/Ata që punuan për Kishën tonë – At Pandeli Daka.

Ata që punuan për Kishën tonë – At Pandeli Daka.

Ka shërbyer në Krutjen e Sipërme të Lushnjes, në Kishën e Shën Nikollës. Ka studiuar në një kolegj të kohës në shqip e greqisht, në Berat për tre vjet.
Ishte një intelektual i njohur dhe shumë i respektuar. Që përpara se të bëhej prift kishte miq në Lushnje, Berat e Fier dhe shumë njohje.
Kur Krutja e Sipërme u bë kooperativë bujqësore, erdhën inxhinierë e gjeometra për kanalin e madh të Myzeqesë, që vadit të gjitha fushat e saj dhe më vonë edhe intelektualë të tjerë që kanë kontribuar në fusha të ndryshme për kooperativën dhe kulturën e fshatit, si kooperativë e parë në Shqipëri, strehoheshin te shtëpia e At Pandeliut, ku priteshin me dashuri dhe respekt.
U plagos në kohën e luftës, në një mëngjes herët, kur po shkonte në kishë për shërbim dhe i shpoi plumbi librin e Psalmeve. Mbasi u shërua dhe u kthye në shërbim, çdo ditë, pas punës në kishë apo terren, ulej dhe me një shkrim të qartë e të bukur shkruante mbi letrat e bardha që i ngjiste me shumë kujdes mbi vendet e shpuara nga plumbi.
At Pandeliu ishte një prift i devotshëm, i kulturuar, i urtë, punëtor dhe shumë i dashur me besimtarët e tij në të tre fshatrat e enorisë së tij, prandaj gëzonte dhe shumë respekt prej tyre dhe nga miqtë e të njohurve që kishte jashtë enorisë, me të cilët ruante dhe miqësi.
U shua në moshën 59 vjeçare, në shtator 1957.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!