/Ngjallja në Natyrë! Varri Bosh! Pashkë 2020

Ngjallja në Natyrë! Varri Bosh! Pashkë 2020

Ngjallja në Natyrë!

Dimri ka kaluar! Bora ka shkrirë, dhe kopshtari krasit pemët dhe vreshtin e tij për prodhimin tjetër. Natyra gëzueshëm thërret: Ndalo, vështro dhe dëgjo sepse erdhi pranvera! Po është një ngjallje e lavdishme në natyrë! Ndalo! Ose do të shkelësh lulet që sapo kanë mbirë nga toka! Vështro! Dhe do të shohësh që pemët, degët e të cilave iu ngjajnë në dimër krahëve të gjatë të një fantazme, tani nisin të çelin! Dëgjo! Mbaj vesh! Dhe do dëgjosh zogun që këndon pa pushim saqë duket se do t’i plas ai fyt i vogël! Toka lëshon një tingull gëzimi dhe hareje! Të gjithë e dëgjojnë këngën dhe i recitojnë fjalët: “Qëndro, vështro dhe dëgjo, sepse natyra është ngjallur”.

Në librin Kantiku i Kantikëve lexojmë: “Çohu mikja ime, e bukura ime dhe eja, sepse ja dimri ka kaluar, shiu pushoi, lulet duken mbi tokë” (2: 10-12)

Po, Dimri i Kalvarit shkoi, stuhia e pikëllimit u largua, dhe Jisui Nazareas, emri i të Cilit në Hebraisht nënkupton Lule, u shfaq sot me lavdi. E Bukur ishte Lulja që mbiu në shpellën e errët të Betlehemit. Erëmirë ishte Lulja kur u mavijos dhe u gozhdua në Kryq që u bë vazoja e saj; por e lavdishme kjo Lule sot sepse Ajo kurrë më nuk do të vyshket.

Engjëjt shpallën lindjen e Krishtit në Betlehem, dhe tani do të shpallin Ngjalljen e Tij, që është lindja e një shprese të re për botën .

E përshtatshme ishte që Jisui do të ngjallej prej së vdekurish ndërsa ishte ende errësirë, sepse, Ai që është Drita e Botës, erdhi për ta larguar errësirën e saj.

E përshtatshme është që Pashka të festohet me këngë, sepse pa asnjë mëdyshje, engjëjt e Qiellit që kënduan në lindjen e Tij në Betlehem, shpërthejnë në këngë në Ngjalljen e Tij nga varri në kopshtin e Jozefit. Është e përshtatshme të festohet me lule, sepse Ai që këput zinxhirët e vdekjes dhe rrok fitoren nga varri është “Trëndafili i Sharonit, Zambaku i luginave” ( Kantiku i Kantikëve 2:1).

Në të Premten e Madhe urrejtja goditi viktimën e saj. Farisenjtë, Saducenjtë dhe Herodianët u kthyen në shtëpitë e tyre me gëzim të madh sepse hoqën qafe ngatërrestarin. Demonët gëzoheshin sepse Ai, para të Cilit dridheshin, u mbyll në varr. Por në vend që të ishte dita e fitores për armiqtë , agimi i Pashkës shpalli humbjen e tyre, engjëjt e Perëndisë kishin rrokullisur gurin nga dera e varrit, duke e mbajtur atë përgjithnjë të hapur dhe për mos u mbyllur kurrë. Ngjallja e Krishtit sjell gëzim dhe hare jo vetëm për një pjesë të tokës por në të gjithë botën.

Bota ndalon hapat te varri i Krishtit; ajo sheh në vendin ku Ai u varros; ajo mban vesh dhe dëgjon zërin e një engjëlli: “Ai u Ngjall; Ai nuk është më këtu. Ja vendi ku ata e varrosën”.

Dita e Gëzimit

Pashka është mbretëresha e Festave, madhështia e madhështive, sepse Shpëtimtari i botës u ngjall. Le të bien kambanat; le të nxjerrin veglat muzikore zërin e tyre më të lartë; le të lëshojnë aromën e këndshme lulet e pranverës sepse kjo është stina që u ngjall Zoti.

Dje dhe pardje e pamë të mbuluar me plagë – sot e shohim të mbuluar me lavdi; dje dhe pardje zemrat tona u trishtuan  sepse Ai që u dha jetë njerëzve – vdiq Vet. Është e natyrshme që lulja të thahet në vjeshtë; është e natyrshme që dielli të perëndojë në mbrëmje, por kur lulet vyshken në verë, dhe kur dielli perëndon në drekë – kjo është e trishtueshme. Të Premten e Madhe Lulja e Nazaretit u tha; sot ajo u ngjall në një pranverë të përjetshme. Para pak ditësh Dielli perëndoi në drekë, por sot, Ai po del për një ditë të përjetshme. Zoti u ngjall sot, dhe Ai nuk do të vdes më. Le të gëzohet e gjithë toka sepse “kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe lë të ngazëllojmë në të” (Psalmi 118:24).   

Gjatë periudhës së Shenjtë të Kreshmëve, sytë tanë ishin të përlotur me lot trishtimi, por sot ata shkëlqejnë me lot gëzimi. Në lotët e të Premtes së Madhe sytë tanë panë retë e hidhërimit; në lotët e Mëngjesit të Pashkës ata shohin ylberin. Rrebeshi i lotëve të së Premtes së Madhe freskon kopshtin e shpirtrave tanë për Ditën e Pashkës. Lulja e parakohshme e Nazaretit që u këput të Premten e Madhe na dhuroi aromën më të këndshme në mëngjesin e Pashkës. Altarët tanë që mbetën të zhveshur si shkretëtira, tani janë të zbukuruar me lule. Të Premten e Madhe armiqtë mizorë i thoshin Krishtit: “Zbrit nga Kryqi” Mëngjesin e Pashkës një engjëll nga Qiejt këndon “Ai u ngjall”!

Në ditën e Pashkës shpirti i Krishtit kthehet të marrë Trupin e tij. Ata sy të dobësuar vezullojnë përsëri si xhevahir. Ata vesh u hapën përsëri për të dëgjuar hallet e njerëzve. Ai Gjak Mbretëror që u derdh në rrugën e Kalvarit përsëri rrjedh përmes venave të Tij. Nuk është më rroba që i hodhën për ta tallur. S’ka më kurorë me gjemba që ta shëmtojë vetullën e Tij të shenjtë. Kurora e gjembave u zëvendësua me shkëlqimin e dritës qiellore. Fytyra e Tij u shndërrua në një bukuri që është e rrallë mbi tokë.

Krishti u Ngjall!

Vërtet u Ngjall!