/Nga Komunizmi te Krishti – Intervistë e Ancient Faith Radio me Mitropolitin e Korçës Hirësi Joanin – 22 Nëntor 2022

Nga Komunizmi te Krishti – Intervistë e Ancient Faith Radio me Mitropolitin e Korçës Hirësi Joanin – 22 Nëntor 2022

Mikrofoni udhëtues i Ancient Faith Radio (AFC) shkon deri në Korçë, Shqipëri për të intervistuar Mitropolitin Joan. Ai u rrit në Shqipërinë komuniste, e gjeti Krishtin në mënyrë të mrekullueshme, u bë pjesë e kishës së krishterë të fshehtë dhe ilegale dhe tani është anëtar i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë nën udhëheqjen hierarkike të Kryepeshkopit Anastas. Është një histori e fuqishme e hirit dhe ofrimit të Zotit në rrethana shumë të vështira.
Z. John Maddex: Pas persekutimit të gjatë dhe të ashpër në Lindjen komuniste, Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë sot ka përjetuar një ringjallje të plotë – shumë e quajnë një mrekulli të kohëve moderne – nën udhëheqjen dhe drejtimin shpirtëror të Kryepeshkopit Anastas, ende aktiv në moshën 93 vjeç.
Në këtë ringjallje përfshihet edhe Mitropolia e Korçës. Sot në Korçë shërbejnë 32 priftërinj vendas nën kujdesin e Mitropolitit dhe atit të dashur Joan. Mitropoliti Joan, u rrit në komunizëm dhe e gjeti Krishtin përmes një mrekullie në një mënyrë shumë të papritur. Më pas ai u bë pjesë e kishës së krishterë të fshehtë në Shqipëri, në një kohë kur grumbullimi si të krishterë për të adhuruar dhe lutur ishte i paligjshëm.
Së fundmi patëm privilegjin të udhëtonim në Shqipëri dhe përfshimë një udhëtim anësor në Korçë në juglindje të këtij vendi të bukur. Në zyrën e tij, Hirësi Joani na dha këtë intervistë të pangutur dhe mahnitëse, ku ai tregon historinë e tij shumë personale të konvertimit.
Kemi bekimin dhe privilegjin të jemi në Korçë të Shqipërisë dhe të flasim me Mitropolitin Joan. Ne duam t’ju falënderojmë, Hirësi, që na lejuat të vijmë të flasim me ju.
H. Joani: Mirë se na erdhët!
z. Maddex: Ju keni qenë Mitropolit këtu për sa kohë?
H. Joani: Kam kaluar 24 vjet; tani jam në vitin e 25-të.
z. Maddex: Ah, kjo është një ngjarje e madhe. urime. Është e mrekullueshme!
H. Joani: 25 vjet është një brez i plotë.
z. Maddex: Po, ashtu është. E kuptoj që jeni edhe në një program ndërtimi?
H. Joani: Po, ne po restaurojmë katedralen e vjetër. Një nga arsyet është ruajtja e kujtesës historike të qytetit, sepse populli ka nevojë për kujtesën historike. Rreth katedrales u themelua dhe u rrit qyteti. Ndaj rikthimi në qytet i kësaj katedraleje do të ishte diçka shumë e mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Korçë. Jo vetëm ortodoksët, por edhe njerëzit e besimeve të tjera kanë dhënë diçka për të ndihmuar në restaurimin e kësaj kishe historike.
z. Maddex: Pra, po restauroni një kishë historike, që do të thotë se ajo ka një histori. Kur nis historia e saj?
H. Joani: Ndoshta kisha ka qenë këtu me shekuj, por vetëm dy ngjarje janë regjistruar. Njëra në shekullin e 18-të, një kishë e madhe, një kishë postbizantine, dhe tjetra, prishja dhe rindërtimi nga themelet në fillim të shekullit 19-të, të cilën po e rindërtojme tani. Kjo është një katedrale e madhe dhe besojmë se do të jetë jo vetëm kishë, por një lloj qendre kulturore, e hapur për të gjithë dhe sigurisht për shërbimin e të krishterëve, por e hapur për të gjithë.
Sepse në Shqipëri, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë, në kohën e komunizmit kishte shumë martesa ndërfetare, por që ndanin të njëjtën gjuhë, të njëjtën kulturë, duke e ditur që të gjithë shqiptarët para pushtimit osman ishin të krishterë. Pra, ata kanë diçka të përbashkët. Që ata të vijnë në kishë, është diçka normale.
