/Përgjigje ndaj pretendimeve të historianit Pr. Pëllumb Xhufit mbi zgjedhjen dhe mandatin e Kryepiskopit Anastas në emisionin “Shqip” të datës 21 Shtator 2023 në Dritare TV me moderator z. Dritan Hila

Përgjigje ndaj pretendimeve të historianit Pr. Pëllumb Xhufit mbi zgjedhjen dhe mandatin e Kryepiskopit Anastas në emisionin “Shqip” të datës 21 Shtator 2023 në Dritare TV me moderator z. Dritan Hila

I drejtohemi Pr. Pëllumb Xhufit, që nuk është hera e parë që tregon se si ne duhet të veprojmë, se si ne duhet të jemi të organizuar, se si duhet të funksionojë Kisha, sepse nuk është detyra e tij.
Pr. Xhufi duhet të ketë respekt, sepse Kisha që është një institucion 2000 vjeçar, funksionon sipas Kanoneve dhe rregullave të saj. Nuk mund të ndërhyhet më dhe të tregohet si duhet të drejtohet Kisha. Ajo ka Sinodin e saj, organi më i lartë drejtues, që drejton dhe vepron një Kishë lokale sipas kanoneve kishtare.
Dhe më e rëndësishmja që përcakton afatet apo vitet se sa duhet të qëndrojë një Peshkop, në rastin konkret, Fortlumturia e Tij, Pr. Dr. Anastasi, e bëjmë me dije z. Pëllumb Xhufi që, statusi (mandati) i Peshkopit apo i Kryepiskopit në Kishën Orthodhokse është i përjetshëm. Nëse z.Xhufi i duhet kjo për informacion jemi të gatshëm tja japim edhe për kulturë.
Do të ishte mirë që të mos vazhdohej pareshtur të hidheshin shashka me të pavërteta se si duhet të funksionojë dhe se si është rregulli brenda Kishës. Kisha është familja jonë dhe ne e dimë se si ajo funksionon. Këto të pavërteta të thëna opinionit në një Media vizuale nga ana e z. Xhufi nuk ndihmojnë as komunitetin Orthodhoks vendas dhe në rastin konkret Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, as shoqërinë shqiptare që është e tejngopur me gënjeshtra dhe akuza të pavërteta, kur kemi kohë të bashkëpunojmë dhe të ecim përpara me frymën e dashurisë.
At Grigor Pelushi