorit të madh? “O Dhimitër i lumtur, Krishti të mblodhi si një rrush të pjekur nga vreshti hyjnor. Dhe të shtrydhi në tirën e Martirizimit. Mushtin, që rrodhi e bëri çezmë hyjnore të miros”. Dhe diku tjetër, me një figurë tjetër: “Shën Dhimitri i madh midis dëshmorëve, pasi përzjeu djersët shpirtërore me gjakrat e luftërave të tij dhe e poqi mirë ilaçin me zjarrin e Shpirtit të Shenjtë, përgatiti për hirin tonë miron hyjnore, për një pastrim të ri -sigurisht pas pastrimit të pagëzimit- të shpirtrave tanë”.

Dhe nuk është vetëm shën Filotheu, që lavdëron Zotin për dhuratën e miros së shenjtorit, e cila shëron shpirtrat dhe trupat e besimtarëve. Është dhe një himnograf tjetër, Gjermanoi, i cili dhe ai përmes paralelizmit të një konceptimi të rëndësishëm poetik, në mënyrë që të shpjegojë hirin e burimit të miros së shën Dhimitrit dhe kështu veprimin e mrekullive të tij, shkruan: “Pasi u shpove me shtizë në brinjën tënde të nderuar dhe të qashtër, o shën Dhimitër i tërënderuar, duke imituar Zotin që edhe Ai u var mbi Kryq dhe u shpua me shtizë në brinjë për shpëtimin e gjithë botës, more hirin e mrekullibërjes, duke dhuruar shërime me bollëk”.

* * *

Por cili është shkaku i personalitetit të mahnitshëm të shën Dhimitrit dhe i dhuntive të tij të mrekullueshme, që i dha Zoti? Asgjë më tepër se bindja ndaj vullnetit të Perëndisë. Përparësia e shën Dhimitrit gjatë gjithë jetës së tij dhe gjatë martirizimit të tij ishte t’i pëlqejë Zotit, duke shfaqur kështu se për atë, mbi të gjitha funksiononte dashuria e Atij, qoftë edhe me sakrifikimin e jetës së tij. “Duke dashur t’i pëlqesh Mbretit të shekujve, u largove nga çdo dëshirë e mbretit të paudhë, o i lavdëruar, dhe nuk sakrifikove tek idhujt. Prandaj ofrove veten tënde si viktimë tek Biri dhe Fjala e Perëndisë, që u sakrifikua për ne, me qëndrimin të palëkundur”. Dhe siç thamë: ajo që e nxiste shën Dhimitrin, që të zgjedhë gjithmonë vullnetin e Perëndisë, ishte dashuria e tij e madhe dhe e zjarrtë për Zotin: “duke flakëruar mendjen me vullnetin hyjnor”. “Duke pranuar në zemër zjarrin e vullnetit hyjnor”.

Dhe realisht, kjo është e vërteta më thelbësore për të gjithë shenjtorët tanë: Nuk mund të kuptohet jeta e tyre e mrekullueshme, si ajo e dëshmorit të madh shën Dhimitër, pa këtë fuqi lëvizëse, të dashurisë së madhe ndaj Zotit. Kjo ka një rëndësi aq kyçe, saqë himnografi shën Filothe, që të shprehë këtë dashuri të shën Dhimitrit, huazon figura dhe forma nga libri i famshëm i Dhiatës së Vjetër, “Kënga e Këngëve”. Domethënë, ashtu si atje, shpirti nuse, i flakëruar nga dashuria për Dhëndrin Krisht, e ndjek pas dhe shpreh me rënkime erotike dashurinë e tij, ashtu si dhe anasjelltas, sipas të njëjtës mënyrë dhe këtu me shenjtorin: zhvillohet dialogu i tij me Krishtin, që shfaq dashurinë e thellë të shenjtorit për Atë, si dhe e Atij ndaj shenjtorit: “Ku banon, o dhëndri im? Ku e ngrite tendën tënde? I thërriste Krishtit dëshmori i kurorëzuar”. “Ngrihu, eja pranë meje, thotë dhëndri Krisht, ndaj shpirtit të Dhimitrit. Le të hyjmë në shtëpi të miros, dhe le të kungohemi me aromën e miros sime”. “Unë thotë i dashuri, unë, o Dhëndër, vrapoj pas teje. Sepse aroma e mirove të tua është më e madhe se gjithë mirot. Dhe kjo aroma jote e bëri gjakun tim miro”.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Tashmë vetëm një gjë na mbetet: T’i lutemi dëshmorit të madh të na vizitojë me simpati. Dhe të na ndihmojë, duke ndërmjetuar tek Zoti, që kështu të shpëtojmë nga gjithë të këqijat, që kalojmë si njerëz dhe si komb, nga kërcënimet e tiranëve bashkëkohorë, ashtu si edhe nga çdo kërcënim i heretikëve. “Eja tek ne, o dëshmor i Krishtit, që kemi nevojë për vizitën tënde të dashur. Dhe shpëtona ne, që plagosemi nga kërcënimet e pasioneve dhe nga mania e tmerrshme e herezive”.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 26.10.2020