Nikolla Barkaj: Profesor Dhimitri, shumë prej nesh në fakt në kohë paqeje dhe qetësie, kur gjërat na shkojnë mirë në jetë, pra kur kemi harmoni në familje, kur fëmijët ecin në rrugën e drejtë, kur nuk na mungon ana materiale dhe ajo ekonomike dhe kur puna është e siguruar, besojmë tek Zoti dhe e falenderojmë Atë, por e kundërta ndodh në fakt kur furtunat godasin jetën tonë dhe ne heqim dorë duke kërkuar ngushëllim dhe shpëtim diku tjetër, si tek miqtë, tek vetja jonë, tek paraja etj. Sa i rëndësishëm është besimi në kohëra të vështira për njeriun?!
Profesor Dhimitër Qosja: Tani në këtë hyrjen tuaj, ju folët për një kategori të njerëzve të cilët në kohë paqe dhe në kohë mirësie dhe mirëqënie falenderojnë Zotin. Ndërsa në raste vuajtjesh dhe dhimbjesh izolohen, tërhiqen apo kërkojnë diku tjetër shpëtim. Egziston një kategori e këtyre njerëzve, por mendoj se më shumë është kategoria e parë, janë ata njerëz të cilët nuk kujtohen për Zotin, nuk e falenderojnë për të gjithë të mirat që u ka dhënë, mendoj se këtu është pjesa më e madhe e njerëzve edhe në raste fatkeqësish, atëherë duket sikur e kërkojnë Zotin. Sidoqoftë të dyja kategoritë janë të pranishme në historinë e njerëzimit, janë trajtuar gjërësisht nga Etër të ndryshëm të Kishës, nga teologjia e Kishës. Atë që ka rëndësi njeriu, jo vetëm në kohë paqeje, mirësie dhe miqësie edhe mirëqënie, është të kërkojë dhe të falenderojë Zotin, por edhe në kohë vuajtje përsëri të gjejë forcë dhe madje të shtojë më shumë besimin dhe madje të reflektojë për të parë dashurinë e Zotit edhe kur jemi në momentet e vështira të jetës sonë. Kujtojmë që Zoti gjithmonë ka dashuri dhe është i pranishëm vazhdimisht tek njeriu i cili e kërkon dhe tek njeriu i cili forcohet në besim. Natyrisht ne kujtojmë shumë raste, kemi shumë momente kur ne jemi mirë dhe jemi pranë Zotit, siç ndodhi edhe me apostujt, por në momente të vështira ne frikësohemi por kujtojmë që Zoti i qortoi apostujt për besimin e tyre të pakët dhe duke kërkuar që të rriteshin më shumë në besim dhe të forcoheshin më shumë në mardhënien e tyre në raport me Zotin. Ç’farë ndodh realisht, edhe sot në kohën që ne jetojmë shpesh herë flitet për një besim, madje në një besim në masë tek Zoti, por egziston një lloj rrezikshmërie dhe një lloj kërcënimi për besimin i cili të zhvendoset nga raporti, pra besimi i vërtetë është ai i cili është në raport me Zotin, duke u zhvendosur në një lloj besimi ideologjik, në një lloj fetarizmi, kjo është e rrezikshme. Tradita jonë na mëson që besimi i vërtetë është besimi që kultivohet vazhdimisht me prezencën tonë në adhurimin e përbashkët dhe aty ne kuptojmë rëndësinë që ka besimi i vërtetë në raport me Zotin dhe jo thjesht një besim ideologjik. Çdo ide, çdo ideologji ka një fund që rrezikon çdo njeri apo çdo komb e kështu me radhë.
Nikolla Barkaj: Përsa i takon dhe fatkeqësive që mund të na ndodhin në jetë ose ngjarje të trishtuara, të dhimbshme, përse Perëndia në fakt – këtë pyetje e ngrenë shumë njerëz, përse Perëndia i lejon pra, që këto ngjarje të ndodhin ne jetën tonë?
