/Aktivitet me gratë e Dioqezës së Tiranës në Shkodër

Aktivitet me gratë e Dioqezës së Tiranës në Shkodër

Me bekimin dhe mbështetjen shpirtërore dhe financiare të Kryepiskopit Anastas dhe nën mbikqyrjen e protosingjel episkop Astit u zhvillua takimi shpirtëror njëditor me gratë aktive të Lidhjes së Grave Orthodhokse të Dioqezës së Tiranës.


Ambjenti që do të mikpriste dhe do të mblidhte gratë në aktivitetin shpirtëror këtë radhë do të zgjidhej Kisha: “Lindja e Krishtit” në qytetin verior dhe me tradita të Shkodrës.
Veprimtaria u zhvillua në datën 3 nëntor 2018 dhe morën pjesë rreth 100 zonja nga Tirana, përkatësisht nga Grupi i Katedrales, përfaqësuese nga enoria e shën Prokopit, pranë Liqenit Artificial, nga enoria e shën Gjerasimit në Kombinat dhe nga Bathorja. Gjithashtu morën pjesë edhe grupet aktive të Durrësit, Kavajës, Rrushkullit dhe Shkodrës.

Programi do të fillonte me lutje drejtuar Perëndisë dhe më pas do të vijonte me temën: “Le të jemi të zellshme në punë të mira” (Tit.2:14) e cila u referua nga kleriku i Shkodrës atë Nikolla Petani. Në bisedën e tij, atë Nikolla Petani do të vlerësonte rolin dhe rëndësinë e figurës së gruas në Kishë dhe në forcimin e komunitetit orthodhoks. Me zellin e tyre gratë do të ishin përçueset më të mira të besimit. Ai i nxiti pjesëmarrëset të jenë të zellshme në besim, lutje, adhurim, kungim, pendim dhe punë të mira duke luftuar egoizmin, indiferentizmin dhe neglizhencën.

Impresionuese ishte për pjesëmarrëset dëshmia personale e atë Nikollës si e njohu Zotin dhe si e thirri Perëndia për të qenë klerik në vreshtin e tij.
Më pas programi do të vijonte me këngë dhe tropare për Krishtlindje të cilat do të drejtoheshin nga Parashqevi Gjergo, aktive në Grupit të Katedrales.


Për këtë takim ishte menduar të zhvilloheshin dy biseda shpirtërore. Kleriku atë Nikolla Kodheli do të referonte temën: “Shën Maria enë e zgjedhur e Zotit dhe shembull frymëzimi për besimtarët” Ai e vuri theksin te jeta e shën Marisë, nënës së Zotit që mbetet përherë model për t’u imituar. Shën Maria është Eva e re që me vullnetin e saj të lirë bashkëpunoi me Perëndinë për të sjellë shpëtimin për të gjithë njerëzimin dhe është ndërmjetare e fortë për ne, pranë Birit të saj për të gjitha lutjet dhe kërkesat tona.

Emocionuese gjatë seminarit ishte prania e atë Aleksander Petanit. Si dëshmitar okular për punën dhe kontributin e Kryepiskopit në ringritjen e Kishës nga gërmadhat e sistemit komunist nga goja e tij u lw=itwn vetëm fjalë falenderuese dhe mirënjohëse në përshëndetjen që bëri gjatë takimit me gratë e Dioqezës së Tiranës. Atë Aleksandri është bashkëpunëtor me Kryepiskopin Anastas në radhët e klerikëve që në vitet e para të ringritjes së Kishës.


Lidhja e Gruas së Krishterë Orthodhokse ashtu si edhe grupet e tjera kishtare të organizuara ka si qëllim bashkimin dhe pjesëmarrjen në Trupin e Krishtit nëpërmjet rritjes shpirtërore të grave, miqësia me njëra-tjetrën, dëshmia dhe shërbimi në forcimin e grupeve të grave në enoritë përkatëse, angazhimi dhe kontributi në ndihmë të enorisë së tyre.

Përvec bisedave në grup të madh u bë edhe ndarja në grupe të vogla për të njohur më shumë njëra-tjetrën, për të ndarë përvojat dhe për të diskutuar si të ndihmojnë, të shërbejnë dhe të jenë aktive në enoritë e tyre.

Elisabeta Shqau
Koordinatore