/Udhëzime shpirtërore për të rinj – “Parajsa artificiale e drogës” Urania Mandro, katekiste pranë KOASH

Udhëzime shpirtërore për të rinj – “Parajsa artificiale e drogës” Urania Mandro, katekiste pranë KOASH

Parajsa artificiale e drogës

          Në librin e parë të Shkrimit të Shenjtë, në Gjenezë, përshkruhet parajsa, vendi ku jetonte Adami me Evën, çifti i parakrijuar, jo vetëm si vend ideal banimi brenda në kopshtin e Edenit, por kryesisht një mënyrë jetese me tre veçori: të vërtetën, dashurinë dhe lirinë. Dashuri ndërmjet njerësve, Perëndisë dhe ambientit që i rrethonte. Liri në zgjedhjet e tyre, pa arbitraritet dhe me përgjegjësi. Atëherë kur njeriu deshi të bëhej perëndi pa Perëndinë e vërtetë, humbi parajsën dhe iu nënshtrua dhimbjes së prishjes dhe vdekjes. Që prej atij momenti e deri më sot, njerëzit, dhe kryesisht njerëzit e rinj, nuk ndaluan kurrë së kërkuari parajsën, domethën kuptimin e vërtetë të jetës dhe mënyra të përjetimit të tij. Meqënëse parajsa e vërtetë është largë dhe e vështirë për t’u arrirë, ngeli vetëm parajsa e gënjeshtërt, parajasa artificiale e narkotikëve, të cilat krijojnë iluzione euforike, gjasmë zgjerojnë koshiencën dhe e bëjnë njeriun të ndihet përkohësisht i lumtur. Droga i jep zgjidhje të gënjeshtërt një problemi të vërtetë, që është kërkimi dhe përjetimi i kuptimit të jetës.

          Por çfarë ndodh në të vërtetë me narkotikët? Dëgjojmë dhe lexojmë shpesh historitë e njerëzve të shumtë që ranë pre e trafikantëve të lëndëve narkotike. Ata të cilët patën fatin e keq dhe u ngatërruan në këtë rrjet vrasësjellës të vartësisë, tregojnë përvojat e tyre të dhimbshme dhe, konkluzionet që dalin nga përmbledhja e tyre, janë pothuajse të njëjtat tek të gjithë.

          Të gjithë përdoruesit e drograve të ndryshme mbetën përkohësisht të kënaqur dhe përherë të pakënaqur. Ajo që i shtyu të provonin ishte ose kureshtja, ose për të treguar guximin e tyre ose u joshën nga të tjerët. Në një moment që u treguan të pafuqishëm, u mpleksën në rrjetën e merimangës vdekjeprurëse të lëndëve haliçunogjene. Të gjithë, pa të vetmin përjashtim, u penduan thellësisht. Askush asnjëherë nuk mbeti i kënaqur nga lëndët narkotike, sepse kënaqësia ishte kalimtare, momentale, gati gati e çastit.

          Ecuria nga drograt e buta në ato më të fortat, është proceduriale. Ekzistojnë mendimet se drograt e ashtuquajtura “të buta” nuk dëmtojnë aq shumë dhe se dikush mund të qëndrojë tek ato, pa kaluar tek të fortat. Por këto mendime bien poshtë dhe refuzohen me ngulm, pasi studimet e kryera nga shkencëtarë specialistë tregojnë se një përqindje mjaft e madhe e përdoruesve nuk qëndron tek drogërat e buta, përkundrazi shkojnë shumë shpejt tek të fortat. Vartësia nga lëndët haliçunogjene është përvoja më e hidhur e narkomanëve. Asnjë përdorues droge nuk ka mundësinë e zgjedhjes. Kur hyn në rrjetin vrasësjellës të narkotikëve, pësojnë sindromën e tërheqjes çdo herë që guxon t’i thonë “jo” dozës së tyre. Sindroma e tërheqjes (Withdrawal Syndrome) është një tërësi simptomash të dimbshme që ndjen përdoruesi kur privohet nga droga. Nëse do të pasojë terapi e rreptë dhe specifike rehabilitimi bashkë me përpjekjen e tij të fortë, ka një farë shprese.