Profesor Dhimitër Qosja: Kjo është një pyetje në fakt e cila është shumë e vështirë për të marrë një përgjigje dhe kushdo që jep një përgjigje, do thonim shumë të cekët dhe duke i’a atribuar Perëndisë mendoj se gabon dhe madje krijon probleme në gjithë ecurinë e vetë konceptit – si njeriu duhet të përballet me vuajtjen dhe me dhimbjen. Nëse do t’i referohemi historisë së njerëzimit, do të kuptojmë që shkaku i dhimbjes dhe i vuajtjes nuk është Perëndia. Perëndia gjithçka që krijoi, e krijoi të mirë dhe e krijoi njeriun sipas ikonës së tij në raport për të gjetur mirësinë dhe lumurinë kur është në komunikim me të. Dimë që shkaku i vuajtjes, shkaku i vdekjes erdhi nga vetlargimi i njeriut nga Perëndia, nga egoizmi i tij, nga izolimi i tij, nga kjo mbyllje në vetvete e njeriut. Kështu që ne në historinë e Kishës dhe në historinë e Etërve, na ka mësuar që të jemi koshient, të jemi të ndërgjegjshëm për praninë e vuajtjes e dhimbjes dhe sëmundjes në botë, por gjithë historia e Kishës dhe gjithë historia e teologjisë, është si të përballemi me këtë?! Sigurisht egzistonte mentaliteti dhe ndoshta egziston mentaliteti dhe botkuptimi tek shumë njerëz, ashtu siç ishte dhe tek populli judaik, kur ndodh një dhimbje, kur ndodh një vuajtje apo një fatkeqësi, duke menduar se dikush ka mëkatuar ose shkaku është pra mëkati. Zoti e transformoi këtë dhe gjithë historia qëndron në këtë, si ta transformojmë?! Jo të gjejmë shkakun, por si ta transformojmë këtë dhimbje në shpresë. Si ta transformojmë vuajtjen në një ngushëllim, si ta transformojmë fatkeqësinë në një forcë për tu përballur realisht dhe për të gjetur shpresën dhe të vërtetën tek Zoti. Kështu që Zoti, siç kemi rastin e të verbërit tek Ungjilli sipas Joanit, duke e hedhur poshtë, duke refuzuar këtë mentalitet judaik, duke thënë që verbëria e këtij nuk vinte nga arsye njerëzore, pra nuk kërkonte të depërtojë në arsyen njerëzore por të shikojë tek lavdia dhe tek prezenca e Perëndisë në historinë e njerëzimit. Dhe vërtetë Perëndia, Krishti bëri mrekulli me këtë të verbër duke i çuditur gjithë njerëzit. Kjo ka ndodhur dhe këtë predikon Kisha, që ne duhet të fokusohemi fort tek Lavdia e Perëndisë tek mardhënia e tij me Të, për të gjetur forcë, për të gjetud ngushëllim, për t’u përballur me gjithë fuqinë tonë, për ta sfiduar sëmundjen, për të sfiduar vuajtjet, dhimbjet dhe sigurisht edhe vdekjen, duke na thënë Zoti, Unë e munda vdekjen. Pra në këtë fuqi të Tij, ne gjejmë forcë për të përballur çdo vështirësi dhe çdo fatkeqësi.
Nikolla Barkaj: Profesor, si mund të kthehet dëshpërimi nga dhimbja dhe vuajtja – në shpresë dhe dashuri për jetën, nëpërmjet besimit?
