Festa e Ungjillëzimit e cila kremtohet gjithmonë më 25 Mars ka qenë historikisht në Kishën Orthodhokse një festë gëzimi. Një gëzim që njerëzit shpesh herë dhe pa e kuptuar e ndiejnë në shpirtrat e tyre. Gëzimi i madh i kësaj dite është, sepse historia e shenjtë tregon që njeriu u krijua për të jetuar në kungim të gjallë më Perëndinë e gjallë. Të jetonte i lumtur në parajsë dhe qenia e tij të ishte e mbushulluar me praninë e Perëndisë. Përpara rënies në mëkat jeta e tij ishte plot gëzim, sepse gëzimi ishte diçka natyrale tek njeriu. Dhe këtë gëzim mund ta ndiejë çdo person që se ka humbur mrekullimin fëmijëror, çdo person, i cili nuk është mplakur shpirtërisht. Kur njeriu ndoqi këshillën e djallit dhe mëkatoi gëzimi u largua prej tij, në zemrën e tij u shtua errësira. Për shekuj me radhë popujt kishin pritur një Shpëtimtar i cili do ti shpëtonte nga kjo errësirë, dhe do t’ju kthente gëzimin e humbur.
Historitë e popujve të ndryshëm janë të mbushura me shpresën; se një ditë do të vinte dikush, që do të pajtonte Perëndinë me njeriun. Pikërisht lajmin e përmbushjes së kësaj shprese, të ardhjes së Shpëtimtarit, shpalli Gabrieli në këtë ditë, duke thënë “Gëzohu”, sepse kishte shekuj që gëzimi ishte zhdukur nga zemrat e njerëzve. Dhe me këtë lajm të madh fillon Krishtërimi “Gëzohu”. Një nga shenjtorët e kishës ka thënë “nuk mund të ekzistojë dot një shenjtor i trishtuar”, por në fakt nuk mund të ekzistojë dot një i krishterë i trishtuar. Madje trishtimi dhe vajtimi që kap të krishterin është i ndryshëm, ashtu siç thotë dhe Shën Pavli: “Ne nuk hidhërohemi si ata që nuk kanë shpresë”, sepse sado e thellë të jetë dhimbja tek ne, gjithmonë do të lehtësohet nga lajmi i mirë se Shpëtimtari erdhi në botë.
“Gëzohu” ky ka qenë thelbi i gjithë predikimit të krishterë, të gjithë Shenjtorët e Kishës sonë ishin njerëz të gëzuar, aq sa njerëzit rrotull tyre habiteshin nga ky lloj gëzimi kaq i madh. Madje ata i luteshin Zotit që të mos iu jepte kaq gëzim, sepse nuk e mbanin dot.
Ajo që i mungon shoqërisë së sotme në të gjithë botën është pikërisht gëzimi. Në Shërbesën e Himnit Akathist fjala që përmendet më shumë është: “Gëzohu”. Sa dikush me të drejtë mund të pyesë: – përse përmendet kaq shumë kjo fjalë? Sepse pikërisht duke filluar nga kjo ditë dhe duke filluar me këtë doktrinë u rigjet përsëri gëzimi.
Njerëzit e sotëm kanë krijuar shumë gjëra dhe vende që ndoshta janë shumë të pasura dhe megjithatë nuk kanë gëzim. Siç shkruante një gazetë: “Vendet e pasura kanë humbur gëzimin fëmijëror, ndonëse kanë krijuar shumë gjëra të tjera, ligje, qytete të pastër, lulishte të bukura dhe pyje pafund, megjithatë kanë humbur gëzimin sepse kanë humbur lidhjen me Zotin”, sepse asnjë shpirt nuk mund të jetë dot i gëzuar nëse është i shkëputur nga Perëndia i Cili është burimi i gëzimit.
