Vepra e Apostujve të shenjtë, model dhe frymëzim për ne sot – Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani
Mitropolia e Shenjtë e Korçës
Ku e gjetën guximin këta njerëz të thjeshtë të shkonin dhe të përhapnin besimin e ri të krishterë tek popujt paganë të kohës? Cfarë është guximi në kuptimin e krishterë dhe a kërkohet ky virtyt që të praktikohet për ne të krishterët e sotëm ?
Në vitin liturgjik, gjithmonë pas Pentikostisë ne festojmë të Dielën e Gjithë Shenjtorëve, pikërisht për të theksuar që është Shpirti i Shenjtë ai që bën shenjtorë, që jep fuqinë, kurajën, guximin dhe gjithshka tjetër dhe çdo vit kisha na e kujton me anë të këtij viti liturgjik. Viti liturgjik ka diçka më tepër se sa përkujtimi historik, është një lloj përjetimi dhe është shumë e rëndësishme për ne që ta ndjekim çdo vit. Ndjekja e vitit liturgjik nuk është vetëm në planin intelektual që i dimë festat dhe kuptimin e tyre, është një lloj përjetimi ose më mirë le të themi një ushqim shpirtëror. Që të mbajmë trupin ne duhet të hamë çdo ditë dhe që të mbajmë një jetë shpirtërore ne duhet të ushqehemi shpirtërisht çdo ditë. Dhe kisha në urtësinë e saj ka ndërtuar vitin liturgjik në të cilin ne bëjmë një udhëtim së bashku me Zotin gjatë gjithë vitit duke sjellë ndër mend që jeta e njeriut është një udhëtim. Qëllimi përfundimtar i jetës së njeriut është kungimi i gjallë me Perëndinë e gjallë dhe për ta ndihmuar njeriun pikërisht në këtë udhëtim, viti liturgjik na jep vazhdimisht dhe na përsërit shumë tema të cilat ndoshta mund të jenë të njëjtat por në përvojën tonë personale mund të marrin dimensione të ndryshme sepse çdo vit ne ndodhemi në situata të ndryshme, kështu që kemi nevojë vazhdimisht për tu ushqyer shpirtërisht. Kështu pas Pentikostisë, kisha ka vendosur që të lexohen nga Veprat e Apostujve, pikërisht për të na treguar ne që ishte fuqia e Shpirtit të Shenjtë ajo që i dha guximin apostujve. Ne dimë nga Ungjilli që kur Zoti u kryqëzua, edhe apostujt u trembën dhe u larguan, disa u fshehën, Juda e tradhëtoi, Pjetri e mohoi, pastaj edhe u pendua. Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë ne shohim një ndryshim radikal të apostujve, sepse fuqia e Shpirtit të Shenjtë është ajo që na bën ne të përballojmë çfarëdolloj gjëje tjetër. Në kuptimin e krishterë, ne nuk mund të shpëtonim dot vetëm nga vetja jonë, ishte e pamundur dhe kjo ishte edhe arsyeja përse Zoti u bë si njëri nga ne për të na mundësuar shpëtimin të gjithëve ne. Eshtë prania e Perëndisë ajo që na jep fuqi për të përballuar gjithshka tjetër. Shpirti i Shenjtë i qartësoi akoma dhe më shumë apostujt. Prania e Shpirtit të shenjtë e kthjellon mendjen, e bën mendjen më të pastër dhe syrin e njeriut e ndriçon akoma edhe më shumë. Gjërat që më përpara dukeshin si hije tani shikohen në dritë shumë të plotë, prandaj edhe ata patën kurajon për të bërë atë gjë që ishte e pabesueshme që mund të bëhej. Madje po të lexosh Veprën e Apostujve dhe të shohësh historinë e krishterimit, nuk ka nevojë tjetër për tu bindur që ekziston Perëndia. Mjafton vepra që bënë ata, një grusht burrash nga një krahinë në skaj të Perandorisë Romake, njerëz të cilët nuk kishin pushtete, njerëz të cilët nuk ishin filozofë, të shkolluar, që arritën dhe përulën gjithë krahinën e Perandorisë Romake, e pas 3 shekujsh gjithë Perandoria u bë e krishterë. Ishte fuqia e Shpirtit të Shenjtë. Merita e apostujve qëndron pikërisht në këtë gjë, ata e hapën zemrën për të pranuar hirin e Shpirtit të Shenjtë. Zoti e jep hirin e Shpirtit të Shenjtë tek të gjithë njerëzit, por janë vetë njerëzit që e mbyllin derën, dhe duke e mbyllur derën ne kemi ato pasoja, në të cilat mundohemi të justifikohemi për gjëra të ndryshme. Mundohemi të justifikojmë frikën tonë, dembelizmin tonë, egoizmin tonë, sepse për sa kohë nuk është i pranishëm hiri i Shpirtit të Shenjtë është shumë e vështirë për ne që të kultivojmë ato virtyte shumë të mëdha. Në Ungjillin e Shën Joanit Zoti na thotë disa fjalë shumë të rëndësishme. Duken si fjalë të thjeshta siç janë në përgjithësi fjalët e Ungjillit, por nuk janë aq të thjeshta sa duken këto fjalë: “Pa mua nuk bëni dot asgjë.” Nuk thotë që do bëni disa gjëra të vogla, por nuk bëni dot asgjë. Prandaj edhe apostujt, shenjtorët më vonë dhe vazhdimisht të krishterët e gjithë shekujve, edhe kur kanë bërë vepra të mëdha nuk janë mburrur sepse e kanë kuptuar që ka qënë prania e Shpirtit të Shenjtë që u ka mundësuar këtë gjë. Nëse mund të flasim për meritë, merita e tyre është që e kanë pranuar atë gjë, e hapën zemrën që Shpirti i Shenjtë të ishte i pranishëm. Edhe ne sot, nëse do lejojmë Zotin që të vijë në jetën tonë dhe do e kemi Zotin pjesë të jetës sonë të përditshme, shumë gjëra njerëzit mund të bëjnë, sepse edhe sot njerëzit kanë bërë gjëra shumë të mëdha, në çdo shekull ka që bëjnë gjëra të mëdha. Mundja e frikës është kur ne mundim egoizmin, sa më shumë largohemi nga bota dhe sa më shumë largohemi nga pasionet e ndryshme të botës, aq më tepër kemi guxim për atë gjë. Apostujt patën edhe një përvojë personale me Zotin, në të gjithë aspektet e jetës së tij, dhe plotësimi i gjithë kësaj përvoje ishte zbritja e Shpirtit të Shenjtë , prandaj edhe fitimi i Shpirtit të Shenjtë është qëllimi kryesor i jetës së një të krishteri. Gjithë botën të fitosh, por nëse ne dështojmë në fitimin e Shpirtit të Shenjtë, kemi dështuar. Sikur e gjithë bota të na kritikojë, dhe gjithë botën ta humbasim, nëse fitojmë Shpirtin e Shenjtë, kemi fituar gjithshka. Shpirti i Shenjtë është ai që na jep ne gjithshka, na jep guximin, dashurinë, paqen dhe gjithshka tjetër që njeriu realisht e kërkon në thelb brenda shpirtit të tij por e mbyll derën për të hyrë prania e hirit të Shpirtit të Shenjtë. Guximi i apostujve pikërisht shpjegohet nga përvoja e tyre personale. Zoti për ta nuk ishte thjesht një dimension filozofik, ishte një përvojë e gjallë. Ata e provuan praninë e Zotit në jetën e tyre dhe ajo prani i transformoi ata njerëz të zakonshëm me arsim jo të lartë të kohës, pjesa më e madhe edhe të pashkolluar, arritën dhe fituan dituri që pak njerëz në botë e kanë arritur, pikërisht nga prania e Zotit. Dituria më e madhe është pikërisht prania e Zotit. Shkrimi i Shenjtë thotë që: “Frika e Perëndisë është fillimi i diturisë”, pra pikërisht kjo gjë do të thotë, që nëse ne do të kemi frikë nga Perëndia, që të kemi mësimin e Perëndisë parasysh vazhdimisht në jetën tonë, do të fillojmë të kemi një dituri të jashtëzakonshme. Dhe prania e Shpirtit të Shenjtë e mbush njeriun me urtësi, një urtësi shpirtërore, jo thjesht një dituri pa dashuri, sepse një dituri pa dashuri është dituria e gjarprit, ajo mençuria e gjarprit. Ndërsa po të jetë një dashuri pa urtësinë, do të jetë pak e verbër. Ajo që jep Zoti dhe Shpirti i Shenjtë është pikërisht kjo gjë, një dituri që është e mbushur me dashuri, dhe kjo dashuri i jep njeriut kurajë dhe guxim, sepse ata mund të duan ta përhapin këtë lajm në të gjithë botën për të shpëtuar të gjithë të tjerët. Nuk ishin të interesuar vetëm për shpëtimin e tyre por edhe për të njerëzve të tjerë. Një njëri që ka dritën e Zotit, do ta përhapi atë tek të tjerët . Nëse ne nuk përpiqemi ta përhapim do të thotë që ajo dritë është shumë e vakët tek ne ose se kemi fare, dhe kjo dritë i jep njeriut atë guxim të jashtëzakonshëm. Nga dashuria njerëzit kanë bërë vepra të jashtëzakonshme. Asgjë nuk mund ta ndalë një njeri që ka dashuri të madhe. Kush do shumë, bën shumë, prandaj edhe apostujt u mbushën me Shpirtin e Shenjtë dhe u mbushën me dituri, dashuri dhe guxim.
Hirësi, në fakt apostujt e dinin se pasojat e kësaj vepre, pra të përhapjes së Ungjillit në botë, do të ishin fatale për ta. Pavarësisht se ishin në dijeni të këtij fakti, ata nuk hezituan të përmbushnin misionin që Zoti i ngjallur u kishte besuar. Përse të krishterët e sotëm nuk janë të gatshëm të predikojnë dhe të shpallin Ungjillin në këtë botë, e cila lëngon nga frika, pasiguria, padrejtësia dhe urrejtja? Pse ky mesazh kaq jetik për mbarë njerëzimin nuk gjen më njerëz të hyjfrymëzuar që të përhapë dhe të mbushë shpirtrat e trazuar njerëzor?
Padyshim që edhe sot ka njerëz që përpiqen për ta përhapur këtë gjë. Do të ishte akoma edhe më e fuqishme, por të qënurit i krishterë nuk është thjesht emri ose vetëm prania në disa rituale. Të qënurit i krishterë është kur ne realisht kemi të pranishëm Zotin në jetën tonë të përditshme. Apostujt patën një dashuri shumë të madhe dhe duke ndjerë dhe duke pasur përvojën personale me Zotin e gjallë, nuk mund t’i trembte asgjë tjetër tokësore. Ne sot ndoshta i masim gjërat me një metër tjetër, për shembull për shumë njerëz suksesi është një gjë shumë e madhe, kush vendos shumë më tepër pasuri, kush bëhet shumë i famshëm, këto quhen si fitime. Në sytë e Zotit ndoshta nuk është kjo gjë. Në Ungjill Zoti thotë disa fjalë që duken si paradoks, “Kushdo që do ta fitojë jetën e tij, do ta humbasë atë dhe kushdo që do e humbasë për mua dhe për Ungjillin, do ta fitojë atë.” Por apostujt të frymzuar nga Shpirti i Shenjtë, nuk po bënin thjesht tregëti, duke bërë diçka që të fitonin një gjë tjetër. Ata kishin një dashuri jashtëzakonisht të madhe në shpirt, një dashuri hyjnore, një dashuri të cilën Shpirti i Shenjtë e kishte fuqizuar akoma dhe më shumë. Ajo doktrinë që u mësoi Krishti gjatë shërbesës së tij në tokë, pikërisht ishte e përqëndruar tek dashuria. Zoti erdhi për ti shpëtuar njerëzit. Aq shumë e do Perëndia botën saqë dha edhe birtin e tij. Sakrifica që bënë ata ishte nga dashuria, por ajo sakrificë nuk ishte humbje. Duke humbur tek Zoti, ti nuk humbet, ti akoma më tepër fiton. Ata ishin më se të bindur për këtë gjë, jo vetëm apostujt, por edhe të krishterët më vonë, martirët dhe të gjithë të tjerët e përballën persekutimin me guxim shumë të madh, sepse për ta vdekja nuk ishte asgjësim, por ishte një takim me Zotin. Asgjë nuk mund ta trembi një njeri që ka Zotin të pranishëm në shpirtin e tij, prandaj edhe guximi i tyre ishte aq i madh. Sot dashuria është pakësuar. Kur i kanë bërë një Shenjti një pyetje pak a shumë të tillë duke i thënë: “Përse në shekujt e parë krishterimi u përhap aq shumë, kurse tani tek ne nuk përhapet aq shumë, zelli nuk është më aq i madh?”, Shenjti u përgjigj me këto fjalë: ” Kjo është shumë e thjeshtë, në shekujt e parë krishterimi predikohej nga të krishterët.” Kjo do të thotë se nëse ne do të ishim të krishterë të vërtetë padyshim që do të transmetonim shumë gjëra të tjera. Në një nga predikimet e tij, Shën Joan Gojëarti u thoshte njerëzve që ishin në kishë: ” Nëse ju të gjithë do të ishit të krishterë, nuk do të mbetej asnjë pagan në botë”, që do të thotë se nëse ne nuk e reflektojmë edhe jashtë besimin tonë, padyshim që ne nuk mund ta përhapim dritën. Por ne gjithashtu nuk mund ta përhapim dritën nëse nuk e kemi këtë dritë brenda nesh dhe fillimisht ne duhet të ndezim kandilin e shpirtit tonë edhe pastaj ta përhapim dritën edhe tek të tjerët. Ata e dinin dhe madje Zoti u kishte thënë atyre që gjithsekush që do vijë pas meje të marrë kryqin e tij. Premtimi nuk ishte se në botë nuk do të kemi vështirësi. Zoti në Ungjill na thotë se në botë do të kemi shtrëngim, por merrni zemër sepse unë e munda botën. Ai shtrëngim nuk do të na shkatërrojë ne, por do të na hapë një derë tjetër të shpëtimit. Martirët e kanë pritur me gëzim martirizimin e tyre, sepse ata nuk shikonin shkatërrimin tek ajo gjë. Në sytë e botës mund të duket si shkatërrim, pra ky njeri humbi. Madje edhe vepra e Krishtit, në sytë e botës nëse nuk e shikojmë në dimensionin hyjnor, duket si një hero tragjik, një njeri që u ekzekutua në një moshë shumë të re, 33 vjeç. Por ne e dimë që historia e krishterë nuk mbaron tek kryqi, por tek Ngjallja që do të thotë se gjithsecili nga ne, nëse do të kalojë nëpërmjet kryqit, nuk do të mbarojë tek kryqi, mbaron tek takimi me Zotin. Madje ata kishin edhe mall për tu takuar me Zotin dhe shpesh herë luteshin që të vinte sa më shpejt ajo gjë. Një dashuri shumë e madhe, një prani e Zotit në jetën tonë të përditshme, një dëshirë e zjarrtë për tu bashkuar me Zotin, nuk mund të trembi nga asgjë. Siç thotë Shën Pavli tek letra e tij, “Asgjë nuk mund të më ndajë nga Perëndia”. Gjithshka që mund ti bënin atij nuk mund ta ndante nga Perëndia. Prania e Zotit ishte jashtëzakonisht e fuqishme. Prandaj edhe apostujt të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, jo vetëm që u përballën me martirizime dhe tortura shumë të mëdha, por ata i kapërcyen këto, i kapërcyen sepse Shpirti i Shenjtë i kishte fuqizuar dhe çdo i krishter kur pagëzohet, hiri i Shpirtit të Shenjtë është tek ai dhe nëse do e kultivojë këtë hir dhe do e hapë zemrën e tij padyshim që edhe ai do të ecë në këtë rrugë. Shpesh herë jo të gjithë jemi thirrur për vepra shumë të mëdha por të gjithë jemi thirrur për të reflektuar në jetën tonë mësimin e Ungjillit dhe apostujt pikërisht atë mësim që u kishte mësuar Zoti, e vunë në praktikë dhe bënë që e gjithë bota të besonte në atë mësim sepse çdo fjalë e tyre shoqërohej edhe nga vepra e tyre. Nuk mund të dëshmosh për diçka që nuk je aq i bindur. Nëse ata nuk ishin aq të bindur për Ngjalljen e nuk kishin përjetuar Ngjalljen e Zotit, nuk do e kishin atë guxim aq të madh për tu përballur me gjithë ato tortura. Ata e bënë këtë pikërisht sepse e kishin besimin shumë të fortë. Sa më i madh të jetë besimi, aq më e fortë është edhe dëshmia.