Profesor Dhimitër Qosja: Sigurisht të mposhtësh dëshpërimin nuk është e lehtë, madje thonë Etërit e ndryshëm që dëshpërimi vjen nga demoni më i rrezikshëm, mungesa e besimit tek shumë njerëz i çon ata në një absurditet, i çon në një shkatërrim. Egzistojnë plot “profet” të cilët predikojnë absurditetin dhe shkatërrimin dhe kjo vjen nga mungesa e tyre e besimit tek Perëndia dhe tek njeriu. Të japësh shpresë – nuk është e lehtë të japësh shpresë. Shpesh herë bota flet për një lloj optimizmi, ndërsa krishtërimi flet për shpresën. Ka një dallim midis optimizmit dhe shpresës. Optimizmi nënkupton një lloj thjesht pasiviteti të njeriut për të pritur diçka. Për të qenë optimist. Ndërsa koncepti i shpresës sipas Kishës sipas Teologjisë, është të besosh dhe të marrësh pjesë dhe të integrosh veten tënde, pra një pjesmarrje e jotja në këtë ecuri të shpresës. Në lidhje me këtë vetë Apostull Pavli na jep shembullin, veçanërisht në kapitullin 11 të letrës drejtuar Hebrenjve, se ç’farë ndodh me njeriun kur ka shpresë. Atje citon dhe nuk mund të citoj ndoshta të gjithë këtë, por kjo do ishte mirë për lexuesit të lexohej këto momente dhe të thotë, se çfarë bën profetët me anë të besimit, me anë të shpresës! Ata i’u kundërvunë mbretërive, i’u kundërvunë arrogancës, ata me anë të besimit thonë, predikuan ndaj së ligës ndaj së keqes dhe predikuan vazhdimisht të mirën. U përballën me mjaft sfida, u përballën me fuqi dhe me pushtete dhe me tirani të ndryshme, kjo në sajë të shpresës dhe besimit. Besimi dhe shpresa që dhe Apostull Pavli diku tjetër përsëri e thotë që janë shumë të rëndësishme besimi, shpresa dhe dashuria janë shumë të rëndësishme për jetën e një të Krishteri. Sigurisht shpresa gjendet fort kur ne kemi një mardhënie me Zotin që është shpresë, me Zotin që është dashuri, me Zotin i cili na dha mundësi se si ne të përballemi me vuajtjen me dhimbjen dhe me dëshpërimin. Ilaçi i dëshpërimit është përulësia, është kultura e durimit. Shën Serafimi i Sarovit thotë: “Për të mposhtur dëshpërimin kemi nevojë të takojmë miq shpirtërorë, njerëz që predikojnë dhe që jetojnë me shpirt dhe me trup, njerëz që jetojnë këtë shpresë”. Kështu që i vetmi ilaç për të mposhtur dëshpërimin dhe që fatkeqëisht egzistojmë në kohë vërtet trishtuese dhe dëshpëruese, është të marrim fuqi nga shenjtorët, nga prezenca jonë në ngjarje që Kisha jonë kremton, nga jeta e tyre, e apostujve dhe shenjtorëve të cilët mposhtën dëëshpërimin, mposhtën gjithçka në sajë të jetës së tyre me Zotin dhe me të tjerët.
Nikolla Barkaj: Profesor, në fakt a mund të sjellim shembuj nga Shkrimi i Shenjtë që na ilustrojnë pikërisht këtë temë, të paturit besim në kohë vështirësish, menjëherë na shkon mendja tek historia e famshme tek Jobi i drejtë apo jo?
Profesor Dhimitër Qosja: Egzistojnë shumë shembuj nga Shkrimi i Shenjtë, nga jeta e Shenjtorëve të cilët flasin pikërisht se si njeriu përballet me vuajtjen, me dhimbjen dhe me fatkeqësitë e ndryshme. Ato na japin një kurajo, ato na japin një forcë për të përballur ne. Ju përmendët shembullin e Jobit dhe që është një shembull klasik që na tregon – çfarë na tregon shembulli i Jobit? Që, ai jo vetëm kur ishte mirë dhe kur kishte gjithë atë mirëqënie dhe gjithë atë mirësi, kishte një mardhënie me Zotin, por edhe kur i ndodhën të gjitha ato fatkeqësi dhe fatkeqësitë e Jobit janë vërtet të tmerrshme, janë vërtet shumë të dhimbshme, e megjithatë Jobi deri në fund, çfarë tregoi? Që ai kishte një mardhënie me Zotin e cila nuk ishte bazuar në interes, nuk ishte bazuar thjesht në të mirat që Zoti i kishte dhënë. Mardhënia e tij me Zotin, besimi i tij me Zotin ishte një realitet tjetër, që nuk kishte të bënte me interesa të ndryshme të kësaj jete. Kështu që ne duhet të gjejmë forcë tek besimi ynë tek Zoti, i cili nuk e krijoi njeriun vetëm për këtë jetë, por e