Home /Me rastin e Kremtimit të Fjetjes së Shën Joan Theologut më 26 Shtator 2021, Zyra e Rinisë pranë Kryepiskopatës me një përfaqësi nga Rinia Orthodhokse e Tiranës organizuan një vizitë në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, ku patën mundësinë t’i uronin Imzot Hirësi Joanit vite të shumta e të bekuara me rastin e Ditës së Emrit. Pasi ndoqën Shërbesën e Liturgjisë Hyjnore të mbajtur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në qytetin e Korçës, të rinjtë u mikpritën në ambjentet e Katedrales nga Hirësi Joani dhe përfaqësues të Mitropolisë.Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Hirësi Joani përcolli mesazhin e mposhtjes së frikës nga gjërat tokësore dhe forcimin e dashurisë e vigjilencës. Ai i vuri theksin vështirësive dhe faktorëve sfidues me të cilët të rinjtë përballen në jetën e tyre të përditëshme, dhe se si me anën e një jete të pastër shpirtërore dhe zbatimeve aktive të urdhërimeve të Perëndisë, mundet që këto sfida të përballohen me sukses dhe të çojnë drejt një jete të krishterë. Pas takimit me Mitropolitin Joan, të rinjtë patën mundësinë të kalonin kohë të lirë në qytetin e Korçës, ku vizituan disa nga pikat fetare dhe kulturore më interesante të qytetit. Gjithashtu gjatë kthimit, u ndalën për një vizitë në qytetin Pogradecit.Lavdi Perëndisë për të gjitha!(Irini Lula)