/E Diela e të Lidhurit të Djathit, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës – Hirësi Ignati

E Diela e të Lidhurit të Djathit, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës – Hirësi Ignati

“Vishni Zotin Jisu Krisht” (v. 14)

Kuptimi i të dielës së sotme, i të lidhurit të djathit, është kujtimi i daljes së të Parëgatuarve nga Parajsa. Që nga momenti kur mëkati i parë u krye nga të Parëgatuarit, vetë ata konstatuan se janë të zhveshur; prandaj përgatitën rroba me gjethe fiku, për të mbuluar lakuriqësinë e tyre, në mënyrë që të mos kenë turp duke parë njëri-tjetrin. Sigurisht, kjo dëshmon se mëkati zhveshi shpirtin e tyre, nga veshja e hyjdhënë e pafajësisë dhe thjeshtësisë, domethënë, nga stolia e lavdishme dhe e ndritshme e hirit. Me një lirizëm të veçantë, himnuesi i hirshëm i Kishës, vendos në gojën e Adamit, vargjet melankolike dhe aq tronditëse: “U zhvesha unë i mjeri, nga stolia e hyjthurur, o Zot, me shkeljen e urdhrit tënd të shenjtë, për shkak të porosisë së të ligut”.

Por ja, vëllezër të dashur, që apostull Pavli na tregon veshje të shtrenjta dhe të bukura, të përshtatshme për çdo njeri, për çdo moshë, formim dhe klasë shoqërore. Kisha jonë e shfaq para nesh këtë ngjarje tragjike, në fillim të kreshmës. Është si të na thotë: Shikoni çfarë pësoi gjinia njerëzore, nga dëshira e paligjshme e mëkatit të të Parëgatuarve. Vendosni të fitoni Parajsën, që ju ofron Adami i ri, Krishti. Vishni, pra, Krishtin dhe mos u kujdesni për kënaqjen e dëshirave tuaja të prapëta dhe të paligjshme.

* * *

Por, që të veshim Krishtin, është e nevojshme të zhveshin rrobën e njeriut të vjetër. Si luftëtarë me përvojë i përpjekjeve shpirtërore, apostull Pavli, na rekomandon: Gjëja e parë që duhet të bëjmë, është të hedhim tej “veprat e errësirës”. Me largimin nga Parajsa e kënaqësisë dhe me shfaqjen e mëkatit, njeriu vesh mëkatin.

Por, që të veshë dikush Krishtin, duhet të vdesë më parë njeriu i mëkatit. Prandaj edhe prifti, kur pagëzon foshnjën, e zhyt tri herë brenda në ujin e shenjtëruar të pagëzimores, në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, në mënyrë që të vdesë njeriu i vjetër dhe të dalë nga ajo njeriu i rilindur më Krishtin.

Apostull Pavli nuk kufizohet në një rekomandim të përgjithësuar. Në vazhdim, numëron vepra konkrete të errësirës, që nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me jetën e të krishterëve. Duhet të jetojmë “jo në argëtime e dehje”, bankete me këngë të ulëta e të neveritshme. Perëndia nuk e ndalon konsumimin e ushqimeve dhe përdorimin e verës. Përkundrazi, i bekon dhe i shenjtëron. Por, kur konsumimi i ushqimit të drejton në grykësi dhe abuzimi me verën në dehje, atëherë devijojmë nga vullneti i Perëndisë. Bëhemi skllav të pasioneve.

Jo në shtretër imoraliteti e ndyrësira”. Me këto dy fjalë, shën Pavli, nënkupton jetën e shthurur dhe të shfrenuar, që është krejtësisht e papajtueshme me cilësinë tonë, si të krishterë, me bindjen tonë, se trupi njerëzor është tempulli i Perëndisë dhe banesë e Shpirtit të Shenjtë.

Apostull Pavli, shton edhe një çift tjetër fjalësh: “jo në grindje e smirë”. Duhet të largojmë nga jeta jonë çdo grindje dhe smirë. Si të krishterë, nuk mund të kacafytemi dhe as të lejojmë smirën dhe zilinë të helmojë zemrën tonë.

“Le të ngjeshim armët e dritës”. Është pika e dytë e rekomandimit apostullor. Ashtu si ushtari armatoset me pajimin ushtarak, kështu edhe i krishteri -si ushtar i Jisu Krishtit- vesh armët e dritës, që janë virtytet e krishtera. Virtyti është arma jonë. Me të pajisemi. Me të luftojmë të ligun. Me të tregohemi fitimtarë në luftën shpirtërore. Të njëjtën gjë thekson apostull Pavli edhe në letrën e tij drejtuar Efesianëve: “Vishni gjithë armët e Perëndisë, që të mundeni të qëndroni kundër mjeshtërive të djallit” (Efes. 6:11).