Hirësi, të krishterët e sotëm duan një krishterim pa kryq, siç e thoni edhe ju shpesh në predikimin tuaj. Madje kanë frikë të mbrojnë të vërtetën, të mbrojnë besën dhe shpesh herë nuk e pohojnë se janë të krishterë para miqve, shokëve apo shoqërisë. A ka vend frika në krishterim, apo është kjo një taktikë e njerëzve të sotëm me qëllim që mos të cënojmë reputacionin, të mos na nënvlerësojnë për shkak të kësaj?
Frika ekziston në botë dhe çdo njeri e ka përjetuar në forma të ndryshme. Prania e Zotit dhe një jetë e thellë shpirtërore është pikërisht për të larguar këtë frikë. Për herë të parë frika përmendet në Shkrimin e Shenjtë pasi Adami prishi lidhjen me Zotin dhe u tremb kur erdhi Zoti. Aty përmendet për herë të parë që pati frikë. Frika gjithmonë vjen kur Zoti nuk është fuqishëm i pranishëm në jetën tonë dhe sa më i dobët është besimi aq më shumë shtohet frika, ankthi, stresi dhe gjithshka tjetër. Të jesh i krishter duhet të jesh shumë i devotshëm dhe duhet marrë besimi shumë seriozisht. Nuk mund të ketë të krishterë që mund ti vijë turp nga Krishti, madje në Ungjill, Zoti përdor disa fjalë shumë të ashpra. ” Kujtdo që do i vijë turp prej meje në këtë brez të shtrembërt dhe imoral, edhe mua do të më vijë turp prej tij.” Kjo do të thotë që nëse ne na vjen turp për Zotin, si realisht ne besojmë tek Zoti? Duke komentuar këtë gjë, një Peshkop i Shenjtë thotë këto fjalë:” Të vijë turp prej Zotit përpara njerëzve, është njesoj sikur të vijë turp për babanë përpara një derri.” Nëse ne na vjen zor nga ajo gjë, do të thotë që ne po bëjmë një shtrembërim shumë të madh të besimit tonë. Padyshim që kjo është një gjë shumë e dukshme sepse ka njerëz që u vjen zor të bëjnë edhe kryqin kur hanë bukë nëse janë me njerëz të tjerë. U vjen zor se dikush ndoshta mund të tallet, mund ta shohin në forma të ndryshme dhe kjo nuk është ndonjë sakrificë e madhe. Shembulli i apostujve që dhanë edhe jetën e tyre, shpesh me tortura të tmerrshme, pikërisht për të përhapur këtë doktrinë dhe nuk u vinte turp nga ajo gjë, tregon që besimi ynë është shumë i dobët dhe një besim i dobët bën që ta tradhëtosh në momentin e parë. Shën Pavli i shkruan Timotheut, ” Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por frymë fuqie. Zoti ka dhënë frymë kuraje.” Nëse ne realisht do e duam Zotin, padyshim që s’mund të na vijë turp për Zotin. Do të ishte absurditeti më i madh që një besimtari t’i vijë turp nga ajo gjë që ai adhuron. Zoti është qendra e jetës sonë. Duke mohuar Zotin, thellë thellë ne mohojmë identitetin tonë. Kjo është nga mungesa e besimit. Sa më i dobët të jetë besimi, sa më shumë shtohen pasionet, padyshim që njerëzit do të jenë shumë të ndjeshëm karshi asaj që mund të thonë të tjerët. Njerëzit e sotëm në përgjithësi janë më tepër egoistë, jeta e tyre shpesh herë është e mbushur me krenari boshe, opinioni se çfarë mund të thotë tjetri bëhet sikur është jashtëzakonisht i rëndësishëm, që në fakt nuk është se ka shumë rëndësi, njerëzit mund të thonë gjëra të ndryshme, gjatë gjithë historisë së njerëzimit ka ndodhur kjo, por ato janë fjalë që i merr era, ato nuk janë të mbështetura në të vërteta të mëdha. E vetmja fjalë që nuk e merr era dhe është ndër shekuj është vetëm fjala e Zotit. “Qielli e dheu do të shkojnë por fjalët e mia do të mbeten përjetë.”- thotë Zoti. Ne s’mund të na vijë dot turp nga Zoti nëse ne realisht e duam atë, sepse nëqoftëse ne na vjen turp nga Zoti do të thotë që ne nuk e duam atë, nuk e besojmë madje as nuk i vlerësojmë ato gjëra, do një guxim dhe një kurajë dhe kjo kurajë vjen nga një praktikë e thellë shpirtërore e jetës së krishterë. Do të doja t’a përsërisja këtë gjë, që sa më i dobët të jetë besimi aq më shumë shtohet frika dhe sa më i madh të jetë besimi aq më tepër largohet frika. Cfarë do të thotë një besim i thellë? Një besim i thellë do të thotë një prani e thellë e Zotit tek ne dhe atje ku është Zoti nuk ka frikë sepse nëse Zoti është me ne, siç thotë edhe psalmi, kush mund të jetë kundër nesh? Nëse apostujt, martirët, shenjtorët ndër shekuj, kanë pranuar edhe kryqe shumë të rënda madje i kanë pranuar me gëzim, është pikërisht nga kjo gjë, madje e shikonin edhe si privilegj që Zoti i bëri të denjë për tu martirizuar për të, ishte një privilegj shumë i madh. Sot gjithsecili nga ne duhet të mendojë pak rreth kësaj gjëje, të reflektojë për besimin tonë. A e kemi realisht një besim ne? Nëse ne na vjen turp për gjëra që nuk kanë rëndësi fare atëherë besimi është shumë i dobët. Të qënurit i krishter vetëm me emër domethënë që nuk je i krishter. Kjo ndodh kur njeriu është i vakët, që nuk është as i ftohtë as i nxehtë. Një besim i vakët padyshim është një besim pa kurajë dhe duke mos pasur kurajë dorëzohesh edhe para disa gjërave fare të vogla dhe duke u trembur nga gjërat e vogla, si mund të bësh gjëra të mëdha nesër, nëse do të jetë një situatë me persekutim, si do e përballojnë persekutimin kur tremben nga gjëra fare jo serioze? Kjo tregon mungesën e besimit dhe kjo është detyra e gjithsecilit nga ne që ta përjetojmë atë që besojmë dhe duke e përjetuar atë dhe duke sjellë praninë e Zotit në jetën tonë të përditshme, ne do të largojmë frikën. Në krishterim nuk ka vend për frikën. Një proverb e vjetër e krishterë thoshte kështu: ” Nuk ka asnjë shenjt të trishtuar.” Ne mund të themi diçka të përafërt me këtë, “Nuk mund të jetë dot një i krishter i frikësuar.” Ndoshta ka momente në jetën e tij, por përsëri do e gjejë kurajën për tu përballur me atë gjë sepse Zoti nuk do t’i lërë vetëm. Një njeri që mundohet ta praktikojë besimin në jetën e përditshme, Zoti do t’i qëndrojë pranë. Historia e gjatë e kishës, jetës së martirëve, është një shembull i jashtëzakonshëm i kësaj gjëje, madje duke lexuar ato, ne mund të na vijë turp për frikërat e kota që mund të kemi.
Cilat janë sfidat me të cilat përballet sot Kisha e Shenjtë Katolike dhe Apostolike?
