/Një Ndryshim i Mrekullueshëm

Një Ndryshim i Mrekullueshëm

E DIELA E XV E LUKAIT E ZAKEUT Lukai 19, 1-10.

Një Ndryshim i Mrekullueshëm

“Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur” v. 10.

Të pakta janë rastet e referuara në Ungjijtë e Shenjtë, të cilat kanë dramën dhe gjallërinë, që shfaqet në rastin e Zakeut. Zakeu ishte drejtori i doganës qendrore në Jeriko, një pozitë, që i siguronte, jo vetëm njohje shoqërore, por edhe shumë raste për t’u pasuruar me mjete të paligjshme. Dhe me të vërtetë, me mashtrimet e vazhdueshme dhe dhunimet, ky kryedoganier kishte arritur të bëhet shumë i pasur.

I tillë ishte kryedoganieri Zake, që na përmend Ungjilli i sotëm. Brenda vetes luftonte me ndërgjegjen e tij. Brenda mjerimit të tij, sapo dëgjoi, se do të kalonte Krishti, vrapoi ta shikojë. Megjithatë, kishte dy pengesa të mëdha për të kapërcyer: Ishte i shkurtër dhe kishte pozitë të lartë shoqërore. Por, menjëherë, i la mënjanë këto pengesa dhe u ngjit, si fëmijë i vogël, në një pemë, që të shikojë Krishtin. Kryedoganieri bëhet pranues i Krishtit. Shtëpia e tij shndërrohet në amvon. Shpirti i tij shndërrohet dhe fillon pendimin në praktik. I ndau, jo vetëm ato që i kishte fituar në mënyrë të padrejtë, por edhe ato që i kishte fituar në mënyrë të ligjshme. Prandaj dhe u bë shembull, si nxënësit e Jisu Krishtit. Këto rezultate sjell pendimi i vërtetë.

Zakeu u përul përpara Krishtit dhe Krishti u ul përpara Zakeut. Hyri brenda në shpirtin mëkatar dhe në shtëpinë e tij mëkatare dhe i pastroi të gjitha. Kjo u bë baza dhe fillimi i pendimit. Kur ne të rendim të takojmë Krishtin, Krishti menjëherë na përqafon dhe na shndërron. Na bën menjëherë shtatlartë, siç bëri kryedoganierin. Nga të shkurtër, e ngjiti në lartësitë ku mendjet njerëzore nuk arrijnë dot.

Emri Zake e ka prejardhjen nga fjala “zaharia”, që nga Hebraishtja do të thotë: “Më kujtoi Perëndia”. Megjithatë, sot ishte radha e Zakeut, që të kujtojë se çdo ditë Perëndia na kujton, na kujton me dashuri të gjithë njerëzit pa përjashtim. Ishte radha e tij të kujtojë gabimet e tij, padrejtësitë, që bëri ndaj vëllezërve të tij. Të dëshirojë të gjejë përsëri veten e tij, të kërkojë me përulësi të shikojë fytyrën e Zotit. Dhe asgjë -as mëkati, as e tërë bota, as cilatdo kushte të kësaj jete të kotë- asgjë nuk është e aftë të pengojë dashurinë e Perëndisë të shfaqet në shpirtrat e thjeshta dhe të përulura, të etura dhe të lodhura nga mëkati, Romakëve 8, 35-39, vjen sot vetë Fjala, Biri i njeriut v. 10, t’i bëjë nder dhe t’i zbulohet Zakeut dhe t’i kërkojë ta mikpresë. Kalon nga fiku, ku kishte hipur doganieri trupvogël, e shikon në sy dhe i drejton këtë ftesë: “Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të mbetem në shtëpinë tënde” v. 5.

Këtu ndodh diçka shumë e çuditshme: Në vend që Zakeu të ftojë Krishtin, është Krishti, që i thërret Zakeut; është Krishti, që e fton në shtëpinë e Tij të Vërtetë, në shtëpinë e Atit të Tij. Përfundimisht është dashuria e Perëndisë, që na fton të na prekë zemrën, të na sjellë në pendim. Kush zbret më shpejt? Zakeu, apo në një analizë më të përsosur, vetë Perëndia, i Cili zbret, vjen në nivelin tonë, na takon në sëmundje dhe në dobësinë tonë? Njeriu, që thërret dhe i përgjigjet Perëndia apo iniciativa e Atij, që i përdëllen të gjithë. Çdo lloj shpjegimi, që preferon dikush të japë, këtu ka një konfiçent të madh.