Shumica e fëmijëve nga këto martesa ndërfetare tani po vijnë në kishë. Ne nuk duhet t’i gjykojmë, ne duhet tu shërbejmë atyre. Por personalisht besoj se çdo qenie njerëzore kërkon diçka. Kur them “diçka”, ata po kërkojnë Zotin. Dhe kur them Zotin, kam parasysh Perëndinë e zbuluar nga Krishti. Pra, nëse ne do të jemi në gjendje t’ia paraqesim këtë të gjithë njerëzve, do të jetë shumë më e lehtë për ta që ta pranojnë. Të njëjtën gjë bëri edhe Shën Pavli kur foli për Perëndinë e panjohur. Pra, ky Zot i panjohur është “diçka” që të gjithë qeniet njerëzore e kërkojnë. Është detyrë e të krishterëve të paraqesin atë Zot, jo Zotin që ndonjëherë mendojnë se po predikojnë. Është vërtet e rëndësishme kjo, sepse të gjitha qeniet njerëzore ndajnë të njëjtën gjë, të njëjtën natyrë. Siç e diskutuam më parë, kur ju përmenda një thënie të Shën Gregorit Teologut, i cili thotë: “Të thuash qenie njerëzore në shumës është një herezi; është një qenie njerëzore dhe miliona persona”. Ashtu siç është një Qenie Hyjnore dhe Tre Persona.
z. Maddex: Po, ashtu është.
H. Joani: Pra, të gjitha qeniet njerëzore kanë një origjinë hyjnore dhe të gjitha janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Dhe nëse besimet e tyre janë të gabuara, prapëseprapë, origjina hyjnore, është në ata. Është e mundur gjithmonë që çdo qenie njerëzore të njohë Perëndinë e vërtetë.
Z. Maddex: Po. Filozofi Blaise Pascal foli për boshllëkun që ekziston në çdo qenie njerëzore, që vetëm Perëndia mund ta mbushë, dhe është përgjegjësia jonë si të krishterë, ndërsa përpiqemi të përmbushim urdhërimin e madh, t’i prezantojmë Zotin njerëzve në Personin e Jisu Krishtit.
H. Joani. Mishërimi preku gjithë qenien njerëzore, u dha mundësinë të gjithë njerëzve të ndryshojnë natyrën e tyre, duke ndjekur kryqin dhe ngjalljen e Zotit tonë. Pra, kjo është një dhuratë për të gjitha qeniet njerëzore, jo vetëm për disa njerëz të zgjedhur apo disa raca të veçanta. Të gjitha ato gjëra të tjera janë një devijim i kësaj. Të gjitha qeniet njerëzore janë thirrur për këtë dhe Krishti u kryqëzua për të gjithë qeniet njerëzore.
Z. Maddex: Faleminderit Zotit. Ka kaq shumë për të cilat mund të flasim, Hirësi, për Korçën, për kishën këtu. Ajo që vërtet mendoj se dëgjuesit tanë do të donin të dëgjonin ka të bëjë më shumë me ju personalisht dhe takimin tuaj të parë me Krishtin si plotësuesin e nevojës suaj për Perëndinë. Mund të na tregoni ku keni lindur dhe në çfarë kulture?
H. Joani: Kam lindur në Tiranë në 1 janar 1956. Isha pjesë e një familjeje të madhe. Ishim tetë fëmijë. Gjatë kësaj kohe feja ishte e ndalua, çdo lloj feje. Por megjithatë, nuk mund ta mbyllnin derën e Zotit. “Unë hap dhe askush nuk mund ta mbyllë” – thotë Zoti. Kur isha fëmijë, isha shumë i lumtur. Një familje e madhe, një familje tradicionale. Më pëlqenin aq shumë përrallat, legjendat, mitet, leximi, të gjitha këto gjëra. Më vonë, kuptova se kjo dëshirë ishte një udhëtim, ishte një kërkim, duke kërkuar diçka.
Kur shkova në gjimnaz, dalëngadalë gëzimi u zhduk, sepse ishte ndikimi i leximit të disa filozofive, ku filloni të mos u besoni gjërat që ishin për fëmijë. Por besimi nuk ishte në njëfarë mënyre doktrinore, sepse nuk kishte kishë, nuk kishte xhami, nuk kishte asgjë. Ishte më shumë një lloj ekzistence e diçkaje të përtejme.
Isha në vitin e katërt të gjimnazit dhe sapo kisha mësuar frëngjisht. Një mik i vëllait tim tha: Kam një libër në frëngjisht në shtëpinë time, do t’jua sjell atë. Ai nuk e dinte se çfarë lloj libri ishte. Ai ma solli mua—ishte Dhiata e Re. Në atë kohë, ishte viti 1974, në Shqipëri ishte shumë më e lehtë të gjeje dinamit, sesa një ungjill, sepse nëse të kapnin me një ungjill, të paktën do të dënoheshe me tetë vjet burg.
Kur lexova Ungjillin, ndjeva diçka ndryshe. E ndjeva atë gëzim që kisha si fëmijë që mu rikthye. Fjalët e para që i thashë vetes për Zotin ishin: Faleminderit që ma ktheve sërish këtë gëzim. Dhe kështu fillova të interesohem më shumë, për të lexuar diçka më shumë rreth këtyre gjërave. E lexoja shpesh dhe e dija në atë kohë thuajse përmendsh të gjithë Ungjillin në frëngjisht. Pas kësaj e gjeta edhe në shqip.
