Sot në datën 26 Prill miq të veçantë të ardhur nga Ukraina vizituan manastirin e hirshëm të “Shën Vlashit” në Durrës. Ata ndodhen në vendin tonë të strehuar në Durrës, për shkak të konfiktit ushtarak që po zhvillohet në vendin e tyre.
Ata u mirëpritën me plot dhembshuri dhe dashuri atërore nga Kryepiskopi Anastas! Për disa orë miqtë nga Ukraina vizituan ambientet e kompleksit të manastirit, u njohën me historinë e tij si edhe kaluan kohë argëtuese me aktivitete sportive dhe lojëra të ndryshme të përgatitura nga stafi organizues.
Kryepiskopi u lut për paqen në Ukrainë, për marrjen fund të konfliktit dhe kthimit të refugjatëve sa më shpejt në shtëpitë e tyre. Ai u njoh nga miqtë e ardhur mbi situatën në Ukrainë por gjithashtu edhe me kushtet mjaft komode që Qendra e Mikpritjes në Durrës ka ofruar për ta. Kryepiskopi u ofroi dhurata të ndryshme fëmijëve si edhe siguroi mbështetje dhe interesim të vazhdueshme për të gjithë të ardhurit nga lufta në vendin tonë.
Edhe miqtë ofruan dhurata të punuara nga duart e tyre për manastirin dhe “Shtëpinë e Shpresës” që ndodhet aty.
I pranishëm ishte gjithashtu edhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri.