E DIELA E SAMARITANES Joani 4, 5 – 42.
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E HËNË, 27 MAJ 2019
Detyra e të Krishterëve për Misionarizmin
“Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti?” v. 29.
Një mrekulli shumë të madhe na përshkruan Ungjilli i sotëm. Nuk bëhet fjalë për shërimin e ndonjë të sëmuri, por për shpëtimin e banorëve të një qyteti të tërë, nga Krishti ynë. Madje dhe të një personi, që ishte mëkatar më parë…, i cili bashkëpunoi në mrekullinë.
* * *
Zoti, siç na tregon ungjillori i hirshëm Joani, duke shkuar me nxënësit e Tij nga Galilea në Jude, kaloi nga Samaria. Kur arriti jashtë qytetit Sihar, nxënësit hynë në të, për të blerë ushqime; ndërsa Zoti, i lodhur siç ishte nga rruga, u ul të çlodhet, pranë një pusi, që ishte aty afër. Pas pak -ishte ora 12 e drekës- vjen te pusi një grua Samaritane, për të nxjerr ujë dhe Zoti iu lut: Jepmë ujë të pi… Në fillim, gruaja u habit, me kërkesën e Zotit dhe madje reagoi. Sepse kishte antipati dhe armiqësi midis Judenjve dhe Samaritanëve. I ndanin ndryshime fetare dhe shmangeshin të komunikonin me njëri-tjetrin.
Por Zoti, me bisedën që hapi me Samaritanen, synonte që ta shpëtojë. Sepse e dinte, si i gjithurtë, se ajo grua ishte shumë mëkatare. Prandaj i foli me më shumë fjalë dhe i tha për “ujin e gjallë”, domethënë për hirin e Shpirtit të Shenjtë, që fal ky ujë. Dhe e siguroi se, cilido që do të pijë nga burimi i ujit të freskët të hirit të Tij, do të shuajë etjen njëherë e përgjithmonë dhe do të ngopet, sepse do të kënaqen dëshirat më të thella të shpirtit të tij…
Gruaja, e mahnitur nga këto fjalë, fillon tashmë me më shumë interes të bashkëbisedojë me Zotin. Kërkon të marrë këtë ujë të gjallë. Dhe Zoti i përgjigjet: Përderisa këtë ujë nuk e do vetëm për veten tënde, por edhe për familjen tënde, shko dhe thirri burrit tënd. Atëherë Samaritania dëshmon se, “nuk kam burrë”. Dhe Zoti i thotë: Saktë thua, se s’ke burrë, sepse deri tani pesë burra more dhe ai me të cilin bashkëjeton, nuk është burri yt i ligjshëm.
Duke dëgjuar këto fjalë Samaritania, u mrekullua. Si është e mundur të dijë ky njeri i panjohur, të fshehtat e jetës së saj? Sigurisht, thotë brenda saj, do jetë profet dhe madje ia shpreh këtë siguri. Dhe e pyet: Se ku është më e drejtë të adhurohet Perëndia; në Jerusalem, siç thoshin Judenjtë, apo në këtë mal, siç pretendonin Samaritanët? Dhe Zoti iu përgjigj, se Perëndia është frymë dhe nuk kufizohet në një vend. Dhe kushdo, që dëshiron ta adhurojë saktë dhe siç i pëlqen Perëndisë, duhet ta bëjë me kuptim, me fuqitë e tija të brendshme shpirtërore, me ndjenjë dhe zemër të sinqertë. Dhe i shfaqi se Ai ishte Mesia, që prisnin.
Atëherë ajo grua, ndjeu diçka të ndryshojë brenda saj. Fjalët hyjnore të Zotit dhe hiri i Tij, ndikuan shpirtin e saj mëkatar. Mendja e saj u ndriçua. Zemra e saj u prek… E lë, pra, shtambën e saj dhe vrapon me gëzim në Sihar, që t’u transmetojë bashkatdhetarëve të saj lajmin e madh. I ngre të gjithë dhe i nxit të shkojnë bashkë me të, të njohin Atë, që njihte të fshehtat e saj, Krishtin. Me sa nxehtësi dhe bindje e bëri. Kështu bëhet një misionare e nxehtë, me fjalët e saj: “Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti?”
Mos vallë pyeste, e rilindura tashmë, nëse ishte shpëtimtari i botës, Ai që i kishte dhënë të pijë nga uji i jetës dhe i pavdekësisë? Jo. Ajo e besonte tërësisht. E kishte kuptuar se cili ishte, sepse kishte shijuar shpëtimin e saj. Pyetja e saj kishte kuptim tjetër, ishte një marifet apostolik. Në vend që, tua transmetojë ajo vetë mësimdhënien e Jisu Krishtit, mësimdhënien që kishte hyrë në shpirtin e saj dhe e kishte ringjallur, si shiu në shkretëtirë, parapëlqeu t’i drejtojë menjëherë tek burimi, tek Krishti.
