/Përurimi dhe Shërbesa e Bekimit të Aparatit të Rezonancës Magnetike

Përurimi dhe Shërbesa e Bekimit të Aparatit të Rezonancës Magnetike

Qendra Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi”
PËRURIMI DHE SHËRBESA E BEKIMIT TË APARATIT TË REZONANCËS MAGNETIKE
Në datën 16 nëntor 2023, në Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi” në Tiranë u krye Shërbesa e Bekimit të aparatit të Rezonancës Magnetike, të instaluar kohët e fundit, si edhe i disa shërbime të reja që ofrohen aty.
Me këtë rast, përveç personelit të Qendrës Diagnostike, ishin mbledhur edhe përfaqësues nga institucionet kryesore të Kishës sonë dhe tre përfaqësues të Fondacionit “Stavros Niarhos”, i cili dhuroi këtë aparaturë mjekësore të fjalës së fundit.
Ata pritën me ngrohtësi ardhjen e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, i cili kreu Shërbesën e Bekimit, i ndihmuar nga Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe klerikë të tjerë, në shoqërimin e korit bizantin të katedrales. Pas bekimit të Rezonancës Magnetike, Kryepiskopi bekoi edhe disa shërbime të reja, Skanerin modern, farmacinë e Qendrës dhe autombulancën e re. Pas shërbesës, bashkë me përfaqësuesit e Fondacionit “Stavros Niarhos”, Fortlumturia e Tij preu shiritin e mjediseve dhe aparaturës së re.
Më pas, të pranishmit u mblodhën në sallën e veprimtarive të Qendrës Diagnostike, ku foli për historinë e këtij bashkëpunimi Drejtori i saj, z.Vasil Kristo, mjeku imazherist z.Roland Hasa dhe përfaquesi i Fondacionit dhurues, z. Jorgo Mihalakopoulos. Në vijim, të pranishmëve iu drejtua Kryepiskopi Anastas, i cili foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe interesimin dhe investimin në vite nga Kisha jonë për kujdesin shëndetësor.
Ai falënderoi veçanërisht përfaqësuesit e Fondacioni “Stavros Niarhos”, për bashkëpunimin e frytshëm dhe interesimin e tyre të vazhdueshëm. Fortlumturia e Tij u dhuroi një ikonë të Ngjalljes, të realizuar nga një nga ikonografët e rinj shqiptarë, për ta vendosur në mjediset e Fondacionit.