/E Diela e 6-të e Llukait (I) (Llk. 8:26-39) – I kërkojnë të ikë.

E Diela e 6-të e Llukait (I) (Llk. 8:26-39) – I kërkojnë të ikë.

I kërkojnë të ikë
Edhe gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve iu lutën të ikë nga ata.
Gadarinët ndodhen para një ngjarjeje të mrekullueshme, por, të verbuar nga interesi i tyre material, nuk mund ta kapin dot kuptimin e saj. Nuk e ndiejnë se u ndëshkuan për shkak se bënin tregti të paligjshme derrash, megjithëse ligji i Moisiut e ndalonte një veprimtari të tillë. Nuk interesohen të dëgjojnë Jisuin, ndërsa shikojnë fuqinë e Tij mahnitëse. Të dalldisur nga inati për dëmin që pësuan, ata nguten për ta dëbuar. I shqetëson prania e Tij. Kush e di se çfarë gjëje tjetër mund t’u ndodhë? Nuk duan ndryshime dhe ndërhyrje në mënyrën e tyre të jetesës. Le të ikë sa më shpejt
Por nuk guxojnë ta dëbojnë me dhunë. Kanë frikë. Për këtë arsye e lusin të ikë së andejmi: “iu lutën të ikë nga ata”. I kërkojnë të largohet sa më shpejt. Kjo pikë është shumë dramatike! E admirojnë, ndiejnë se kanë përpara tyre një person unik. Por tregohen indiferentë për ta njohur dhe shpejtojnë ta largojnë nga zona e tyre
Por kjo kërkesë e çuditshme në bregun e liqenit të Gjenesaretit, nuk u bë vetëm një herë, u përsërit shumë herë. Përsëritet edhe sot në thellësitë e shumë shpirtrave njerëzorë. Edhe në ditët tona janë të shumtë ata që e dëbojnë Krishtin nga jeta e tyre, sepse:
Prania e Tij i pengon “punët e tyre” të dyshimta.
Ajo i ngatërron, shqetëson “ndërgjegjen e tyre”. Punët e tyre janë të dyshimta, planet e tyre të paligjshme, dëshira për t’u pasuruar e pangopshme. Për këtë arsye nuk e duan, sepse Krishti kërkon ndershmëri, drejtësi, dëlirësi. Ai është drita e tërëshkëlqyer dhe e fortë. Por punët e tyre të dyshimta nuk kanë nevojë për dritë, ato duan gjysmëdritë, madje errësirë. Por përsëri nuk guxojnë ta kundërshtojnë haptazi. E lusin që të largohet. “Iu lutën të ikë nga ata”. Nuk shajnë, nuk shfaqen si armiq të Tij fanatikë, ruajnë mirësjelljen e jashtme, format e jashtme. E respektojmë Kishën, thonë, le t’i japim ndihmë ndonjë të varfri. Le të ndezim ndonjë qiri të dielën dhe le të vendosim një ikonë në shtëpi ose në dyqan. Por mos kërko të ndërhysh në punët tona, mos këmbëngul të braktisim zakonet tona, të ndryshojmë jetë. Duam të jetojmë vetëm, me planet dhe synimet tona. “Edhe iu lutën të ikë nga ata”. Por ka shumë gjëra që duhet të bëhen, që i kërkon koha, pozita e tyre shoqërore, profesioni i tyre – sikundër thonë për të justifikuar veten – në të cilat prania e Krishtit është shqetësuese, është qortim.
Tragjikja: E dëbojmë edhe ne:
– Kur preferojmë gënjeshtrën në vend të së vërtetës. Djalli është “gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës”. Krishti tha: “unë jam e vërteta”.
– Kur preferojmë urrejtjen në vend të dashurisë. Djalli urren. Krishti është Dashuri.
– Kur kërkojmë fitim të paligjshëm. Korrupsioni është dhënia e dhuratave të paligjshme.
– Kur dorëzohemi në pasione të errëta, në vend që të ruajmë pastërtinë dhe dëlirësinë që kërkon Krishti.