krijoi për të qenë përjetësisht me të. Duke pasur më shumë besim tek Zoti ne mund të përballemi me të gjithë vështirësitë e ndryshme. Kujtojmë që besimi ynë nëse mund t’i ilustrojmë, kur jemi në det, ne nuk duhet të kapemi pas ujit sepse ndryshe do të zhytemi, ne duhet të shikojmë tek besimi ynë tek lënia e vetes tonë tek ky ujë, që t’i përballim të gjithë dallgët. Kështu që duke lënë veten tonë tek Zoti pra, kjo mardhënie jonë me Zotin, atëherë do të dimë që të përballemi të gjitha dallgët e jetës, të gjitha vuajtjet, të gjitha dhimbjet. Janë shumë, shumë shembuj të tjerë, apostuj të ndryshëm që u përballën me dhimbjen, që u përballën me vuajtjen por mbi të gjitha ne marim fuqi nga vetë Krishti. Dhe këtu qëndron dhe misteri i dhimbjes dhe i forcës mbi kryq. Krishti na tregoi në kryq që Ai i mposhti dhimbjet dhe e ktheu këtë dhimbje në një gëzim, duke i dhuruar gëzimin e Ngjalljes – Apostujve, besimtarëve, Kishës dhe njerëzimit. Është një fakt, pikërisht kjo mposhtje e dhimbjes nga vetë Zoti si njeri mbi kryq, e nënës së Tij që duroi këtë, e apostujve të dashur duke parë se ç’farë ndodh realisht mbi kryqin dhe sigurisht të gjithë ecuritë e Shënjtorëve, na tregojnë se si ato u përballën me dhimbjen me vuajtjen dhe me persekutimet. Kjo është historia e Kishës tonë, në këtë gjejmë forcë dhe fuqi.
Nikolla Barkaj: Profesor, shkurtimisht ne besojmë se Perëndia është Ati i tërëdashur dhe i tërëdhembshur, sa dhembshuri ka realisht Ai për njeriun, shpesh herë këto për t’ju përgjigjur dhe dilemave dhe frikërave të cilët kanë njerëzit me kohën kur përballen me fatkeqësi të ndryshme?
Profesor Dhimitër Qosja: Vetë Perëndia në Shkrimin e Shenjtë pohon, se kaq shumë e deshi botën saqë erdhi dhe u mishërua, pra erdhi si njeri, jetoi midis njerëzve në momentet nga më të ndryshme vështirësish, momente të ndryshme të jetës në shkretëtirë, të urisë, të vuajtjes, të dhimbjes, u përball me vdekjen, me vdekjen e miqve të Tij, e njerëzve të ndryshëm dhe mbi të gjitha me kryqin duke marë dhe çdo dhimbje, çdo vuajtje dhe sigurisht për të mposhtur dhe vdekjen. Kështu që dashuria e Zotit sipas Krishtërimit, është një dashuri jo thjesht në teori, është një dashuri reale, e vërtetuar nga vetë Perëndia që u bë njeri. Kështu që nuk ka dyshimin më të vogël për dashurinë e madhe që ka Perëndia për njeriun dhe që bënë gjithçka, madje çdo vuajtje, çdo dhimbje, çdo sëmundje, etërit thonë që nuk duhet parë si fundi i gjithçkaje, madje kemi shumë njerëz të cilët kanë gjetur realisht Zotin, kanë gjetur shpëtimin e tyre nga dhimbja, nga vuajtja. Ndoshta pa u ndeshur me dhimbjen dhe vuajtjen, as nuk ishim kujtuar për Zotin, as nuk ishim takuar, as nuk e kishim njohur dhe pikërisht duke u gjendur përballë dhimbjes dhe vuajtjes, që është rezultat i natyrës tonë të rënë, këta njerëz gjetën Zotin, gjetën shpëtimin, e takuan realisht Atë. Kështu që ne duhet të shikojmë anët pozitive dhe ndoshta janë një mënyrë për të reflektuar përballë dhimbjeve të tilla, përballë fatkeqësive të tilla. Ashtu siç po ndeshemi dhe sot, ndoshta është koha më e mirë për të reflektuar, për të parë realisht çfarë kërkon Zoti? Dhe mendoj se në mjaft raste, në këtë kohët e sotme që jetojmë të pandemisë, kemi parë dashuri të disa njerëzve që realisht të meditojnë, të reflektojnë, të ndërgjegjësohen, kemi parë një lloj solidariteti të tyre, kemi parë një lloj besimi më të gjallë tek Zoti, kanë parë ndoshta ato caqet e jetës, sepse ndoshta ishim realisht në një lloj krekosje, kishim ndoshta dhe besimin që shkenca mund të bëj gjithçka, duke siguruar ndoshta me anë të shkencës përjetësinë! Por kuptoni, një virus i vogël – gjithë botën e izoloi, ndoshta është një mundësi për të reflektuar që Perëndia është Ai që ka fuqi mbi gjithçka dhe është Ai i Cili kërkon dhe bënë gjithçka për njeriun, për përjetësinë e tij.
