/KREMTIM I THEOFANISË – UJIT TË BEKUAR – TIRANË

KREMTIM I THEOFANISË – UJIT TË BEKUAR – TIRANË

U Kremtua sot ditën e Shtunë datë 6 Janar 2024 Festa e Theofanisë, Pagëzimi i Zotit Jisu Krisht dhe Bekimi i madh i Ujit në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë në praninë e shumë besimtarëve të cilët që herët në mëngjes morën pjesë në lutjet e mëngjesit, në Liturgjinë Hyjnore dhe në Bekimin e madh të Ujit. Shërbesat e Shenjta u drejtuan nga Mitropoliti i Amantias Hirësi Nathanaili në bashkëmeshim me të cilin morën pjesë edhe klerikë të Kryepiskopatës.
E kremtja e Theofanisë – Ujit të bekuar është shfaqja publike e Krishtit, kur Ai nis misionin e shpëtimit nëpërmjet mësimeve të Tij, vdekjes, ngjalljes dhe ngjitjes. Krishti së pari u pagëzua që të shenjtërojë ujërat dhe të shkatërrojë të keqen e tyre, të vdesë mëkatin dhe Adamin e vjetër, që të shfaqë Hyjninë Triadike si dhe të jetë një shembull për të gjithë ne. Kjo ditë ka këndimet e saj të veçanta, ku më e njohura nga ato që psalën është Përlëshorja e të kremtes: “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trinisë u shfaq, se zëri i Prindit të dëshmonte, Bir të dashur duke të quajtur, dhe Shpirti në formë pëllumbi e siguronte vërtetësinë e fjalës. O Krisht Perëndi, që u fanese dhe ndriçove botën, lavdi më Ty!”
6 Janar 2024