/KONTRIBUTI I ORTODOKSËVE NË SHPALLJEN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË Nga Ilirjan Gjika, Historian dhe Studiues

KONTRIBUTI I ORTODOKSËVE NË SHPALLJEN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË Nga Ilirjan Gjika, Historian dhe Studiues

Shpallja e Pavarësisë është një nga ngjarjet në të rëndësishme të historisë moderne të popullit shqiptar, e cila ishte kurorëzim i një sërë përpjekjesh shekullore. E realizuar në 28 nëntor 1912 nga një kuvend kombëtar i mbledhur në qytetin e Vlorës, ajo njihet në mënyrë simbolike edhe si akti i ‘’ngritjes së flamurit’’1.

Por një kontribut të madh në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ashtu si të gjithë shqiptarët, kanë dhënë edhe shqiptarët e komunitetit ortodoks. Në këtë lëvizje të gjerë ata u përfshinë masivisht gjysh në fillimet e Rilindjes Kombëtare, sipas parimit të saj2.

Kështu të pandarë nga shqiptarët, vëllezër të besimeve të tjera, edhe ata treguan vlera të mëdha liridashëse dhe ndjenja të forta patriotike.

Gjatë periudhës së viteve 1830-1912, kohë kur u zhvillua kjo lëvizje e Rilindjes, nga ky komunitet spikatën një sërë njerëzish të shquar, të pushkës dhe të penës3. Ata ishin jo vetëm inisiatorë të krijimit të ideve për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por kontribuan në krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe, çelën shkollat e para, botuan një sërë veprash, gazetash apo revistash me karakter historik, letrar e kulturor, si dhe luftuan me armë në dorë për autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Natyrisht që është një sprovë e vështirë të radhisësh në panteonin e madh të emrave të patriotëve, mendimtarëve, shkrimtarëve dhe luftëtarëve të kësaj epoke. Gjithësesi ne do të përpiqemi të përfshijmë pjesën më të rëndësishme të tyre.

Do të nisim fillimisht me pionierin e arsimit shqip dhe krijuesin e abetares së parë, iluministin Naum Veqilharxhi. Në vitin e largët 1844 ai botoi Evëtarin, apo abetaren e tij me 33 gërma e cila do të shërbente si pikënisje e alfabetit të ardhshëm të gjuhës shqipe4. Por në këtë veprimtari patriotike do të vijonin një sërë rilindasish, veprimtaria e të cilëve daton që në fillimet e kësaj lëvizjeje. Disa nga emrat që shtruan platformat ideore dhe politike ishin edhe Dora D’istria, Thimi Mitko apo Spiro Dine5. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu edhe kontributin e arbëreshëve të Italisë, ku vendin kryesor e zë intelektuali dhe dijetari nga fshati Makje i Kalabrisë: Jeronim De Rada. Me krijimtarinë e tij si një ndër figurat e shkencës dhe letërsisë kombëtare, ai, i bëri të njohur botës lashtësinë, identitetin dhe vlerat e kombit shqiptar6.Po kështu për t’u përmendur në përhapjen e gjuhës dhe të shkrimit shqip janë edhe Kostandin Kristoforidhi dhe Jani Vreto.I mbiquajtur ‘’Babai i gjuhës shqipe’’, Kristoforidhi me përkthimet e shumta përfshirë edhe Dhiatën e Re në të dydialektet, krijimin e Gramatikës dhe të Fjalorit, ndikoi në krijimin e gjuhës letrare shqipe7. Ndërsa, i dyti me botimin e Apologjisë dhe me aktivitetin në Shoqërinë e Stambollit, do të kontribonte për unifikimin e alfabetit dhe botimin e të parit libër për shkollat shqipe: Alfabetaren8.

Ndërkohë që në fushën e arsimit kombëtar mund të sjellim në memorje edhe mësonjtoren e parë shqipe të Korçës, të çelur në 7 mars të vitit 1887. Duhet thënë se ajo ishte e para shkollë me karakter laik, kombëtar dhe demokratik që u hap në shtëpinë që dhuroi patrioti Diamant Tërpo. Drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri nga Gjirokastra, që do të pasohej më vonë nga drejtuestë tjerë si Petro Nini Luarasi, Kristaq Vaja, dhe Nuçi Naçi.Ndërsa si mësimdhënës të kësaj skolie mund tëpërmenden emrat e mësuesve Nikolla Zografi, Thanas Nona, Kristo Vodica, etj9.

