Gazetari: Intervista e sotme do të ketë në qendër të saj Veprën e Apostujve të shenjtë të Zotit Krisht, mbas Pendikostisë pra, ditëlindjes së Kishës. Ku e gjetën guximin këta njerëz të thjeshtë të shkonin dhe të përhapnin besimin e ri të Krishterë tek popujt pagan të kohës?Çfarë është guximi në kuptimin e krishterë, a kërkohet ky virtyt që të praktikohet për ne të Krishterët e sotëm?
Hirësi Joani: Në Vitin Liturgjik, gjithmonë mbas Pendikostisë, ne festojmë të Dielën e të Gjithë Shënjtorëve, pikërisht për të theksuar që është Shpirti i Shenjtë ai që bën shenjtorë, që jep fuqinë, kurajon, guximin dhe gjithçka tjetër dhe çdo vit Kisha na rikujton me anë të këtij Viti Liturgjik. Viti Liturgjik ka diçka më tepër se sa përkujtime historike, është një lloj përjetimi. Dhe është shumë e rëndësishme për ne për ta ndjekur çdo ditë dhe ndjekja e Vitit Liturgjik nuk është në planin intelektual, kështu që e dimë këtë festë, e dimë se çdo të thotë ajo gjë! Është një lloj përjetimi ose më mirë për të thënë, një lloj ushqimi shpirtëror, që të mbajmë trupin ne duhet të hamë çdo ditë, dhe të mbajmë një jetë shpirtërore ne duhet të ushqehemi shpirtërisht çdo ditë. Dhe Kisha në urtësinë e saj ka ndërtuar Vitin Liturgjik, në të cilin ne bëjmë një udhëtim së bashku me Zotin gjatë gjithë vitit, duke sjellë ndërmend që jeta e Zotit është një udhëtim dhe qëllimi përfundimtar i jetës së njeriut, është kungimi i gjallë me Perëndinë e gjallë. Dhe për ta ndihmuar njeriun pikërisht në këtë udhëtim, Viti Liturgjik na jep vazhdimisht ne dhe na përsërit shumë tema të cilat ndoshta mund të jenë të njëjtat, por në përvojën tonë personale mund të marrin dimensione të ndryshme, sepse çdo vit ne ndodhemi në situata të ndryshme, kështu ne kemi nevojë vazhdimisht për t’u ushqyer shpirtërisht dhe mbas Pendikostisë, Kisha ka vendosur që të lexohen nga Veprat e Apostujve, pikërisht për të na treguar ne që ishte fuqia e Shpirtit të Shenjtë ajo që i dha guximin Apostujve. Ne e dimë nga Ungjilli që kur Zoti u kryqëzua dhe Apostujt u trëmbën dhe u larguan, disa u fshehën, Juda e tradhtoi edhe Pjetri e mohoi pastaj dhe u pendua. Mbas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë ne shohim një ndryshim radikal të Apostujve sepse fuqia e Shpirtit të Shenjtë është ajo që na bën ne të përballojmë çfarëdo lloj gjëje tjetër. Në kuptimin e Krishterë ne nuk mund të shpëtonim dot nga vetja jonë, ishte e pamundur dhe kjo është dhe arsyeja përse Zoti u bë si njeri nga ne, për të na mundësuar shpëtimin të gjithëve ne. Është prania e Perëndisë ajo që na jep fuqinë për të përballuar gjithçka tjetër dhe Shpirti i Shenjtë i qartësoi akoma më shumë Apostujt. Prania e Shpirtit të Shenjtë e kthjellon mendjen, e bën mendjen më të pastër dhe syri i njeriut e çon akoma dhe më shumë, gjëra që më para dukeshin si hije, tani shihen në dritë shumë të plotë. Prandaj dhe ata patën kurajon për të bërë atë gjë që ishte e pabesueshme që mund të bëhej. Madje po të lexosh Veprën e Apostujve dhe të shohësh historinë e Krishërimit, nuk ka ndoshta nevojë tjetër për të bindur dikë që egziston Perëndia, mjafton vepra që bën ata, një grusht burrash nga një krahine në skaj të Perandorisë Romake, njerëz të cilët nuk kishin pushtete, njerëz të cilët nuk ishin filozof, të shkolluar dhe arritën dhe përulën gjithë krenarinë e Perandorisë Romake, mbas tre shekujsh gjithë Perandoria u bë e Krishterë, ishte fuqia e Shpirtit të Shenjtë. Merita e Apostujve qëndron pikërisht në këtë gjë, se ata e hapën zemrën për ta pranuar hirin e Shpirtit të Shenjtë. Zoti e jep hirin e Shpirtit të Shenjtë tek të gjithë njerëzit, por jemi vet ne njerëzit që e mbyllim derën dhe duke mbyllur derën ne kemi ato pasoja të cilat mundohemi t’i justifikojmë me gjëra të ndryshme, mundohemi