/“Në gjurmët e Mësuesit….E Diela e “Mbledhjes për 12 Apostujt” – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

“Në gjurmët e Mësuesit….E Diela e “Mbledhjes për 12 Apostujt” – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

MBLEDHJA E 12 APOSTUJVE

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 29 JUNE 2019

Në Gjurmët e Mësuesit

“Edhe zgjodhi dymbëdhjetë vetë, që të jenë bashkë me Të

dhe që t’i dërgojë të predikojnë” Marku 3, 14.

Midis shenjtorëve të Kishës sonë dallohen, veçanërisht, Dymbëdhjetë Apostujt e shenjtë. Janë të zgjedhurit e Zotit. Ata i ftoi, “që të jenë bashkë me Të”, që të mësojnë pran Tij, dhe pastaj të formuar, të bëhen nga nxënës, në apostuj të Tij, “që t’i dërgojë të predikojnë”.

Do të ishte një arritje, për këtë predikim, në qoftë se, edhe vetëm të skaliteshin në memorien tonë emrat e atyre, që ndryshuan rrjedhën e historisë; le t’i përmendin siç i ka renditur ungjillori i shenjtë Marku: “Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër; dhe Jakovi, i biri i Zevedheut, edhe Joani, vëllai i Jakovit, të cilëve ua vuri emrin Boanergjes, që domethënë Bij bubullime; dhe Andrea, e Filipi, e Bartolomeu, e Matheu, e Thomai, e Jakovi i Alfeut, e Tadeu, e Simon Kananeasi, edhe Matthia, që zuri vendin e Juda Iskariotit, i cili e tradhtoi.” Marku 3, 16.

Brenda brezave të njerëzve, janë të bekuarit me dhuntinë, e vetme dhe të veçantë, të Apostullit. Njohën Zotin. I ftoi ta ndjekin pas. Jetuan pran Tij. U mahnitën nga jeta e Tij e pa mëkatshme dhe e tërëshenjtë. Mbetën të habitur para tërëfuqisë së Tij, siç e shfaqnin mrekullitë e Tij të çuditshme dhe të padëgjuara më parë. Mësimdhënia e Tij hyjnore hyri thellë brenda zemrës së tyre dhe e ndryshoi. I ngrohte dashuria e Tij e paanë dhe bëri të ndizen atje dëshira të zjarrta, të shenjta dhe qiellore, për lartësitë e virtytit.

U ngjitën bashkë me Të, lart në malin Tabor dhe panë madhështinë e Shpërfytyrimit të Tij. Ata vetëm vëzhguan, me shpirtin e tyre të dërrmuar thellësisht, dashurinë e Tij të pashpjegueshme, që arriti në sakrifikimin në Kryq, për të shpëtuar njerëzimin mëkatar… Por, kërcyen nga gëzimi dhe ngazëllimi, kur u siguruan për Ngjalljen e Tij.

Dhe kur erdhi koha dhe u ngjit, i lavdishëm dhe triumfues, në qiej, ata morën bekimin e Tij të fundit. Janë akoma ata, të parët, mbi të cilët, ditën e Pendikostisë, u derdh, në mënyrë të mrekullueshme, hiri i Shpirtit të Shenjtë. Dhe peshkatarët e mëparshëm të pashkolluar u ndriçuan dhe u bënë predikues të gjithurtë, të botës.

Do të priste dikush, që për një vepër kaq të madhe, Zoti ynë të ftojë më të urtët e epokës, do të priste të ftojë njerëzit, që kishin grada të larta në shoqëri, me arsim kolosal sipas botës, në mënyrë që t’i imponohen botës dhe të transmetojnë mesazhin shpëtues. Por, ndodhi, pikërisht, e kundërta. Zoti ynë fton peshkatarët e thjeshtë, njerëz të pashkolluar, pa ndonjë arsim, pa ndonjë pozitë shoqërore, që të transmetojnë, kudo, fjalën e Perëndisë. Dhe me të vërtetë, “zëri i tyre doli në tërë dhenë”. Psalm 18, 5.

Sigurisht, si nxënës, Apostujt e shenjtë, shfaqnin dhe disa anë të dobëta, që shkaktonin, si rrjedhojë, qortimet e drejta nga Zoti. Por, me përulësinë që i karakterizonte, pranonin qortimet dhe dënimet e Zotit dhe nuk largoheshin nga Ai, duke ditur dhe duke besuar se Ai ishte Mesia dhe se vetëm Ai kishte “fjalët e jetës së Përjetshme”. Joani 6, 68.

Kisha jonë kremton në mënyrë panigjirike dhe nderon kujtimin e tyre të hirshëm dhe “Mbledhjen e tërëshenjtë të Dymbëdhjetë Apostujve, që shkakton shpëtimin tonë”, sipas himnografit të hirshëm. Apostujt e shenjtë janë gurët e themelit të Kishës, ndërsa “guri i qoshes”, “që është më i lartë se themelet, sepse përmban gjithçka, është Krishti”, siç shumë saktë përmend shën Joan Gojarti.

Kisha na ndihmon t’i afrohemi jetës dhe veprës shpëtuese të Apostujve: a. Me një kreshmë, ndoshta dhe të shkurtër, që i tregon njeriut sa e domosdoshme dhe e saktë është t’ia besojë qenien e tij dashurisë së Perëndisë dhe jo të mbështetet vetëm në përkujdesjen e tij biologjike. b. Me lexime të veçanta nga Apostulli dhe Ungjilli. Domethënë, teksti ynë i Ungjillit është një zgjedhje vargjesh 1-8 nga kapitulli i dhjetë i Ungjillit sipas Mateut, i cili, i gjithi, i referohet ftesës, misionit dhe veprës së Apostujve të shenjtë. Do të ishte një ndihmë për lexuesin të lexojë të gjithë kapitullin e dhjetë të Ungjillit sipas Mateut. Dhe c. Me himnologjinë e saj të mrekullueshme dhe ndërtuese.