Merita e mësonjtores së Korçës dhe mësueve të saj patriot ishte se në bangat e kësaj shkolle mund të ndiqnin mësimdhënien të krishterë dhe myslymanë nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Ndërkohë që, hapja e mësonjtores ishte një arritje e madhe në fushën e arsimit kombëtar, fakt që ndikoi në çeljen e një sërë shkollash të tjera shqipe në vise të tjera të vendit, si në Kolonjë, Elbasan, Pogradec, Tiranë,Dibër, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Skrapar, Fier, Mallakastër, etj10.

Ndërsa përsa i përket botimeve periodike të revistave dhe gazetave ishin një sërë titujsh dhe intelektualësh që lidhen me to, si: ‘’Kombi’’ i Sotir Pecit, ‘’Shkopi’’ i Thanas Tashkos, ‘’Shqypeja’’ e Josif Bagerit, ‘’Kombi’’ i Milto Sotirit11. Por në këtë fushënjë vend me rëndësi zë edhe ‘’Kalendari Kombiar’’. Botues i saj ishte veprimtari i arsimit kombëtar Kristo Luarasi ‘’Kalendari’’ ishte një periodik i përvitshëm që u botua gjatë viteve 1897-1928 dhe kishte karakter politik, historik, letrar dhe kulturor. Fillimisht në Sofje në vitin 1897 dhe më pas në Selanik, ai botohej në shtyshshkronjën “Mbrothësia” dhe në faqet e saj shkruan një pjesë e personaliteteve më të shquar të Rilindjes Kombëtare12.

Por kontributi i ortodoksëve shqiptarë nuk do të ndalej këtu. Edhe në kongreset arsimore të viteve 1908-1909, si ata të zhvilluar në Manastir dhe Elbasan, ku do të merreshin disa nga vendimet më të rëndësishme, do të ndihej ndikimi dhe roli i tyre13. Të tilla ishin vendimet e marra për unifikimin e alfabetit, hapjen e shkollës Normale të Elbasanit, ngritjen e shoqërisë Përparimi të Korçës, që do të botonte libra, do të hapte shkolla të reja dhe do të drejtonte zhvillimin e proçesit të arsimit. Jo vetëm kaq, por në komisionin prej tetë vetësh të Kongresin të Manastirit për unifikimin e alfabetit përmenden emrat e Dhimitër Budës dhe Sotir Pecit, krahas atyre të Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Shahin Kolonjës, Bajo Topullit, Nyzhet Vrionit apo Gjergj Qiriazit dhe Grigor Cilkës14.

Kësaj plejade të shquar i përket edhe Heroi i Popullit Mihal Grameno, një figurë e kompletuar e patriotizmit shqiptar. Ai ishte jo vetëm luftëtar në çetën e Çerçiz Topullit15. Por ai ishte edhe një publicist i shquar demokrat, që botoi në Korçë gazetat ‘’Lidhja Ortodokse’’ dhe ‘’Koha’’16.

Por kontributet vijojnë edhe në ngjarjet që pasojnë periudhën e fundit të Rilindjes, sic janë kryngritjet e mëdha të viteve 1908-1912. Le të përmendim këtu Kuvendin e Sinjës gjatë zhvillimit të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Në këtë kuadër, në 23 korrik, udhëheqësit e komiteteve kryengritëse të Shqipërisë së Jugut u mblodhën në Sinjë, në jug të malit të Shpiragut dhe hartuan një memorandum autonomie prej 12 pikash17. Midis 49 komandantëve të çetave patriotike dhe udhëheqësve politikë pjesëmarrës në të, bien në sy emrat e Llambi Bimblit, Pandeli Cales, Caci Grizës, Lili Pandos, Kosta Priftit dhe Tasi Nakos, të cilët me vendimet e tyre autorizuan Hasan Prishtinën që të përfaqësonte në bisedimet me palën turke edhe këtë pjesë të Shqipërisë18.

Po kështu, vendimin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, e prezantoi së pari në mbledhjen me koloninë shqiptare të Bukureshtit, në 5 nëntorit 1912. Në këtë takim morën pjesë disa nga personalitetet e diasporës së Rumanisë si Asdreni, poeti i himnit të flamurit, kryeministri dhe kryetari i parlamentit të ardhshëm Pandeli Evangjeli dhe patriotët Dhimitër Ilo, Dhimitër Berati, Dhimitër Zografi, Kristo Meksi, Akile Eftimiu, Athanas Kantili, Milto Sotiri, Vasil Zografi, Anastas Mih, Ilia Kosturi, Dhimitër Emanoili, etj.19 Pikërisht aty u vendos të themelohej “një komitet drejtues” që të merrte në dorë qeverinë e vendit. Gjithashtu do të krijohej edhe një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të fuqive të mëdha të drejtat e popullit shqiptar. Ndërsa një tjetër komitet do të formohej në Bukuresht, dhe që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për të realizuar pavarësinë e Shqipërisë20.

