INTERVISTË E RADIO NGJALLJA ME MITROPOLITIN E KORÇËS HIRËSI JOANI
KUPTIMI DHE RËNDËSIA E KRESHMËS
Gazetari Nikolla Barkaj: Hirësi Joani, jemi në Kreshmën e madhe, kreshmën e bekuar ku presim Ngjalljen e Zotit tonë Jisu Krisht. Do të donim disa mesazhe shpirtërore për dëgjuesit e Radios “Ngjallja” se çfarë është Kreshma? Rëndësia e kësaj kreshme?
Hirësi Joani: Periudha e Kreshmës është një nga periudhat më intensive në jetën shpirtërore të Kishës. Kisha e shikon jetën si një udhëtim, që do të thotë çdo udhëtim ka një destinacion përfundimtar, sepse po mos të ketë një destinacion përfundimtar nuk është më një udhëtim, është një endje pa kuptim. Dhe destinacioni përfundimtar është kungimi i gjallë me Zotin e Ngjallur ditën e Pashkës. Që do të thotë, një kthim i njeriut në gjendjen e tij të parë, një rikthim i njeriut në mardhënien e tij të thellë me Perëndinë, ajo që ndodhi me rënien e njeriut, që u pre lidhja e thellë ndërmjet njeriut dhe Perëndisë, nëpërmjet veprës shpëtimtare të Zotit, e fuqizon njeriun për t’u ribashkuar përsëri me Perëndinë. Prandaj dhe Ngjallja ka mesazhin shumë të madh të pajtimit, dhe për të shlyer mëkatin, hapet mundësia e pajtimit të çdo njeriu me Perëndinë dhe kjo kërkon një përgatitje, dhe Kreshma në vetvete është një përgatitje për këtë takim dhe si çdo përgatitje kërkon një meditim dhe meditimi fuqizohet shumë kur njeriu abstenon dhe nga disa gjëra, shmangia e disa ushqimeve nuk është një qëllim në vetvete por është një mjet që e ndihmon njeriun për t’u përqëndruar akoma më thellë, siç thotë Shën Jeronimi që “Zoti nuk i pëlqen në gurgullimin e zorrëve të njeriut kur kreshmon, por pa këtë Kreshmim është shumë e vështirë për ta realizuar këtë qëllim”. Kreshma në vetvete është një mjet për ta realizuar këtë gjë, dhe Kreshma nuk është thjesht në shmangien e disa ushqimeve, madje Kreshma e vërtetë sipas Etërve të Kishës është shmangia nga e keqja, nga mëkati, nga zilia, nga cmira, nga thashethemet, nga një jetë e padrejtë, nga vjedhjet, nga korrupsioni, nga gjithçka tjetër që e shkatërron njeriun. Siç thotë dhe Shën Joan Gojarti që “nuk duhet të kreshmojë vetëm stomaku, por duhet të kreshmojnë sytë që mos të rendin pas shfaqjeve të pahijshme. Duhet të kreshmojnë këmbët, duhet të kreshmojnë duart për t’u shmanguar nga grabitja dhe nga vjedhjet, duhet të kreshmojnë veshët që mos të pëlqejnë dhe dëgjojnë fjalë të këqija dhe për të tjerët”.
Dhe ajo që përbën Kreshmën është një përpjekje e të gjithë njeriut trup edhe shpirt, në kuptimin më të thellë të krishterë. Njeriu është një identitet psiko -somatik, do të thotë ka një trup dhe ka një shpirt dhe përpjekja tij e plotë është nga të dyja anët, sepse ti nuk mund të kreshmosh vetëm nga trupi dhe nuk kreshmon në jetë shpirtërore, nëse sytë mëkatojnë është i gjithë personi që ka mëkatuar. Prandaj dhe Kreshma kërkon një përfshirje të të gjithë njeriut, që do të thotë gjatë kësaj periudhe, dhe jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por kjo është një periudhë shumë intesive, sepse nuk do të thotë që ne nuk shajmë, nuk meremi me thashetheme, nuk kemi zili, nuk mëkatojmë vetëm 40 ditë dhe pastaj vazhdojmë përsëri. Kjo është për ta fuqizuar akoma dhe më shumë njeriun, për t’i dhënë një motiv për ta rifilluar përsëri, sepse Kisha e përsërit këtë çdo vit dhe çdo vit të gjithëve ne, na jepet mundësia për një rizbulim të besimit tonë. Për një rizbulim të jetës shpirtërore, na jepet një mundësi për t’u organizuar në këtë që të jetë një peirudhë meditimi dhe një periudhë praktikimi i virtyteve që shpesh herë me gojë të gjithë biem dakort, por ne shpeshherë nuk e realizojmë. Një krishterë i vërtetë orthodhoks është ai që ka një doktrinë të drejtë, ka dhe një veprim të drejtë, sepse është Orthodhoksia por është dhe orthopraksia, që do të thotë që nuk mjafton që vetëm thjesht ti beson në një doktrinë, nëse ajo nuk praktikohet në jetën e përditshme, ajo nuk do të na ndryshojë ne. Shpesh herë unë i jap njerëzve një shembull me antibiotikët. Njeriu mund të besojë në fuqinë e antibiotikëve, por nëse ato antibiotikë ai nuk i injekton në trupin e tij, ato nuk do japin efekt tek ai. E njejta gjë ndodh me besimin, ne mund të besojmë që është ashtu, por nëse nuk e praktikojmë këtë besim në jetën tonë të përditshme, besimi ynë nuk do të ketë efekt, gjë që do të thotë, ne nuk do të ndryshojmë. Kreshma është një periudhë për ne, për të ndryshuar, për t’u penduar dhe për t’u bashkuar akoma më thellë me Zotin dhe Shpëtimtarin tonë Jisu Krisht.
Gazetari Nikolla Barkaj: Hirësi, përsa i takon mesazhit që sapo ju dhatë, përpara syve të Zotit, a na quhet kreshma ushqimore në qoftë se nuk e shoqërojmë me atë shpirtërore, pra nëse ne nuk flasim me vëllanë apo motrën tonë, me kushurinjtë tanë, me miqtë tanë, kemi zili, kemi mllef ndaj tyre, na konsiderohet Kreshma vetëm ushqimore?
Hirësi Joan Pelushi: Jo vetëm që nuk ka efekt dhe nuk konsiderohet, megjithëse unë s’do përdorja fjalën konsiderohet, sepse nuk është thjesht një raport tregtar ndërmjet Zotit dhe njeriut, është një raport i thellë shpirtëror. Por një Kreshmë e tillë sipas Etërve të Kishës kthehet në një kreshmë demoniake, as demonët nuk hanë asnjëherë, por kjo nuk u quhet kreshmim atyre. Nëse kjo nuk shoqërohet pikërisht me ndryshimin e thellë shpirtëror, do të thotë që nuk është kuptuar qëllimi i kreshmës. Më përpara thashë që Kreshma, nuk është vetëm thjesht shmangia nga ushqimi, të gjitha këto janë mjete por jo qëllim. Qëllimi i vërtetë është pastrimi i thellë shpirtëror që vjen nëpërmjet praktikimit shumë të gjatë të një jete shpirtërore, që do të thotë gjatë kreshmës ne jo vetëm shmangemi nga ushqimi, por shmangemi nga e keqja dhe e shoqërojmë atë duke ndihmuar njerëzit në nevojë, duke bërë një jetë akoma më të thellë shpirtërore, duke u lidhur akoma më ngushtë me Zotin, dhe këto jo thjesht si vepra të mira për të blerë diçka, por është si për një ndryshim të thellë shpirtëror. Zoti kërkon nga ne që të ndryshojmë dhe njeriu të ketë përsëri atë bukurinë e tij të parë. E gjithë vepra shpëtimtare e Zotit që mori një trup si tonin, është pikërisht për këtë gjë, për të hapur derën që gjithsekush nga ne, mund të ndryshojë përsëri për të arritur resaturimin e ikonës brënda tij dhe për të filluar punën për t’u bërë i ngjashëm me Perëndinë, sepse ne e dimë nga Gjeneza libri i parë, njeriu thotë, u krijua sipas ikonës së Perëndisë, dhe e ka çdo njeri, ndoshta ikona është nxirë nga mëkati dhe ka nevojë për restaurimin, dhe kjo është jeta shpirtërore, pastrimi shpirtëror dhe njeriu u krijua dhe me potencialin për t’u bërë i ngjashëm me Perëndinë. Restaurimi i Ikonës shkon paralelisht duke u bërë i ngjashëm me Perëndinë. Çfarë do të thotë të bëhesh i ngjashëm me Perëndinë? Do të thotë të kultivosh virtytet shumë të mëdha që ka Zoti dhe një nga virtytet, cilësitë e Perëndisë, është Emri i Tij është Dashuri. Nëse ne nuk do të kemi dashuri në shpirt dhe shpirti jonë është mbushur me urrejtje, me cmirë, me zili! Ne nuk bëhemi të ngjashëm me Zotin, ne fillojmë të bëhemi të ngjashëm me të Ligun, sepse ai është burimi i cmirës, i zilisë dhe gjithçkaje tjetër që deformon njeriun.
Gazetari Nikolla Barkaj: Shpirtrat e njerëzve janë të mbushur nga zilia dhe nga lakmia, një botë mburravece mbase egoiste siç e klasifikojnë shpeshherë jo vetëm Teologët, por edhe Sociologët dhe Psikologët. Prej lakmisë në fakt, krijesa humbi parajsën dhe prej lakmksë ishte dhe Juda ai që tradhëtoi Jisu Krishtin. Do të donim të dinim Hirësi, se si e shikon Kisha jonë Orthodhokse lakminë dhe zilinë?! Nga është burimi këtyre?
Hirësi Joani: Zilia dhe cmira janë dy mëkate shumë të rënda. Etërit e Kishës megjithë Mjeshtërit Shpirtërorë të Kishës së Krishterë, gjithmonë kanë folur për rrezikun e madh të këtyre gjërave. Sepse këto burojnë nga një zemër krenare, nga një zemër ku nuk ka vënd dashuria dhe dhembshuria, nga një zemër ku Zoti nuk është më i pranishëm. Dhe krenaria gjithmonë ngjall zili dhe cmirë, sepse një njeri krenar do të jetë ai në qendër të vëmendjes për gjithçka dhe gjithë personat që janë rrotull tij, ai nuk i shikon si njerëz, por i shikon si objekte për të kënaqur egoizmin dhe krenarinë e tij. Dhe njeriu krenar gjithmonë nëse do shikojë që dikush të flitet mirë për të, ai do fillojë të ketë një zili dhe një cmirë dhe kjo e shkatërron atë person, sepse cmira dhe zilia siç thonë dhe Etërit e Kishës, është si një lloj ndryshku që e shpërbën atë, e gërryen atë vazhdimimisht dhe ai njeri padyshim që nuk do jetë në gjëndje shpirtërore të qetë dhe nuk do ketë paqe, por jo vetëm që nuk ka paqe për veten por ai krijon konflikt dhe tek të tjerët, sepse një gjuhë ziliqare gjithmonë shkatërron dhe të tjerët, një gjuhë ziliqare mund të nxisi dhe keq për tjetrin, që mund të jenë thashethemet, mund të jenë shpifje dhe shumë gjëra të tjera. Shpifësi i parë, krenari i parë dhe ziliqari i parë ishte pikërisht Djalli, i cili shpifi kundër Zotit tek njerëzit e parë, duke thënë këto fjalë – “që ju nuk do të vdisni po të hani nga ajo pema e ndaluar, por Zoti nuk do që të bëheni si Ai, të bëheni perëndi” duke i futur në mendjen e njeriut që Zoti ishte ziliqar, Zoti nuk donte që këta të bëheshin si ai. Dhe njeriu i parë i besoi kësaj gjëje, se shpesh herë nuk është vetëm faji i gojës, por është dhe faji i veshit, për sa kohë ne i dëgjojmë me endje thashethemet, ose gëzohemi kur dëgjojmë disa shpifje, ne bëhemi bashkëpuntorë me shpifësin dhe ishte pikërisht nga zilia që dhe Djalli u ngrit kundër Zotit, sepse donte dhe ai të bëhej si Zoti. Ishte nga cmira, thonë troparet e Kishës, që Juda e tradhtoi Zotin. Në një letër të Shën Klementit, në vitet 90-të, që pak a shumë bashkohës me Apostujt, ai thotë këto fjalë: “Nga zilia dhe cmira u persekutuan, u torturuan dhe u vranë shtyllat e Kishës” e ka fjalën për Apostujt. “Nga zilia dhe cmira Pjetri u vu në kryq dhe u kryqëzua”. Sepse zilia dhe cmira e tranfsormojnë njeriun nga një qenie e bekuar, nga një qenie e pastër mund ta kthejë në demon. Është demoniake zilia dhe cmira. Padyshim është rrënjosur edhe tek ne sepse për sa kohë ne do të kemi krenari dhe egoizëm që zotërojnë jetën tonë, padyshim që jeta jonë do mbushet me zili dhe cmirë, nuk do të kemi as paqe shpirtërore dhe nuk do të kemi as gëzim. Një zemër që mundohet të largojë cmirën dhe zilinë, ai largon gjithçka të keqe nga vetja e tij, largon shpifjet, largon thashethemet, largon mëkatin dhe ajo zemër dalëngadalë fillon mbushet me dashuri dhe dhembshuri, kjo do të thotë të jesh i ngjashëm me Zotin. Unë tregoj shpeshherë një histori dhe e përsëris shumë shpesh atë, e përsëris sepse është shumë e rëndësishme, është një histori e Shën Paisit të madh, kur një nga nxënësit e tij mohoi Krishtin dhe filloi të predikonte kundër krishtërimit, Shën Paisi nuk filloi hakmarrjen kundër tij, por filloi të lutej me lutje të zjarrtë për shpëtimin e tij. Dhe mbas një viti historia thotë që Zoti i’u shfaq dhe i tha: “Pais ti po lutesh për një nga armiqtë e mi! Dhe i tha: Po o Zot! Të lumtë Pais, po bëhesh i ngjashëm me Mua”, që do të thotë siç thuhet në Ungjill “Zoti e hedh shiun për të drejtët dhe për mëkatarët”. I do të gjithë, Zoti i do të gjithë sepse Ai është i mirë, jo sepse ne jemi të mirë. Është një moment tjetër shumë i rëndësishëm, si reagojmë ne kur shpifet ose filitet keq për ne, me të drejtë apo pa të drejtë. Zakonisht njerëzit reagojnë në dy forma, o do të lindi hakmarrja, shpifjes me shpifje, të sharës me të sharë, të keqes me të keqe, ose ndoshta mund ta kapi ndonjë depresion. Të dyja këto vijnë nga krenaria, një njeri krenar nuk e duron dot që dikush të flasi keq kundër tij dhe kjo gjë shkatërron këtë person. Ne duhet t’i përgjigjemi të keqes me të mirë, nuk është e lehtë padyshim që dikush shahet, përgojohet, nuk i vjen mirë, por ne përsëri duhet ta kapërcejmë këtë gjë, dhe vetë Zoti na ka dhënë një shembull, kur u vendos në kryq, pasi u fshikullua, u poshtërua sepse edhe kryqëzimi ishte një shenjë poshtërimi. Në kryq Zoti tha këto fjalë: “Fali o Atë se nuk dinë se çfarë bëjnë”. Shën Stefanin e vranë me gurë, një vrasje më mizore nuk ka. Dhe megjithatë në ato çaste ai tha: “O Zot, të paktën mos u’a zë këtë faj” sepse ishin zemra të mbushura me dashuri dhe dhembshuri. Ky është reagimi më i mirë që mos të biem viktimë dhe mos të bëhemi si ai tjetri që na ka sharë ne. Kjo do të thotë është fitore e të Ligut, se me një gurë vret dy, vret dhe atë që shpif por vret dhe atë që shpifet. Reagimi me dashuri dhe dhembshuri, padyshim është një reagim që vjen nga një jetë e thellë e Krishterë, dhe nga një njeri që ka përparuar shpirtërisht dhe nganjëherë kjo mund të jetë dhe një provë për secilin nga ne, që për të parë realisht se në çfarë gjëndje është ai! Nëse ne revoltohemi, zëmërohemi dhe na kap urrejtja e madhe, do të thotë që jeta jonë shpirtërore nuk është shumë e thellë dhe nuk ka përparuar shumë. Prandaj dhe Kreshma është shumë e rëndësishme si një periushë përparimi në jetën shpirtërore.
Gazetari Nikolla Barkaj: Në fakt, a është zilia ndaj gjësë së tjetrit – a mund ta krahasojmë me një skllavëri dhe shkatërrim për shpirtin dhe trupin tonë?
Hirësi Joani: Padyshim, se çdo gjë që nuk vjen nga Zoti, është një robëri sepse nuk është e vërtetë, të jetosh në të vërtetë – është të jetosh në dashuri dhe dhembshuri. Dhe nëse do të jetojmë në të vërtetë, e vërteta do të na çlirojë ne. Çdo gjë tjetër na robëron ne, çdo pasion i fortë, zemërimi, cmira, inati dhe gjithçka tjetër apo urrejtja kundër të tjerëve na robëron edhe ne. Kushdo që mëkaton thotë Zoti, është skllav i mëkatit dhe asnjëri nuk fiton nga kjo gjë, çdo veprimtari që vjen nga urretja, lind urrejtje. Çdo veprimtari që vjen nga zilia nuk mund të sjellë dot përfitim. Prandaj dhe ne duhet të shmangemi me çdo lloj mënyre nga të tilla gjëra, sepse na pengojnë ne për t’u rritur shpirtërisht. Jemi ne vetë që pësojmë akoma dhe më shumë. Duke u munduar që të hakmerremi, duke folur keq kundër të tjerëve, jo vetëm që dëmtojmë ata por dëmtojmë edhe veten tonë, prandaj dhe periudha e Kreshmës, është një periudhë meditimi, por një periudhë që nuk duhet të ndalet vetëm në 40 ditë ose në 50 ditë, duhet të jetë një periudhë që është gjatë gjithë jetës tonë, por në këtë kohë, Kisha na jep një mundësi neve, e përsërin këtë gjë, sepse njeriu është një qenie e varur nga koha dhe nga hapësira, ka nevojë gjithmonë të orientohet, dhe Viti Liturgjik, është një vit orientimi dhe kjo periudhë intensive na ndihmone pikërisht për të medituar pak më thellë në besimin tonë dhe mbi veten tonë, për ta njohur pak më thellë veten tonë, sepse shpeshherë kur Zoti na thotë ne që kushdo që dëshiron të vij pas meje të mohojë veten e tij, çfarë do të thotë me këtë? Do të thotë pikërisht që të mohojë pseudo-veten, të mohojë atë vete që ishte i mbushur me cmirë, me zili, me inat, me zemërime dhe me gjithçka tjetër të keqe që e dëmton shpirtin e njeriut dhe krijon një mur me Perëndinë. Kjo na ndan ne nga ajo gjë, sa më tepër ne mbushemi me zilira ,me smira, me sherre, me grindje, me vjedhje, me jetë mëkatare, aq më shumë largohemi nga Perëndia, dhe duke u larguar nga Perëndia, do të thotë që ne largohemi nga jeta e vërtetë. Të qenurit me Perëndinë, nuk është se ne i bëjmë një favor Perëndisë, ne plotësojmë veten tonë. Njeriu sa më larg të jetë nga Perëndia aq më pak njeri ngel. Duke mos pranuar Zotin në jetën tonë të përditshme, ne fillojmë dhe humbasim njerishmërinë tonë, fillojmë dhe deformohemi. Prandaj dhe mëkati është një skllavëri sepse deformon shpirtin e njeriut, një shpirt i lirë mund të shërohet vetëm nëpërmjet pendimit, lutjes për të arritur një status ku zemra e tij të jetë e mbushur me dhembshuri dhe dashuri.
Gazetari: Në fakt Hirësi, shumë prindër sot të cilët mbajnë dhe barrën më të madhe për formimin e shpirtit dhe të mirësisë të shpirtit të fëmijëve të tyre, i shtyjnë ata që të arrijnë sa më shumë suksese profesionale duke kultivuar dhe cmirë dhe zili, mbase pa qëllim por rezultati i tillë është. I bën kjo, të krishterë të mirë?
Hirësi Joani: Padyshim, i Krishterë i mirë është gjithmonë ai që kultivon besimin e krishterë. Dhe një prind i Krishterë, duhet të kultivojë fillimisht këtë gjë, sepse çfarë është më e mira e thellë për njeriun? Që të zbulojë Perëndinë. Nëse ne njerëzit i nxisim thjesht që të krijojnë vetëm të mira materiale, të kenë një status të lartë social e gjithçka tjetër, që në vetvete them se nuk mund të jenë të këqija, por ne i deformojmë vet ato, sepse i vendosin në një pozicion që i nxisin egoizmin dhe krenarinë e tyre, që ata të jenë më të mirë se të tjerët, të kenë më shumë se të tjerët, dhe çdo njeri me një mëndje krenare dhe me cmirë dhe egoizmin, nuk do i shikojë të tjerët si njerëz por si objekte dhe fillon deformimi i tij shpirtëror. Pak familje janë që mundohen dhe këtë dua ta theksoj shumë, që fëmijët e tyre të bëhen të shenjtë. Një nga porositë e para të Perëndisë është kjo gjë. “Bëhuni të shenjtë sepse Unë jam i shenjtë”. Të jesh në kungim me Zotin duhet të jesh në një proçes shenjtërimi, dhe prindër që besojnë se janë të krishterë, shpeshherë në këtë drejtim nuk i kushtojnë shumë rëndësi. Duan që fëmijët e tyre të bëhen të suksesshëm, në kuptimin e botës të suksesshëm. E njejta pjesë e Ungjillit, ku Zoti thotë: “Kush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë jetën e vet dhe të vij pas meje”, thotë dhe një varg tjetër që duket si paradoks: “Kushdo që do e fitojë jetën e tij, do e humbasë dhe ai që do e humbasë për mua dhe Ungjillin tim do e fitojë”. Çfarë do të thotë ‘të fitosh jetën’ në kuptimin e botës, do të thotë kjo gjë, që të arrish në një status të lartë, të jesh i pasur, të kesh shumë gjëra pavarësisht nga mjetet të cilat ke përdorur për ta realizuar këtë gjë, po nëse ke bërë këtë gjë, ti nuk ke fituar sipas fjalëve të Zotit, ti ke humbur sepse ke deformuar shpeshherë shpirtin tend. Ne nuk mund ta ngremë lumturinë tonë mbi fatkeqësinë e të tjerëve, vënia e pasurisë në mënyrë të padrejtë, arritja e statuseve duke dëmtuar njerëzit e tjerë, një jetë krejtësisht egoiste padyshim që e deformon njeriun dhe ai humbet shpirtin e tij, çfarë ka fituar?! Çfarë mund të japësh në këmbim të shpirtit tënd?! Thotë Zoti! Edhe sikur të fitosh gjithë botën, nëse humbet shpirtin tënd, t’i s’ke fituar asgjë, ke humbur! Prandaj dhe një prind i Krishterë që beson që njeriu është një qenie e përjetshme dhe jeta jonë në këtë dhe, është e përkohshme, por kjo jetë e përkohshme do përcaktojë gjithë përjetësinë tone, dhe mundohet që fëmija i tij të jetë i Krishterë, dhe kur Zoti thotë që “ai që do humbasë për mua dhe për Ungjillin tim” çfarë do të thotë? Do të thotë pikërisht ktë gjë, nëse një njeri do të bëjë një jetë të devotshme, padyshim që do të përballet me shumë probleme shpeshherë, nëse do të jetë i drejtë, do jetë i sinqertë, do të jetë i dashur, do duket sikur humbet shumë gjëra, se mund të ketë mundësi të përfitojë dhe nuk përfiton sepse nuk është e drejtë. Ai nuk e ka humbur, ai ka fituar. Ka fituar shpirtin e tij, fraza ka fituar shpirtin e tij, do të thotë ka shpëtuar shpirtin e tij. Ka fituar shpirtin do të thotë që ai mund të realizojë një kungim me Perëndinë, që ai të jetë afër Perëndisë, që do të thotë në thelb të thelbit, ai njeri përmbush destinacionin për të cilin është krijuar. Por nëse njerëzit shpeshherë e shohin besimin vetëm thjesht nga jashtë, jo si qendrën e jetës së tyre, padyshim që nuk i japin rëndësinë më të madhe. Ardhja në Kishë, besimi jonë është një proçes shërimi, nuk është thjesht t’i bëjmë një favor dikujt, ne nuk shkojmë në Kishë vetëm thjesht për t’u ndjerë mirë, shkojmë për t’u shëruar. Shpeshherë njerëzit në spital, nuk shkojnë për t’u ndjerë mirë, madje askush nuk shkon për t’u ndjerë mirë, shkon për t’u shëruar. Mbas shërimit vjen ndijimi i mirë, dhe nëse ne do kuptojmë këtë gjë, do fillojmë të kuptojmë që ne kemi nevojë për këtë shërim dhe është mirë që t’i transmetohet fëmijëve që në vogëli, disa virtyte, disa gjëra sepse çdo farë e mirë apo e keqe mbin shumë shpejt në zemrën e një fëmije. Fjalët që flasin të rriturit, mënyra se si i thonë sepse nganjëherë mund t’i thuash dhe fjalët e drejta por janë veprimet e gabuara. Dhe veprimet kanë më tepër fuqi se sa fjalët. Një prind i vërtetë i Krishterë, është një prind që edukon fëmijën me shembullin e tij, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse shëmbulli do t’i mbetet atij për gjithë jetën. Nëse e do realisht fëmijën dhe nëse do që ai të fitojë atë që është më e rëndësishme, duhet të përpiqemi që t’i edukojmë fëmijët që të bëhen të Krishterë të vërtetë, me gjithë sakrificat, me gjithë kostot që mund të ketë kjo fjalë, sepse nëse do të bëhen të krishterë të vërtetë, kanë fituar gjënë më të rëndësishme, sikur gjithë bota të na lavdërojë, në momentin që ne do të paraqitemi para Perëndisë, Perëndia të na qortojë, ne e kemi humbur. Sikur gjithë bota të na shajë, në momentin që ne do të paraqitemi përpara Perëndisë dhe Perëndia do të na lavdërojë, ne kemi fituar. Rëndësi ka çfarë mendon Perëndia, jo shpeshherë çfarë mendojmë ne. Por shoqëria e sotme padyshim influencohet dhe nga kultura e përgjithshme botërore, një kulturë e shekullarizuar ku feja sapo vjen dhe duan ta largojnë nga jeta e përditshme e njeriut, dhe feja nuk mund të jetë dot një aneks, besimi nuk mund të jetë dot thjesht një pjesë, besimi është thelbi i jetës së njeriut, sepse si të Krishterë, ne besojmë që nëse Perëndia nuk do të jetë i pranishëm në jetën tonë, jeta jonë do të jetë e gjymtuar.
Gazetari Nikolla Barkaj: Hirësi, a ngjan zilia me zjarrin që na konsumon vazhdimisht pa fund deri në pluhur dhe hi?!
Hirësi Joani: Të gjitha mëkatet janë një lloj zjarri që na konsumon dhe na deformon, krenaria, zilia, cmira. Pak më parë unë pëmenda një thënie nga Etërit e Kishës që thonë, smira apo zilia është si ndryshku që e grryen dalëngadalë zemrën e njeriut. Një zemër që ka zili dhe cmirë është një zemër që ka vuajtje, gjithmonë ai nuk është i kënaqur, prandaj dhe Kreshmimi lidhet dhe me kreshmimin e këtyre gjërave. Shën Joan Gojarti duke folur mbi kreshmimin thotë këto fjalë: “Nëse një mik i yti, ose një i njohuri yt, lavdërohet – gëzohu me të, jo të kapi zilia” dhe një njeri që arrin këtë status që gëzohet me gëzimin e tjetrit, ka arritur një status shumë të madh shpirtëror. Tek Filokalia, është një varg që thuhet se: “Lum ai murg, që gëzohet me gëzimin e tjetrit”. Ne mund të themi që lum ai njeri që gëzohet me gëzimin e tjetrit, siç gëzohet një prind për gëzimin e fëmijës sepse e do. Një zemër që nuk ka dashuri dhe dhembshuri, ka gjithmonë zili dhe cmirë dhe kjo e dëmton atë jashtëzakonisht, por nuk e dëmton vetëm atë, zilia dhe cmira nuk janë neutrale, ato veprojnë. Një njeri që ka zili dhe cmirë në shpirtin e tij e shkatërron jetën e tij dhe padyshim që shkatërron dhe njerëzit që janë rrotull sepse do të luftoj kundër tyre, ai nuk do e durojë dot për dikë të flitet mirë, do fillojë ta përgojojë që t’ja prishi emrin, nuk duron dot kur dikush mund të arrijë diçka, një nderim, por do të mundohet që ta prishi atë gjë dhe ai shkatërron jetën e tij dhe shkatërron jetën e njerëzve që janë rrotull. Për fatin tonë të keq, shoqëritë e sotme po dëmtohen shumë nga këto fenomene dhe prandaj shoqëritë e sotme kanë kaq pak gëzim, sepse ti nuk mund të kesh dot miqësira, në qoftë se ke zilira dhe cmira, ti smund të kesh dot mardhënie të sinqerta me njerëzit rrotull teje, nëqoftëse ke zilira dhe cmira, ti s’mund të kesh dot mardhënie të sinqerta me njerëzit rrotull teje, qoftë dhe brenda familjes, në qoftë se do kesh cmirë, çfarë dashurie vëllazërore do të jetë, nëse vëllezërit kanë cmirë kundër njeri-tjetrit dhe zili! Sepse duke patur këto gjëra, ato do t’i kundërvihen njeri-tjetrit. Zilia, duhet të kemi gjtihmonë parasysh, është një ndjenjë që nuk të lë ty statik, ti do të veprosh, ashtu siç është dashuria, një dashuri e vërtetë nuk është thjesht një ndjenjë, është dhe një veprim, në qoftë se ti do dikë dhe sheh se ai po vuan ose ka nevojë, ti do të shkosh ta ndihmosh dhe një ziliqar kur shikon që dikush tjetër ka sukses dhe ky s’ka, nuk qëndron neutral, do fillojë ta sulmojë atë gjë dhe kështu fillon sherri, fillojnë konfliktet, grindjet e gjithçka tjetër që do të thotë, shkatërron jetën e tij dhe shkatërron jetën e njerëzve që janë rrotull tij.
Gazetari Nikolla Barkaj: Disa njerëz e përdorin lakminë dhe zilinë për të justifikuar dhe arritjet e tyre, mund t’i quajmë se kanë zili dhe lakmi pozitive?
Hirësi Joani: Në fakt do të gjemë një emër tjetër për atë që është pozitive, ajo që është pozitive është dashuria dhe dhembshuria, fjalët zili, lakmi, cmirë kanë gjithmonë një ngjyrim negativ, përshkruajnë disa vese të njeriut, disa deformime të njeriut. Nëse ne do e quajmë diçka pozitive, diçka pozitive është kur realisht ne dëshirojmë që të tjerët të kenë sukses, gëzohemi me gëzimin e tyre dhe kjo vjen nga dashuria, ashtu siç krenaria dhe egoizmi është burim i gjithë këtyre veseve, ashtu dhe dashuria dhe dhembshuria është një burim i gjithë virtyteve që ne i largohemi këtyre gjërave, dhe një njeri që ka arritur këtë status, padyshim që jo vetëm është i qetë por ndjen dhe një gëzim brënda vetes tij. Një zemër e mbushur me lakmira, zilira, me cmira, me përgojime, me inat dhe mërira, është një zemër që është gjithmonë e turbullt dhe nuk është e qetë, vetëm një zemër e mbushur me dashuri dhe dhembshuri, është një zemër që ka gjetur paqe dhe përshëndetja në popujt e vjetër siç përshëndeste dhe Zoti vet në Ungjill, ishte: Paqe mbi ju! Që të kesh paqe në shpirt duhet të kesh dashuri, dhembshuri, një shpirt që ka cmira dhe zilira nuk ka kurrë paqe, por do të ketë gjithmonë konflikte, mërira dhe inate.
Gazetari Nikolla Barkaj: Një pyetje të fundit Hirësi, rikthehemi pak tek ajo që folëm në fillim, sot bota është kthyer një botë komerciale, mburravece, egoiste dhe propaganduese. Cilat do të ishin format dhe kurat shpirtërore për të hedhur tutje këto mëkate si cmira dhe lakmia?
Hirësi Joani: Gjithmonë një mjekim është antidodi i atij infeksioni, nëse burimi i gjithë këtyre është krenaria dhe egoizmi, antidodi duhet të ishte përulësia dhe dashuria. Dhe përulësia vjen nga përjetimi i thellë shpirtëror, një njeri që fillon dhe njeh mirë veten e tij, dallon dhe difektet që ka ai, fillon dhe bëhet më i përulur, dhe kjo përulësi dalëngadalë do fillojë ta mbushi dhe me dashuri, sepse përulësia është një shkallë që e zbret Zotin brënda shpirtit të njeriut, ashtu si krenaria që bëhet një mur që e ndan, përulësia bëhet një derë sepse përulësia sjell një pendim. Lutja dhe tropari që themi gjatë Kreshmës së madhe: “Hapmi dyert e pendimit, o Njeridashës”, dhe dera e pendimit hapet pikërisht nga një përulësi e madhe që hap derën për të hyrë Hiri i Shpirtit të Shenjtë. Nëse ne do të bëjmë këtë gjë, padyshim që shpirti jonë do të mbushet më me tepër paqe, dhe një njeri që ka paqe e përhap paqen dhe tek të tjerët, një sherrxhi nuk mund të përhapë dot paqe dhe sikur të ketë ndërmend të përhapë paqe, ai do të përhapë përsëri konflikte. Një njeri që nuk ka dritë, nuk mund të hapi dot dritë, një kandil i fikur nuk ndriçon, nëse ne ndezim kandilin e shpirtit tonë me dashuri dhe dhembshuri, kemi mundësi që të ndriçojmë dhe njerëzit që janë rrotull dhe do i largohemi çfarëdo gjëje të keqe, sepse shpeshherë cmira, përgojimet, thashethemet dhe gjithçka tjetër vijnë nga krenaria dhe zilia, ky është burimi tyre. Prandaj duke luftuar këto gjëra ne luftojmë dhe pasojat që vijnë nga kjo gjë. Shën Dorotheu i Gazës, ashtu siç pjesa më e madhe e gjithë Etërve të Kishës, janë shumë të rreptë ndaj thashethemeve, këtyre kritikave ndaj të tjerëve, thotë këtë gjë: “Shenjtorët kanë sy më të mprehtë, sepse syri i tyre është i pastër, ai nuk është mjegulluar nga mëkati dhe i dallojnë akoma dhe më mirë gjërat e tjera tek njerëzit e tjerë, ata mundohen t’i ndihmojnë njerëzit” dhe jep një shembull: “Ashtu si një nënë që mund të ketë një fëmijë jo të bukur, mundohet ta zbukurojë atë, një njeri që ka dashuri mundohet t’ja mbulojë gabimet, jo ta përgojojë”. Mbulimi i gabimeve fillimisht fillon duke folur me personin, nëse ne mendojmë dhe shohim që dikush ka një gabim, mund t’i themi atij për këtë gjë. Thashethemet kanë shkatërruar miqësira, kanë shkatërruar familje, kanë shkatërruar miqësira, duket si një mëkat i vogël por është shumë i madh, sepse vjen pikërisht nga zilia dhe krenaria. Egoizmi dhe krenaria janë burimi i shumë të këqijave dhe antidodi kundër këtyre, po e ritheksoj, është që dalëngadalë ne të fillojmë me përulësinë dhe pendimin dhe një njeri që është i sëmurë vet dhe e dallon që është i sëmurë nuk rri dhe kritikon atë që është në spital, thotë Joani i Shkallës, nëse dikush që është i sëmurë nuk kritikon shokun e tij pse është i sëmurë por fillimisht ka problemin e tij, dhe nëse do shërohet ai, ndoshta mund ta ndihmojë akoma më shumë, siç thotë dhe Zoti: “Hipokrit, pse shikon lëmishten në syrin e vllaut tënd e nuk shikon traun në syrin tënd, hiq traun nga syri yt dhe do e shikosh më mirë lëmishten në syrin e tij”. Kjo është një porosi për të gjithë ne, që fillimisht duhet të përqëndrohemi tek vetja, le të mundohemi që të heqim të keqen nga vetja jonë, e le të mundohemi që të drejtësojmë dhe pastrojmë sytë tanë, dhe duke patur sy të pastër, ndoshta do shikojmë më mirë për të ndihmuar të tjerët.
Gazetari Nikolla Barkaj: Nëse keni diçka për të shtuar Hirësi?
Hirësi Joani: Ajo që doja të shtoja ndoshta si përmbledhje është kjo gjë, një lloj thirrje që ja bëj shpeshherë vetes dhe njerëzve që kam rrotull dhe gjithë të tjerëve, që le ta shfrytëzojmë këtë periudhë kreshme për një jetë më të thellë shpirtërore, dhe nëse dikush deri tani nuk e ka mbajtur – le të fillojë, sepse sipas fjalës shumë të famshme të Shën Joan Gojartit – ‘Zoti i mirë do i paguajë njësoj, si ata të orës së parë ashtu dhe ata të orës së fundit’. Le të mundohemi ta përdorim këtë periudhë për një meditim akoma më të thellë, qenia njerëzore ka nevojë për këtë gjë, ne kemi nevojë për një jetë shpirtërore, për të pasur një person të ekuilibruar dhe të ushqyer jo vetëm fizikisht dhe duhet kreshmuar jo vetëm fizikisht por duhet kreshmuar dhe shpirtërisht, sepse i ushqyer vetëm në një dimension, njeriu fillon dhe deformohet.
Kjo është një periudhë ku i gjithë personi i njeriut trup dhe shpirt përpiqet për ta arritur një gjëndje shpirtërore akoma më të thellë që fillon me meditimin, fillon me vëzhgimin thellë brënda shpirtit tonë, fillon me përulësinë dhe pendimin dhe këto janë premisat e para për të sjellë hirin e shpirtit të shenjtë brenda nesh për t’i mbushur zemrat tona me dashuri dhe dhembshuri dhe për të filluar proçesin për tu bërë të ngjashëm me Zotin. Ky është një premtim dhe i qëllimit të krijimit të njeriut. Zoti erdhi mori trup njeriu, zbriti në tokë për të na ngritur ne përsëri në qiell dhe periudha e Kreshmës është një shans që ne e kemi çdo vit për të thelluar jetën tonë njerëzore.
Ju uroj të gjithëve Kreshëm të lehta dhe një Pashkë të mirë dhe të bekuar!
INTERVISTË E RADIO NGJALLJA ME MITROPOLITIN E KORÇËS HIRËSI JOANI
KUPTIMI DHE RËNDËSIA E KRESHMËS
INTERVISTOI: NIKOLLA BARKAJ