/Si ta jetojmë Krishterimin tonë? Fjala e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, mbajtur në takimin e Lidhjes Rinore “Bijtë e Dritës” Tiranë, më 9 shkurt 2020.

Si ta jetojmë Krishterimin tonë? Fjala e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, mbajtur në takimin e Lidhjes Rinore “Bijtë e Dritës” Tiranë, më 9 shkurt 2020.

Për ne e rëndësishme është se si ta jetojmë si duhet Krishtërimin tonë.  Në këtë përpjekje, Kisha jonë na ka dhënë disa udhërrëfyes për të na ndriçuar. Një shumicë e panumërt shenjtorësh hedhin dritë në jetën tonë dhe na japin një shembull jashtëzakonisht të rëndësishëm. Por ndërgjegjja jonë orthodhokse na ka caktuar si udhërrëfyes tri figura të shquara, Tre Hierarkët e Mëdhenj, dhe një prej tyre është Shën Vasili i Madh. Kisha e nis Vitin e Ri pikërisht me kremtimin e kujtimit të tij. Bashkë me të, ekziston edhe tradita më popullore e ndarjes së Kekut të Shën Vasilit. Dy personat e tjerë që ju i njihni, janë Shën Grigor Theologu dhe Shën Joan Gojarti. Më 30 janar kremtuam këta Hierarkë të shenjtë. Ata ndërthurin në vetvete tre elementë mjaft të rëndësishëm: 1. ishin njerëz që e morën Krishtin në mënyrë shumë serioze dhe besuan tek Ai me shpirt.2. Kishin besim të thellë, të cilin e forcuan akoma më shumë me jetën e tyre të rreptë asketike, si dhe 3. me anë të studimit. Një veçori tjetër e tyre e vyer ishte se zotëronin aftësi të shumta intelektuale. Në të njëjtën kohë, Shën Vasili i Madh dhe Shën Grigor Theologu, studiuan së bashku mjaft shkenca në Athinë, e cila ishte qendër e shkollimit filozofik të gjithanshëm të  kohës. Pas tyre, të njëjtën gjë bëri edhe Shën Joan Gojarti, i cili studioi në qendrat më të mira arsimore e kulturore. Shkrimet e tyre kanë mbetur në të gjithë shekujt si më të rëndësishmet dhe më të hyjfrymëzuarat që kemi; ata ishin jo vetëm intelektualë të famshëm të kohës së tyre, por dhe të asaj që do të vinte më pas. Elementi i tretë i rëndësishëm i tyre ishte se ata, jo vetëm folën rreth dashurisë, por dhe e vunë në jetë. Nga pozicioni që kishin në shoqëri, treguan përkujdesje e dhembshuri shumë të madhe ndaj njerëzve të lënë mënjanë e të braktisur, ndaj atyre që vuanin. Shën Vasili krijoi një qytet të madh bamirësie që, për nder të tij,quhej Vasiliada, qendër e rëndësishme për lehtësimin e vuajtjeve sociale të shoqërisë njerëzore në atë kohë. Pra, ata ishin shumë të ashpër me veten e tyre nga ana asketike, por dashamirës ndaj të tjerëve dhe shfaqnin dashuri shumë të madhe për njerëzit në nevojë.

Bijtë e mi, në rast se do të kthehemi në situatën që po jetojmë në vendin tonë, një prej plagëve të mëdha, që ka shoqëria jonë e sotme, është pikërisht mospasja e njerëzve të tillë si Tre Hierarkët e Kishës sonë – Shën Vasili i Madh, Shën Grigor Theologu dhe Shën Joan Gojarti.

Sigurisht, edhe ka shembuj, por janë të paktë. Ne kemi nevojë për intelektualë seriozë, por që kanë pjekuri në jetën e tyre shpirtërore dhe ndjeshmëri sociale ndaj të tjerëve. Besoj që të gjithë ju, në sajë të dhuratave që ju ka falur Perëndia, të aftësive tuaja, dëshironi që të punoni e të kultivoni këto tri drejtime që thamë. E di se të gjithë vazhdoni studimet, por dua që përpjekja juaj për t’u pajisur me njohuri, të mos mbetet vetëm në sipërfaqe të dijes dhe shkencës, por të studioni sa më të thellë objektin e studimit tuaj, sepse çdo shkencë në vetvete është kërkim i së vërtetës. Nuk mund të ketë zhvillim të vërtetë të shkencës pa kërkuar së pari, të vërtetën; dëshiroj që ju të jeni sa më të zotë në lëndën ku studioni, nga ana tjetër, jeta juaj e fortë shpirtërore, ushtrimi juaj shpirtëror do t’ju japë guximin për t’u përballur me sfidat e së ardhmes. Që ta jetoni siç duhet jetën tuaj të krishterë,nevojitet të ripërtërihenivazhdimisht nga ana shpirtërore. Pa marrë frymë nga burimet që na ka dhënë besimi ynë, siç është Shkrimi i Shenjtë,nga leximi i tij i përditshëm, besimi ynë bie lehtësisht dhe jeta jonë pëson rënie, dobësohet në tërësinë e saj.

Gjëja e tretë që kërkoj nga ju, është të ruani sensibilitetin tuaj social. Kjo gjë është e zbehtë ose mungon brenda shoqërisë sonë dhe është plagë e njerëzimit në kohën dhe botën tonë moderne. Kjo ka goditur mbarë botën, por në vendin tonë është mjaft e theksuar. Kemi një grup njerëzish që u kthyen përsëri në oligarkinë e vjetër, e cila këtu te ne ka ekzistuar, duke përftuar të mirat për t’i shijuar vetëm për vete; nga ana tjetër shumica e popullit edhe sot vuan e privohet. Prandaj, duhet që njerëzit që do të udhëheqin në fushat ku studiojnë, në ambientin ku ndodhen dhe më gjerë, në përpjekjen e tyre për të ecur përpara në jetë, të kenë dhuratën e ndjeshmërisë sociale. Jo të gjithë do të kenë mundësinë të bëjnë donacione të mëdha, por të gjithë mund të ofrojmë diçka për njerëzit që vuajnë. Ka shumë të moshuar, të cilët jetojnë të vetmuar në katet e larta të pallateve të vjetra dhe pa ashensor, dhe shumë pak mendojnë për ta, për jetën e tyre. Ka fëmijë të varfër, që kanë nevojë t’u qëndrojë dikush pranë, t’u lexojë diçka; ka dhe plot vuajtje të tjera ku ne mund të ndihmojmë.