E ndërsa nga Bukureshti, Ismail Qemali, do të vijonte udhëtimin e tij drejt Budapestit dhe Vjenës, dy kryeqëndrave të perandorisë austro-hungareze, kontributi i këtij komuniteti do të vijonte edhe më tej. Kjo u pa, pas mbërritjes së Ismail Qemalit në Shqipëri në 21 nëntor 191221. Pasi nuk arriti të realizonte përpjekjet e tij për të “ngritur” flamurin në Durrës, Ismail Qemali dhe grupi i patriotëve që e shoqëronte vendosi të nisej për ta realizuar shpalljen e pavarësisë drejt Vlorës. Ata u nisën në 23 nëntor 1912 nga Durrësi dhe mbërritën në Kavajë ku patrioti Qazim Merhori i vuri në shërbim kuajt e vet22. Në dalje të Kavajës gjatë udhëtimit u mor lajmi se në Lushnje kishte ardhur urdhri nga komandanti i ushtrisë turke në Janinë, që të arrestonin Ismail Qemalin me çdo kusht. Për këtë u dërgua një repart xhandarmërie në fshatin Gramsh përgjatë rrugës Rrogozhinë-Lushnje. Në pamundësi për të vazhduar këtë rrugë drejt qytetit të Lushnjes, grupi u kthye në Çermë dhe kaloi Shkumbinin me sandallin e vaut të kishës së Shën Kollit në fshatin Çermë-Biçak. Këtu ata u strehuan gjatë natës në shtëpinë e Dervish bej Biçakut dhe të nesërmen vijuan rrugën më të vështirë gjatë Myzeqesë bregdetare. Me vështirësi të mëdha duke çarë baltën dhe ujin në mesditë mbërritën në Divjakë, pasi përshkuan itinerarin Çermë-Biçak, Çermë-Proshek, Çermë-Pasha, Çermë-Çiflik, Sulzotaj, Divjakë. Që këtu duke udhëtuar në rrugën Xeng, Mizë, Kryekuq dhe Babunjë, grupi mbërriti në mbëmjen e datës 24 nëntor në Libofshë. Në hyrje të saj ata u pritën nga çeta e klerikut dhe mësuesit patriot Ikonom Dhima. Atë natë Ismail Qemali fjeti në konakët e Nedin Bej Leskovikut, kujdestarit të çifligjeve shteterore turke të Myzeqesë i mirëpritur nga patriotët vendas si Tuni Gjergji, Zoi Marini, Zoi Ndreko, dhe të tjerë. Ky i fundit e shoqëroi Ismail Qemalin deri ne Vlorë, ku mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Udhëtimi nisi përsëri të nesërmen drejt qytetit të Fierit. Tek vau i Petovës, ku do të kalohej lumi Seman, grupi i Ismail Qemalit u takua me delegatët e Elbasanit që vinin për në Vlorë. Vështirësitë e udhëtimit ishin të mëdha pasi nëntori i atij viti kishte shumë shira dhe Semani e kishte zgjeruar shtratin e tij. Në Fier, Ismail Qemali, u prit nga kryetari i bashkisë Tonç Kilica dhe nga Omer Pashë Vrioni. Në shtëpinë e këtij të fundit ai drekoi mesditën e 25 nëntorit dhe përpara nisjes për në Vlorë zhvilloi edhe një miting spontan me qytetarët fierakë. Udhëtimi vijoi përsëri dhe në bregun e lumit Vjosë ata do te priteshin nga një grup i madh njerëzish të drejtuar nga Jani Minga, të cilët kishin përgatitur situatën në Vlorë, për mbajtjen e kongresit historik23.

Për t’u përmendur në këto ngjarje është edhe patriotja demokrate Marigo Pozio, e cila e kishte nisur veprimtarinë e saj qysh në vitin 1904 kur u vendos në qytetin e Vlorës. Ajo ishte një femër me kulturë e arsimuar në mësonjtoren e vajzave në Korçë dhe veprimtare e lëvizjes për emancipimin e gruas. Marigoja pati meritën se qëndisi flamurin që u valëvit gjatë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Edhe në vitet në vazhdim ajo vijoi aktivitetin e saj derisa vdiq në vitin 1932 dhe u varros në varrezat e manastirit të Zvërnecit ku prehet edhe sot24.