Nëpërmjet një miku tim u lidha me një grup të vogël të një Kishe të nëndheshme. Kishte disa grupe shumë të vogla, sepse frika ishte e tmerrshme. Mbaj mend në kohën që disa u pagëzuan fshehurazi, një prift katolik u ekzekutua vetëm sepse bëri shërbesën e Pagëzimit.
Z. Maddex:Uau.
H. Joani. E thashë për të kuptuar si ishte situata. Ishte një prift hero, një prift i shenjtë, Atë Kozmai nga Vlora, një qytet në jug të Shqipërisë. Ai kreu gjatë gjithë jetës së tij ndoshta 3000 pagëzime. Ai ishte pjesë e këtij grupi të vogël të Kishës së nëndheshme.
Mbaj mend që shkova në shtëpinë e tij për pagëzimin. Djali i tij ruante jashtë për të parë nëse dikush do të vinte. Ishim në bodrum. Ishim vetëm tre veta. Ishte prifti, unë dhe kumbari im. Por gëzimin që ndjeva në atë kohë, nuk e kam përjetuar më kurrë. Në atë kohë kishim etje, por nuk kishim ujë. Sot ka shumë ujë, por njerëzit nuk kanë më etje. Ndonjëherë ato nuk shkojnë bashkë me njëra-tjetrën.
Kungimin e parë e mora gjatë asaj kohe. Qëllimi im, ideja ime është të bëhesha murg, por në atë kohë në Shqipëri ky mendim ishte marrëzi, sepse njerëzit mendonin se do të ishte i pamundur ndryshimi i regjimit.
Në vitin 1990, kur filloi një lloj hapjeje, dhe shumë shqiptarë patën mundësinë ndoshta të dilnin jashtë, unë isha një prej tyre. Fillimisht shkova në Itali dhe më pas në Shtetet e Bashkuara. Në Shtetet e Bashkuara kam studiuar në Kryqin e Nderuar, i ndihmuar nga Kisha Ortodokse Shqiptare në Boston. Por unë u thashë se nëse Kisha do të hapet në Shqipëri, unë do të kthehem. Dhe ata më thanë, “Mirë”, duke menduar se askush nuk do të donte të kthehej. Kur mbarova shkollën, mendova se në Shtetet e Bashkuara, një prift më shumë, një më pak, do të ishte njësoj. Në Shqipëri ishte një nevojë e madhe, sepse ishte shkatërruar gjithçka. Kështu që vendosa të kthehem.
Z. Maddex: Më lejoni të kthehem te ai momenti i konvertimit. Ju folët për leximin eDhiatës së Re për herë të parë dhe për tu rrëmbyer, magjepsur nga fjalët e Krishtit dhe për mesazhin e Ungjillit. Kjo kishë e nëndheshme që gjetët, a ishte një kishë ortodokse?
H. Joani: Po. Ndoshta u përgjigja në një mënyrë të shkurtër. Kur lexon Ungjillin, është diçka që unë e quaj një lloj të vërtete psikologjike. Nga mënyrën se si është shkruar, siç e kam kuptuar dhe e kam ndjerë, bindesh se është e vërteta. Këtë nuk e bën arsyeja, por është diçka përbrenda që e ndjen. Kështu që kur e lexova, që herën e pare, nuk kisha asnjë dyshim se ishte e vërteta.
Ky grup i vogël – të gjithë ishin ortodoksë – disa prej tyre ishin në Korçë. Atje ishin disa motra të shenjta, në moshë të kaluar në atë kohë. Ishte ai prifti nga Vlora dhe disa njerëz në Tiranë. I kam vizituar shpesh motrat në Korçë. Ne i quajmë motra, sepse ishin motra nga gjaku. Kam vizituar priftin në Vlorë, ku u pagëzova dhe mora Kungimin e Parë.
Dhe unë kam një histori të bukur me këtë prift. Pasi u ktheva në Shqipëri dhe pasi u dorëzova Peshkop, ai u dorëzua pas meje si Peshkop. Unë isha një nga tre Peshkopët që morën pjesë në dorëzimin e tij. Nuk di një rast tjetër që prifti që të ka pagëzuar, ti do të ishe një nga Peshkopët që ta dorëzoje Peshkop! Ndoshta ka, por unë nuk e di një rast si ky.
Gjatë kësaj kohe, megjithëse ishte shumë e vështirë të gjeje këtë lloj letërsie në Shqipëri, do të tregoj historinë që nëse ka shumë dëshirë për të gjetur diçka, Zoti do t’ju japë mundësinë. Pra, askush nuk është i privuar nga mundësia për të gjetur Zotin. Gjithmonë, nëse ka një dëshirë për ta bërë këtë – dhe unë isha kaq i etur për të gjetur Dhiatën e Vjetër.
Në atë kohë më interesonin shumë, si shumë të rinj, gjuhët e vjetra dhe etimologjia e fjalëve. Po kërkoja një libër nga Champollion që kishte të bënte me hieroglifet Egjiptiane. Shkova në bibliotekën qendrore në Tiranë dhe bëra aplikimin për këtë libër. Kur erdhi libri, bibliotekarja po fliste me dikë tjetër dhe më dha librin pa e parë. E mora librin, duke menduar gjithmonë se ishte libri për gjuhën e Egjiptit të lashtë. Por, kur hapa librin, ishte e gjithë Bibla në frëngjisht. E kam akoma atë libër, dhe ndoshta tani po mendoj t’ia kthej përsëri bibliotekës! Por askush nuk e ka kërkuar atë libër, sepse nëse kishit marrë një libër nga biblioteka dhe nuk e ktheje, do ju dërgonin një njoftim. Por këtë libër askush nuk e kerkoi. Ndoshta kishin frikë, sepse po ta kërkonin, do i thonin: Pse e keni dhënë atë libër të ndaluar? Nuk e di se çfarë ndodhi, por ju mund të shihni se si një dëshirë e madhe për të gjetur diçka në vendin më të vështirë në botë për ta gjetur, përsëri mund të realizohet. Siç thashë në fillim, nëse Zoti ka hapur, askush nuk mund ta mbyllë atë.
Z. Maddex: Disa nga dëgjuesit tanë si unë, që jam pak më i rritur, kujtojmë vitet e komunizmit dhe ne luteshim për vëllezërit dhe motrat tona në Krishtin që ishin nën sundimin komunist, që Zoti t’i mbronte, që t’u jepte një mënyrë për të shprehur besimin të sigurtë. Dhe ju në fakt, megjithatë, e keni jetuar atë. Ju e gjetët Dhjatën e Re, e lexuat, e besuat, shkuat në kishë. Na tregoni, çfarë mbani mend nga vajtja në këtë kishë të nëndheshme si i ri dhe rreziku që lidhej me këtë? A ka pasur ndonjë moment kur keni qenë në frikë?
H. Joani: Kur u pagëzova, nuk i tregova familjes sime, jo sepse ishin kundër, por nuk doja që të kishin frikë, sepse kishte shumë frikë në atë kohë. Me një fjalë, ndoshta do të dënoheshe. Nuk mund ta shpjegoj më mirë, por ndoshta Zoti na ruajti në atë kohë, sepse isha shumë i ri dhe për këtë flisja me miqtë e mi më të mëdhenj.
Kam një histori. Unë kam punuar në Spitalin Psikiatrik për një kohë të gjatë dhe një ditë – është një histori që nuk e dija gjatë asaj kohe, por më pas, kur isha në Shtetet e Bashkuara, takova atje sekretarin e Partisë Komuniste që ishte në spital. Ai më tregoi se një ditë erdhën dy persona nga Sigurimi – Sigurimi ishte KGB-ja shqiptare, Securitate në Rumani. Ata donin të kontrollonin dollapin tim në punë. Por rregulli ishte i tillë që duhej të ishin të pranishëm drejtori i spitalit dhe sekretari i partisë me qëllim të vijonin kontrollin. E kisha Biblën në atë dollap. Ndonëse drejtori ishte komunist dhe ishte nipi i dikujt që ishte anëtar i Byrosë Politike dhe kushëriri i tij i parë ishte drejtor i policisë në Tiranë, ai nuk i lejoi dhe u tha: Jo, ai është punëtori im më i mirë këtu. Ai morri kushëririn e tij në telefon dhe ai u tha punonjesve të sigurimit të ktheheshin. Por unë nuk e dija këtë – e mora vesh më pas. Pra, ndoshta Zoti na mbrojti.
Por ndoshta ishte edhe diçka tjetër. Duke punuar në psikiatri, duke lexuar disa jetë të shenjtorëve, i frymëzuar prej tyre, u përpoqa ti imitoja, sepse isha shumë i ri. Kur jeni pak më i rritur, ndoshta keni më shumë frikë!
Disa nga pacientët i laja vetë, sepse disa prej tyre nuk mund të laheshin dot vetë. I kam marrë shumë herë në shtëpinë time për drekë dhe për ti shëtitur. Ndoshta duke parë këto mund të kenë menduar: ai nuk është mirë mendërisht. Qëndrimi me këta pacientë në Psikiatri, ndoshta kjo më ka mbrojtur, nuk jam i sigurtë. Zoti ka mënyra të ndryshme për të mbrojtur dikë. Ose nuk isha i përgatitur për të dhënë një dëshmi, nuk e di; Zoti i di të gjitha këto gjëra.
Por mund të them me siguri se gëzimin që pata gjatë asaj kohe, nuk e kam përjetuar më. Pas vitit 1990 ishim të lirë, tani kishat i kishim të hapura, por ende nuk e kam përjetuar të njëjtin gëzim që kam pasur gjatë asaj kohe. Dhe gëzimi është si të thuash… Më kujtohet një herë kur po diskutonim me të ndjerin Mitropolitin Kallistos (Ware), për gëzimin. Ai tha këto fjalë, se gëzimi nuk është diçka që lidhet me temperamentin e njeriut, por është një dhuratë nga Zoti. Nëse është një dhuratë, kjo do të thotë se nuk është merita jonë. Por, ne duhet të kuptojmë se kjo dhuratë vjen kur Zoti është i pranishëm në jetën tonë. Dhe Zoti është i pranishëm në jetën tonë, kur ne jetojmë sipas vlerave që vijnë nga mësimi i Zotit. Nëpërmjet sakrificës, ne mund të kemi gëzim. Pa kryq, nuk ka gëzim.
