“Me anën e duarve të Apostujve bëheshin shumë shenja e çudira në mes të popullit” (v.12)
I
Dikur, duke mësuar judenjtë, Zoti, u thoshte: “Ai që më beson mua, do të bëjë edhe ai punët që bëj unë, dhe do të bëjë edhe më të mëdha se këto” (Joani 14:12). Këtë shikojmë të përmbushet sot me Apostujt e shenjtë të Zotit. Dëgjuam çfarë na thanë Veprat e Apostujve: “Në ato ditë, me anën e duarve të Apostujve, bëheshin shumë shenja e çudira në mes të popullit”. Domethënë, mrekullira, vepra të çuditshme, që bëheshin nga duart njerëzore, duart e Apostujve të shenjtë, por që nuk ishin vepra njerëzore, ishin vepra të mrekullueshme të Perëndisë, që shkaktonin habi, admirim, por edhe besim e mirënjohje ndaj Perëndisë. Ishin aq të shumta dhe të mrekullueshme, saqë, miq e të afërm të sëmurësh, sillnin nga shtëpitë e tyre të sëmurët dhe i nxirrnin në sheshet e Jerusalemit, në mënyrë që, kur të kalonte nga andej apostull Pjetri, të mund të binte qoftë edhe hija e tij, tek ndonjë nga ata, dhe të shëroheshin. Domethënë, nuk bënte mrekulli vetëm fjala dhe as vetëm dora e Apostullit. Bënte mrekulli madje edhe hija e trupit të tij! Ja veprat e mëdha, që Krishti tha se do të bënte çdokush që do të besonte tek ai. Për shkak të këtyre mrekullive, asnjë jude i pabesë nuk guxon t’u bëjë keq Apostujve.
* * *
Duhet që këto ngjarje të na bëjnë përshtypje të thella, vëllezërit e mi të dashur. Sepse Kisha e parë, nga ana njerëzore, nuk dukej të dispononte ndonjë fuqi të rëndësishme. Ngjante me një kokërr të vogël sinapi, e parëndësishme dhe e pafuqishme, në dukje. E megjithatë, ajo kokërr sinapi, përmblidhte një fuqi të madhe, fuqinë e Perëndisë, Themeluesit të saj. Prandaj edhe grupi i vogël, i Nxënësve të thjeshtë e të pashkolluar, me frymën e Shpirtit të Shenjtë, të Pendikostisë, menjëherë filloi të rritej me shpejtësi. Dhe Kisha filloi, gradualisht, të rritet dhe të bëhet pemë e madhe, nën hijen dhe mbrojtjen e së cilës, gjejnë prehje, siguri dhe jetë hyjnore, turma besimtarësh, siç pamë sot. Paralelisht, Zoti, me mrekullitë e mëdha, që denjësoi Apostujt të bëjnë, dëshmonte dhe tregonte prejardhjen hyjnore dhe formimin e Kishës.
Shkrimi i Shenjtë, ato mrekulli të bollshme, i quan “shenja”, sepse shfaqin dhe tregojnë se, me të vërtetë, tek Apostujt ekzistonte fuqia dhe hiri i Jisuit të Ngjallur, të cilin ata e përdornin dhe nëpërmjet të cilit realizonin mrekullitë. Dhe, Apostujt e shenjtë, nuk lanë asnjë rast pa shpallur këtë të vërtetë. Kur Apostujt, Pjetri dhe Joani, shëruan të çalin që nga lindja, për habi të popullit që i vëzhgonte me admirim, apostull Pjetri shpalli ndaj gjithë njerëzve: “Nuk jemi ne shkaku i shërimit, por Jisu Krishti. Me fuqinë e Tij i bëjmë ne mrekullitë që shihni”. Dhe janë, pra, këto “shenja”, vërtetime të padiskutueshme, të fuqisë mrekullibërëse dhe shenjtëruese të Krishtit, e cila ekziston brenda Kishës dhe transmetohet nëpërmjet Mistereve të Saj.
Predikimi dhe mrekullitë bënë që shumë burra dhe gra të besojnë. Jerusalemi dukej sikur filloi të ndryshojë mentalitetin dhe jetën në ato ditë. Madje, dhe ata që nuk besonin, ndienin respekt ndaj Apostujve. “Populli i madhëronte ata” (v. 13) tregon Lukai i hirshëm. Dhe ata që dëshironin t’i ironizonin dhe t’i përqeshnin, t’i pengonin në veprën e tyre dhe t’i shpifnin, nuk guxuan t’i bëjnë këto, qoftë nga frika apo qoftë nga një respekt i pavullnetshëm. Asnjë nga ata nuk kishte guximin t’u afrohej, të ngatërrohej me ta dhe t’iu sillej si të ishin njerëz të rëndomtë.