Të veshim virtytin, sigurisht, nuk do të thotë një pajtim i jashtëm ndaj disa rregullave; një sjellje sipërfaqësore dhe e shtirur, por një ndryshim i thellë i botës sonë të brendshme. Dëshiron të na thotë, se drejtues dhe frymëzues i jetës sonë, në çdo moment, në çdo çast, është Krishti. Ashtu si rrobat na shoqërojnë në gjithë shfaqjet e jetës sonë, kështu dhe prania, dashuria dhe mendimi për Krishtin, duhet të na shoqërojnë gjithmonë, në çdo moment të jetës.

“Vishni Zotin Jisu Krisht”. Nëse përpiqet dikush të thellohet më shumë në këto fjalë të hyjfrymëzuara, zbulon se në to përmblidhet gjithçka për jetën tonë. Sepse të gjithë ata që janë veshur realisht me Krishtin, nuk jetojnë më vetë, me mëkatet e tyre. Jeton brenda tyre, Ai, tek i Cili kanë dorëzuar çelësat e zemrës së tyre. Ndodh ajo çudi, që jetoi dhe shkroi apostull Pavli: “S’rroj më unë, po Krishti rron tek unë” (Gal. 2:20). Apostulli i Krishtit e mohon “unin” e tij. “S’rroj më unë”, dhe pranon një “un” tjetër, “unin” e Krishtit. Mohoj jetën mishore të pasioneve, sepse jam përmallues i një jete tjetër, jetës së Krishtit. Mohoj jetën e varfër të shqisave, të “unit” tim personal, që të jetojë brenda meje Krishti. “Krishti rron tek unë”.

* * *

Por, është e pamundur të “veshë dikush Krishtin”, pa marrë Pagëzimin e Shenjtë. Këtë të vërtetë thekson Apostulli ynë, në letrën e tij drejtuar Galatianëve: “Sa u pagëzuat në Krishtin, Krishtin veshët” (Gal. 3:27). Gojarti i shenjtë, duke shpjeguar këto fjalë, që prifti i psal pas Misterit të Pagëzimit të Shenjtë, shkruan: «Meqenëse apostull Pavli tha diçka të madhe dhe të mrekullueshme, se,“ të gjithë jemi bij të Perëndisë me anë të besimit që është në Jisu Krishtin”, përmendi edhe mënyrën e birësimit: Të veshë i pagëzuari Krishtin». «Sepse -vazhdon Shenjtori- përderisa Krishti është Bir i Perëndisë, dhe ti e ke veshur, duke e pasur brenda teje dhe duke ngjasuar me Të, ke arritur në farefisni dhe u bëre një imazh me Krishtin». Pra, të veshim Krishtin, është të bëhemi të ngjashëm me Të.

Shpirti i të pagëzuarit rrezaton nga shkëlqimi dhe lavdia e rrobës qiellore, të Zotit Jisu Krisht, e cila jepet si dhuratë nga Ati qiellor. “Më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë” (Isaia 61:10), shpall në mënyrë profetike Isaia. Gjithashtu, njeriu që ka veshur Krishtin, ka fuqi vullneti për të përballuar dhe për t’iu përgjigjur, si fitimtar, gjithë dëshirave dhe intrigave të djallit të lig, dhe të veprojë me zell, gjallëri dhe durim të palëkundur, çdo gjë që është sipas dëshirës së Perëndisë. Asgjë nuk është e pamundur për atë njeri, i cili, bashkë me apostull Pavlin, thotë: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Fil. 4:13).

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Arena e virtyteve është hapur. Ata që dëshirojnë të luftojnë, të përpiqen, le të marrin përsipër luftën e mirë të kreshmës. Le t’i bindemi këshillave të Apostullit: Të zgjohemi nga letargjia e mëkatit. Të zhveshim, si rrobë të papastër, njeriun e vjetër dhe të marrim në duar armët e virtyteve. Të veshim Krishtin, Shenjtin e të Shenjtëve, që të na ndriçojë, të na e bëjë të papikëluar shpirtin tonë, ta qeverisë Ai jetën tonë dhe të na dhurojë shpëtimin. U bëftë.

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA: MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS † IGNATI

Berat më 06.03.2022