Sipas logjikës njerëzore, Apostujt do të mundeshin, duke sjellë kundërshtime të logjikshme, të thonë: •Ku po na dërgon? Në mes të ujqërve? Jo. Është një luftë e pabarabartë. Do të qëndrojmë këtu në bregun e qetë të Galilesë. Mirë jemi. Përderisa, askush nuk na shqetëson. •Pse na mobilizon të punojmë pa para, pa sigurime, pa pensione? A, jo! Punojmë që punojmë, por dhe të marrim një rrogë të kënaqshme. •Ç’na thua? Të sakrifikojmë jetën tonë, të derdhim gjakun tonë? Dhe përse? Është e nevojshme? A nuk është mirë që përpiqemi për jetën me ndershmëri, që jemi peshkatarë të mirë? Nëse do t’i thoshin të gjitha këto Dymbëdhjetë Apostujt, do të ishin ndoshta nikoqirë të mirë të Galilesë, por nuk do të ishin Apostuj. Nuk do të ishin heronj. Do të ishin njerëz të thjeshtë në tokë, por nuk do të ishin të mëdhenjtë e Qiellit. Nuk do të ishin Apostujt Dëshmorë. Heronj! Apostuj! Këtë kërkon epoka jonë. U ngopëm me apostujt e rremë. Kërkojmë Apostuj, njerëz me marrëzinë e shenjtë të dashurisë së Krishti.

Nëpër shekuj, Zoti Krisht, na drejton të njëjtën ftesë: “Ejani më ndiqni pas…”.Krijon ushtri apostujsh dhe misionarësh. Kisha e Krishtit shtrihet kudo, triumfon. Shumë herë anija e saj rrezikon nga furtuna, përndjekje, herezi, armiq të larmishëm, por nuk mbytet. Sepse në anije-Kishë kapiten është vetë Krishti dhe ekuipazhi i Tij janë të gjithë besimtarët.

Ftesa është ndërkohore. E njëjta ftesë, që iu bë para më shumë se dymijë vjetësh, peshkatarëve të Tiberiadhës, u bëhet edhe sot anëtarëve të Kishës. Të mëdhenj, të rinj, të vegjël, ata që e pranojnë dhe ecin në gjurmët e Apostujve, e shpërndajnë kudo mesazhin e Ungjillit. Në shtëpi, në shkollë, në lagje, në shoqëri. Mesazh gëzimi, dashurie, shpëtimi. Ftesë jete të vërtetë, nën flamurin e Kryetarit të vetëm dhe të përjetshëm, të Zotit Jisu Krisht.

Apostujt janë dëshmorët e parë të krishterimit. Ato që predikuan, i vulosën me sakrifikimin e jetës së tyre. Apostujt ishin shenjtorët më të mëdhenj të Kishës sonë, edhe pse disa të krishterë nuk e dinë këtë dhe nuk u japin atyre gjithmonë nderin që u takon, duke ndërtuar kisha në emrin e tyre. Apostujt janë kryepriftërinjtë e parë. Çdo klerik, priftëria e të cilit nuk arrin deri tek Apostujt, nuk është klerik i saktë.

* * *

Është mbresëlënëse mënyra, se si Krishti i veçoi nga turma e madhe e njerëzve dymbëdhjetë nxënësit, të cilët i quajti Apostuj. Ungjillor Lukai na thotë se zgjedhja u bë mbas një lutje tërë natën, që bëri vetëm Zoti Krisht. Luka 6, 12; “dhe kur u bë ditë, i thirri, këta nxënës, pranë vetes, dhe zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre të cilët i quajti apostuj” Luka 6, 13. Donte të zgjidheshin më të mirët. Gjithashtu, donte t’u mësonte njerëzve, që së pari t’ia kushtojmë Perëndisë, çdo punë që kemi për të bërë; domethënë, siç thekson shën Kirilli i Aleksandrisë, “na jep një imazh të jetës shpirtërore duke nxjerrë në pah veten e Tij”. Zgjedhja e Apostujve nga Zoti tregon dhe saktësinë e funksionit të Tij. Nuk e morën vetë.

Gjatë kalimit të shekujve shumë u përpoqën ta marrin këtë titull me mjete dinake. Shën Pavli shpjegon: “këta janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që hiqen si apostuj të Krishtit” 2 Korinthianëve 11, 13. Përkrahë monedhës së saktë qarkullon dhe ajo fallco, ashtu siç tek kripa e mirë dhe “kripa e prishur”.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Kisha, në ditët tona, është objekt sharjesh dhe komentesh nënvlerësuese. Megjithatë, nuk ndalon së bëri mirë dhe së shëruari sëmundjet e bijve të saj, duke u ofruar, me shumë dashuri, falas, ilaçin e madh të Ungjillit të shenjtë të Perëndisë. Gjithashtu, i ushqen të gjithë me farat ushqyese të fjalës së Perëndisë; predikon Krishtin dhe shëron nevojat e njerëzve; domethënë bën punën e Apostujve të shenjtë. Prandaj, le t’i lutemi Zotit të caktojë, pasardhës të Apostujve brenda Kishës së Tij, njerëz të denjë, që do të plotësojnë çdo ditë, me frymë sakrifikimi dhe vetëmohimi, dëshirën e Tij. Amin! U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 30.06.2019