Zakeu -vetëm për një moment- u denjësua të rilindet! Ai, që deri sot dinte vetëm të merrte, mëson tani të gëzohet, që ndan. Gëzimi i tij është një shenjë e gjallë dhe ftesë për në Mbretërinë e Perëndisë, zëvendëson paradashjen, maninë e mëparshme. Sot, Zakeu pajtohet përgjithmonë me veten e tij. Çlirohet nga të këqijat dhe fajet e tija, nga pasiguria dhe ankthet e tija, nga ndjenjat e inferioritetit dhe nga dyshimet, që fantazojnë të eturit për fuqi, për pasuri, për pushtet. Bëhet një njeri i lirë dhe njëkohësisht shërbëtor i njeriut dhe i Perëndisë. Hap shtëpinë dhe veten e tij ndaj Vizitorit hyjnor dhe shoqëruesve të tij dhe, njëkohësisht, ai, që më parë nuk ndjente dhimbjen dhe nevojën për asnjë njeri.

Zakeu nuk u ngjit në malin e lartë, Mateu 4, 8, ashtu si Zoti me Nxënësit e Tij, të cilët panë lavdinë e Tij, por u ngjit në fik, që të shikojë Krishtin, që kalonte. U ngjit mbi veten e tij dhe lakminë e tij dhe lavdidashjen. Kapërceu ankthin e tij se çfarë do të thonë njerëzit; frikën se me gjithë mëkatet e tij nuk ka shpresë për të shpëtuar. Dhe kjo lëvizja e tij ishte e mjaftueshme. Ishte hapi i parë, që të ndryshojë jetën e tij. Fillimi, që ekzistenca e tij të shndërrohet.

Shtëpia e Zakeut të pasur, e kryedoganierit të penduar, nga Jerikoja, shtëpia, që hapi për të pritur Krishtin, nuk kufizohet më, vetëm për miqtë dhe fqinjët. Nxë edhe të huajt, që pranohen, të varfërit dhe të padrejtësuarit, ata që ne i padrejtësuam apo i pikëlluam, madje edhe ata, që na hidhëruan apo na padrejtësuan, nxë tërë botën. Shtëpia që u hap -në këtë mënyrë- për Krishtin, është e hapur dhe për vëllain; bëhet një kishë e vogël; kështu, pikërisht, ashtu siç Kisha shfaqet si shtëpia jonë e vërtetë, shtëpia, që na nxë të gjithëve dhe na shpëton. Meqënëse, pra, Zakeu i hapi zemrën Krishtit dhe shtëpinë e tij për të gjithë, u bekua; e njëjta gjë dhe për familjen e tij, e cila, me gjithë gabimet e mëdha të kryetarit të saj, u shpëtua dhe u drejtësua.

“Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi”, ua zbuloi Zoti nxënësve të Tij. Familja e doganierit -për hir të pendimit të njërit- u rendit përsëri në familjen më të gjerë të Perëndisë -sepse edhe vetë Zakeu është bir i Abrahamit- atje ku nuk bëhen dallime në të huaj apo të afërm, në të mëdhenj apo të vegjël, në të pasur apo të varfër, në të drejtë apo mëkatar. Erdhi përsëri atje ku të gjithë kemi të njëjtën peshë të pandryshuar përpara Perëndisë; atje ku njëri mban barrë -për tjetrin- të dyfishtë apo të katërfishtë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Shpëtimi është një mrekulli, që bën Perëndia. Është pika ku takohet kërkimi i Perëndisë me kërkimin e njeriut. Kush paraprin dhe kush pason nuk rëndësi. Fakti është, se i Biri i Perëndisë erdhi në botë “për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur”. Le të rendim ta takojmë, ta gjejmë në Kishë, në Misteret e hirshme, në lutje. Asnjë pengesë le të mos e anullojë planin tonë. Ekziston gjithmonë para nesh një shembull: Zakeu.

U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 27.01.2019