– Kur preferojmë lakminë në vend të thjeshtësisë. Por pranë këtyre kategorive është edhe një grup tjetër njerëzish, që i kërkon Krishtit të ikë:
Pa e ditur mirë as vetë përse:
E bëjnë këtë thjesht sepse shumë veta veprojnë po njësoj. Në rrëfimin e tij, ungjillor Llukai thekson se “gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve” e lutën Atë të largohej. Sigurisht, brenda kësaj turme, përveç pronarëve të derrave, të cilët u dëmtuan dhe ishin nxitësit e këtij akti, do të kishte edhe shumë nga ata që e bashkuan zërin e tyre me të tjerët. Këtë e bënë nga dobësia dhe karakteri i tyre, pa e marrë vesh as vetë shkakun, por, meqë e thoshin shumë të tjerë, edhe këta nuk donin të veçoheshin. Për këtë arsye, nëse shumica do të propozonte diçka tjetër, këta nuk do të kishin kundërshtim për të rënë dakord. Kjo ndodh shpesh në masat e njerëzve. Shumica bën diçka brenda “një psikologjie turmash”, e tërhequr nga rryma, që zakonisht krijojnë disa veta.
Populli i pavullnetshëm, që tërhiqet nga një pakicë dhe mbetet i papenduar, humbet mundësinë për të njohur më mirë Shpëtimtarin e tij.
Për fat të keq, nuk mungojnë njerëz që i kërkojnë Krishtit të largohet nga kufijtë e jetës së tyre, pa menduar fare shkakun, pa e kuptuar se cilin dëbojnë. Pse të mos veprojmë dhe ne kështu siç ka bërë filani? Nuk interesohen ta njohin nga afër, ta shqyrtojnë, të mësojnë se Cili është në të vërtetë Jisu Krishti. Kufizohen në disa fjalë të kota, që i pëshpëritin njerëz të papërgjegjshëm. Nuk përkujdesen të krijojnë bindjet e tyre, ta njohin personalisht Atë. Qëndrojnë indiferentë. Njerëzit nuk përpiqen aq sa duhet që të mësojnë se si qëndron e vërteta. Kanë shumë shqetësime të tjera në mendjen e tyre! Pa e urryer, e dëbojnë nga vetja. I binden verbërisht një shtyse të vetes së tyre – ose më saktë të djallit – “e lusin atë të ikë” nga ambienti i shpirtit të tyre.
* **
Vëllezërit e mi, le ta shqyrtojmë me sinqeritet veten tonë. Në jetën tonë, ka ditë ose periudha që sillemi si gadarinët. Kur Krishti afrohet pranë shpirtit tonë, që të na tregojë diçka, të na qortojë, të na theksojë se nuk kemi të drejtë t’i kërkojmë të gjitha gjërat për veten tonë, të na qortojë se kemi antipati për dikë apo se tregohemi indiferentë ndaj ndershmërisë e dëlirësisë dhe kur, në të gjitha këto raste, Ai përpiqet të ndërhyjë thellë në shpirtin tonë, mos vallë ia mbyllim derën me justifikimin se rrezikojmë të bëhemi “shumë fetarë”? Mos ndoshta i kërkojmë edhe ne, “e lusim atë të ikë nga ne”? Mos vallë 95 e lëmë farën e besimit – Fjalën e Perëndisë – që të vijë djalli si zog i zi dhe të na e hajë brenda zemrës sonë?
Krishti largohet kur nuk E duam. Kur pa dëshirën e mirë të gadarinëve, “hyri në lundër dhe u kthye”. Ai nuk qëndron kurrë me forcë pranë njerëzve, respekton më tepër se çdokush tjetër lirinë personale. Por është e frikshme që një njeri të dëbojë Çlirimtarin, Birin e Perëndisë, dhe të shpërfillë shpëtimin e Tij.
Shkëputur nga Libri:
RREZE NGA DRITA E UNGJILLIT
Vëllimi I
Vjeshtë – Dimër
Autori: Pr. Dr. ANASTAS JANNULLATOS
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar të Athinës
Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës