/Udhëzime shpirtërore për të rinj – “Mohimi dhe përbuzja e jetës njerëzore”. Përgatiti Urania Mandro Katekiste pranë KOASH

Udhëzime shpirtërore për të rinj – “Mohimi dhe përbuzja e jetës njerëzore”. Përgatiti Urania Mandro Katekiste pranë KOASH

Mohimi dhe përbuzja e jetës njerëzore

Jeta, është dhuratë e Perëndisë. Ajo nuk ekziston nga vetvetja, por vjen nga Perëndia, i Cili është vet Jeta: “Unë jam Ngjallja dhe Jeta” (Joani 11:25). Një jetë me perspektivë, pa fund, e përjetshme domethënë, pa dhimbje ose vdekje, e përsosur, e pacënuar. Vdekja dhe prishja janë pasoja tragjike të rënies së reniut në mëkat, të largimit të tij nga Perëndia. Apostull Pavli na mëson se “Jisui u bë njeri, për të shkatërruar me vdekjen e Tij atë që kishte pushtet mbi vdekjen, domethënë djallin” (Hebrenjve 2:14) dhe shpall se “armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja” (1 Korinthianëve 15:26) dhe na siguron se me Ngjalljen e Krishtit “vdekja u përpi nga fitorja. Ku është, o vdekje, fitorja? Kë është, o vdekje,  thumbi yt? Ku është, o had, fitorja jote? Edhe thumbi i vdekjes është mëkati”(1 Korinthianëve 15:54-56).

Kur në jetën tonë të përdithsme nuk mohojmë ndonjë dhuratë që na bëhet, si mund të mohojmë dhuratën e jetës që na e fal Perëndia me kaq bujari dhe zemërdhembshuri? Çdo ndërhyrje në fenomenin e jetës nga njeriu, ngjan me vjedhje të dhuratës së Perëndisë për njeriun. Jeta nuk është e jona, u bë e jona. Nuk na përket neve, por na u fal. Nuk është pronë e jona, është dhuratë e Perëndisë dhe ofertë e Tij. Një fjalë e urtë që thotë populli është se “dhurata nuk jepet”: nuk lejohet që të harxhosh ose të shkatërrosh atë që nuk të takon, por që t’u dha. Nëse diçka e tillë vlen për dhuratat e përditshme njerëzore, sa më tepër vlen për dhuratën e Perëndisë për njeriun!

Por përse i themi të gjitha këto? Cilat janë format e mohimit të vlerës së jetës njerëzore? Cilat janë ato praktika që e poshtërojnë atë? Më poshtë do të trajtohen tre çështje ekstreme të mohimit të jetës njerëzore, mes të cilave përfshihet dhe aborti, për të cilin kam folur edhe më parë, por që është shumë me vend që të ridëgjojmë mbi të.

Vetëvrasja

Një formë e mohimit të jetës është vetëvrasja. Shkaqet e saj mund të jenë: zhgënjimi, karakteri i dobët, dezertimi përballë rrethanave të pafavorshme, gjëndja e keqe emocionale, temperamenti patologjik, etj. Viktima të saj janë në shumicën e rasteve njerëz të rinj dhe tipat emocionalë. Lajmet tregojnë vazhdimisht për të rinj që sa kanë filluar studimet ose kanë shkuar në ushtri, që nuk janë të përgatitur për të duruar gjendje të papritura në jetë, ose njerëz me ndjenja delikate që i japin fund jetës, pasi provuan në zhgënjim emocional ose profesional.

Kisha jonë e dënon vetëvrasjen, sepse ajo është vetëshkatërrimi i njeriut, pabesi ndaj Perëndisë dhe përkujdesjes së Tij dhe mungesë e shpresës së krishterë. Ai që ka kryer vetëvrasjen, mohon dhuratën e jetës. Me anë të vetëvrasjes, ndahet nga burimi i jetës Perëndia, pa patur mundësinë e pendimit. Që Kisha të na edukojë mbi këtë çështje kaq kritike dhe delikate mbi jetën dhe vdekjen, me qëllim të mbrojë çdo karakter të dobët nga një hap të tillë i palogjikshëm, merr shumë masa të rrepta: ndalon kryerjen e shërbesës së varrimit dhe prezencën e një kleriku në varrimin e vetëvrasësit, përveçse në rastet kur vërtetohet nga ana mjekësore se personi vuante nga sëmundje psikike. Një masë kaq e rreptë arsyetohet duke kuptuar peshën që ka shkëputja e fillit të jetës dhe kështu justifikohet nga kujdesi pedagogjik dhe baritor i Kishës për masat parandaluese. Si do të mund të parandalohej ndryshe vetëshkatërrimi ynë? Për më tepër, vetëvrasësi me anë të veprës së tij të fundit, merr vendimin që ta shkëpusë veten e tij nga trupi i Kishës dhe mohon mësimdhënien e saj dhe mënyrën e jetesës së saj.

Ka raste që dikush ofron jetën e tij për arsye dhe qëllime të shenjta, siç janë rastet e vetësakrifikimit nga dashuria për të afërmit, në përpjekje e sipër për ta shpëtuar nga një rrezik që mund t’i marrë jetën. Në këtë rast kemi vetësakrifikim, gjë e cila përbën vepër supreme të dashurisë dhe ofrimit për të afërmin, sipas shembullit të Krishtit, i Cili ofroi veten e Tij si sakrificë për njerëzit.