Në momentin e kësaj ngjarjeje madhore në historinë e njerëzimit sikundër dhe tradita na thotë Maria ishte një vajzë shumë e re, rreth 15 vjeç. Megjithatë rinia nuk e pengoi atë të pranonte misterin e madh të Perëndisë, nuk e pengoi që të jetonte një jetë të pastër, nuk e pengoi që të ruante shpirtin e saj të dlirë aq sa Zoti ta zgjidhte si banesë të Tij. Kjo ditë ka një domethënie shumë të madhe për të rinjtë, ndoshta më shumë për vajzat e reja. Kjo ditë është një mesazh i madh për tu thënë se ka shpresë për të ruajtur shpirtin e pastër dhe për të thënë se çdo i ri mund të lidhet me Perëndinë. Maria ishte e re, Ungjillori Joan ishte i ri e megjithatë ata njohën Perëndinë. Rinia nuk mund të pengojë njeriun për të kuptuar Perëndinë, nuk mund ta ndalojë atë që të bëjë një jetë fetare. Mendimi që jeta fetare është vetëm për të vjetërit është një mendim krejtësisht i gabuar. Dikur, ata të cilët ishin të vjetër në moshë nuk i pranonin nëpër manastire, për të treguar që manastiri ishte një vend lufte shpirtërore dhe jo vend pushimi. Dhe forca më e madhe e luftës shpirtërore është rinia, e cila ka energjinë më të madhe për të ndërtuar urën që të mund të lidhet me Perëndinë. Kjo ditë duhet t’ju kujtojë të gjithë të rinjve mundësinë dhe thirrjen e madhe të Zotit që bëhet nëpërmjet Marisë. Çdo vajzë e re duhet të mendojë që Zoti i ka dhuruar diçka shumë të madhe, atë pastërti dhe atë dlirësi të cilën ka në shpirt mund ta humbasë shumë shpejt, prandaj gjithsekush le të mendojë dhe ta ruajë atë, sepse nga një gabim i vogël mund të humbasë diçka e parikuperueshme.
Zoti vjen dhe banon tek njerëzit me shpirt dhe zemër të pastër, madje dhe vetë trupi i njeriut është tempull i shenjtë i Perëndisë. Nëse Ai do të gjejë një trup dhe shpirt të pastër do të banojë atje dhe nëse Zoti do të banojë në zemrat tona së bashku me të do të jetë edhe gëzimi. Atëherë do të kuptojmë gjithë këtë dritë mistike që përfshin këtë ditë dhe shumë ditë të tjera të kalendarit të festave të krishtera, – “është fryma e hirit, rrezatimi i lavdisë së Malit Tabor”. Atëherë do të kuptojmë atë gëzim të çuditshëm që ndienin Shenjtorët e Kishës sonë, ndienin gëzim, sepse në zemrat e tyre mbretëronte Zoti. Një njeri i cili ka gëzim brenda vetes së tij do të thotë së është njeri i plotë.
Gëzimi nuk është diçka aq e lehtë sa shpesh herë ju duket njerëzve, filozofët më të mëdhenj të njerëzimit fjalën që kanë patur më të vështirë për ta shpjeguar ka qenë gëzimi, sado që kjo gjë shumë njerëzve mund tu duket e habitshme. Madje një filozof i madh duke marrë shkas nga fjala e Gabrielit thoshte: “Më mbani gjithë jetën në burg dhe vetëm ditën para se të vdes më thoni çfarë është gëzimi”. Ajo që duket e thjeshtë ajo është më e thella. Një shpirt që ka ndierë gëzimin do të thotë që ka ndierë Perëndinë, sepse njeriu është krijuar për të jetuar i lumtur. Kjo natyrë që kemi sot është natyra e rënë e njeriut dhe jo natyra në të cilën na krijoi Perëndia. Le të mundohemi në këtë ditë që gjithsekush nga ne të reflektojë pak më tepër mbi jetën e tij shpirtërore.
Nuk ka humbje më të madhe nëse Zoti nuk do të banojë në zemrat tona ashtu sikundër nuk ka thesar më të madh sesa prezenca e Zotit në zemrat tona. ”Ai që humbet pasurinë, humbet shumë, ai që humbet shëndetin ka humbur edhe më shumë, ndërsa ai që humbet Perëndinë ka humbur gjithçka”
Historia ka treguar se shumë njerëz të pasur kanë qenë të dëshpëruar. Pasuria e jashtme nuk mund t’i sjellë dot lumturinë njeriut. Lumturia e vërtetë vjen nga Kungimi i Gjallë me Perëndinë e gjallë, nga një jetë e pastër dhe e dlirë.
Le t’i lutemi Zotit të paqes dhe asaj që lindi Mbretin e paqes që Perëndia tu japë paqe në shpirt të gjithëve dhe në shpirtrat e të gjithëve të mbretërojë drita dhe gëzimi i kësaj dite.