U them shumë njerëzve diçka që besoj se është e rëndësishme, sepse sot kemi mungesë sakrificash. Sot kemi egoizëm: secili për vete: unë i parë, vendi im i pari. Në të gjithë botën ekziston kjo. Etimologjia e fjalës sakrificë vjen nga dy fjalë latine: sacra, e shenjtë dhe folja ficare, bëj, pra fjalë për fjalë do të thotë të bësh të shenjtë, të shenjtërosh. Nuk mund të bëhesh i shenjtë pa sakrificën, por sakrifica nuk është destinacioni përfundimtar: Është ngjallja! Është gëzimi!
Z. Maddex: Kjo është shumë e bukur.
H. Joani. Në atë periudhë vuajtjesh, përndjekjesh, kishte shumë të rinj, moshatarë me mua, 20, 24 vjeç, të dënuar thuajse për asgjë. Për të kuptuar atë kohë dhe këto gjëra, qarkullonin disa anekdota, disa shaka. Njëra, që qarkullonte në shumicën e vendeve komuniste, është si vijon: Janë dy të burgosur dhe njëri e pyeti tjetrin: Sa vjet je i dënuar? Ai i përgjigjet:20 vjet. Tjetri e pyet përsëri: Për çfarë? Ai u përgjigj: Për asgjë. Gënjeshtar, – i thotë ky tjetri- për asgjë, dënohesh 10. Kjo shaka tregon shumë mirë frymën e asaj kohe persekutimi. Dhjetë vjet në burgjet e tmerrshme dhe shumë njerëz u persekutuan dhe vuajtën shumë.
Tani kur mendoj… Nuk mund të gjesh një arsye. Të gjitha këto regjime, gjithë këto diktatura, nuk mund të gjesh një arsye përse. Është një marrëzi dhe nuk mund të gjesh një arsye në marrëzi. Por të gjitha këto vijnë nga një shoqëri pa besim dhe doktrina pa besim. Shumë saktë e përkufizon shkrimtari i famshëm Solzhenitsyn që thotë: Një shoqëri pa perëndi është fillimi i Gulagut.
Këta njerëz ishin të motivuar nga urrejtja, dhe urrejtja shkatërron gjithçka, dhe me siguri urrejtja nuk vjen nga Zoti. Nuk mund të ndërtosh me urrejtje. Mund të ndërtohet vetëm përmes dashurisë. Ishte një prift rumun që kaloi shumë vite në burg dhe pasi e dëbuan nga Rumania dhe shkoi në Perëndim, ndoshta në Francë. Shumë gazetarë i bënin pyetje të ndryshme. Njëri prej tyre e pyeti: Pse komunistët i urrejnë të krishterët? Ai iu pëgjegj: “Jo, ata nuk i urrejnë vetëm të krishterët. Ata urrejnë gjithçka. Ata e urrejnë edhe njëri-tjetrin.”
Pra, nëse keni urrejtje, do të urreni gjithçka. Dhe e kundërta: Nëse keni dashuri, do ti doni të gjithë të tjerët. Problemi është se çfarë kemi vërtet në vetvete. Nuk është problemi me të tjerët, sepse ne përpiqemi të justifikojmë veten, duke menduar se ata janë të këqij. Ne i shohim këta njerëz të këqij për shkak se ne jemi të këqij. Nëse do të jemi të mirë, do të shohim diçka ndryshe. Dhe shenjtorët na e thonë këtë përmes jetës së tyre, përmes jetës së tyre të shenjtë. Ata ishin në gjendje të shihnin ikonën e Zotit tek çdo qenie njerëzore. Na mungon kjo sepse zemra jonë nuk është e pastër. Lum ata që janë të pastër në zemër- na thotë Zoti – sepse ata do të shohin Perëndinë. Vetëm me zemër të pastër do të mundemi ta shohim Zotin dhe, duke parë Zotin, mund të shohim Zotin në çdo qenie njerëzore!
Nëse nuk e sheh Zotin në qeniet njerëzore, nuk e ke parë kurrë Atë. Shën Joan Gojarti kishte të drejtë kur tha se nëse nuk e gjeni Krishtin te lypësi në shkallët e kishës, nuk do ta gjeni në kungatë. Nëpërmjet dashurisë ne mund ti zbulojmë këto gjëra. Të gjitha ideologjitë që bazohen në urrejtje janë shkatërruese. Të ndikuara prej këtyre njerëzit do të shkatërrojnë veten dhe të tjerët përreth. Ashtu siç ndodh me një njeri të shenjtë, i cili shpëton veten, por dhe njerëzit që janë përreth tij.
Në botën e sotme, njerëzit kanë nevojë për këtë dashuri. Etërit e Kishës në mënyra të ndyshme kanë shprehur të njëjtën gjë. Kryepeshkopi Anastas ka thënë se “e kundërta e dashurisë, nuk është urrejtja; është egoizmi”. Ne po jetojmë tani në periudhën e egoizmit, secili vetëm për vete. Nëpërmjet kësaj, të gjithë do të mbeten të vetmuar, sepse egoizmi na ndan nga të tjerët. Kur Zoti tha ti duam të tjerët si veten tonë, kjo është për të mirën tonë, sepse njeriu është një qenie komunitare, si Trinia e Shenjtë. Ekziston një Qenie në Tre Persona, dhe qeniet njerëzore janë në të njëjtin model. Një i krishterë nuk mund të jetë vetëm për veten e tij. Qysh në shekullin e dytë, Tertuliani tha ato fjalët e famshme: Unus Christianus, nullus Christianus. Një i krishterë vetëm për veten e tij nuk është i krishterë.
Kjo është ajo që ne duhet tu predikojmë të tjerëve, sepse në përvojën tonë – çdo qenie njerëzore ka përvojën e tij, rrugën e tij dhe të gjitha rrugët drejt Zotit janë të bukura, në forma të ndryshme, por ato janë të bukura. Të gjitha këto do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë, sepse jeta është një proces. E kaluara ndikon në të tashmen tonë dhe na përgatit për të ardhmen. Në këtë rrugëtim duhet të përpiqemi të ndjekim Ungjillin fjalë për fjalë, sepse ndonjëherë kemi këtë prirje për të pranuar gjërat që na pëlqejnë dhe jo të tjerat. Ne nuk duhet të gjykojmë Ungjillin.
Duhet të jemi të bindur ndaj këtyre fjalëve, sepse janë fjalë të Mjekut dhe Ai na thotë që të përdorni këtë lloj mjekimi. Ndoshta ne nuk e kuptojmë, por ai e di më mirë, sepse Mjeku më i mirë është Zoti. Kur ai thotë diçka, megjithëse mund të na duket shumë e vështirë, është për të mirën tonë. Shumë fjalë janë të vështira në Ungjill, por kjo është mënyra e vetme për tu shëruar, sepse ne jemi të sëmurë.
Njëherë Shën Joan Gojarti u tha njerëzve në kishë, – kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne – këto fjalë: “Nëse dikush nga ju mendon se është i drejtë, le të dalë jashtë Kishës. Unë nuk kam një Ungjill për të drejtët”. Por cili është kuptimi i kësaj? Do të thotë që Ungjilli është një mjekim dhe mjekimi është për të sëmurët. Shenjtorët ishin njerëzit që e kuptuan se ishin të sëmurë dhe e përdorën në veten e tyre mjekimin – Ungjillin – dhe u shëruan. Fjala “i shëruar” dhe “i shenjtë” janë pothuajse të njëjta në çdo gjuhë. I shenjtë dhe i shëruar është e njëjta gjë.
Ne nuk e pranojmë ndonjëherë mjekimin, sepse nuk besojmë se jemi të sëmurë. Janë dy kategori njerëzish që nuk e pranojnë mjekimin: fëmijët, sepse nuk e kuptojnë; dhe shpesh disa pacientë në psikiatri, sepse mendojnë se janë mirë. Ndoshta ne i përkasim kategorisë së dytë. (Në këtë moment në audio kemi të qeshura). Pranimi i këtij fakti është hapi i parë drejt Perëndisë. Ne kemi nevojë sepse jemi të sëmurë. Perëndia na do, jo sepse jemi të mirë, por sepse Ai është i mirë. Ai na mbështet dhe na ndihmon, jo sepse e meritojmë, por sepse është i mëshirshëm. Dhe, duke e kuptuar këtë, ne do ta duam Atë, sepse ne nuk mund të duam një Perëndi abstrakt. Ne duam dikë që e ndjejmë dhe e kuptojmë për atë që na ka shpëtuar dhe shëruar. Mungesa e dashurisë për Perëndinë bëhet mungesë dashurie për njerëzit.
Z. Maddex: Pra, mikrofoni udhëtues i Ancient Faith Radio është në Korçë, në juglindje të Shqipërisë, dhe ne po flasim me Mitropolitin e Korçës, Mitropolitin Joan. Ju keni përmendur se keni ardhur në Seminarin Holy Cross në Boston, dhe komunizmi ra në vitin 1992, mendoj se thatë.
Hirësi Joani: Po, në Shqipëri në 1992 u zgjodh një qeveri tjetër; deri në ’92 ishin në pushtet komunistet. Por kishte filluar tronditja, sidomos nga ngjarjet që ndodhën në Rumani dhe nga e rënia e murit të Berlinit. Por gjithsesi në Shqipëri ishte e rrezikshme. Në vitin 1990 dhe fillimi i vitit 1991, shumë njerëz u vranë në kufi sepse donin të arratiseshin. Pra, ishte ende një vend i rrezikshëm, por njerëzit e kuptuan se diçka po ndryshonte. E keqja shkatërrohet nga vetja, sepse e keqja nuk ka një ekzistencë, një substancë të vërtetë. Sa më shumë të bëhen të këqij, aq më shumë do ta shkatërrojë veten. Komunizmi u shkatërrua vetë, jo nga të tjerët përreth. Në kohën kur u largova, ndonëse kisha menduar edhe më përpara të largohesha, por kisha frikë se dënimi do të ishte mbi familjen time, sepse shumë herë kur dikush ikte nga vendi, më pas familja e tyre internohej dhe dënohej. Dhe ju nuk mund të keni lirinë dhe të tjerët të paguajnë. Kjo nuk do të ishte një gjë morale. Por kur pashë që po prishej, u përpoqa dhe u largova nga Shqipëria.
Maddex: Cili vit ishte?
Hirësi Joani: Në 1990. U nisa. Fillimisht shkova në Itali dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dëshirën për të studiuar gjithmonë teologji. Kjo ishte arsyeja që shkova, sepse nuk e kisha menduar kurrë në jetën time se do të shkoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndoshta kam menduar në Itali, Greqi ose Francë, diku në Evropë. Por ju kurrë nuk e dini udhëtimin tuaj. (Kemi të qeshura në Audio).
Z. Maddex: A jeni dorëzuar në priftëri pas përfundove në Kolegjin Holy Cross?
Hirësi Joani: Pas Holy Cross erdha në Shqipëri. U dorëzova në gradën parë si dhjakon dhe më pas në prift, nga Kryepiskopi Anastas në vitin 1994 dhe Episkop në vitin 1998. Dhe nga viti 1998 e deri më tani jam Mitropoliti I Korçës.
Z. Maddex: Thjesht një histori magjepsëse dhe një kujtesë për të gjithë ne se besimi që ne përjetojmë, shumë prej nesh në Amerikë, e kemi kaq të lehtë. Nuk na është dashur të vuajmë për besimin tonë. Nuk na është dashur të jetojmë në rrezik se do të na arrestojnë. Nuk kishte asnjë kishë të nëndheshme për të cilën duhej të shqetësoheshim. Ne ishim në gjendje të adhuronim lirshëm dhe hapur. Dhe të dëgjoja historitë e njerëzve që e jetuan atë dhe, me hirin e Perëndisë, i mbijetuan dhe u rritën si rezultat i saj – më pëlqeu analogjia, ose etimologjia juaj e fjalës “Sakrificë”. Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Kjo ishte kaq zbuluese, për të mësuar se si Perëndia e përdor sakrificën për shpëtimin tonë dhe për të mirën tonë.
Hirësi Joani: Perëndia, si Mjek i mire, e njeh mjekimin e vërtetë dhe Ai e do këtë për të mirën tonë, megjithëse mbase ne nuk e kuptojmë shumë herë dhe ankohemi, por është e rëndësishme për ne të kuptojmë se pa këtë, do të ishte shumë e vështirë. Ne lutemi gjithmonë për paqen dhe për këtë gjë Origeni ndoshta ka shkruar një herë dhe ka thënë se kohët e paqes dhe prosperitetit janë të favorshme për Satanin. Ndaj ndonjëherë kur je në paqe dhe nuk të mungon asgjë, mendon se mund të jetosh vetëm; nuk keni nevojë për ndihmën tjetër. Dhe kjo është një mashtrim, sepse nuk mund ta bëni këtë pa praninë e Zotit.
Por, kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër paqes, por paqja jonë nuk është paqja nga jashtë; është një paqe brenda nesh. Kjo është më e rëndësishmja. Është një varg në librin e Profetit Isaia, që thotë: Nuk ka paqe ku është e keqja. Ne themi, paqe, paqe, por nuk ka paqe. Paqja është vetëm në fjalë. Por kur dashuria mbizotëron dhe kur Zoti është i pranishëm në jetën tone atëherë ka paqe. Është interesante që fjala Shalom, në vargun që përmënda me sipër nga profeti Isaia, në Septuaginta nuk është përkthyer paqe, por gëzim Nuk ka gëzim atje ku është e keqja. Kështu që jeta sot nuk ka gëzim. Ndoshta njerëzit kanë shumë gjëra, por nuk kanë gëzim.
Ajo që më tronditi herën e parë që isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte ankesa e njerëzve. Ata ankoheshin për makinat; kishin makinat më të mira, ankoheshin për spitalet; kanë spitalet më të mirë, në krahasim me të tjerët. Ata ankoheshin për gjithçka. Gjithmonë u kam thënë: Pse ankoheni? Ju keni gjithçka! Çfarë dëshironi? Problemi është sepse ata nuk e dinë se çfarë duan. Nëse ke shtrat, ke bukë dhe ke ca rroba, nuk je i varfër; nuk je i pasur, ndoshta, por nuk je i varfër. Perëndia nuk na plotëson tekat, por nevojat bazë. Mungesa e mirënjohjes është mëkati më i madh. Jam dakord me Atë Aleksandër Schmemann që tha se ankimi është pëshpëritja e djallit. Mungesa e mirënjohjes ndaj Perëndisë dhe duke u ankuar për gjithçka do të shkatërrojmë shpirtin tonë. Dhe më keqja është se në botën e sotme nëse nuk ankohesh, njerëzit do të mendojnë se diçka nuk shkon mirë në ty! Po bëhet pjesë e kulturës.
