/Kujtimi i Hierodëshmorit Shën Lefter, Episkopit të Vlorës

Kujtimi i Hierodëshmorit Shën Lefter, Episkopit të Vlorës

Kujtimi i Hierodëshmorit Shën Lefter, Episkopit të Vlorës 2 Timotheut 1, 8-18
Thesari i Mirë
“Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë,
që banon ndër ne” v. 14

Nga qelia e burgut të Romës, ku gjendet i lidhur shën Pavli, duke iu drejtuar nxënësit të tij Timothe, Episkopit të Efesit, i shkruan porosi të ndryshme të frymëzuara nga Shpirti i Shenjtë, këshilla të arta, të dobishme, për shërbimin e tij baritor, por, gjithashtu, edhe për çdo besnik në jetën e tij të krishterë si anëtarë përgjegjës të komunitetit kishtar. Le t’i dëgjojmë me vëmendje, sepse do të na ofrojnë shumë dobi shpirtërore.

“Përderisa Perëndia na dha dhuntinë e burrërisë dhe fuqisë, mos ki turp të pohosh dhe të dëshmosh Zotin tonë, Krishtin e Kryqëzuar. Madje, mos ki turp as nga mua, që jam burgosur për emrin e Tij, por vuaj bashkë me mua, për hir të Ungjillit, sipas fuqisë, që jep Perëndia, i Cili na thirri me një thirrje të shenjtë…” v. 8-9.

Mos ki turp, pra, dhe mos u zmbraps tani… Kryq dhe keqtrajtime, ishte përmbajtja e predikimit, sharje, pësime, vdekje. Këto, për të pabesët, dukeshin të mbushura me turp. E nxit, pra, shën Pavli, nxënësin e tij, të predikojë me guxim. Prandaj, Apostulli i madh, i kujton edhe zinxhirët e tij, që t’i tregojë, se për shkak të predikimit ishte në burg “i lidhur me zinxhirë”, vëren shumë saktë komentuesi i hirshëm, Theodhoriti episkopi i Tirës. Është e natyrshme, që të krishterët të kenë frikë dhe të fshihen. Por, Timotheu, u thirr për të drejtuar një Kishë të madhe. I pari, që do të arrestohet, kur do të vijë koha, do të jetë ai; prandaj dhe shën Pavli, me gjithë fuqinë e shpirtit të tij, e detyron të betohet, i thërret, i lutet: Marrsh, ec biri im, shto edhe ti dëshminë tënde; dëshminë e Zotit tonë; që do të thotë dëshmi bese dhe nënshtrimi ndaj Zotit tonë. Kështu e sjell kundër Qesarit, të cilit oborrtarët e tij i thërrisnin zot.

Bashkëvuaj. Vuaj dhe ti, bashkë me ne, për Ungjillin, me fuqinë e Perëndisë. E fton të ndjekë me korrektësi rrugën e dëshmisë së Jisu Krishtit dhe të pranojë, pa u ankuar, çdo gjë, që do të lejonte Perëndia: Domethënë vuajtje, pikëllime, tallje, gjithashtu edhe burgosje, tortura, vdekje. Këto tregojnë se punëtori i Ungjillit jeton brenda “misterit të Jisu Krishtit”, për hir të Ungjillit dhe me gjithëfuqinë e Perëndisë, që kapërcen çdo përkufizim njerëzor. Jo fuqi njerëzore, e cila nuk është e mundur të arrijë gjëra të tilla, por Ati nga qiejt, që asgjë nuk është e vështirë për Atë.

Thirrja e Perëndisë, do të thotë, plani i parajetëshëm i Perëndisë Atë, që na shpëtoi nëpërmjet Jisu Krishtit, për hir të dëshirës së Tij. Thirrje e shenjtë, që siç vëren komentuesi i hirshëm, shën Efthim Zigavinoi, “që pastron dhe shenjtëron ata, që e pranojnë.” “Nëpërmjet ardhjes së Shpëtimtarit” v. 10, që do të thotë, se u trupëzua dhe e panë njerëzit; me kulm Ngjalljen e Tij. Nënkupton dritën e Jisu Krishtit të ngjallur, kur shkëlqeu brenda botës së errësuar të mëkatit, ku mbretëronte dhe sundonte vdekja; shkatërroi dhe nxori në dritë diçka të re: Jetë dhe pavdekësi, jetë të vërtetë, shpirtërore, që nuk të çon në prishje -sepse vetëm materia prishet dhe vdes- por në jetën e përjetshme ku mungon prishja përjetë, “nëpërmjet Ungjillit”: se na bëri të njohur dhe na paraqiti jetën e re, me predikimin e Ungjillit, me lajmin e gëzueshëm, që na pruri nga Ati i Tij. Këto na i mësoi së pari Ai dhe na urdhëroi, që t’i predikojmë edhe ne.

“Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam, absolutisht, i bindur, se ai është i aftë të ruajë thesarin, që më ka besuar, deri në atë ditë, domethënë, deri në Ardhjen e dytë.” v. 12.

