Kisha, Nënë-Mëndeshë Dhe Mbrojtëse
“Abrahami pati dy bij, një prej skllaves, dhe një prej së lirës;
por ai që lindi prej skllaves lindi sipas mishit;
dhe ai prej së lirës, lindi me anë të premtimit”
(v. 22-23)
“Por Jerusalemi i sipërm, që është nëna e ne të gjithëve, është i lirë”
(v. 26)
Siç është e njohur, nga historia e Biblës, gruaja e Abrahamit, Sara, ishte shterpë dhe pa fëmijë, për një kohë të gjatë. Dhe për këtë, para se të lindë fëmijë me anë të premtimit, Isakun, Abrahami lindi fëmijë nga skllavja, sipas urdhërimeve të ligjit të Moisiut. Kështu, siç dëgjuam në pjesën e sotme të apostullit, “Abrahami pati dy bij, një prej skllaves, dhe një prej së lirës; por ai që lindi prej skllaves lindi sipas mishit; dhe ai prej së lirës, lindi me anë të premtimit” (v. 22-23). Këtë ngjarje apostull Pavli e konsideron se ka edhe kuptim alegorik. Simbolizon, në një farë mënyre, me dy gratë, dy Dhiatat e Perëndisë; të Vjetrën, si më të shkllavëruar, dhe të Renë më shpirtërore. Dhe simbolizon veçanërisht me Sarën, Kishën, e cila para se të vijë Krishti dhe para se të jepet Shpirti i Shenjtë, ishte shterpë dhe nuk kishte fëmijë. Më pas, nëpërmjet Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, bijtë e Kishës janë më të shumtë se bijtë e Jerusalemit, domethënë të judaizmit dhe të sinagogës, të cilët e njihnin që nga fillimi Perëndinë e vërtetë.
Në antitezë me Jerusalemin e poshtëm -qendrën e judaizmit- që ishte nën drejtimin e ligjit të Moisiut, Pavli i hirshëm e quan Kishën e Krishtit, Jerusalemi i sipërm, duke e karakterizuar atë të lirë nga zgjedha e Ligjit dhe e quan Nënë të të gjithë besimtarëve. Kjo shprehje: “Nëna e besimtarëve”, është me të vërtetë një cilësi karakteristike e Kishës sonë, të cilën do të ishte e dobishme ta analizojmë dhe ta studiojmë më thellë.
* * *
Kisha jonë e shenjtë nderon dhe kremton, së pari dhe kryesisht, personin e Zotit tonë Jisu Krisht dhe Nënës së Tij të Tërëshenjtë; nderon gjithashtu personat e hirshëm të shenjtorëve dhe të heronjve të besës. Por, nuk le pa kremtuar edhe ngjarjet e mrekullueshme, që kanë lidhje me jetën e Zotit dhe të Hyjlindëses, sepse të gjitha ato kanë lidhje me planin e vullnetit të përjetshëm të Perëndisë, me Misterin e madh të Perëndisë, me Misterin e madh të shpëtimit tonë. Një ngjarje e tillë është zënia e shën Anës, të cilën kremtojmë sot. Na fton pra, sot, Kisha jonë, të kujtojmë mrekullinë e madhe, ku në gjirin e shterpët të shën Anës, u zu “bija e Perëndisë, Maria”, fryti më i shenjtë dhe më i bekuar i shekujve, i cili erdhi nga të drejtët, Joakimi dhe Ana, sipas përlëshores së shenjtorëve:
“Sot po zgjidhen vargonjtë e palindjes,
se Zoti dëgjoi Joakimin dhe Anën
dhe zotohet t’u japë fëmijë Virgjëreshën,
prej së cilës lindi vetë i papërshkruari, kur u bë njeri.
Prandaj i thirri engjëlli me zë të madh:
Gëzohu o hirëplotë, Zoti është me ty”.
Kjo ngjarje na detyron të përgjunjemi, me mirënjohje dhe respekt, para dashurisë së Atit tonë qiellor, i cili me një harmoni të përkryer rregulloi këto ngjarje të mrekullueshme, që lidhen me shpëtimin dhe rilindjen shpirtërore të gjinisë njerëzore. Është me të vërtetë për t’u shtangur dikush dhe të lavdërojë Perëndinë e shenjtë, kur studion dhe ndjek këto ngjarje, të cilat përbëjnë, në rrjedhën e shekujve, një zinxhir të mrekullueshëm ndodhish befasuese, me të cilat Zoti shpëtoi njeriun mëkatar.