          Të vetmit që dalin fitimtarë nga kjo gjë janë prodhuesit dhe tregtarët e vdekjes së bardhë, njerëz mizorë të kësaj bote, që shpikin metoda nga më të ndryshme për të joshur fëmijë të pafajshëm dhe t’i zënë në rrjetat e tyre me qëllim pasurimin dhe fuqizimin e keqbërësve. Gjëja më e keqe që bëjnë është se detyrojnë përdorues të pafajshëm të bëhen bashëpunëtorë të tyre, që si të pa përvojë që janë, arrestohen nga policia, ndërsa peshqit e mëdhenj nuk kapen asnjëherë dhe vazhdojnë punën e tyre pa u shqetësuar. Përfitimet janë gjithmonë për tregtarët dhe prodhuesit e narkotikëve, ndërsa përdoruesit janë gjithmonë të dëmtuarit.

          Shëndeti i të gjithë atyre që provuan drograt është dëmtuar rëndë dhe nuk rikuperohet. Imuniteti i trupit bie e organizmi shfuqizohet dhe bëhet delikat përballë çdo lloj sëmundjeje. Këtu na duhet të theskojmë, edhe pse nuk do të zgjerohemi shumë, se lëndë që krijojnë vartësi tek njeriu janë gjithashtu duhani dhe alkooli. Ndoshta as njëra as tjetra nuk të çojnë kaq shpejt drejt vdekjes, por lëndët e tyre toksike nuk pushojnë së krijuari vartësi tek njeriu. Është e ditur tashmë se vartësia nga lëndët narkotike është shumë më e fuqishme se vartësia nga duhani ose alkooli, prandaj, ndërprerja e duhanit dhe alkoolit mund të bëhen nga vet personi, ndoshta dhe pa ndonjë terapi, por drogën askush nuk ka arritur ta ndërpresë, pa iu nënshtruar terapive rehabilituese, që shpesh herë janë të mundimshme dhe jo gjithmonë të sukseshme.

          Jeta e të varurve nga droga i ngjan një fushe me mina. Ai që konsumon lëndë narkotike, është sikur të ketë shpërndarë mina në jetën e tij. Drograt janë mina: hedhin në ajer këdo që i prek. Përdoruesi i drogës kërcënohet vazhdimisht nga vdekja e parakohshme, sepse, siç vërteton vet jeta e përditshme, ky është përfundimi i shumicës prej narkomanëve. Pyetja torturuese për secilin prej tyre është nëse janë ata viktimat e radhës dhe se kur do të vijë momenti i fundit i jetës së tyre, i cili mbetet i panjohur.

          Nuk mund të lë pa përmendur këtu se, fakti që një njeri është narkoman, ka pasoja tragjike për familjen e tij. Shpesh herë, nevoja e përdoruesit, për të gjetur shuma monetare për blerjen e drogës, e bën atë të kryejë vepra që mund të përndiqen penalisht. Familje të shumta shkatërrohen dhe problemet duken të pakapërcyeshme. Nuk është vetëm personi që dëmtohet, por është dhe familja e cila shkatërrohet si nga ana emocionale ashtu dhe nga ena ekonomike.

          Vlen të themi këtu se asnjëherë askush nuk ishte pro përhapjes së lëndëve narkotike, përveç atyre që u pasuruan nga tregtimi i tyre në kurriz të njerëzve të tjerë. Armiqtë dhe dënuesit më të mëdhenj të narkotikëve, janë vet përdoruesit e tyre: të gjithë ata që provuan lëndët haluçinogjene, u bënë armiqtë e tyre të betuar. Përse vallë? Ja pse: ata duke kërkuar kuptimin e vërtetë të jetës, në vend të parajsës, gjetën ferrin dhe ngrenë zërin e tyre me dëshpërim. Detyrë e jona është t’i dëgjojmë dhe t’u tregojmë mbështjetjen tonë, duke  marrë mësimet përkatëse nga të gjitha këto gjëra.

          Parajsa nuk shitet e as blihet. Lumturia e njeriut është një e mirë që nuk gjendet nëpër tregje. Zgjidhjet e problemeve nuk vijnë nga njerëz të huaj, që premtojnë zgjidhje automatike të tyre, por vijnë nga vetja jonë. Parajsa nuk gjendet tek “uni” por tek shoqëria. I riu e gjen lumturinë dhe zgjidhjen e problemeve tek bashkënjeriu që e do, tek dashuria me gjininë tjetër, te miqësia, te familja.
          Kisha, pra, na këshillon të duam veten tonë dhe të afërmit tanë. T’i largohemi parajsave artificiale të sajuara nga të tjerët. I riu thirret të zgjedh mes parajsës artificiale të kënaqësisë momentale e të vuajtjeve të përhershme dhe parajsës së vërtetë me lumturinë e përjetshme. Vetëm diçka duhet të ketë parasysh: zgjedhjen ta bëjë ai vet. Amin!