Të shtunën, më 27 qershor 2020, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, e uroi me këto fjalë Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin Anastas, pas realizimit me sukses të ndërhyrjes angioplastike:
«Duke i shprehur urimet e mia më të mira e të përzemërta për shëndet të plotë dhe jetë të gjatë Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, ndaj kënaqësinë që pas ndërhyrjes angioplastike shëndeti i Tij paraqitet i kënaqshëm.
I uroj Kryepeshkopit Anastas rikthim sa më të shpejtë në krye të detyrës së Tij tepër të rëndësishme.
Një falenderim të veçantë për të gjithë mjekët dhe personelin shëndetësor të cilët u kujdesën që çdo gjë të shkonte mirë.
Krenar për rolin e çmuar të Fortlumturisë së Tij dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në veçanti, për forcimin e harmonisë ndërfetare, kësaj vlere kombëtare dhe modeli unik për mbarë botën.»
Po ashtu, urime të ngrohta për shërimin e shpejtë të Kryepiskopit Anastas shprehën edhe udhëheqësit e bashkësive fetare, H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Mons. George Frendo, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Pastor Ylli Doçi, President i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe klerikë dhe laikë të shumtë; z. Lulëzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike, z. Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, z. Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën, znj. Ogerta Manastirliu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Anila Denaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë, z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Flamur Mamaj, Prefekt i Qarkut të Vlorës, znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet.
Përveç autoriteteve shqiptare dhe popullit, Fortlumturinë e tij e uruan edhe znj. Sophia Philippidou, Ambasadore e Greqisë në Shqipëri dhe znj. Markella Megalokonomou, Drejtuese e Zyrës Konsullore, si dhe znj. Eleni Sourani, Ambasadore pranë Kryeministrit të Greqisë.
Për më tepër, Kryepiskopi Anastas pati një bisedë telefonike me Kryepiskopin e Kishës së Greqisë, Fortlumturinë e tij Jeronimin dhe me ish Kryepiskopin fort të përndershëm të Amerikës, z. Dhimitër.
Kryepiskopi Anastas i shpreh mirënjohjen e tij njerëzve të shumtë, të njohur dhe të panjohur, të cilët e mbështetën edhe një herë me urimet e tyre të ngrohta dhe dashurinë e vetvetishme.
Tiranë, më 28 qershor 2020