/EFQELIA – VAJIMI I SHENJTË – KATEDRALJA “NGJALLJA E KRISHTIT” TIRANË

EFQELIA – VAJIMI I SHENJTË – KATEDRALJA “NGJALLJA E KRISHTIT” TIRANË

Misteri i Vajimit është një akt i shenjtë, në të cilin ndërsa trupi lyhet me vaj, hiri i Perëndisë thirret të zbresë në personin e sëmurë. Ai kryhet nga disa priftërinj, idealja është shtatë, por mund të kryhet edhe nga një numër më i vogël dhe madje edhe vetëm nga një prift.
Institucioni Hyjnor i Misterit. Edhe në Dhiatën e Vjetër vaji simbolizonte hir, gëzim dhe një prurje në jetë. Lyerja e të sëmurit me vaj bëhej nga apostujt siç lexojmë në Ungjillin e Shën Markut (6:13). Ata lyenin me vaj shumë të sëmurë edhe i shëronin.
Dëshmia më e qartë e Misterit të Vajimit (Efqelia) gjendet në letrën e Apostullit Jakov (5:14-15). “Është i sëmurë ndonjë ndër ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës (presbiterët), dhe le të luten ata mbi të, e le ta lyejnë me vaj në emrin e Zotit. Edhe urata që është me besë do ta shpëtojë atë që lëngon, edhe Zoti do ta ngrerë atë; edhe në pastë bërë faje, do t’i falen.” Apostulli nuk flet këtu për ndonjë “dhuratë” të veçantë shërimi, por përshkruan aktin e shenjtë në një formë të përcaktuar mirë, që do të hynte në praktikën e Kishës: kryerja e të cilit bëhej nga presbiterët e Kishës, me lutje, lyerje dhe vaj; dhe apostulli shton që kemi si pasojë lehtësimin e trupit dhe faljen e mëkateve. Dhe pikërisht Misteri këtë kishte për qëllim, shërimin e trupit dhe faljen e mëkateve.
Nuk do ishte një kuptim serioz i fjalëve të apostullit Jakov rreth lyerjes me vaj, si referim për një metodë të zakonshme shërimi të asaj kohe, sepse vaji, me gjithë atributet e tij të dobishme, nuk është një mjet shërimi për çdo sëmundje. Apostujt nuk sollën asgjë nga vetvetja, por ata mësuan vetëm atë që Zoti Jisu Krisht i kishte porositur ata, dhe çfarë Shpirti i Shenjtë iu kishte frymëzuar; dhe ata e quajtën vetveten jo “themeluesit” e Mistereve të Perëndisë, por vetëm “kujdestarë” të Mistereve dhe “shërbëtorë” të Krishtit”. Prandaj edhe vajimi, i cili urdhërohet nga Apostull Jakovi, ka një themelim hyjnor.
Praktikimi në Kishën e hershme. Në shkrimet e vjetra të krishtera mund të gjenden dëshmi indirekte për Misterin e Vajimit tek Shën Irineu i Lionit dhe tek Origjeni. Më vonë kemi dëshmi të qarta tek Shën Vasili i Madh dhe tek Shën Joan Gojarti, të cilët lanë lutjet për shërimin e të sëmurëve, të cilat hynë më vonë në ritin e Efqelisë. Të njëjtat dëshmi kemi edhe nga shën Kirili i Aleksandrisë. Në shekullin e pestë papa Inocenti I i përgjigjej një sërë pyetjeve në lidhje me Misterin e Vajimit, duke treguar në përgjigjet e tij se: a) duhet të kryhet “mbi besimtarët që janë sëmurë”; b) mund të kryhet gjithashtu nga një episkop. Nuk duhet parë në fjalët e apostullit “le të thërrasë ai pleqtë e Kishës (presbiterët)…”, ndonjë ndalim për pjesëmarrjen në aktin e shenjtë të ndonjë episkopi; c) ky vajim nuk duhet të kryhet “tek ata që janë nën një pendim kishtar”, sepse është një “Mister”, dhe atyre që u janë ndaluar Misteret e tjera, si mund t’u lejohet ky?
Ç’është vajimi i shenjtë. Vajimi i shenjtë është një Mister i Kishës nëpërmjet të cilit fuqia shëruese e Jisuit jepet tek ne sot. Shenja e dukshme është Lyerja me vaj. Gjithmonë i përdorur për shërim në botën antike, vaji i bekuar nga Shpirti i Shenjtë na sjell hirin shërues të Perëndisë. Kur ne afrohemi që të lyhemi me këtë vaj të shenjtëruar, ne sjellim me vete “lutjen plot besë”, d.m.th. një besë të gjallë personale, që kur ne të lyhemi me këtë vaj, dora e Krishtit do të na prekë me fuqinë e tij shëruese. Perëndia na flet në këtë Mister me 14 pjesë nga Shkrimi i Shenjtë (shtatë nga Letrat dhe shtatë nga Ungjijtë). Ai na flet për të rritur besën tonë në fuqinë e Tij për të shëruar. Fakti që prania e shtatë priftërinjve rekomandohet (por jo e kërkuar) për celebrimin e këtij misteri i tregon besës sonë se tërë Kisha është e pranishme dhe po lutet për personin e sëmurë së bashku me të afërmit e miqtë.
