/30 Vjet nga Studimet në Seminarin Teologjik “Ngjallja E Krishtit”, Durrës 1992 – 2022

30 Vjet nga Studimet në Seminarin Teologjik “Ngjallja E Krishtit”, Durrës 1992 – 2022

Nisi me Festime 30 vjetori nga studimet në Seminarin Teologjik “Ngjallja e Krishtit” në Durrës. Studentët e viteve 1992 – 1995 u mblodhën sot në ambientet e kompleksit të Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit në Durrës.
Kremtimet nisën me Shërbesat e Shenjta – Shërbesa e Mëngjesores dhe Liturgjia Hyjnore në praninë e Episkopit të Bylisit Hirësi Asti.
Në fund të Liturgjisë u krye Shërbesa e Përshpirjes në kujtim të kontribuesve në mësimdhënie Episkopë, ish studentë klerikë më pas dhe pedagogë. U kujtuan në lutje Episkopët i Apollonisë Hirësi Kozmai dhe Hirësi Ilia Katre i Filomeliut, Priftërinjtë Atë Parashqevai, Atë Mitrofani, Atë Mihal Vasili, Atë Dhimitraq Kushi, Atë Spiro Papa dhe Atë Mihal Vasili dhe Pedagogët Dhimitër Beduli, Teodor Papapavli, Harilla Papajorgji, Maksim Çuko dhe Vasil Tushi.
Mbas Shërbesave klerikët dhe teologët vizituan ambientet e Manastirit të “Grave Miroprurëse” ku u mirëpritën nga Motër Rakela. Më pas të gjithë së bashku u mblodhën në sallën e pritjeve të Akademisë Teologjike ku bashkë me ta ishin të pranishëm Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla dhe Episkopi i Bylisit Hirësi Asti. “Nisja e rrugëtimit të priftërimit pas përndjekjes ateiste” ishte titulli i temës që referoi Episkop Asti. Gjithashtu Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla i cili është edhe drejtori i Akademisë Teologjike kumtoi temën “Seminari Teologjik – Hieratik më pas Akademia Teologjike, fidanishte e përgatitjes së kuadrove të Kishës sonë”.
Vijoi takimi me kujtimet dhe mbresat nga klerikët Atë Stavri Çipi, Atë Kostandin Prifti, Atë Petro Semsia, Atë Gjerasim Çakalli etj.
Kjo ditë ishte e veçantë për gjithësecilin që mori pjesë në këtë vit jubile. Vlerësimi për Kryebariun e Kishës sonë ishte mjaft i madh edhe kryefjala e të gjitha kumtesave, kujtimeve, vlerësimeve ishte Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasi i cili ringriti kishën tonë nga gërmadhat.
I lutemi Zotit që kjo Akademi të mbushet me të rinj dhe të reja besimtarë që të vijnë të studiojnë në këto ambiente nga më bashkëkohoret për t’i shërbyer Kishës dhe gjithë shoqërisë në tërësi dhe atje ku Kisha i thërret.
Radio “Ngjallja”