/THIRRJE PËR NDALIMIN E DHUNËS DHE RIKTHIMIN E PAQES NË TOKËN E SHENJTË NGA DREJTUESIT E KISHAVE

THIRRJE PËR NDALIMIN E DHUNËS DHE RIKTHIMIN E PAQES NË TOKËN E SHENJTË NGA DREJTUESIT E KISHAVE

Patriarku i Patriarkanës Orthodokse të Jeruzalemit Fortlumturia e Tij Theofili dhe Krerët e kishave të tjera në Tokën e Shenjtë kanë bërë një thirrje për paqe në mes të shpërthimit të fundit serioz të dhunës atje. “Ne dënojmë pa mëdyshje çdo akt që synon civilët, pavarësisht nga kombësia, përkatësia etnike ose besimi i tyre,” shkruajnë udhëheqësit e kishës.
Lexoni deklaratën e plotë, nga faqja e Patriarkanës Orthodokse të Jeruzalemit:
“Toka e Shenjtë, një vend i shenjtë për miliona e miliona njerëz anembanë botës, aktualisht është zhytur në dhunë dhe vuajtje për shkak të konfliktit të zgjatur politik dhe mungesës së vajtueshme të drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ne, Patriarkët dhe Krerët e Kishave në Jerusalem, kemi apeluar vazhdimisht për rëndësinë e respektimit të Status Quo-së historike dhe ligjore të faltoreve të shenjta. Në këto kohë të vështira, ne bashkohemi për të ngritur zërin tonë në unitet, duke i bërë jehonë mesazhit hyjnor të paqes dhe dashurisë për mbarë njerëzimin. Si kujdestarë të besimit të krishterë, të rrënjosur thellë në Tokën e Shenjtë, ne qëndrojmë në solidaritet me njerëzit e këtij rajoni, të cilët po durojnë pasojat shkatërruese të grindjeve të vazhdueshme. Besimi ynë, i cili bazohet në mësimet e Jisu Krishtit, na detyron të bëjmë thirrje për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të dhunshme dhe ushtarake që sjellin dëm si për civilët palestinezë dhe izraelitë. Ne dënojmë pa mëdyshje çdo akt që synon civilët, pavarësisht nga kombësia, përkatësia etnike ose besimi i tyre. Veprime të tilla bien ndesh me parimet themelore të njerëzimit dhe me mësimet e Krishtit, i cili na porosit “duaje të afërmin tënd si veten tënde” (Marku 12:31). Është shpresa dhe lutja jonë e zjarrtë që të gjitha palët e përfshira ta dëgjojnë këtë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të dhunës. Ne i kërkojmë udhëheqësve politikë dhe autoriteteve që të angazhohen në dialog të sinqertë, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme që promovojnë drejtësinë, paqen dhe pajtimin për njerëzit e këtij vendi, të cilët kanë duruar barrën e konfliktit për një kohë të gjatë. Në cilësinë tonë si udhëheqës shpirtërorë, ne i shtrijmë duart tona ndaj të gjithë atyre që vuajnë dhe lutemi që i Plotfuqishmi t’u japë ngushëllim të vuajturve, forcë të munduarëve dhe mençuri atyre në pozita autoriteti.
I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dyfishojë përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë, bazuar në të drejta të barabarta për të gjithë dhe në legjitimitetin ndërkombëtar”.
Burimi: Orthodox Christianity