të justifikojmë frikën tonë, mundohemi të justifikojmë dembelizmin tonë, mundohemi të justifikojmë egoizmin tonë sepse për sa kohë nuk është i pranishëm hiri i Shpirtit të Shenjtë, shumë vështirë për ne për të kultivuar ato virtyte shumë të mëdha. Në Ungjillin e Shën Joanit, Zoti na thotë disa fjalë shumë të rëndësishme, duken si fjalë të thjeshta siç janë në përgjithësi fjalët e Ungjillit, por nuk janë aq të thjeshta sa duken, thotë këto fjalë: “Pa mua nuk bëni dot asgjë”, nuk thotë që do bëni disa gjëra të vogla, por nuk bëni dot asgjë dhe prandaj dhe Apostujt, Shenjtorët më vonë edhe vazhdimisht të krishterët e të gjithë shekujve dhe kur kanë bërë vepra të mëdha nuk janë mburrur sepse e kanë kuptuar që ka qenë prania e Shpirtit të Shenjtë që i ka mundësuar për këtë gjë, por nëse mund të flasim për meritë, merita është që ata e kanë pranuar atë gjë, e hapën zemrën që Shpirti i Shenjtë të ishte i pranishëm. Edhe ne sot nëse e lejojmë Zotin që të vijë në jetën tonë, edhe do e kemi Zotin pjesë të jetës tonë të përditshme, shumë gjëra njerëzit mund të bëjnë sepse edhe sot njerëzit kanë bërë gjëra shumë të mëdha, në çdo shekull ka njerëz që bëjnë gjëra të mëdha.
Mundja e frikës është kur ne mundim egoizmin, sa më shumë largohemi nga bota dhe sa më shumë largohemi nga pasionet të ndryshme të botës, aq më tepër kemi guxim për atë gjë dhe Apostujt patën dhe një përvojë personale me Zotin në të gjithë aspektet e jetës së tij dhe plotësimi i gjithë kësaj përvoje, ishte zbritja e Shpirtit të Shenjtë, prandaj dhe fitimi i Shpirtit të Shenjtë është qëllimi kryesor i jetës të një të Krishteri. Gjithë botën të fitosh, e nëse ne dështojmë në fitimin e Shpirtit të Shenjtë, kemi dështuar. Sikur gjithë bota të na kritikojë dhe gjithë botën ta humbasim nëse fitojmë Shpirtin e Shenjtë, kemi fituar gjithçka. Shpirti i Shenjtë është ai që na jep ne gjithçka, na jep guxim, na jep dashurinë, na jep paqen e gjithçka tjetër që njeriu realisht e kërkon brenda shpirtit të tij por e mbyll derën për të hyrë prania e Hirit të Shpirtit të Shenjtë. Guximi i apostujve pikërisht shpjegohet nga përvoja e tyre personale. Zoti për ta nuk ishte thjesht një mendim filozofik, ishte një përvojë e gjallë, ata e provuan praninë e Zotit në jetën e tyre dhe ajo prani, i transformoi ata, nga njerëz të zakonshëm me arsim jo të lartë të kohës, pjesa më e madhe dhe të pashkolluar, arritën dhe fituan dituri që pak njerëz në botë e kanë arritur, pikërisht nga prania e Zotit, dituria më e madhe pikërisht është prania e Zotit. Kur thotë Shkrimi i Shenjtë që “frika e Perëndisë është fillimi diturisë” pikërisht këtë gjë do të thotë, nëse ne do të kemi frikë nga Perëndia që do të thotë kemi mësimin e Perëndisë vazhdimisht në jetën tonë, do fillojmë të kemi një dituri të jashtëzakonshme dhe prania e Shpirtit të Shenjtë e mbush njeriun me urtësi, një urtësi shpirtërore, jo thjesht një dituri pa dashuri, sepse një dituri pa dashuri është dituria e gjarpërit dhe mençuria e gjarpërit. Ndërsa nëse do të jetë një dashuri pa urtësi do të jetë pak e verbër, ajo që jep Zoti dhe jep Shpirti i Shenjtë është pikërisht kjo gjë, dituri që është e mbushur me dashuri dhe kjo dashuri i jep atij kurajo, i jep atij guxim. Sepse ata u munduan ta përhapin këtë Lajm të Mirë në të gjithë botën për të shpëtuar gjithë të tjerët. Nuk ishin të interesuar vetëm thjesht për shpëtimin e tyre por edhe njerëzve të tjerë. Një njeri që ka dritën e Zotit, do ta përhapë atë tek të tjerët. Nëse ne nuk përpiqemi për ta përhapur, do të thotë që drita është shumë e vakët tek ne, ose se kemi futur fare. Dhe kjo dritë i jep njeriut atë guxim të jashtëzakonshëm, nga dashuria njerëzit kanë bërë vepra të jashtëzakonshme. Asgjë nuk mund ta ndali një njeri që ka dashuri të madhe.
Gazetari: Hirësi, në fakt Apostujt e dinin se pasojat e kësaj vepre, pra të përhapjes të Ungjillit në botë do të ishte fatale për ta, pavarësisht se ishin në dijeni të këtij fakti, ata nuk hezituan të përmbushnin misionin që Zoti i Ngallur u kishte besuar. Përse të Krishterët e sotëm nuk janë të gatshëm të predikojnë dhe të shpallin Ungjillin në këtë botë, e cila në fakt lëngon nga frika, nga pasiguria, padrejtësia dhe urrejtja. Përse ky mesazh pra kaq jetik për mbarë njerëzimin nuk gjen më enë të hyjfrymëzuara që të përhapin dhe ngushëllojnë shpirtrat e trazuara njerëzor?
Hirësi Joani: Padyshim që edhe sot ka njerëz që përpiqen për ta përhapur këtë gjë. Duhet të ishte akoma dhe më e fuqishme, por të qënurit i Krishterë, nuk është vetëm thjesht emri, apo vetëm thjesht prania e disa ritualeve. Të qënurit i Krishterë është kur realisht kemi të pranishëm Zotin në jetën tonë të përditshme. Apostujt paten, siç thashë dhe më parë, një dashuri shumë të madhe dhe duke ndjerë dhe patur përvojën personale me Zotin e Gjallë, nuk mund t’i trembte asgjë tjetër tokësore. Ne sot ndoshta i masim gjërat në një metër tjetër, për shembull për shumë gjëra, suksesi është një gjë shumë e madhe, kush vendos më shumë pasuri, kush bëhet më shumë i famshëm, quhen si fitime. Në sytë e Zotit ndoshta nuk është kjo gjë dhe kemi disa fjalë në Ungjill, kur Zoti thotë disa fjalë që duken si paradoks, thotë kështu: “Kushdo që do të fitojë jetën e tij do e humbasë dhe kushdo që do e humbasë për mua dhe për Ungjillin e tij do e fitojë”. Kur Apostujt të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, nuk po bënin thjesht tregti, që po bëj këtë që të fitoj atë gjë. Ata kishin një dashuri jashtëzakonisht të madhe në shpirt, një dashuri hyjnore, një dashuri të cilën Shpirti i Shenjtë e kishte fuqizuar akoma dhe më shumë. Ajo doktrinë që i mësoi Krishti gjatë shërbesës së Tij në tokë, pikërisht ishte përqendruar tek dashuria, Zoti erdhi për t’i shpëtuar njerëzit, ‘aq shumë e donte Perëndia botën’ thotë në Ungjill, ‘saqë Perëndia dha dhe Birin e Tij’.
Sakrifica që bënë ata ishte nga dashuria, ajo sakrificë nuk ishte humbje, duke humbur tek Zoti, ti nuk humbet, ti akoma më tepër fiton. Ato ishin mëse të bindur për këtë gjë, jo vetëm Apostujt por edhe të Krishterët më vonë, Martirët të gjithë e përballën persekutimin me guxim shumë të madh, se për ta vdekja nuk ishte një asgjësim, por ishte një takim me Zotin. Asgjë nuk mund ta trembë një njeri që ka Zotin të pranishëm në shpirtin e tij, prandaj dhe guximi i tyre ishte aq i madh. Sot dashuria është pakësuar dhe kur i kanë bërë një Shenjti një pyetje pak a shumë të tillë, i thanë: përse në shekujt e parë Krishtërimi u përhap aq shumë dhe tani tek ne nuk përhapet aq shumë, nuk është më ai zell aq i madh? Dhe Shenjti u përgjigj me këto fjalë dhe tha: është shumë e thjeshtë, në shekujt e parë Krishtërimi predikohej nga të Krishterët. Që do të thotë nëse ne do të ishim të Krishterë të vërtetë, padyshim që ne do të transmetonim shumë gjëra të tjera. Në një nga predikimet e tij Shën Joan Gojarti u thoshte njerëzve që ishin në Kishë, mund të ishte një grup shumë i vogël : Nëse ju të gjithë do të ishit të Krishterë, nuk do të mbetej asnjë pagan në botë, gjë që do të thotë që nëse ne nuk e reflektojmë edhe jashtë besimin tonë, padyshim që ne nuk mund ta përhapim dritën, por ne nuk mund të përhapim dot dritën nëse nuk kemi dritën brenda nesh. Dhe fillimisht ne duhet të ndezim kandilin e shpirtit tonë dhe pastaj ta përhapim këtë dritë tek të tjerët. Ata e dinin që Zoti u kishte thënë atyre, që gjithsekush do vijë pas meje, do të marrë kryqin e tij, premtimi nuk ishte se në botë nuk do të kemi vështirësi, Zoti në Ungjill na thotë “Në botë do të keni shtrëngim, por kini zemër se unë e munda botën”. Ai shtrëngim nuk do të na shkatërrojë ne, por do të na hapë një derë tjetër të shpëtimit. Martirët e kanë pritur me gëzim madje martirizimin e tyre, sepse ata nuk shikonin shkatërrimin tek ajo gjë, në sytë e botës mund të dukej si shkatërrim, ky njeri humbi. Madje në sytë e botës Krishti duket si një hero-tragjik, ky i ri që u ekzekutua në një moshë fare të re 33-vjeç. Por ne e dimë që historia e Krishterë nuk mbaron tek Kryqi, mbaron tek Ngjallja, që do të thotë gjithsecili nga ne nëse do të kalojë nëpërmjet kryqit, nuk mbaron tek kryqi por mbaron tek takimi me Zotin, madje ata kishin dhe mall për t’u takuar me Zotin dhe luteshin shpesh herë që të vinte sa më shpejt ajo gjë. Një dashuri shumë e madhe, një prani e Zotit në jetën tonë të përditshme, një dëshirë e zjarrtë për t’u bashkuar me Zotin nuk mund të trembi nga asgjë siç thotë Shën Pavli tek letra e tij: “Asgjë nuk mund të më ndajë nga Perëndia”. Gjithçka që mund t’i bënin atij nuk mund ta ndante nga Perëndia. Prania e Zotit ishte jashtëzakonisht e fuqishme, prandaj dhe Apostujt të fuqizuar nga Shpirti Shenjtë, jo vetëm që u përballën me martirizime dhe tortura shumë të mëdha, por ata i kapërcyen këto, i kapërcyen sepse Shpirti Shenjtë i kishte fuqizuar dhe çdo i Krishterë kur pagëzohet hiri I Shpirtit të Shenjtë është tek ai, dhe nëse do e kultivojë këtë hir dhe do e hapi zemrën e tij, padyshim që do eci në këtë rrugë.
Shpeshherë jo të gjithë jemi thirrur për vepra shumë të mëdha, por të gjithë jemi thirrur për të reflektuar mësimin tonë, mësimin e Ungjillit dhe ata, pikërisht atë jetë, atë mësim që u kishte mësuar Zoti, ata e vunë në praktikë dhe bënë që gjithë bota të besonte në atë mësim, sepse çdo fjalë e tyre shoqërohej dhe nga vepra e tyre. Nuk mund të dëshmosh ti për diçka që nuk je aq i bindur, nëse ata nuk ishin aq të bindur për Ngjalljen dhe nuk kishin përjetuar Ngjalljen e Zotit, nuk do kishin atë guxim aq të madh për t’u përballur me gjithë ato tortura, por pikërisht sepse dhe e kishin besimin shumë të fortë. Sa më i madh të jetë besimi, aq më e fortë është dhe dëshmia.
Gazetari: Hirësi, në fakt ne të Krishterët e sotëm duam një Krishtërim pa kryq, siç e thoni dhe ju shpesh në predikimin tuaj, madje kanë frikë të mbrojnë të vërtetën, të mbrojnë besën dhe shpeshherë nuk pohojnë se janë të Krishterë para miqve dhe shokëve, pra para shoqërisë. A ka vend frika në Krishtërim? Apo, në fakt, është dhe kjo një taktikë e ne njerëzve të sotëm që të mos cënojmë reputacionin, të mos na nënvlerësojnë të tjerët për shkak të kësaj?
Hirësi Joani: Frika ekziston në botë dhe çdo njeri e ka përjetuar në forma të ndryshme frikën, prania e Zotit dhe jeta e thellë shpirtërore është pikërisht për ta larguar këtë frikë. Për herë të pare, frika përmendet në Shkrimin e Shenjtë, pasi Adami prishi lidhjen me Zotin dhe u tremb kur erdhi Zoti. Aty përmendet dhe për herë të parë që pati frikë. Frika vjen kur Zoti nuk është i pranishëm në jetën tonë, dhe sa më i dobët është besimi aq më shumë shtohet frika, ankthi, stresi dhe gjithçka tjetër. Të jesh i Krishterë duhet të jesh shumë i devotshëm dhe duhet marrë besimi shumë seriozisht. Nuk mund të kemi të Krishterë, që mund t’i vijë turp nga Krishti, madje në Ungjill, Zoti përdor disa fjalë shumë të ashpra “Kujtdo që do t’i vijë turp nga mua në këtë brez të shtrembër dhe imoral, dhe mua do më vijë turp për të”, gjë që do të thotë se nëse ne, na vjen turp për Zotin si realisht ne besojmë tek Zoti? Duke komentuar këtë gjë, një Peshkop i Shenjtë thotë këto fjalë “Të vijë turp nga Zoti para njerëzve, është njësoj sikur të vijë turp për babanë, para një derri”. Nëse ne na vjen zor, do të thotë se ne po bëjmë një shtrëmbërim shumë të madh të besimit tonë, padyshim që kjo është e dukshme, ka shumë njerëz që i vjen zor të bëjnë Kryqin kur hanë bukë nëse janë me njerëz të tjerë, u vjen zor se dikush mund të tallet, ose dikush mund ta shohi në forma të ndryshme dhe kjo nuk është ndonjë sakrificë e madhe.
Shembulli që përmendëm pak më parë me Apostujt që kanë dhënë dhe jetën e tyre me tortura të tmershme, pikërisht për të përhapur këtë doktrinë, dhe nuk u vinte turp nga ajo gjë, tregon që besimi jonë është shumë i dobët dhe një besim i dobët bën që ta tradhëtosh që në momentin e parë. Shën Pavli i shkruan Timotheut “Perëndia nuk ka dhënë frymë frike, por frymë fuqie”. Zoti ka dhënë frymë kurajoje, nëse ne do e duam Zotin, padyshim që si mund të na vijë turp për Zotin? Ai do të ishte absurditeti më i madh, që një besimtari t’i vijë turp nga Ai që adhuron, Zoti është qendra e jetës tonë. Duke mohuar Zotin, ne thellë-thellë mohojmë identitetin tonë dhe për çfarë? Por kjo është nga mungesa e besimit, sa më i dobët të jetë besimi, sa më tepër dobësohet besimi, aq më shumë shtohen pasionet. Padyshim që njerëzit janë shumë të ndjeshëm, karshi se çfarë mund të thonë të tjerët. Njerëzit e sotëm janë më tepër egoistë, jeta e tyre shpeshherë është e mbushur me krenarira boshe dhe opinioni se çfarë thotë tjetri bëhet jashtëzakonisht i rëndësishëm që në fakt nuk ka aq shumë rëndësi. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit kemi dëgjuar njerëz që thonë gjëra të ndryshme, por ato janë fjalë që i merr era, ato nuk janë të mbështetura. E vetmja fjalë që nuk e merr era në shekuj të shekujve është Fjala e Zotit. ‘Qielli edhe dheu do të shkojnë’, na thotë Zoti ne, ‘por fjalët e mia do të mbeten përjetë’ dhe s’mund të na vijë turp nga Zoti nëse realisht e duam Zotin. Sepse në qoftë se na vjen turp nga Zoti, do të thotë që nuk e duam, që nuk e besojmë, madje as nuk i vlerësojmë ato gjëra. Pra, do një guxim, do një kurajo dhe kjo kurajo vjen pikërisht prej një praktike të thellë shpirtërore të jetës së Krishterë. Do të doja ta përsëris përsëri këtë gjë, sa më i dobët besimi aq më shumë shtohet frika, dhe sa më i madh të jetë besimi aq më tepër largohet frika. Se, çfarë do të thotë një besim i thellë? Një besim i thellë do të thotë një prani e thellë e Zotit tek ne, atje ku është Zoti nuk ka frikë, sepse ‘nëse Zoti është me ne’, siç thotë dhe psalmi, ‘kush mund të qëndrojë kundra’. Dhe nëse Apostujt, Martirët, Dishepujt, Shënjtorët kanë pranuar madje dhe Kryqe shumë të rënda dhe i kanë pranuar me gëzim, është pikërisht nga kjo gjë, madje e shikonin si privilegj që Zoti i bëri të denjë për t’u martirizuar për Atë. Sot ndoshta gjithsecili nga ne, duhet të mendojë pak rreth kësaj gjëje, të reflektojë për besimin tonë. A kemi realisht besim? Nëse ne na vjen turp për Zotin para gjërave fare pa vlerë, që nuk kanë rëndësi, kjo tregon se besimi është shumë i dobët. Të qënurit i Krishterë vetëm me emër, nuk je i Krishterë dhe kjo është ajo kur njeriu është i vakët, që nuk është as i ftohtë as i nxehtë. Na thotë Zoti në Zbulesë “Do ju vjell nga goja ime se nuk jeni as të ftohtë as të nxehtë, por jeni të vakët”. Një besim i vakët padyshim është një besim pa kurajo dhe mos pasur kurajo, ti dorëzohesh dhe para ca gjërave fare të vogla, edhe nëse ti trembesh nga gjëra të vogla, si nesër mund të bësh disa gjëra të mëdha? Si nesër nëse njerëzit do të ndodheshin në një situatë historike ku ka persekutim, si do e përballojnë persekutimin kur ata tremben nga gjëra fare që nuk janë dhe serioze, kjo tregon mungesën e besimit dhe është detyra e gjithsecilit nga ne që ta përjetojmë atë që mendojmë ne që besojmë, e duke e përjetuar atë dhe duke e sjellë praninë e Zotit në jetën tonë të përditshme do e largojmë frikën. Krishterimi nuk ka vend për frikën, një Proverb i vjetër thotë kështu: “Nuk ka asnjë shenjt të trishtuar”! Ne mund të themi diçka të përafërt me këtë: “Nuk mund të jetë dot një i Krishterë i frikësuar”, ndoshta ka momente në jetën e tij, por përsëri do e gjejë kurajon për tu përballur me atë gjë, sepse Zoti nuk do e lërë vetëm. Një njeri që mundohet ta praktikojë besimin e tij në jetën e përditshme, Zoti do i qëndrojë pranë. Historia e gjatë e Kishës, e jetës të Martirëve është një shembull i jashtëzakonshëm i kësaj gjëje, madje duke lexuar ato, mund të na vijë turp ne për frikërat e kota që mund të kemi.
Gazetari: Hirësi, një pyetje të fundit, cilat janë sfidat me të cilat përballet sot Kisha e Shenjtë Katholike dhe Apostolike?
Hirësi Joani: Unë besoj që sfidat janë të njëjtat për çdo shekull, ndryshojnë format e ndryshme të sfidave por janë të njëjtat gjëra. Bota edhe sot ka nevojë për këtë Lajm, për Lajmin e Mirë, që Zoti e mundi vdekjen. Në një kohë që jetojmë ne sot, në një kohë ku vlerat pothuajse kanë humbur, dashuria është pakësuar, njerëzit mendojnë vetëm për vete dhe duke menduar vetëm për vete, kanë mbetur të gjithë të vetmuar, njerëzit kanë nevojë për këtë mesazh dhe për këtë gjë. Nëse ne realisht do i duam njerëzit, padyshim që do përpiqemi ta përhapim këtë mesazh kudo, sepse besimi nuk mund të jetë vetëm për vete, nëse ne do e kemi besimin, do e ndajmë tek të tjerët, nëse do e kemi dritën, do mundohemi ta përhapim dritën edhe tek të tjerët. Dua ta përsëris këtë gjë, nëse ne nuk e përhapim tek të tjerët, do të thotë që ne nuk e kemi dritën. Shën Joan Gojarti thotë këto fjalë: “Unë nuk besoj në shpëtimin e një të Krishteri i cili nuk është i shqetësuar për shpëtimin e të tjerëve”, gjë që do të thotë se kjo nuk është diçka vetëm për ne, Zoti na e ka dhënë neve për ta përhapur edhe tek të tjerët. Besimi i vërtetë është një besim që duhet të përhapet kudo dhe bota e sotme ka shumë plagë, një mangësi shpirtërore shumë e madhe, konfuzion shumë i madh, çoroditje, opinione të ndryshme, çfarë thotë njëri se thotë tjetri! Pseudoprofetë të ndryshëm që dalin vazhdimisht, njerëz që premtojnë që do sjellin shpëtimin, sjellin akoma më tepër ngatërresë dhe sot më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë për Dritën e Krishtit. Nëse do hiqet kjo Dritë nga jeta e njerëzve, jeta e njerëzve do të kthehet në ferr.
Një Shenjtor shumë i madh duke komentuar fjalët e Zotit, thotë që për sa kohë është drita dhe ecim në dritë, hiqe këtë Dritë nga jeta e njeriut dhe ajo jetë do të kthehet në ferr, hiqe këtë Dritë nga jeta e një populli, dhe ai popull do të kthehet një luginë ujqërish, të gjithë kundër të gjithëve. Nëse ne nuk do përhapim këtë Dritë, sepse ky është misioni Kishës, sepse misioni i Kishës është të vazhdojë veprën shpëtimtare të Zotit. Zoti themeloi Kishën pikërisht për këtë gjë, që nëpërmjet Kishës të vazhdojë vepra shpëtimtare e Zotit. Nëse Kisha nuk përhap këtë gjë, kush është funksioni i Kishës? Një Kishë që nuk përgatit Shenjtorë, ka dështuar në misionin e saj. Kisha duhet të jetë një vend që vazhdimisht përgatit shenjtorë dhe kur themi shenjtorë, do të thotë njerëz që mundohen të jetojnë sipas mësimeve të Zotit dhe të kenë vazhdimisht të pranishëm hirin e Shpirtit të Shenjtë, që është dashuria, paqja, gëzimi dhe gjithçka tjetër. Bota e sotme ka humbur konceptin dhe qëllimin e jetës, ndaj njerëzit jetojnë pa ndonjë qëllim dhe duke humbur këto gjëra, jeta bëhet jashtëzakonisht e vështirë, ankthi, stresi shtohen akoma më shumë, paqe nuk ka, s’ka paqe as brenda familjeve, as dhembshuri brenda familjeve, shtohen grindjet, sherret midis vëllezërve, me motrën me prindërit, me gjithçka tjetër. Nëse do të largojmë Zotin nga jeta jonë e përditshme padyshim këto janë pasojat e kësaj jete kur Zoti nuk është i pranishëm dhe detyra e Kishës është pikërisht që këtë jetë ta përhapi akoma më shumë. Kisha nuk është një klub i mbyllur dhe Kisha nuk jeton vetëm për vete, Kisha jeton edhe për të tjerët, për ta përçuar këtë Dritë vazhdimisht. Një Kishë që nuk ka misione ungjillëzuese është një Kishë e vdekur dhe misioni i Kishës, është pikërisht vazhdimi i jetës shpëtimtare. Padyshim që në çdo shekull, në çdo kohë mund të ndryshojnë disa forma, mund të ndryshojë gjuha, mund të ndryshojnë metoda të ndryshme, por qëllimi mbetet po i njejtë, si në shekullin e parë të Apostujve, ashtu edhe në shekujt që po jetojmë sot dhe deri në shekullin e fundit që do jetë Bota, përhapja e Dritës së Krishtit kudo në Botë!
Gazetari: Ju falenderojmë shumë Hirësi!
INTERVISTË E RADIO NGJALLJA ME MITROPOLITIN E KORÇËS HIRËSI JOANI ME TEMË: “VEPRA E APOSTUJVE TË SHENJTË TË KRISHTIT”
NGA: NIKOLLA BARKAJ