II
Po sot, a bëhen mrekulli?
Hirin e mrekullibërjes, Zoti Perëndinjeri, nuk e dha vetëm tek nxënësit e Tij. E dha edhe tek të gjithë shenjtorët. Morën edhe ata hirin, “prej së gjalli dhe pas vdekjes”, të bëjnë mrekulli. Pushtetin për të shëruar çdo sëmundje dhe për të nxjerrë demonë, Zoti e dha edhe te Kisha e Tij, që është spital dhe strehë e lirë, dhe që me fuqinë e hirit hyjnor, shëron sëmundje kronike dhe të dhimbshme, të cilat nuk mund t’i shërojnë doktorët dhe ilaçet.
Sa nga të afërmit tanë gjejnë shërim, nga sëmundje të ndryshme trupore, në pelegrinazhet e hirshme, tek e Tërëshenjta në Tino, shën Spiridhoni në Korfuz, shën Nektari në Egjinë dhe në tempuj të tjerë dhe faltore të shenjta të Kishës Orthodhokse? Sepse, për sa kohë ekziston besimi, dhe Perëndia gjykon se ajo që kërkojmë është në dobinë dhe shpëtimin e shpirtit tonë, e miraton dhe mrekullia bëhet. I sëmuri ynë shërohet, edhe pse shkenca nuk i dha shpresa. Sa shërohen përfundimisht dhe bëhen mirë, në momentin që u kunguan me Misteret e papërlyera dhe shijuan “burimin e pavdekësisë”!
Kisha e parë e krishterë, me jetën e saj të shenjtë dhe veprimtarinë heroike, është pasqyrë, para së cilës duhet të qëndrojmë vazhdimisht. Kjo është mënyra e vetme për të kontrolluar autenticitetin e krishtërimit tonë. Le të bëjmë tani krahasimin, ne të krishterët e sotëm, që i përkasim të njëjtës Kishë, na karakterizojnë vallë këta dy elementë, “të gjithë bashkë” dhe “me një zemër”? A mblidhemi, domethënë, me zell dhe mall, në Tempullin e Perëndisë, për të dëgjuar fjalën e Perëndisë dhe për të lavdëruar emrin e Tij të shenjtë? A jemi të gjithë besimtarët të bashkuar dhe e duam njeri-tjetrin, me një shpirt dhe me një zemër? Ndiejmë se i përkasim një shoqërie, Kishës së Krishtit, që është shoqëri dashurie? Dhe Kisha e sotme, që të jetë Kisha e Krishtit dhe e Apostujve, duhet të jetë ungjillëzuese dhe Misionare. Duhet t’i ofrojë popullit të sotëm, të vuajtur dhe të lodhur, “fjalët e jetës” të Krishtit. Çdo pjesëtar i gjallë i Kishës, çdo i krishterë, ftohet të ecë dhe të transmetojë mesazhin e krishterë. Këmbët e tij duhet të rendin që të sjellin dashurinë, atje ku ekziston urrejtja; dritën, atje ku ekziston errësira; gëzimin, atje ku ekziston hidhërimi.
Së fundmi, le të njohim se, edhe shkenca i pranon mrekullitë. Biologu dhe doktori i madh A. Carrel, pohon se, duke pasur parasysh rastet e shumta të shërimit të të sëmurëve të tij, mrekullitë janë të mundshme. Bëhen edhe sot mrekulli. Mjafton t’i pranojmë dhe t’i pohojmë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Apostujt e shenjtë, si dëshmitarë të Ngjalljes dhe të pagëzuar me flakën e Shpirtit të Shenjtë, përhapën besimin e ri dhe jetën e Krishtit të Ngjallur, duke patur, në misionin e tyre, bashkëpunimin e Zotit. “Ata dolën e predikuan kudo, edhe Zoti ishte duke vepruar bashkë me ta dhe duke vërtetuar fjalën me çuditë që e shoqëronin” (Marku 16:20). Shenjat dhe çuditë nuk munguan asnjëherë nga Kisha, për sigurimin e vërtetësisë së predikimit dhe për forcimin e besimit të ri. Ftohemi ne të gjithë dhe secili në veçanti, të japim dëshminë me fjalën e krishterë, me jetën tonë të ringjallur, të shenjtë dhe të virtytshme, të larë në dritën e hirit dhe jetës mistike, që është mrekullia më e madhe morale. U bëftë.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA: MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS † IGNATI