/KUJTIMI I HIERARKUT TË SHENTJË NIKOLLA MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E PREMTE, 6 DHJETOR 2019 “Lum ti o liman i lundrave dhe qetësues i deteve ku po përikin të mjerët, që të shpëtojnë prej shqotave” (Nga troparet e pasvargjeve).

KUJTIMI I HIERARKUT TË SHENTJË NIKOLLA MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E PREMTE, 6 DHJETOR 2019 “Lum ti o liman i lundrave dhe qetësues i deteve ku po përikin të mjerët, që të shpëtojnë prej shqotave” (Nga troparet e pasvargjeve).

KUJTIMI I HIERARKUT TË SHENTJË NIKOLLA

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E PREMTE, 6 DHJETOR 2019

“Lum ti o liman i lundrave dhe qetësues i deteve ku po përikin të mjerët, që të shpëtojnë prej shqotave” (Nga troparet e pasvargjeve).

Shën Nikolla, është një nga shenjtorët më të njohur të Kishës sonë. Emri i tij gjendet në gojën e besimtarëve të panumërt, që kërkojnë ndihmën dhe mbrojtjen e tij. Shumë të krishterë shpejtojnë ta nderojnë çdo vit përgjatë kujtimit të tij. Burim mallëngjimi përhap ikona e tij në litanitë, që bëhen për nder të tij. E nderojnë dhe e respektojnë marinarët, të cilët, shumë mrekulli shpëtimi nga deti i tërbuar ia kushtojnë lutjeve dhe ndërmjetimeve të tija. E nderon Kisha me lavdërimet më të bukura. “Modeli më i shenjtë i priftërisë së hirshme” e quan himnografi i hirshëm. “Bari të madh”, e mbiquan dhe fton ta lëvdojnë dhe ta thërrasin, “të sëmurët, mjekun; ata që ndodhen në rrezik, shpëtimtarin; mëkatarët, mbrojtësin; të varfrit, thesarin; të pikëlluarit, ngushëllimin; udhëtarët, shoqëruesin; detarët, kapitenin”. Lindja dhe Perëndimi i japin një vend të veçantë midis shenjtorëve. Dhe, e meriton kaq nderim. Dhe i përkasin kaq lëvdata. Sepse u tregua fitimtar në gjithë jetën e tij. Dhe luftëtarë besnik për Kishën. Dhe mishërim i mrekullueshëm për dashurinë dhe njeridashjen.

* * *

I dashur është në popull shën Nikolla çudibërësi. Dhe emri i tij dhe jeta e tij kanë lidhje me popullin.

Populli! Është synimi i sistemeve të ndryshme shoqërore. Populli, herë bëhet masë, që mashtrohet nga demagogë, dhe herë të tjera bëhet rrymë e vrullshme, që përmbys frone dhe rrënon pushtete. Lufta bëhet rreth popullit.

Por, shenjtori, e do me të vërtetë,, popullin. Shenjtori, i dalë nga shtresat e popullit, është ai që përbën model të ndritshëm dhe të qëndrueshëm në ecurinë e popullit. Apostull Pavli thekson në letrën drejtuar Hebrenjve se, duke pasur si modelin tonë renë e martirëve: “… me durim le të sulemi në rrugën, që është përpara nesh” (Heb. 12:1). Shenjtori përbën mbrojtësin e popullit. Mbrojtës, jo vetëm me fjalë, por kryesisht me vepra. Mbrojtës, jo vetëm në interesat e tija të vogla materiale, por mbrojtës, kryesisht, në rrethanat e vështira të jetës së tij; mbrojtës në interesat i tija të përjetshme shpirtërore. Shenjtori është mbrojtës pa paramendim.

Shenjtori, për të cilin flasim këtu, nuk është thjesht i dashur nga populli. Është fitues i popullit. I dashuri i popullit nuk është gjithmonë fitues i popullit, ndërsa fituesi i popullit është gjithmonë i dashur nga populli. Shenjtori nuk ka si parullë se, “Çfarë kërkon populli”, por paraqet parullën : “Çfarë do Perëndia për popullin”. Nuk mashtrohet nga populli, nga shfaqjet popullore dhe kërkesat popullore, por do me të vërtetë popullin, dhe duhet nga populli i Perëndisë.

Popullor dhe i dashur nga populli është shën Nikolla. Gjithkund emri i tij, gjithandej ikona e tij, kudo kisha në kujtimin e tij, në çdo vend fjalë për mrekullitë e tija. Bëhet fjalë për një fitore; fitore e dyfishtë. Fitore e Nikollës dhe fitore e popullit. Nikolla e ka fituar popullin. Ka fituar besimin e popullit; ka pushtuar zemrat, dashurinë e njerëzve të popullit. Dhe populli ka fituar Nikollën. E ka bërë shenjtor të tij, mbrojtës të tij. Me ndihmën e shën Nikollës fiton mbi pengesat dhe vështirësitë.

