/Kush është me të vërtetë “patrioti” Foti Cici

Kush është me të vërtetë “patrioti” Foti Cici

Botuar në gazetën “Koha Jonë”, dt. 12 shkurt 2005

Duke marrë shkas nga një numër artikujsh të shkruar nga atë Foti Cici, ndihemi të detyruar për të dhënë një përgjigje, jo atij, por lexuesve, që të kuptojnë se kush është me të vërtetë ky njeri dhe cilat janë qëllimet e tij. Në ato shkrime (ndonëse në pjesën më të madhe me një gjuhë të paqartë, duke kundërshtuar në paragrafin e dytë atë që pohon në të parin), ai e paraqet veten si apostulli i vetëm i shqiptarizmës në Ortodoksi dhe se të gjithë klerikët e tjerë shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë e paskan tradhtuar Ortodoksinë shqiptare.

Ai përpiqet të zezojë gjithçka që ka të bëjë me kishën ortodokse, duke hedhur baltë mbi të gjitha përpjekjet, zhvillimet dhe përparimet e kësaj kishe. Por realiteti i kishës ortodokse tregon se është ndryshe. Ajo kishë ka përparuar në të gjitha drejtimet. Është krijuar Akademia Teologjike, ku përgatiten klerikët e ardhshëm. 98 për qind e klerikëve që shërbejnë në kishë janë shtetas shqiptarë. Kisha është përfshirë në të gjithë jetën shoqërore të vendit. Për këtë kanë dhënë kontribut të madh shumë njerëz, nga brenda dhe nga jashtë vendit. Pa këtë ndihmë të madhe dhe pa këto përpjekje do të ishte e pamundur kjo ringjallje e kishës. Për këtë arsye komuniteti ortodoks i falënderon të gjithë këta.   

Prandaj ndihemi të indinjuar kur dëgjojmë zëra që i përbaltin tërë këto vepra, dhe për më tepër tërë këta zëra vijnë nga njerëz që pretendojnë se janë teologë dhe klerikë. Një teolog dhe një klerik, siç pretendon të jetë Foti Cici, gëzohet me përparimet e kujtdo qoftë, nuk është cmirëzi, nuk është karrierist dhe ziliqar dhe për më tepër nuk flet me atë gjuhë. Gjuha e tij e mbushur me urrejtje, përçarje dhe fyerje, që do të ishte e papranueshme edhe për një njeri të zakonshëm dhe jo më për një klerik, është në fakt një fyerje dhe cënim që i bëhet vetë atij dhe figurës së një kleriku dhe po bëhet precedent për diçka jashtëzakonisht negative. Detyra e klerikut është të sjellë paqe dhe dashuri edhe aty ku ka grindje dhe urrejtje dhe jo që t’i shtojë ato më shumë, siç po përpiqet të bëjë Foti Cici me shkrimet e tij. Në këtë vend sherri le të ruhen të paktën të pastër, si një shembull edhe për të tjerët, institucionet fetare.

Deri më sot klerikët shqiptarë e kanë treguar se janë të denjë për atë që përfaqësojnë. Kështu, të ashtuquajturit klerikë si Foti Cici, jo vetëm që u vënë njollë klerikëve shqiptarë, por edhe vetë komuniteteve fetare, sidomos në njerëz që nuk janë në kontakt me problemet reale të këtyre komuniteteve. Njerëzit e zakonshëm me të drejtë do të mund të thonë: “Edhe klerikët po shajnë si të tjerët”. Gjë që në fakt nuk është e vërtetë.    Atë Foti Cici nuk rresht sulmet dhe shpifjet kundër Kryepeshkopit Anastas dhe klerikëve të tjerë të Kishës Ortodokse. Ne e dimë arsyen përse. Duke mos dashur të sakrifikojë dhe të shërbejë, ai nuk pranoi të rrinte në Shqipëri, sepse ai do të qëndronte vetëm nëse do t’i jepeshin poste të larta në hierarkinë kishtare, duke mos kuptuar se Kisha është një vend ku duhet të shërbesh dhe jo e kundërta.