Nikolla Barkaj: Profesor, në fakt Shën Agusti thotë se njeriu do të gjejë qetësi vetëm kur të prehet tek Zoti. Pse Zoti dhe Perëndia ynë, mbetet i vetmi liman i sigurt ku qënia njerëzore mund të gjejë shpëtim?
Profesor Dhimitër Qosja: Ju cituat Shën Agustinin dhe vërtet është një thënie mjaft e rëndësishme që ka gjetur një reflektim në historinë e njerëzimit, për të na thënë dhe një herë cila është origjina e njeriut, ku e gjen egzistencën njeriu? Dhe ne e dimë se do kuptojmë që egzistenca jonë është përtej vetes tonë, është tek Perëndia tek Krijuesi, atëherë aty mund të gjejmë dhe kuptimin e jetës, kështu që kjo thënie e Shën Agustinit tregon këtë gjë – Që i vetmi i cili mund të sigurojë kuptimin e plotë të jetës, është kur neve jemi të ndërgjegjshëm për shkakun e egzistencës sonë dhe shkaku i egzistencës së njeriut është vetë Perëndia. E besojnë apo nuk e besojnë, ata të cilët flasin edhe në një mungesë të këtij besimi tek Perëndia si Krijues, por që mund ti’a atribuojë natyrës, pikërisht kushdo qofshin, vetëm kur gjejmë burimin e egzistencës do të gjejmë dhe kuptimin e vetë jetës. Aty gjendet vetëpërmbushja, prandaj thënia e Shën Agustinit është një thënie të cilën çdo i Krishterë, çdo njeri duhet të reflektojë mbi egzistencën pse është në këtë botë? Çfarë i kërkohet? Ku mund të gjej përmbushjen e kësaj jete? Mendoj se të Krishterët e kanë përgjigjen, duke pasur parasysh që njeriu është krijesë e Perëndisë sipas ikonës së tij, atëherë dhe përmbushja dhe qetësia dhe limani i vërtetë në të cilën ka një destinacion të sigurtë njeriu është Perëndia. Vetë Krishti duke ardhur si njeri e vërteton me të gjithë pësimet e tij, me të gjithë jetën e tij, me vetë Ngjalljen duke ngjallur edhe natyrën tonë njerëzore, duke na treguar që destinacioni i natyrës tonë njerëzore është Ngjallja e Tij në ardhjen përfundimtare të Krishtit, si gjykatës i mbarë njerëzimit.
Gazetari: Profesor të falenderoj për mesazhin që ndave me ne dhe dëgjuesit tanë!
Profesor Dhimitër Qosja: Edhe unë ju falenderoj edhe një herë për këtë mundësi duke falenderuar dhe përshëndetur të gjithë dëgjuesit e Radio “Ngjallja” edhe çdo besimtar vullnet-mirë që kërkon përgjigje për një pjekuri shpirtërore. Dhe mesazhi i fundit pikërisht në çdo dhimbje në çdo vuajtje të shohim si një mundësi, si një sfidë për një pjekuri tonën shpirtërore për një mardhënie reale me Zotin dhe me të tjerët.