Ndërsa do të ishin 11 personalitete nga radhët e këtij komuniteti të cilët u zgjodhën delegatë në kuvendin Kombëtar të Vlorës. Ata do të firmosnin midis 40 pjesëmarrësve në aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912. Të tillë ishin patriotët Jani Minga dhe Aristidh Ruci-delegatë të Vlorës, Lef Nosi-delegat i Elbasanit, Bab Dud Karbunara dhe Dhimitër Tutulani-delegatë të Beratit, Pandeli Cale, Spiridon Ilo, Thanas Floqi-delegatë të Korçës, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi dhe Dhimitër Berati-delegatë të kolonisë shqiptare të Bukureshtit25.

Për t’u veçuar këtu është Lef Nosi, ministri i Post-Telegrafës në qeverinë e Ismail Qemalit, prej të cilit kemi publikimin e dokumenteve të rëndësihme të pavarësisë, përfshirë edhe deklaratën e saj26.

Ndërsa akti i fundit që do të mbyllte siparin e kësaj periudhe, do të ishte akti i Tonç Kilicës, një tjetër veprimtari të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Si kryetar i Bashkisë së Fierit pati meritën se bëri lidhjet midis zonave kryengritëse me këtë qytet, si një prej qëndrave të rëndësishme të kryengritjes në Shqipërinë e jugut. Së bashku me Omer pashë Vrionin ishte ndër patriotët që mirëpritën në Fier, Ismail Qemalin, gjatë udhëtimit të tij historik drejt Vlorës. Në mbështetje të shpalljes së pavarësisë, kryesoi aktin e ngritjes së flamurit kombëtar në Fier, në 29 nëntor 191227.

Ky do të ishte me pak fjalë një përshkrim i shkurtër i kontributit të ortodoksëve në rilindjen tonë kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ndoshta duhet përdorur termi “i një pjesë të tyre,” sepse në një shkrim të tillë nuk mund të përmenden të gjithë emrat e pjesëmarrësve të shumtë. Gjithsesi, merita e tyre ishte se përveë arritjes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri, u hodhën edhe bazat e disa prej vlerave të mëdha të kulturës shqiptare: tolerancës dhe bashkëjetesës mes komuniteteve fetare, si dhe laicitetit të shtetit shqiptar.

Nga: Historiani dhe Studiuesi Ilirjan Gjika

Literatura.

1-Historia e Shqipërisë, II, Akademia e Shkencave, Tiranë 1984, f. 499.

2-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë 1985, f. 1155.

3-Historia e Shqipërisë, II, Akademia e Shkencave, Tiranë 1984, f. 99.

4-Hysni Myzyri, Shkollat e para kombëtare shqipe, 8 nëntori, Tiranë 1978, f. 24.

5-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë 1985, f. 195, 341.

6-Jeronim

7-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë 1985, f. 551.

8-Hysni Myzyri, Shkollat e para kombëtare shqipe, ‘’8 nëntori’’, Tiranë 1978, f. 38.

9-Po aty, f. 67-71 dhe 157-162.

10-Po aty, f. 119, 133, 137, 139, 145.

11-Thanas Gjika, Mihal Grameno publicist demokrat, Tiranë 1980, f. 15.

12-Kalendari Kombiar 1908-1912, ALSAR, Tiranë 2017.

13-Historia e Shqipërisë, II, Akademia e Shkencave, Tiranë 1984, f. 422, 432.

14-Xhejms Klark, 1912 dhe Ungjilli, AEM-Misioni Ungjillor, Tiranë 2012.

15-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë 1985, f.318.

16-Thanas Gjika, Mihal Gramenopublicist demokrat, Tiranë 1980, f. 15, 26.

17-Historia e Shqipërisë, II, Akademia e Shkencave, Tiranë 1984, f. 477.

18-Memorandumi i Sinjës, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier.

19-Kopi Kyçyku, Shqiptarët e Rumanisë, Old.njëkomb.com

20-Po aty.

21-Historia e Shqipërisë, II, Akademia e Shkencave, Tiranë 1984, f. 496.

22-Ilirjan Gjika, Fieri në shekuj, Ymeraj, Fier 2004, f. 108-109.

23-Po aty, f. 109.

24-Ilirjan Gjika, Historia e Flamurit që u ngrit në Vlorë, Gazeta Dita, dt 18 nëntor 2018.

25-Wikipedia.

26-Lef Nosi, Dukumente Historike, Instituti i Historisë, Tiranë 2007.

27-Ilirjan Gjika, Fieri në shekuj, Ymeraj, Fier 2004, f. 109.