Atëherë, pra, ajo që i kishte ndodhur asaj vetë, u ndodhi dhe atyre. Dëgjuan Zotin, u ndriçuan nga ujërat e tija të gjalla dhe u rilindën. Prandaj dhe më pas i thoshin gruas: “Nuk besojmë më për fjalën tënde; se ne e dëgjuam dhe e njohëm, se ky është me të vërtetë Shpëtimtari i botës, Krishti” v. 42. Samaritania e errësuar, u bë e shndritshme me pendimin e saj të sinqertë. Por, edhe epoka jonë ka nevojë të madhe për misionarë. Dhe, si duhet të bëhet misionarizmi?
* * *
Së pari. Me bashkëbisedim personal me njerëzit, që nuk e njohin me të vërtetë Krishtin. Pikërisht, siç bëri Samaritania. Kur e njohu Krishtin nga afër dhe u bind se Ai është Mesia, rendi përnjëherë në qytetin e saj dhe foli me besë të zjarrtë.
Punoi gjatë gjithë jetës së saj të mëpasshme, me zell apostolik, veçanërisht midis grave. Ndoqi me besnikëri gjurmët e shenjta të Zotit tonë. Dhe ashtu si Ai bëri udhëtim të madh dhe të lodhshëm, që ta takojë, kështu dhe Samaritania, -shën Fotinia e mëpasshme e barabartë me Apostujt- filloi me udhëtime të mëdha apostolike. Ofroi ujin e mësimdhënies së Jisu Krishtit, në shumë shpirtra të etura. Shpërndau dritën e Krishtit në zemrat e errëta idhujtare. Sipas jetëshkrimit të saj, hyri dhe në pallatin e Neronit. Atje arriti, me hirin e Zotit tonë, të bëj të krishterë të bijën e tij Domninën dhe disa nga shërbëtoret. Pastaj, pas kaq shumë arritjeve misionare, erdhi dhe momenti i martirizimit të saj dhe u denjësua të derdhë dhe gjakun e saj për Krishtin.
Së dyti. T’i drejtojmë njerëzit në Kishë. Detyra e misionarizmit nuk shlyhet vetëm me komunikimin personal. Nevojitet dhe diçka tjetër. Që të bëjmë misionarizëm të saktë orthodhoks, është e domosdoshme t’i sjellim njerëzit në Kishën e Krishtit. “Në një Kishë, të Shenjtë, katolike dhe apostolike”, në Kishën tonë Orthodhokse, siç pohojmë në Simbolin e Besës sonë. T’i drejtojmë shpirtrat në misteret e shenjta të Pendimit dhe Rrëfimet dhe të Falënderimit hyjnor. Dhe kjo punë nuk është vetëm e klerikëve.
Shën Fotinija, nuk ishte nga dymbëdhjetë Apostujt. Ishte një grua e thjesht e popullit; që jetonte në mëkat. Por, megjithatë, me besën e nxehtë dhe dashurinë e saj për Krishtin, me misionin e saj dhe martirizimin e saj u bë e barabartë me apostujt. Shembulli i saj i shenjtë na mëson: Të bëhemi të gjithë misionarë të Krishtit. Dhe misionarizmi fillon nga shtëpia jonë, nga fëmijët tanë, nga vëllezërit tanë. Nëse nuk i mësojmë fëmijët tanë të jetojnë jetën e krishterë, të marrin pjesë në misteret e Kishës sonë, kot punojmë dhe nuk e bëjmë detyrën tonë për shpëtimin e tyre. Prandaj dhe shën Joan Gojarti shkruan: “Asgjë tjetër nuk është më e ftohtë, sesa i krishteri, që nuk interesohet për shpëtimin e të tjerëve”.
Në vitet e errëta të Perandorisë Otomane, u shfaq shën Kozmai nga Etolia. Ai ndërtoi më shumë se 200 shkolla. Teologu i parë Afrikan, është Theodhor Nagjama, i cili veproi në zonën e Ugandës, si episkop. Kishim nderin e veçantë të ishim bashkëstudent në Shkollën e Teologjisë të Universitetit të Athinës. Dhe në të njëjtin konvikt të “Diakonisë Apostolike” -institucion zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Greqisë- në vitet 1954-1958; bashkë me arkimandritin Krisostom Papasarandopulos, një misionar bashkëkohorë, i cili në vitin 1960, në moshën 60 vjeçare, u nis nga manastiri i Petraqit në Athinë drejt Afrikës. Në të njëjtën zonë të Ugandës, veproi dhe një prift i martuar, i moshës 80 vjeçare, atë Ovadia Basajakitalo, i cili e njohu të vërtetën e Ungjillit me stade. Pasi në fillim u bë protestant, në vazhdim romanokatolik dhe në fund orthodhoks. E habitshmja është se kleriku në fjalë, ndërkohë që ishte një plak i sëmurë nga zemra, megjithatë, duke lëvizur me biçikletë, vizitonte fshatrat e krahinës duke ungjillëzuar Jisu Krishtin.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Mbarojmë me konstatimin e shën Joan Gojartit, -që edhe kur ishte i internuar, bëri misionarizëm ndaj Gotëve me përkthyes- i cili na thotë: “Nëse do të ishim të krishterë ashtu siç na do Zoti, nuk do të ekzistonin idhujtarë.”Konstatimi është i vërtetë. Misionarizmi i brendshëm dhe i jashtëm, kërkon së pari virtytin. Perëndia të na denjësojë!
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 26.05.2019