“I drejti kujtohet kudo me këngë, por ty t’arrin dëshmimi i Krishtit, o Pararendës dhe Pagëzor. Se vërtet u tregove më i nderuari i Profetëve, se u vlerësove për nderin të pagëzosh të parëlajmëruarin. Prandaj pra u mundove për të vërtetën dhe me gëzim lëçite në mes të Ferrit, se Krishti si njeri u shfaq mbi dhe, i cili nge mëkatin e botës dhe na fal përgjithnjë mëshirën e madhe”.
-Përlëshorja e Pagëzorit.
Shën Joan Pagëzori, duke ndjekur gjurmët e Profetëve të Izraelit që u përballën me mbretërit për imoralitet, padrejtësi dhe sakrilegj, u përball me Herod tetrarkun. Joan Pagëzori i predikoi të vërtetën për besnikërinë në martesë Herod Antipës. Është e qartë se predikimi i tij drejtuar Herodit nuk ishte i suksesshëm; Herodi dhe Herodiada qëndruan bashkë. Në këtë rast, Joan Pagëzori ishte si profetët e hershëm që kishin pak sukses. Si prsh.Jeremia pavarësisht nga të gjitha lutjet e tij, përfundimisht do ta shihte Jerusalemin në duart e Babilonasve, sepse njerëzit nuk do t’i dëgjonin lutjet e tij për t’u penduar dhe për t’u kthyer në jetën e Besëlidhjes. Profetët nuk u thirrën për të qenë të suksesshëm; përkundrazi ata u thirrën për të predikuar fjalën e Perëndisë qofshin të mirëpritur apo të padëshiruar. Joan Pagëzori i predikoi Herodit por pa sukses, por ai e përmbushi thirrjen e tij; ai predikoi fjalën e Perëndisë të mirëpritur ose të padëshiruar nga dëgjuesi. Armiqësia ndaj predikimit të tij për kurorëshkeljen do të thotë se ashtu siç ai i parapriu Krishtit në lindjen e Tij, ai do t’i paraprijë Krishtit në pësimin dhe vdekjen e Tij. Shën Agustini në një nga predikimet e tij sheh Joan Pagëzorin duke parafytyruar rolin e një prifti. Agustini reflekton mbi Ungjillin sipas Joanit duke e përshkruar Jisuin si Fjalën (Logos).
“Joani është zëri që i paraprin Fjalës. Roli i priftit është të jetë si Joani, një zë për Fjalën. Zëri është një ndërmjetës, duke ndihmuar Fjalën të hyjë në zemrën e dëgjuesit.
Në fund të fundit, detyra e priftit është thjesht të jetë një zë për fjalën: “Ai duhet të lartësohet, por unë duhet të përulem” – zëri nuk ka qëllim tjetër veçse të përcjellë fjalën. Prifti është, ashtu si Joan Pagëzori, thjesht një pararendës, një shërbëtor i Fjalës”.
Ungjillorët Mateu (Mt.14:1-12) dhe Marku (Marku 6:14-29) tregojnë për fundin martirik të Shën Joan Pagëzorit në vitin 32 pas Lindjes së Krishtit. Pas Pagëzimit të Zotit, Shën Jaon Pagëzori u mbyll në burg nga Herod Antipa, tetrark (sundimtar i një të katërtës së Tokës së Shenjtë) dhe guvernator i Galilesë. (Pas vdekjes së mbretit Herod i Madh, romakët e ndanë territorin e Palestinës në katër pjesë dhe vendosën një guvernator në krye të secilës pjesë. Herod Antipa mori Galilenë nga perandori August). Profeti i Perëndisë Joani e denoncoi haptazi Herodin se kishte lënë gruan e tij të ligjshme, të bijën e mbretit arab Areta, dhe më pas bashkëjetonte me Herodiadën, gruan e vëllait të tij Filipit (Luka 3:19-20). Në ditëlindjen e tij, Herodi shtroi një gosti për personalitetet, pleqtë dhe një mijë të ftuar nga paria e vendit. Salomeja, e bija e Herodiadës, kërceu para të ftuarve dhe magjepsi Herodin. Në shenjë mirënjohjeje ndaj vajzës, ai u betua t’i jepte asaj çfarëdo që ajo t’i kërkonte, deri në gjysmën e mbretërisë së tij.
Vajza e pakujdesshme, me këshillën e nënës së saj të keqe Herodiadës, kërkoi që t’i jepej koka e Joan Pagëzorit në një pjatë. Herodi u frikësua, sepse kishte frikë nga zemërimi i Perëndisë për vrasjen e një profeti, të cilit më parë ai i kishte vënë veshin për këshillat dhe mësimet e tij. Ai gjithashtu kishte frikë nga njerëzit, të cilët e donin Pararendësin e shenjtë. Por për shkak të të ftuarve dhe betimit të tij të pakujdesshëm, ai dha urdhër t’i prisnin kokën Shën Joanit dhe t’ia jepnin Salomes.
Sipas Traditës, goja e Predikuesit të pendimit dhe drejtësisë tashmë i vdekur, u hap edhe një herë dhe duke i thënë qeveritarit: “Herod, nuk duhet të bashkëjetosh me gruan e vëllait tënd Filip”.
Salomeja mori pjatën me kokën e Shën Joanit dhe ia dha nënës së saj. Herodiada e tërbuar e shponte vrima-vrima gjuhën e profetit me një gjilpërë dhe e varrosi kokën e tij të shenjtë në një vend të papastër. Por Joana e devotshme, gruaja e kujdestarit të Herodit, Kuzait, e mori dhe e varrosi kokën e Shën Joan Pagëzorit, të futur në një enë prej balte, në Malin e Ullinjve, ku Herodi kishte në zotërim një ngastër tokë. (Gjetja e I dhe e II e kokës së nderuar të Shën Joan Pagëzorit festohet më 24 shkurt). Trupi i shenjtë i Shën Joan Pagëzorit u mor atë natë nga dishepujt e tij dhe u varros në Sebastia.
Pas vrasjes së Shën Joan Pagëzorit, Herodi vazhdoi të qeverisë për një kohë të caktuar. Pont Pilati, guvernatori i Judesë, më vonë i dërgoi Zotin tonë Jisu Krishtin, të cilin ai e talli (Luka 23:7-12).
Gjykimi i Perëndisë erdhi mbi Herodin, Herodiadën dhe Salomën, madje edhe gjatë jetës së tyre tokësore. Salomeja, duke kaluar lumin Sikor në dimër, ra përmes akullit. Akulli u copëtua në mënyrë të tillë që trupi i saj ishte në ujë, por koka e saj ishte bllokuar mbi akull. Një skenë e ngjashme me atë se si dikur kur kishte kërcyer me këmbët e saj në tokë, por tani ajo përpëlitej e pafuqishme në ujin e akullt. Kështu ajo mbeti e bllokuar deri në atë kohë kur një copë akulli i mprehtë i preu qafën. Kufoma e saj nuk u gjet, por kokën e saj ja çuan Herodit dhe Herodiadës, si dikur kokën e Shën Joan Pagëzorit. Mbreti arab Areta, si hakmarrje për mungesën e respektit të vajzës së tij, i shpalli luftë Herodit. Humbja e Herodit, pësoi zemërimin e perandorit romak Kaius Kaligua (37-41 p.K) duke e internuar bashkë me Herodiadën fillimisht në Gali, dhe më pas në Spanjë. Sipas historianëve të kohës thuhet se Herodi së bashku me Herodiadën ndërsa ndodheshin në Spanjë gjatë një udhëtimi të tyre ranë në një humnerë dhe trupat e tyre nuk u gjendën kurrë.
Prerja e kokës së Shën Joan Pagëzorit, një festë e vendosur nga Kisha në datën 29 Gusht, është gjithashtu një ditë agjërimi për të gjithë besimtarët për shkak të pikëllimit të të krishterëve për vdekjen martirike të Profetit dhe Pararendësit Shën Joan Pagëzorit.