/Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u nderua me medaljen e lartë “Nderi i Kombit” 22 Mars 2021

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u nderua me medaljen e lartë “Nderi i Kombit” 22 Mars 2021

Të hënën, më 22 mars 2021, Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta, dekoroi Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Dekorata e lartë u dha me motivacionin:

“Në vlerësim të kontributit të gjithanshëm në ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri. Për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare”.

Në aktivitet merrnin pjesë krerët e komuniteteve fetare, H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrës, për Kishën Katolike; H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Bektashian dhe Pastor Ylli Doçi, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Në emër të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, dekoratën e mori Kryepiskopi Anastas.

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta, vlerësoi rolin e liderëve fetarë në vend dhe rëndësinë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë:

“Sot, në ditën e parë të pranverës, pata privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, për kontributin e çmuar në ruajtjen, promovimin dhe përçimin tek të gjithë qytetarët e sidomos te brezat e rinj, të frymës së dialogut, tolerancës, bashkëjetesës, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar.

Ky rol bëhet edhe më rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm, në këto kohë kur vendi ka më shumë nevojë se kurrë për kontributin e përkushtimin e të gjithëve, në radhë të parë të më të rinjve, për të mos u larguar, por për ta kërkuar dhe gjetur të ardhmen në Atdheun e tyre, në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Për të krijuar familje të shëndosha dhe të qëndrueshme, për të krijuar mirëqenie dhe ndërtuar Shqipërinë tonë të përbashkët, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit, që udhëheqësit tanë të ndritur fetarë e përçojnë çdo ditë, me përkushtim e dashuri, me anë të misionit të tyre fisnik e hyjnor.

Harmonia shpirtërore, kulturore e fetare e popullit tonë është e lidhur me tiparet më të mira të Tij, me besimin ndaj Zotit, si dhe dashurinë për lirinë e fjalës, të besimit dhe të mendimit.

Përgjatë gjithë historisë së tyre besimtarët shqiptarë kanë bashkëjetuar jo vetëm në festa e trishtime, por edhe në të gjitha betejat për liri, pavarësi, si dhe në momentet më të shënuara të kombit tonë.

Shpata e diktaturës do të binte njëlloj e pamëshirshme mbi të gjithë prijësit e institucioneve të besimeve, duke vendosur njëkohësisht kazmat edhe mbi xhamitë, kishat e teqetë.

Ndaj ringritja e objekteve të kultit, 30 vite më parë pas ndalimit brutal e të pashembullt 23-vjeçar të besimit, i parapriu edhe Lëvizjes së Dhjetorit ‘90 dhe i bashkoi sërish shqiptarët e të gjitha besimeve për rrëzimin e diktaturës”, u shpreh Presidenti Meta në fjalën e tij.

Më pas fjalën e mori Kreu i Këshillit Ndërfetar për vitin 2021, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, H. Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi dekorimin e KNFSH-së me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”. Ai theksoi se, “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është themeluar pikërisht për të promovuar harmoninë ndërfetare dhe vëllazërinë tonë kombëtare nga katër liderët e komuniteteve tradicionale në Shqipëri. Sfidat janë të shumta, por ne mund t’ia dalim përmes rrugëve shpirtërore të afrimit te Krijuesi. Me frymën tonë të derisotme ne do ta pasurojmë këtë traditë, duke trokitur në dyert e Evropës, shpresojmë për çeljen e tyre, por kurdoherë me identitetin tonë fetar, kulturor dhe njerëzor”.

Më pas foli kryetari i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, i cili ndër të tjera theksoi” “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është historia jonë e përbashkët, është shembulli që vendi ynë i jep botës në aspektin e lirisë së besimit të gjithsecilit, si dhe kultura jonë e harmonisë dhe dialogut ndërfetar… Ne jemi të angazhuar të gjithë si krerë të komuniteteve fetare ta ruajmë dhe ta çojmë më tej këtë traditë të mirë”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Kryepiskopi Anastas tha:

“Shkëlqesia Juaj, Z. President, vëllezërit mi të dashur kryetarë të komuniteteve fetare… Kujtoj dy gjëra. Së pari, me shumë emocion kujtoj tre personat e tjerë, me të cilët vendosëm të themelojmë këtë Këshill: H. Selim Muçaj, Baba Reshatin dhe Imzot Rok Mirditën. Kjo ndodhi shumë thjesht dhe spontanisht. Pika tjetër, është së Këshilli ynë hapi derën dhe vendosi një urë me diçka që është universale. Prej dekadash ishte krijuar “Conference on Religion end Peace”, që më pas u bë Fetë për Paqen (Religions for Peace), me qendër në Nju Jork. Pata mundësinë të isha anëtar i kësaj Konference dhe një nga përparësitë që kishim pas lirisë së besimit ishte jo vetëm të kishim harmoni midis nesh, por edhe të ishim pjesë e kësaj familjeje universale në këtë perspektive. Është diçka që ndoshta nuk dihet mirë këtu në Shqipëri, që ne përfaqësojmë vendin në të gjithë botën. Këshilli ynë është pjesë e kësaj organizate botërore “Fetë për Paqen”. Ne nuk japim dëshmi vetëm brenda vendit, por në gjithë botën. Ky vend është në ballë të kësaj bashkëjetese fetare… Për herë të parë ne po përdorim më shumë fjalën “harmoni” se “tolerancë”… Me fjalën “harmoni” është shumë më bukur. Të gjithë ruajmë veçoritë dhe identitetin tonë, por krijojmë diçka shumë të bukur, një mesazh për gjithë botën. I jemi mirënjohës Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës, sepse që nga fillimi ka qenë shumë pranë nesh. Unë besoj që në botën moderne gjërat më të rëndësishme janë liria dhe dashuria. Dhe besimi hap derën drejt këtyre dy realiteteve. I jemi mirënjohës gjithë atyre që ndihmuan në realizimin e këtij procesi. Mirënjohës, Zoti President. Gjithmonë me urtësi, dashuri dhe shpresë.”

Mons. George Frendo, Arqipeshkv i Dioqezës Tiranë-Durrës tha: “Ne gëzohemi se në fakt jetojmë në harmoni, shoqëria ka nevojë jo vetëm për politikën, por edhe për besim. Është politika që ndriçon strukturat, por është feja, besimi që mund të ndriçojë zemrat. Ne krenohemi në Shqipëri se besimet e ndryshme nuk janë një rrezik për shoqërinë, madje japim shembullin e një harmonie shumë të fortë… Ajo që na bashkon është besimi ynë monoteist dhe bindja që të gjithë kemi një rol shumë të veçantë në shoqëri.”

Kreu i Vëllazërisë Ungjillore, Pastor Ylli Doçi, vlerësoi po ashtu frymën e tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët me një ndikim të madh social, edukativ dhe arsimor, i cili përfaqësohet më së miri nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Në këtë ceremoni, krahas krerëve të komuniteteve fetare merrnin pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

https://scontent-vie1-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-0/p600x600/163937029_1837532283088448_7630466734800525820_o.jpg?_nc_cat=108&ccb=1-3&_nc_sid=730e14&_nc_ohc=16dlXK37R4UAX_C1MmT&_nc_ht=scontent-vie1-1.xx&tp=6&oh=977b84540cb74dda0a8ac26dc593274a&oe=607F3893