/E Diela e 10 e Mateut – Shërimi i djalit epileptik

E Diela e 10 e Mateut – Shërimi i djalit epileptik

E Diela e 10 e Mateut

Mateu 17:14-23

Ungjilli i sotëm tregon përsëri një shërim që bëri Zoti, mbasi Krishti u shndërrua në malin Tabor, ku fytyra e Tij ndriçonte si dielli dhe rrobat e Tij filluan të vetëtinin si drita, dhe kur apostujt panë këtë mrekulli të madhe dhe kuptuan që ishte diçka më tepër se njeri dhe Zoti i ndaloi ata që të flisnin për këtë gjë. Dhe kur u kthyen poshtë panë një situatë krejtësisht ndryshe. Panë nxënësit që ishin atje, një turmë e madhe njerëzish dhe një at që iu afrua Zotit dhe i tha, ki mëshirë për birin tim, sepse vuan nga sëmundja e hënës dhe e torturon vazhdimisht. Bie në zjarr, në ujë dhe kërkon që ta mbysin dhe nxënësit e tu nuk mund ta shëronin dot. Dhe Zoti tha këto fjalë: “Brez i shtrembër dhe i pabesë, deri kur do të rri bashkë me ju”. Dhe i thotë të atit më sill fëmijën. Dhe ia solli dhe Zoti urdhëroi dhe fryma e lig doli nga ai, dhe ai u shërua. Dhe kur nxënësit e pyetën veçan Atë dhe i thanë, përse ne nuk mund ta shëronim dot, Krishti iu përgjigj dhe iu tha: “Nga pabesia juaj, sepse po të keni një besim edhe të vogël, sa një kokërr sinapi”, “do i thoni këtij mali, ngrihu dhe shko atje, dhe mali do të shkojë. Dhe ky lloj demonësh nuk dalin përveç se me lutje dhe agjërim”. Dhe pastaj u tregoi për pësimin dhe kryqëzimin e Tij.

Në Ungjillin e sotëm, ne shohim sërish se si dishepujt ndonëse rriten shpirtërisht ende ata kanë besim të pakët.  Zoti u thotë se, nëse do të keni besim sa një kokërr sinapi  ju do të lëvizni malet jo thjesht të shëroni vetëm nje fëmijë me epilepsi. Por përse Zoti Krisht përdor si shembull kokrrën e sinapit? Sepse një farë sinapi është 1-3milimetër në masë, shumë e hollë dhe shumë e vogël. Një sasi kaq e vogël besimi mund të zhvendos malet edhe madje më tepër se sa kaq, sepse Zoti shton: “asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju”.

 Në lidhje me besimin dhe zhvendosjen e maleve do të sjellë një ngjarje  nga jeta e Shën Markut të Athinës i cili zgjodhi që në të ritë e tij një jetë asketike. Ai jetoi në një shpellë të një mali të lartë që ndodhet ndërmjet Egjiptit dhe Etiopisë.  Mbas 95 vitesh vetmie, kontakti i parë me një qënie njerëzore ishte me një murg Ava Serapioni. Përgjatë bisedës me të, shenjti e pyeti Serapionin se si shkonin gjërat në botë. Ai u interesu për Kishën e Shenjtë, dhe, a vazhdonte ende persekutimi ndaj të Krishterëve? Duke mësuar nga murgu se adhurimi i idhujve kishte marrë fund kohë më parë, shenjti u gëzua pamasë edhe e pyeti: “A ka tani në botë shenjtorë që të bëjnë mrekulli ashtu si Zoti na thotë në Ungjillin e Tij; po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: Zhvendosu nga këtu atje, dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju? Mat 17:20.

Edhe ndërsa Shenjti thoshte këto fjalë mali nisi të zhvendosej nga vendi i tij afro 2.5 km. Kur Shën Marku pa se mali po zhvendosej ai i drejtohet: “Nuk të thashë të zhvendosesh por po bisedoja me vëllain tim. Kthehu prapë në vendin tend”! Edhe menjëherë mali u zhvendos sërish në vendin e vet. Ava Serapioni ra menjëherë në gjunjë duke u dridhur! Shën Marku e zuri prej dore dhe mbasi e ngriti i tha: Nuk ke parë kurrë mrekulli të tilla në jetën tënde? Jo at i shenjtë, i përgjigjet murgu Serapion. Atëherë Shenjti qau hidhur edhe tha: “Mjerisht! Sot ka të krishterë në emër por jo në vepra!”