“Shembull për mësime të sakta, të çliruara nga sëmundja e mashtrimit dhe t’i kesh të shëndosha fjalët, që dëgjove prej meje, të cilat i referohen besës dhe dashurisë, që fitojmë nëpërmjet lidhjes sonë me Jisu Krishtin.” v. 13. Përfundimisht shën Pavli e di dhe është i bindur. Gjeti tokë të qëndrueshme, që nuk e prek asnjë tërmet i kësaj bote; dhe brenda në burg madje, mbështetet tek kjo tokë, ku ndihet i sigurtë. Dhëntë Zoti, që edhe njeriu bashkëkohorë, brenda rrjedhës së pandërprerë të atyre, që e frikësojnë, të gjejë këtë siguri mbinatyrore, që nuk ka lidhje me paratë, as me kompanitë e sigurimeve! Atje shën Pavli ka depozituar të gjitha sa ka, -thesarin e tij- në duart e Perëndisë Atë dhe të Jisu Krishtit, deri në ditën, që do shpëtohet në Mbretërinë e Tij.

Pyet shën Joan Gojarti: Cili është ky thesar? Dhe përgjigjet ai vetë: “Besa, predikimi”. Ai, që na e dha besën, Ai do të na ndihmojë, që ta ruajmë të paprekur besën. Thesar akoma janë besimtarët. Pavli ishte bari, të cilit Perëndia i kishte besuar aq shumë dele të logjikshme. E ndiente përgjegjësinë e tij si atë shpirtëror. Donte, që “atë ditë” t’i dorëzojë të gjithë bijtë e tij në prehrin e Parajsës. Për këtë, vetëm fuqia e Perëndisë do ta ndihmonte përfundimisht. Ati shpirtëror, ka më shumë agoni dhe dashuri se ati natyror.

* * *

Bashkë me apostull Timotheun, dhe shën Lefteri episkopi i Vlorës, kujtimin e të cilit kremton sot Kisha jonë, duke ndjekur pra me përpikmëri këto porosi të urta të shën Pavlit, duke u ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë dhe duke u mbështetur nga Zoti, që e forconte në çdo hap, arriti shumë shpejt të afrojë në besën e krishterë, që shpëton, shumë idhujtarë, midis të cilëve përfshihen dhe shumë oficerë të famshëm dhe publik. Por, djalli, i cili ka gjithmonë smirë për shpëtimin e njerëzve, nuk vonoi të shpallë luftë kundër shën Lefterit. Kështu, kur perandori Adrian shpalli përndjekjen kundër të krishterëve dhe mori vesh për veprimtarinë e mrekullueshme e Episkopit të ri të Ilirisë, urdhëroi, që ta arrestojnë dhe ta sjellin përpara tij.

Dërgoi oficerin e lartë Filikun, me një pjesë ushtrie, që të zbatojë urdhrin e tij. Kur Filiku arriti në Vlorë, rrethoi kishën e shenjtë, brenda së cilës episkopi shën Lefter po i predikonte popullit; me dëshira të egra, hyri në tempull, që ta arrestojë. Por, nuk e bëri! Duke parë hijeshinë e madhe të shenjtorit dhe duke dëgjuar gjuhën e tij shumë të ëmbël dhe mësimdhënien, u mahnit; dhe e shndërroi shikimin e tij të egër në gazmor, ai, që më parë ishte ujk, bëhet dele e butë dhe në vend të përndjekësit, bëhet nxënës dhe bindës.

“Këtë ndryshim e bëri e djathta e të Shumëlartit”. Psalm 76, 11. Dhe Filiku, përndjekës, përbuz detyrën e tij të madhe; harron urdhërin e perandorit; mohon kënaqësitë e kësaj bote; bie në këmbët e shën Lefterit, dëshmon besën te Jisu Krishti dhe i lutet, që të bëhet i krishterë.

Episkopi i shenjtë, i mbushur me ngazëllim, pranon dëshminë spontante të Filikut. I mëson të vërtetat e Ungjillit. E fut në misteret e besës. Dhe kur gjykon se është gati, i thotë, që ta shpjerë tek perandori, sipas urdhërit që kishte, për dy arsye: së pari, që Filiku të jetë korrekt në detyrën, që i ishte kushtuar dhe ai vetë, shën Lefteri, të mos humbasë kurorën e martirizimit. Dhe kjo u bë. Duke e njohur shën Lefteri dëshirën e madhe dhe të sinqertë të Filikut, e pagëzoi dhe e rilindi shpirtërisht.

Kur arritën në Romë, perandori u përpoq së pari me premtime dhe më pas me kërcënime, që ta bindte Shenjtorin të mohojë Krishtin. Por shën Lefteri mbeti i qëndrueshëm dhe i palëkundur në besën dhe dashurinë ndaj Krishtit. E nënshtroi në tortura të tmerrshme. E hodhi në burg dhe në zjarr. Kur, pas shumë përpjekjesh, pa se shenjtori doli fitimtarë nga të gjitha torturat dhe, që të mos besojnë dhe idhujtarët e tjerë tek Krishti, urdhëroi xhelatin, që me shpatë të presë kokën e dëshmorit të Krishtit, gjithashtu edhe të nënës së tij Anthias. Dhe shkuan të dy “në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë”*, përdëllimi i pafund i të Cilit qoftë me ju të gjithë. U bëftë.

* Romakëve 8, 21.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 15.12.2018