Unë besoj që sfidat janë po të njëjtat në çdo shekull, ndryshojnë format e sfidave, por janë po të njëjtat gjëra. Bota edhe sot ka nevojë për këtë lajm, për lajmin e mirë që Zoti e mundi vdekjen. Në një kohë që jetojmë ne sot, në një kohë që vlerat pothuajse kanë humbur, dashuria është pakësuar, njerëzit mendojnë vetëm për vete dhe duke menduar vetëm për veten kanë mbetur të gjithë të vetmuar. Njerëzit kanë nevojë për këtë mesazh dhe për këtë gjë. Nëse ne realisht do i duam njerëzit padyshim që do përpiqemi ta përhapim këtë mesazh kudo sepse besimi nuk mund të jetë vetëm për vete. Nëse ne do e kemi besimin, do e ndajmë tek të tjerët. Nëse ne e kemi dritën, ne do mundohemi ta përhapim edhe tek të tjerët. Nëse ne nuk e përhapim tek të tjerët, do të thotë që ne nuk e kemi dritën. Shën Joan Gojëarti thotë këto fjalë: “Unë nuk besoj në shpëtimin e një të krishteri i cili nuk është i shqetësuar për shpëtimin e të tjerëve”, që do të thotë që kjo nuk është diçka vetëm për ne. Zoti na e ka dhënë ne për t’a përhapur edhe tek të tjerët. Besimi i vërtetë është një besim që duhet të përhapet kudo. Bota e sotme ka shumë plagë, një errësirë shpirtërore shumë e madhe, konfuzion shumë i madh, çoroditje, opinione të ndryshme, çfarë thotë njëri nuk thotë tjetri, pseudo-profetë të ndryshëm që dalin vazhdimisht, njerëz që premtojnë të sjellin shpëtimin dhe që sjellin akoma më tepër ngatërresë. Sot më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë për dritën e Krishtit. Nëse do hiqet kjo dritë nga jeta e njerëzve, atëherë jeta e njerëzve do të kthehet në ferr. Një shenjtor shumë i madh, duke komentuar fjalët e Zotit, “Për sa kohë është drita, ecni në dritë”, thotë këtë gjë: “Hiqe këtë dritë nga jeta e njeriut dhe ajo jetë do të kthehet në ferr, hiqe këtë dritë nga jeta e një populli dhe ai popull do të kthehet në një tufë ujqërish, të gjithë kundër të gjithëve.” Misioni i kishës është kjo gjë, që të vazhdojë veprën shpëtimtare të Zotit. Zoti e themeloi kishën pikërisht për këtë gjë, që nëpërmjet kishës të vazhdojë vepra shpëtimtare e tij. Në rast se kisha nuk e përhap këtë gjë, atëherë kush është funksioni i kishës? Një kishë që nuk përgatit shenjtorë, ka dështuar në misionin e saj, kështuqë kisha duhet të jetë një vend që vazhdimisht përgatit shenjtorë, dhe kur themi shenjtorë, janë njerëz që mundohen të jetojnë sipas mësimeve të Zotit dhe që të kenë vazhdimisht të pranishëm hirin e Shpirtit të Shenjtë që është dashuria, paqja, besimi dhe gjithshka tjetër. Bota e sotme ka humbur konceptin dhe qëllimin e jetës. Ka njerëz që jetojnë pa ndonjë qëllim dhe duke humbur këto gjëra jeta bëhet jashtëzakonisht e vështirë, ankthi, stresi, shtohen akoma dhe më shumë, paqe nuk ka madje as brenda familjeve, as dashuri brenda tyre, shtohen sherret, grindjet vëllezërit me motrat, me prindërit, me gjithshka tjetër. Nëse do të largojmë Zotin nga jeta jonë e përditshme padyshim që këto janë pasojat e asaj jete ku Zoti nuk është i pranishëm. Detyra e kishës është që pikërisht këtë jetë ta përhapë akoma më shumë. Kisha nuk është një klub i mbyllur dhe nuk jeton vetëm për vete. Kisha jeton edhe për të tjerët, për ta përçuar këtë dritë vazhdimisht. Një kishë që nuk ka misione është një kishë që nuk ka mision. Pra, misioni i kishës është vazhdimi i veprës shpëtimtare të Zotit, por pa dyshim që çdo shekull në çdo kohë mund të ndryshojë në disa forma, ndryshon gjuha, metodat e ndryshme, por qëllimi mbetet po i njëjti si në shekullin e parë të apostujve, ashtu edhe në shekullin që po jetojmë sot e deri në shekullin e fundit që do të jetë bota, përhapja e dritës së Krishtit kudo në botë.