Nëpërmjet Misterit të Vajimit, çdo Kishë bëhet një shenjtërore e mbushur me lutjet e klerikëve dhe besnikëve, dhe e shenjtëruar nga prania e Shpirtit të Shenjtë. Të krishterët orthodhoksë kurrë nuk i kanë lënë njerëzit e sëmurë vetëm tek ilaçet dhe mjekimet. Mjekimet dhe kirurgjia janë të mira; Perëndia i ka dhënë këto mënyra. Por si shtesë tek këto, ai na ka dhënë gjithashtu lutjen dhe Misterin e Vajimit. Perëndia kujdeset kur ne jemi të sëmurë. Sëmundja nuk do të thotë se Perëndia po na dënon. Sëmundja është ashtu siç shiu që bie “mbi të drejtët dhe të padrejtët”. Shpesh sëmundja është një bekim i maskuar. Na jep kohën dhe mundësinë të mendojmë se krijimi i mirë i Perëndisë është prishur, shtrembëruar nga mëkati i njeriut. Na ndërgjegjëson dhe na e bën të pranishme gjendjen aktuale të njeriut – ndarjen nga Perëndia. Por duhet kuptuar se sëmundja nuk është qëllimi i Perëndisë.
Jisui e shikonte sëmundjen si një armik. Ajo na kujton se ne jemi nën tiraninë e natyrës së rënë dhe duhet hiri i Zotit që të shërohemi shpirtërisht dhe trupërisht. Në ungjillin e shën Llukës (13:16) thuhet për gruan që Krishti e shëroi “të cilën e pati lidhur Satanai për 18 vjet”. Nuk thuhet se Perëndia e kishte lidhur me sëmundje, por Satanai. Nëse vuajtja do ishte nga vullneti i Perëndisë, atëherë përse ai do na jepte Misterin e Vajimit për shërimin e sëmundjeve? Perëndia është në anën e shërimit, jo të sëmundjes. Por ai e lejon shpesh atë për të mirën tonë, duke e kthyer qëllimin e lig të Satanait për të na dëmtuar e vrarë, në shërim e në jetë. Për këtë arsye Apostulli thotë: “Dhe lutja me besë do e shpëtojë të sëmurin”… Ai përdor fjalën “shpëtoi”, në vend të fjalës “shëroi”. Në këtë pjesë ne i shohim fjalët “shërim”, “falje” dhe “shpëtim” të përdorura në vend të njëra-tjetrës. Kisha Orthodhokse e ka parë gjithmonë shpëtimin nën frymën e Ungjillit, duke mos patur asgjë juridike në të. Nuk është vendimi i ndonjë gjykate, por Jisui, Shpëtimtari, është “shëruesi hyjnor”, “burimi i shëndetit”, sipas fjalëve të Nikolla Kabasilas, i cili thotë “nuk janë të shëndoshët që kanë nevojë për doktorin, por të sëmurët: “besa juaj ju shëroi” ose “besa jote të shpëtoi” janë sinonime. Duke patur këtë koncept terapeutik të shpëtimit, misteri i Pendim-Rrëfimit është parë si një “medikament klinik” dhe Kungata si “medikament i përjetësisë”.
Sëmundja mund t’i çojë njerëzit në panik dhe dëshpërim, por gjithashtu mund t’i çojë tek besa. Dhe nëse, nga sëmundja dikush vjen tek besa, atëherë besa e çon në shpëtimin dhe shërimin. Duke folur për këtë aspekt të Vajimit, Atë John Meyendorff shkruan: “Shërimi kërkohet vetëm në suazën e pendimit dhe shpëtimit shpirtëror, dhe jo si një qëllim në vetvete. Çfarëdo që të jetë sëmundja apo pasoja e saj, Vajimi simbolizon faljen hyjnore dhe çlirimin nga rrethi vicioz i mëkatit, vuajtjes dhe vdekjes, në të cilin njerëzimi i rënë është zënë rob. Me dhembshuri për vuajtjen njerëzore, të mbledhur së bashku për t’u lutur për anëtarin e saj të sëmurë. Kisha nëpërmjet priftërinjve të saj kërkon lehtësimin, faljen dhe lirinë e përjetshme. Ky është kuptimi i Vajimit të Shenjtë”.
Sipas fjalëve të Shën Jakovit, dy gjëra janë të nevojshme për Misterin e Vajimit: 1) lyerja me vaj në emrin e Zotit dhe 2) lutja plot me besë. Gjatë gjithë kohëve qysh prej lashtësisë, vaji është parë për këtë fuqi terapeutike. Krishti vetë tregon se si vera e vaji u përdorën për të shëruar plagët e Samaritanit të Mirë. Vaji është përdorur në Misterin e Vajimit si një shenjë e jashtme për të treguar fuqinë shëruese të Perëndisë dhënë tek besimtari. Por si në çdo mister efektshmëria varet në një gradë të madhe nga dispozicioni i brendshëm i besimtarit. Misteret nuk kanë fuqi magjike; konceptimi magjik është në kundërshtim me frymën e ungjillit dhe me frymën e mistereve. Perëndia e ka bërë njeriun qenie të lirë, hiri nuk e dhunon lirinë e njeriut, prandaj kërkohet “lutja plot me besë”. Sa më shumë besë të kemi aq më shumë fuqi shëruese Zoti derdh mbi të. Çdo Mister është një takim personal me Jisuin sot – po aq personal sa e kishin njerëzit që takonin Jisuin në ungjill. Kështu ne duhet t’i afrohemi Jisuit në këtë mister si gruaja e sëmurë në Ungjill. Nëse mbas kryerjes së Misterit shërimi nuk vjen, ne nuk duhet të dëshpërohemi, po të vazhdojmë të besojmë në dashurinë e pafund të Perëndisë sepse Ai mund të përdorë madje edhe sëmundjen për të mirën tonë nëpërmjet rrugëve të Tij të mistershme.
KRYERJA E MISTERIT.
Ky Mister kryhet për të sëmurët, të cilët janë në gjendje ta marrin në mënyrë të vetëdijshme dhe të marrin pjesë në lutje për vetveten; por megjithatë mund të kryhet edhe për fëmijë. Vendi për këtë akt të shenjtë mund të jetë kisha ose shtëpia ku banon i sëmuri. Misteri i Vajimit të Shenjtë (Efqelia) paraprihet zakonisht nga një Rrëfim dhe mbaron zakonisht me Misterin e Kungimit.
Ana e dukshme e Misterit përbëhet nga shtatë lyerje me vaj të personit të sëmurë, me radhë nga priftërinjtë pjesëmarrës. Kjo bëhet në formën e kryqit në ballë, vrimat e hundës, faqet, buzët, kraharori, në të dy anët e duarve, dhe duke i shoqëruar me lutje dhe me lexime nga pjesë të veçanta të Apostullit dhe Ungjillit. Gjatë lyerjes, shtatë herë thuhet kjo lutje: “Atë i Shenjtë, Shërues i shpirtrave dhe trupave, që dërgove Birin Tënd të Vetëmlindur, Zotin tonë Jisu Krisht, i Cili shëron çdo sëmundje dhe çliron prej vdekjes: Shëro gjithashtu shërbëtorin Tënd (aksh)”.
Riti i Vajimit të Shenjtë fillon me këndimin e një tropari dhe një kanoni; lutja përfundimtare në rit është një lutje për faljen e mëkateve. Një asamble e tërë e shërbëtorëve të Zotit qëndron para Tij në emër të personit të sëmurë, dhe me anë të lutjeve plot besë në emër të gjithë Kishës i lutet Atij, të Plotmëshirshmit, t’i japi të sëmurit faljen e fajeve dhe ta pastrojë ndërgjegjen e tij nga çdo ndyrësi. Duhet patur gjithashtu ndër mend fakti që një person i cili është dobësuar shumë në trup dhe në shpirt nga sëmundja nuk mund të jetë gjithmonë në gjendje për të bërë rrëfimin e duhur të mëkateve. Lehtësimi i ndërgjegjes së atij që merr Misterin e Vajimit të Shenjtë hap rrugën gjithashtu për një shërim hirdhënës të sëmundjes trupore nëpërmjet lutjes plot besë.
Është lejuar edhe gjithashtu praktikuar ndonjëherë një rit i veçantë Vajimi, i cili kryhet në kishë për shumë persona në të njëjtën kohë, në një ditë të veçantë të caktuar për këtë, për shërimin e përgjithshëm të shpirtit dhe trupit; por ky rit nuk është krejtësisht identik me Misterin e Vajimit të Shenjtë. Në këtë rit të kryer në mbrëmjen e së Mërkurës së Madhe, si për t’u përgatitur për vdekjen dhe varrimin e Zotit, të gjithë të pranishmit afrohen të lyhen një nga një nga të shtatë (ose më pak) priftërinjtë. Riti është identik me atë të Misterit të Vajimit, përveçse nëse janë shumë njerëz (dhe shtatë priftërinj), lyerja mund të kryhet për të gjithë në fund të shërbesës, dhe jo mbas çdo leximi të Ungjillit. Lyerja shoqërohet nga refreni i përsëritur me një melodi të veçantë dhe në harmoni me periudhën e kreshmës: “O Zot dëgjona; dëgjona o Kryezot, O i Shenjtë dëgjona”.
Shërbesa e Misterit të Efqelisë, marrë nga libri “Uratore e Vogël”, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, botim i dytë, i plotësuar, Tiranë, 2019.