Triumfet e prijësve të ndryshëm të botës, brenda klasave të popullit, janë të përkohshëm. Kalojnë dhe shuhen. Personat e ndryshëm që janë objekt adhurimi nga populli, e shumta një 10-vjeçar janë në skenën e lavdisë. Janë idhuj që bien. Por llogarisni kohën në të cilën shën Nikolla qëndron i pazëvendësueshëm. Kanë kaluar pothuajse 1600 vjet që atëherë kur jetonte. Dhe duhet edhe sot nga populli. Madje duhet më shumë sot.

* * *

I gjithë populli e do shën Nikollën. Por më shumë e duan marinarët tanë. Por, si lidhet shën Nikolla me detin? Dikur Shenjtori donte të shkonte në Tokat e Shenjta. U nis me anije, nga atdheu i tij, Pátara e Azisë së Vogël, që është vend bregdetar. Duke lundruar, një darkë u zgjua i tronditur; vrapon menjëherë tek kapiteni dhe me siguri i thotë: -Përgatituni sepse pas pak anija do të rrezikohet… -Ku e di ti? e pyet kapiteni. Dhe Shenjtori i tregon: -Pash të vijë djalli, të presë litarët me një thikë të mprehtë dhe të thyejë direkët e anijes…

Realisht, pas pak erdhi një furtunë e madhe detare dhe anija po rrezikohej. Ekuipazhi u gjend në befasi. Dhe atëherë shenjtori bëri mrekullinë e tij. Shenjtorët, me hirin e Perëndisë, nuk zbusin vetëm pasionet; zbusin edhe elementët e natyrës. Kështu u bë edhe atëherë. Shenjtori qetësoi detin… Gëzim në anije. Por, para se të arrijnë të gëzohen, diçka e paparashikuar ndodhi dhe mbyti e pikëlloi ekuipazhin e saj. Një marinar i vogël, që u ngjit në direk për të lidhur velat, rrëshqiti dhe ra i vdekur mbi kuvertë. Përsëri në mbrojtje Shenjtori. E lusin të gjithë. Dhe ai, me lutjen e tij ngjall marinarin e vogël. Është mrekullia e dytë e shën Nikollës, që ka lidhje me detin.

* * *

Në një farë mënyre metaforike, jeta e njeriut është një det. Të shumta janë dallgët që na godasin. Dy nga to do theksojmë. Dallga e pabesisë. Ata që lundruan në natyrë dhe u përpinë nga thellësitë e saja të errëta, qajini një herë. Por ata, që lundruan në detin shpirtëror dhe u zhytën në thellësitë më të errëta të pabesisë, qajini 1000 herë. Të dështuar i quan apostull Pavli: “të rënë jashtë nga besimi” (I Tim. 1:19).

* * *

Zëra të ndryshëm të pabesisë tronditin mendjet e njerëzve dhe madje të brezit të ri dhe i udhëheqin në përmbytje shpirtërore. Kush do ta qetësojë detin e mendjes së trazuar? Shën Nikolla, ashtu si atëherë, kështu edhe sot, nga qielli, me lutjet e tija, do të qetësojë shpirtrat tanë të tronditur dhe zemrën tonë të shqetësuar.
Dhe dallga e pikëllimit. Kur dallgët e pikëllimin na godasin pa mëshirë përsëri përikim tek limani i qetë, tek ndërmjetimet e shën Nikollës, që të na qetësojë edhe të na japë shpresë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Nuk nevojitet që të flasim shumë për tu bindur, se jetojmë në një shoqëri të tronditur. E njihni, e shikoni, e lexoni. Jeta e tashme është një det. Gojarti i shenjtë thotë: Të shumta janë dallgët dhe e frikshme furtuna, por nuk trembemi, se mos mbytemi. Qëndrojmë mbi shkëmb. Shkëmb është Krishti. Mbi atë shkëmb thyhen dhe shpërbëhen të gjitha dallgët. Të qëndrueshëm në besë, të patundur në parimet tona, të qetë në zemër, do të lundrojmë në det të hapur. Kemi mbrojtës dhe ndihmës Shenjtorin e detit. Me ndihmën e tij do të arrijmë dikur në limanin e dëshirave tona, në atdheun e dëshiruar, në Mbretërinë e Qiejve. U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 06.12.2019