Dhe meqenëse kjo nuk iu plotësua, ky klerik, që nuk e meriton këtë titull, me metoda të pahijshme pretendon të bëjë karrierë në kishë, duke fyer dhe përbaltur të tjerët, përveçse fetarisë. Një njeri i tillë nuk kupton se ata që drejtojnë sot kishën kanë shërbyer me devotshmëri dhe me dashuri. E kanë parë shërbesën e tyre, ashtu si i ka hije një kleriku, si një mision të shenjtë. Kryepeshkopi Anastas e ka drejtuar Kishën me sakrifica të panumërta. Ai ka qenë faktori kryesor në këtë ringjallje të Kishës, duke siguruar mbledhjen e fondeve dhe duke u kujdesur personalisht në çdo vepër, qofshin ndërtime të ndryshme për të gjithë popullin shqiptar. Gjithçka që ai ka bërë këtu do t’i mbetet këtij vendi dhe kësaj kishe. Për këtë ne e falënderojmë dhe e nderojmë. Ai e ka fituar prestigjin dhe nderimin e tij në të gjithë botën, jo sepse është Kryepeshkop, por nga vepra e tij e madhe misionare. Të nderohesh, nuk do të thotë të kesh pozitë të madhe, por zemër të madhe. Nënë Tereza ishte një murgeshë e thjeshtë, por dashuria e saj e zjarrtë për Krishtin dhe për njerëzit e bënë simbol botëror të dashurisë dhe të humanizmit.

Ndonëse ajo nuk shërbeu në vendlindjen e saj, ajo u nderua nga vendi ku ajo kaloi pjesën më të madhe të shërbesës së saj misionare me një nderim të madh dhe u bë një nga njerëzit më të dashur për të gjithë. Kjo duhet të shërbejë si shembull edhe për ne, duke e treguar këtë gjë me mirënjohjen dhe nderimin tonë për ata që na kanë ndihmuar në çaste të vështira dhe jo t’i shajmë ata, siç bën Foti Cici.    Është mirë që lexuesit të njohin Foti Cicin e vërtetë. Ortodoksët e Shqipërisë e njohin mirë atë, por është nevoja që ta njohin edhe të tjerët, për të kuptuar se cili është ai me të vërtetë. Atë Foti Cici nuk përfaqëson klerikët shqiptarë dhe as ata ortodoksë. Ai njeri nuk ka asnjë lidhje me Kishën Ortodokse dhe as me mesazhet dhe shërbesën e saj. Ai nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kishës, ngaqë ai nuk është anëtar i Kishës Ortodokse në Shqipëri, por shërben në Kryepeshkopatën Greke në Amerikën e Veriut, më saktë në Kanada.

Ai nuk ka as të drejtën kanonike dhe as atë morale për të justifikuar ndërhyrjet, edhe sikur këto të ishin dashamirëse, gjë që duket qartë se nuk janë. Ai nuk është në juridiksionin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe si një teolog që pretendon se i di kanonet, duhet ta dijë që kjo është një shkelje kanonike. Çdo Kishë autoqefale drejtohet nga Sinodi i asaj kishe dhe vetëm ai mund të vendosë për çështjet e administrimit dhe drejtimit. Çdo ndërhyrje në punët e brendshme të një kishe është pak a shumë si ndërhyrjet në jetën e brendshme të një shteti tjetër. Kur nuk i lejohet as peshkopëve dhe as primatëve të kishave të tjera që të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të një kishe, çfarë mund të thuhet kur bëhet fjalë për një prift të rëndomtë!?    Gjtihashtu ai nuk ka as të drejtën morale për t’i dhënë mësime patriotike kishës këtu, sepse ai nuk e përfaqëson patriotizmin shqiptar, por për njerëz të këtij lloji për fat të keq, “patriotizmi” mbetet streha e fundit. Ky mbrojtës i “shqiptarizmës”, u pagëzua nga ish – Mitropoliti i Konicës Sevastianos dhe u dërgua me bursë po nga ai të studiojë në Athinë.

Atje iu dërgua me një kërkesë Ministrisë së Jashtme të Greqisë ku mohonte identitetin e tij si shqiptar dhe kërkonte të njihej si grek (për këtë mund të japim edhe kopjen e kërkesës së tij). Për sa kjo i nevojitej ai hiqej si grek, duke përfituar gjithçka që mundte nga kjo. Kur kjo nuk i shërbeu më qëllimit të tij, rrëmbeu flamurin e patriotizmit dhe filloi të fliste për shqiptarizëm. Duke njohur mirë se çfarë grupe të ndryshme duan të dëgjojmë ai e ka shfrytëzuar vazhdimisht këtë për interesat e tij. Në Greqi ishte grek, në Amerikë (më saktë te shqiptarët e Amerikës), u hoq fanolist. Në Greqi paraqitej “i persekutuar” nga shqiptarët dhe në Amerikë (tani së fundi edhe në shkrimet që boton në Shqipëri) “i persekutuar” nga grekët.    Meqenëse shqiptarët e Amerikës nuk e pranuan shkoi në Kanada, ku u përpoq të përdorte ortodoksët shqiptarë të atij vendi, që për fat të keq nuk kanë pasur një famulli, për të rregulluar dokumentet e qëndrimit atje. Por meqenëse komuniteti shqiptar në Kanada nuk është në gjendje të paguajë një klerik me rrogë të plotë, ky “patriot” që jep mësime patriotizmi dhe sakrifice për atdheun, e la famullinë shqiptare dhe shkoi të “saktifikohet” në një kishë greke, e cila fatmirësisht për atë, ka edhe një pagesë të majme.

Në kushtet e krijuara nga famullia greke, në një zyrë të rehatshme dhe të ngrohtë po në kishën greke, ky “patriot” shqiptar i jep leksione shqiptarizme dhe përcakton se kush është shqiptar dhe jo, kush është ortodoks i vërtetë dhe kush jo, kush sakrifikohet për mëmëdheun e tij dhe kush jo. Interesat e tij personale ai përpiqet t’i veshë me petkun e shqiptarizmës. Kishte të drejtë Faik Konica kur shkruan se “shqiptarët janë të tmerrshëm që ta bëjnë çdo çështje përsonale çështje kombëtare”, o Zot na ruaj nga “patriotë” të tillë.    Patriot dhe atdhetar i vërtetë është ai që jep kontributin për ndërtimin dhe begatinë e këtij vendi dhe jo ata që shajnë të tjerët. Klerik i vërtetë është ai që sakrifikon dhe e vë veten e tij në shërbim të Kishës dhe jo “patriot” të tipit të Fotit që duhet ta vënë kishën në shërbim të interesave të tyre personale.

Për fatin tonë të mirë në kishën tonë kemi klerikë të sakrificës që e kanë vënë veten në shërbim të Kishës dhe të vendit të tyre. Shembulli më i mirë është ai i Mitropolitit të Dioqezës së Korçës, Imzot Joanit, i cili ndonëse ishte në Amerikë dhe komuniteti shqiptar dhe Kisha Orthodhokse e Amerikës i afruan atij gjithçka dhe kërkuan me ngulm që të qëndronte atje, ai nuk i pranoi këto oferta, por erdhi të shërbejë këtu, duke dhënë kontributin e tij në rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse dhe duke shërbyer me devotshmëri dhe përunjësi. Gjithashtu edhe shumë klerikë të tjerë, që ndoshta kishin mundësi të shkonin “në mërgim” si atë Foti Cici, por nuk e kanë bërë. Kanë preferuar të qëndrojnë këtu dhe t’i shërbejnë popullit të tyre. Dhe e kanë bërë këtë shërbim pa fjalë dhe pa mburrje. Për të tillë njerëz ka nevojë kisha jonë dhe të gjitha komunitetet fetare.    Atë Foti Cici na ankohet në shkrimet e tij se si ai po vuan dhe persekutohet “në mërgim” në Europë, Amerikë dhe Kanada. Ne besojmë se çdo njeri normal e kupton se të pretendosh që ai po vuan i persekutuar “në mërgim” në Amerikë dhe Kanada, dhe se klerikët këtu po gëzojnë të gjitha të mirat në këtë vend, nuk është serioze.

Klerikët e të gjitha komuniteteve fetare të Shqipërisë po jetojnë në kushte të vështira, duke u përpjekur çdo ditë nëpër gjyqe e konflikte për të marrë pronat dhe për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve. Dhe në këto përpjekje të mëdha të gjithë klerikët e Shqipërisë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rimëkëmbjen e këtij vendi dhe duke u bërë edhe për të tjerët një shembull durimi e tolerance. T’i mësosh ata nga Amerika se çfarë ata duhet të bëjnë nuk është e moralshme, sidomos nga njerëz që u janë shmangur sakrificave dhe përgjegjësive në këtë vend. Kisha jonë ka nevojë për njerëz që të japin kontribut në ndërtimin e saj dhe jo për ngatërrestarë, që për hir të qëllimeve të tyre banale, janë gati t’i vënë flakën, jo vetëm kishës, por edhe gjithë vendit. Ne shprehim bindjen e plotë se komuniteti ortodoks i udhëhequr nga hierarkët e tij nuk do të lejojë që njerëz të tillë të dëmtojnë përparimin e kishës sonë dhe njerëz të tillë nuk kanë dhe as do të kenë vend në Kishën Ortodokse dhe as nuk do të gjejnë mbështetje nga komuniteti ortodoks. Një grup intelektualësh nga Korça:

Tomi Piluri                                       Pneumolog
Grigor Mulla                                     Matematicien
Vaskë Stasa                                    Ekonomist
Nesti Terova                                    Agronom
Ana Gusho                                       Mësuese
Lilika Melko                                     Teknologe
Vasillaq Kollaci                                Muzikolog
Dhimitra Totonozi                            Mësuese
Natasha Teneqexhi                         Ekonomiste
Jovan Zisi                                         Ekonomist
Elena Koçi                                        Farmaciste
Silvana Helmësi                               Mjeke
Kostaq Kanari Inxhinier                   Kimist
Pandeli Napuçe                               Prof. Universiteti “Fan Noli”
Niko Face                                         Prof. Universiteti “Fan Noli”