Klerikë, teologë, katekistë dhe bashkëpuntorë vullnetarë ndoqën këtë trainim për të përmirësuar dhe për të qënë më efikas në detyrat që Kisha e Shenjtë ju ka besuar me organizimin e kampeve kombëtare verore për grupmoshat fëmijë, adoleshentë dhe të rritur. Vera e vitit të kaluar (2023) do të shënonte rifillimet e këtyre kampeve mbas shkëputjes nga pandemia Covid 19 që ndaloi për disa vite këtë traditë të bukur të Kishës sonë të themeluar nga Kryepiskopi Anastas.
Në fjalën e mirëseardhjes të rreth 100 personave të pranishëm, Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla theksoi rëndësinë e zhvillimeve të kampeve por edhe të përkushtimit të gjithsecilit për të ofruar veten në dobi të fëmijëve, adoleshentëve por edhe të rinjve. Përmes këtyre kampeve, theksoi Hirësi Nikolla, ne bëjmë të ditur dhe të prekshme jetën e bukur të Kishës, një jetë me plot kuptim dhe domethënie që ja vlen të jetohet. Gjithmonë Kisha e Shenjtë nuk e ka mbajtur vetëm për vete këtë mënyre të bekuar jetese por e ka ndarë atë me të gjithë vëllezërit dhe motrat që e kërkojnë atë me qëllim që njerëzit të gjejnë shpresë dhe lumturi.
Në këtë trainim nuk mungoi përvoja e etërve të kishës nga Greqia dhe do të ishte Atë Spiridhoni nga Mitropolia e Pireut, i cili drejton kampingje verore për të rinjtë prej shumë vitesh, që do ta ndante këtë përvojë me stafet organizave të Kishës sonë.
Në këtë trainim gjithashtu do të ndante mendimet e vyera filozofike dhe sociologjike profesori i nderuar z. Gëzim Tushi i cili theksoi se në kohën e sotme kur edukimi i brezave është bërë i vështirë, interferimi edukativ tek brezat është gjithashtu i vështirë, kur fëmijët në çdo kohë janë më tepër fëmijë të epokës sesa janë bij të prindërve dhe të edukatorëve të tyre dhe të kuptosh tingullin e kohës do të thotë të kuptosh çfarë ndryshimesh kanë ndodhur, cilët janë fëmijët dhe adoleshentët e sotshëm dhe në këtë pikpamje secili duhet të jetë mjeshtër i komunikimit në përputhje me veçoritë moshore sepse ndryshe janë fëmijët, ndryshe janë adoleshentët.
Atë Emiliano Lito nga Mitropolia e Gjirokastrës foli para të pranishmëve rreth përvojës së tij në kampe por edhe për zhvillimin e kampeve në Mitropolinë e Gjirokastrës nën kujdesin e Hirësi Dhimitrit Mitropolit i Gjirokastrës.
Mbas refleksioneve të pranishmit u ndanë në grupe ku ofruan ide të frymëzuar edhe nga përvoja e ndarë gjatë këtyre temave për të organizuar më mirë këto kampe verore.
Së shpejti do të bëhen publike edhe datat e organizimeve të kampeve për vajza dhe djem.
Për Radio Ngjallja:
Aleksandër Dimroçi