/KREMTIM FESTIV I FJETJES SË HYJLINDËSES MARI – KATEDRALE “NGJALLJA E KRISHTIT”, TIRANË

KREMTIM FESTIV I FJETJES SË HYJLINDËSES MARI – KATEDRALE “NGJALLJA E KRISHTIT”, TIRANË

Më 15 gusht besimtarët orthodhoksë kremtojne Fjetjen e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, të paraprirë nga dy javë kreshmimi.
Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, përkujton fjetjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Hyjlindësja Mari “u mor” nga Perëndia, në Mbretërinë Qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.
Kisha Orthodhokse na mëson se Maria nuk ka mëkate personale. Megjithatë, në Ungjillin e festës, në shërbesat liturgjike dhe në ikonën e Fjetjes, Kisha shpall se Maria me të vërtetë kishte nevojë të shpëtohej nga Krishti, ashtu si të gjithë njerëzit janë shpëtuar nga mundimet, vuajtjet dhe vdekja e kësaj bote; dhe mbasi ajo vdiq, ajo u ngjall nga Biri i saj si Nëna e Jetës dhe se tani merr pjesë në jetën e amshuar të Parajsës, e cila është përgatitur dhe i është premtuar të gjithë atyre që “e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë” (Lluka 11;27-28).
Sot, 15 gusht 2023, Fjetja e Hyjlindëses së Tërëshenjtë u kremtua në të gjithë vendin, në kishat e Kryepiskopatës dhe në Mitropolitë.
Është kjo një nga të kremtet më të ndjera e të festuara historikisht, gjë që e dëshmon edhe numri i madh i kishave e manastireve në vendin tonë dhe në gjithë botën orthodhokse, kushtuar kësaj ngjarjeje. Në këtë festë ato bëhen vende pelegrinazhi dhe veprimtarish të shumta.
Në Tiranë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi Anastas, bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin dhe klerikë të Kryepiskopatës. Atë Ilia Mazniku predikoi në këtë të kremte hyjlindësore ku theksoi rëndësinë e rolit të Të Tëreshnjtës Mari në shpëtimin e racës njerëzore.
Për Radio Ngjallja: Aleksandër Dimroçi