Maddex: Është, po.
Hirësi Joani: Por është një kulturë që të shkatërron. Si të krishterë, ne duhet të ndërtojmë kulturën e mirënjohjes dhe falënderimit dhe të jemi mirënjohës. Gjithmonë mund të gjejmë një arsye për të falenderuar.
Është një histori e bukur. Ishte një mbret i krishterë dhe ai kishte një këshilltar shumë të mençur dhe besnik. Ai e këshillonte për të gjitha gjërat e rëndësishme me urtësinë e tij. Këshilltari i tij e kishte këtë zakon, që për çdo gjë të thoshte: Lavdi Zotit! Një ditë mbreti po priste një mollë dhe gabimisht preu gishtin. Këshillatari, tha: Lavdi Zotit! Mbreti u tërbua dhe thirri: Unë preva gishtin dhe ti thua Lavdi Zotit! Dhe urdhëroi ta dërguanin në burg. Mbas ca ditësh mbreti doli për gjueti. Ai humbi rrugën dhe u kap nga një mbret pagan si i burgosur. Ky mendoi: “Çfarë do të bëj me të? Unë do ta flijoj atë për perënditë e mia.” Dhe ai dërgoi priftërinjtë e tij për ta kontrolluar. Kur e kontrolluan, panë se i mungonte një gisht…
Maddex: Ai ishte i papërsosur.
Hirësi Joani: Po, ai ishte i papërsosur, nuk ishte i plotë. Nuk mund të bënin një flijim të tillë. Dhe pastaj mendoj ta lironte dhe ta bënte mik. Dhe kështu e liroi. Kur erdhi në pallat, pyetjeja e tij e pare ishte: Çfarë po bën këshilltari im? Ata i thanë: Po falënderon Zotin që është në burg. Ma sillni atë këtu – urdhëroi mbreti. Dhe e sollën. Në rregull – i tha mbreti, tani e kuptoj se prerja e gishtit më shpëtoi jetën, kështu që ju thatë shumë mirë Lavdi Zotit! Po pse po e falënderoni Zotin që ishe në burg? Dhe ai tha: Madhëri, po të mos isha në burg, do të isha me ju dhe ngaqë jam i plotë do të më kishin flijuar mua. [Të qeshura]
Kështu që gjithmonë mund të gjeni diçka për të falënderuar. Dhe kjo i jep gëzim njeriut dhe qartëson mendjen. Një mendje ankuese nuk është e qartë. Ne shkatërrojmë jetën tonë dhe jetën e njerëzve përreth nesh. Mendja falënderuese është e qartë, sepse të njohësh Zotin dhe të mos jesh mirënjohës, është e pamundur.
Një nga shenjat që ne kemi njohur diçka nga Zoti, ose kemi përjetuar diçka prej Tij, është kur jemi mirënjohës. Në shoqërinë e sotme është kjo sëmundje e ankimit. Të gjithë ankohen – të rinjtë, të moshuarit, të varfërit, të pasurit – të gjithë vetëm ankohen. Kisha dhe të krishterët duhet të luftojnë kundër kësaj kulture, sepse ajo shkatërron. Ata nuk janë kurrë të kënaqur, pavarësisht se çfarë kanë. Dhe njerëzit që nuk ngopen me pak gjëra, nuk do të kënaqen me shumë.
Z. Maddex: Kjo është një fjalë kaq e rëndësishme për të përfunduar. Aq i frymëzuar sot nga fjalët tuaja,Hirësia Juaj, duke i kujtuar vetes fjalët e Shkrimit, që të gjitha gjërat punojnë së bashku për të mirë për ata që e duan Perëndinë dhe ata që janë thirrur sipas qëllimit të tij. Ju na e keni kujtuar këtë dhe na e keni demonstruar atë. Ju keni qenë kaq bujar me kohën tuaj! Unë dua t’ju falënderoj dhe e di që dëgjuesit tanë ju falënderojnë për këto fjalë urtësie dhe për inkurajimin e jetës suaj, se si Zoti ju solli në ato kohë në jetën tuaj, prandaj faleminderit.
Hirësi Joani: Faleminderit dhe dua të falënderoj shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ndihem mirënjohës ndaj tyre. Prej tyre mu dha mundësia të studioja, ndaj isha dhe jam gjithmonë mirënjohës. Unë nuk jam gjykatësi i tyre; jam mirënjohës. Ata kanë një potencial të madh atje, por le të përpiqen ta përdorin këtë për të mirën, për të mirën e tyre dhe për të mirën e të gjithë vendit.