Duhet të qëndrojmë, madje, me respekt, para figurave të shenjta të hyjprindërve të drejte, Joakimit dhe Anës, që u denjësuan, për shkak të shenjtërisë së tyre, t’i shërbejnë misterit të madh të ekonomisë hyjnore dhe, madje, të bëhen, në një mënyrë të çuditshme, prindër të qenies njerëzore më hirëplotë, ushqyeses së jetës sonë, nënës së Perëndi-njeriut Jisu Krisht.
* * *
Hyjlindësja e lavdëruar lindi Fjalën më të shenjtë se të gjithë shenjtorët, e cila nëpërmjet pagëzimit, na bashkon me Kishën e shenjtë, që është trupi i Krishtit. Kisha është “Jerusalemi i ri, i liri, që është nëna e të gjithëve”, sipas apostullit të frymëzuar nga Perëndia, Pavlit. Kisha, si mëndeshë, na ushqen me lutjet e saj dhe me fjalët hyjnore të Ungjillit; na ushqen kryesisht me Trupin e Tërëshenjtë dhe Gjakun e Çmuar të udhëheqësit të saj, Jisu Krishtit, që të jetojmë shpirtërisht, që të mos pësojmë anemi shpirtërore, që të mos fishkemi, që të jetojmë përjetësisht.
Nëna Kishë, si klloçkë, mbledh zogjtë e saj, fëmijët, në shkollat e katekizmit. Kështu, sot, qindra fëmijë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, gjejnë nën krahët e nënës Kishë, dhembshuri dhe udhëheqje, që u siguron suksesin në jetë, harmoninë familjare, gëzimin, fitoren kundër së keqes, dhe bëhen në këtë mënyrë elementë të dobishëm në shoqëri, faktor dobie dhe përparimi në ambientin e tyre. Na jep madje rrugën e virtytit dhe të detyrës. Kisha përpiqet me çdo mënyrë të na largojë nga zjarri i mëkatit dhe nga vdekja shpirtërore. Dhe kur biem, na pranon nëpërmjet misterit njeridashës të pendimit të sinqertë dhe të rrëfimit të pastër; na jep puthjen e faljes, na përqafon dhe na udhëheq në rrugën e jetës së krishterë. Sa krijesa të tilla të mashtruara, në rrjedhën e shekujve, u rikthyen në Kishë, me shpirt të dërrmuar dhe me pendim, dhe nëna e mirë u dha ndjesën dhe lumturinë! Mëkatarë, kriminelë, tradhtarë, mohues, sapo u penduan, gjetën në Kishë folenë e ngrohtë të dashurisë dhe të dhembshurisë.
* * *
Megjithëse dashuria e nënës sonë natyrale është sigurisht shumë e madhe dhe prekëse, përkujdesja e saj shfaqet vetëm në këtë jetë. Nëna Kishë na fal jetën e amshuar. Na merr që në hapat tanë të parë, na pagëzon, na miros, na katekizon me qumështin e besës dhe na ushqen me ushqimin e fortë të mësimdhënies hyjnore, me fjalën e Perëndisë, na ngushëllon, na forcon, na fal, kur gabojmë dhe, nëpërmjet Mistereve të shenjta, na siguron përfundimisht Parajsën, atdheun e vërtetë dhe të dëshiruar.
Shën Grigori, episkopi i Nisës, në lidhje me atdheun e vërtetë qiellor, bën argumentimin e urtë si vijon: “Rrugë tjetër që e lartëson njeriun drejt qiellit nuk ekziston; përveç shmangies dhe largimit nga të këqijat tokësore. Dhe mënyra për t’iu shmangur të këqijave, sipas mendimit tim –thotë- nuk është gjë tjetër veçse ngjashmëria jonë me Perëndinë. Dhe ngjashmëria jonë me Perëndinë, është të bëhet dikush i drejtë, oshënar, i mirë dhe të ngjashmet me këto. Dhe nëse ngulit, sa është e mundur, pastër brenda tij këto karakteristika, pa zhurmë, menjëherë do të zhvendoset nga jeta mbitokësore në vendin qiellor”.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!.
Këtë sigurim të lumturisë në jetën tjetër, drejt të cilës ecim të gjithë, na e ofron Kisha jonë me Misteret e saj, me drejtimin e saj, ndihmën e saj. Kjo është Kisha! Një nënë e dhembshur dhe e përkushtuar ndaj fëmijëve të saj, që jep gjithçka për lumturinë e tyre. Duke imituar hyjprindërit e shenjtë, Joakimin dhe Anën, në shpresëtari dhe në virtyt, lum të denjësohemi, me ndërmjetimet e tyre, për gëzimin e përjetshëm dhe për lumturinë në Mbretërinë e Qiejve. U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 09.12.2018