Sërish duke vazhduar me besimin dhe mrekulli të ngjashme, le të dëgjojmë se si përfundoi jeta e kësaj bote për protomartiren  Shën Thekla. Edhe ajo që në vitet e hershme bëri një jetë asketike për afro 72 vite në një shpellë në qytetin Malula, në Sirinë e sotme rreth 55 km në verilindje të Damaskut. Shën Thekla bënte shumë mrekulli. Ajo shëronte shumë të sëmurë falas, me hirin e Zotit tonë Jisu Krisht. Kur ajo ishte gati te të 90-t, doktorët paganë nga cmira paguan dy të rinj paganë për ta çnderuar shenjtoren. Sapo ata iu afruan Shën Thekla i thirri Zotit, Shpëtimtarit për ndihmë. Shkëmbi u hap dhe ajo hyri brenda tij dhe u përpi nga toka. Kështu ia dorëzoi shpirtin Zotit, virgjëresha e shenjtë, nusja e Krishtit.

 Gjithashtu edhe në jetën e Shën Grigor çudibërësit, Kryepiskopit të Neoqesaresë na tregohet se si një gur i madh u zhvendos duke iu bindur fjalës së tij. Një herë tjetër gjatë ndërtimit të një kishe, shenjti urdhëroi një kodër të zhvendosej edhe të hapte vend për themelet e kishës.

Zoti ia ngarkon fajin më të madh tek mos shërimi i djalit me epilepsi, babait të tij, gjithashtu edhe tek judenjtë kur iu referohet si brez që nuk beson dhe i çoroditur. Ati i fëmijës vazhdonte ti thoshte Zotit “nëse mundesh”, që janë fjalë të një personi mosbesues. Zoti Krisht e korrigjon babain e atij djali duke i thënë , nëse ai do ketë sadopak besim , jo vetëm Jisui mundet, por edhe dishepujt madje edhe vet i ati mund ta shërojë fëmijën. Menjëherë mbasi foli këto, Zoti Krisht e nxori demonin nga djali, duke i përmbushur fjalët e Tij; dhe duke ia u shfaqur haptaz dhe dukshmërisht se çfarë është e mundur për ata që kanë besim të vërtetë.  Zoti Jisu Krisht e përdor këtë rast jo vetëm për të mësuar dishepujt e Tij, por edhe ne jo vetëm fuqinë e besimit  por fuqinë e lutjes dhe agjërimit. Zoti Krisht e bën doktrinën e Tij shumë të qartë.  Jo vetëm besimi, jo vetëm lutja, jo vetëm agjërimi  por na kërkohen të treja të gjithëve ne, nëse duam të bëhemi enë dhe depozita të hirit dhe frymës prej fuqisë së Perëndisë.

Nëse themi se Kisha është spital atëherë kjo është receta e dhënë nga Zoti ynë për shërimin tone; besim, lutje dhe agjërim.

Vëllezër dhe motra më Krishtin!

Le të mos i neglizhojmë këto gjëra, apo të mendojmë se nuk na nevojiten, apo ti neglizhojmë duke i mos praktikuar. Përkundrazi, me frikë dhe dridhje, le të kultivojmë një besim të fortë dhe të vërtetë dhe ne do të jemi në gjëndje për të duruar të gjitha vuajtjet dhe dhimbjet që kjo jetë është kaq shumë e mbushur. Nëse ne do të kemi një besim të fortë dhe të patundur atëherë ne do të jemi në gjëndje të përballemi me çdo sfidë dhe pengesë që kjo jetë dhe kjo botë do të vendosë në udhën tonë! Le të mos i hedhim tej armët  tona të lutjes dhe agjërimit, me qëllim që ushtritë demoniake të na gjejnë të çarmatosur dhe të na zaptojnë. Sepse kur ne neglizhojmë dhe i dorëzojmë armët tona shpirtërore atëherë ne shndërrohemi në shenjestra të lehta për demonët duke  zaptuar zemrat dhe mendjet tona.  Me frikë dhe besim tek Perëndia Triadik, me lutje dhe agjërim, le të lutemi, që të fitojmë gjërat e mira në këtë botë edhe ato që do të vijnë me hirin dhe dashurinë e Zotit tonë Jisu Krisht!