Eutanazia

Kur dikush vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, psh. kancer në stad të fundit, i munduar nga dhimbjet e forta, pa anjë shpresë shërimi ose të paktën përmirësimi, siç edhe kur ndodhet për vite me rradhë i dergjur në një shtrat, për shkak të një trompoze ose të traumatizimit të sistemit nervor si pasojë e ndonjë aksidenti, zakonisht të afërmit e këtij personi dhe mjekët, mendojnë të përshpejtojnë vdekjen e tij me anë të ndonjë ilaçi vdekjeprurës ose me anë të shkëputjes së aparaturave mjekësore që mbajnë njeriun në jetë. Kjo mënyrë e shkëputjes së jetës quhet eutanazi, domethënë vdekje e mirë (eu= i mirë, thanatos=vdekja). Eutanazi konsiderohet edhe rasti ku edhe pse mund to ofrohet ndihmë pacientit (oksigjen, aparatura, mjekim), nuk i ofrohet. Kjo është eutanazia pasive.

Qëllimi mud të jetë i mirë: të mos mundohet kot njeriu. Në këto raste, ai i cili thirret të marrë një vendim të tillë, përballet me një dilemë të madhe në ndërgjegjen e tij, ai ngre një kryq të madh. Ndonjëherë qëllimet nuk janë dhe aq të mira: të mos shpenzojnë më para të afërmit me kura që zgjasin për një kohë të gjatë ose të përshpejtojnë vdekjen e tij që të marrin sa më parë trashgiminë…

Në shumë raste pacienti nuk pyetet fare dhe kështu të tjerët vendosin për jetën e tij. Në këtë mënyrë eutanazia nuk ka asnjë ndryshim nga vrasja. Në disa raste pacienti i dergjur në shtrat, duke patur parasysh gjendjen e tij, kërkon vdekjen, për të shpëtuar nga mundimi i dhimbjeve. Këtu eutanazia i ngjan vetëvrasjes. Në çdo rast, vrasje apo vetëvrasje, eutanazia do të thotë shkëputje e jetës njerëzore. Rrjedhimisht eutanazia është një vepër që bie në kundërshtim me mësimdhënien e Kishës, prandaj dhe Kisha është si kundër eutanazisë aktive (injektimi i ndonjë ilaçi vdekjeprurës, shkëputja e aparaturave), ashtu edhe kundër eutanazisë pasive (mosdhënien e ndihmës).

Aborti

Si abort përkufizohet heqja e një embrioni nga mitra para lindjes së tij me lindje artificiale. Disa fjalorë mjekësorë përmendin shtatzaninë 20-javore ose peshën 500 gram si kufi për abort, por këto limite janë arbitrare dhe të pajustifikuara. Sidoqoftë, është gjerësisht e  pranuar që një embrion 20-javësh nuk do të mund të mbijetonte pasi të lindte. Sipas këtij përkufizimi, ndërprerja e shtatzënisë pas javës së 24-të nuk është një abort, por duhet të përshkruhet ndryshe, në terma të tillë si vrasje embrioni, zgjerim i qafës së mitrës dhe zbrazje, stimulim lindje, ose histerektomi.

Ndonjëherë lindja e një fëmije është e padëshirueshme. Çifti mund të jetë i pamartuar ose mund të mos jetë ende gati per ardhjen e një fëmije (për arsye financiare, psikologjike etj). Për më tepër, mund të ketë pengesa shëndetësore (p.sh. sëmundje të trashëguara ose sëmundje kalimtare të nënës) ose shtatzënia mund të jetë rezultat i përdhunimit. Çifti në këto raste i drejtohet metodave mjekësore për shkëputjen e shtatzënisë (kirurgji, etj).

Aborti është dhe ka qenë një çështje me implikime serioze morale dhe sociale gjatë gjithë kohës. Në kohët moderne, polemikat në lidhje me abortin kanë të bëjnë me çështjen nëse fetusi mund të konsiderohet si njeri dhe si pasojë, aborti të konsiderohet vrasje. Nga ana tjetër ekziston çështja e vetëvendosjes së gruas shtatzënë dhe e drejta e saj për të zotëruar trupin e saj ashtu siç ajo dëshiron.

Aborti nuk është një problem që është shfaqur si rezultat i zhvillimeve të fundit shkencore, por përkundrazi një çështje që gjithmonë ka qenë shqetësuese për njerëzit, siç na tregojnë referenca të shumta historike për të. Ajo ç’ka ofron shkenca në çështjen e abortit, është njohuri më e gjerë shkencore, por fatkeqësisht në asnjë mënyrë absolute, mbi çështjen e fillimit të jetës, duke u dhënë argumente të reja si për luftëtarët ashtu edhe për mbështetësit e abortit, duke i rihedhur zjarr konfliktit ekzistues.

Kisha Orthodhokse vendoset unanimisht kundër abortit, të cilin e identifikon me vrasje vullnetare të paramenduar, dhe për këtë arsye e dënon me forcë. Në këtë drejtim, ekzistojnë dispozita në Kanonet e Shenjta që refuzojnë kategorikisht abortin. Aborti konsiderohet vrasje, pasi sipas shën Vasilit të Madh, nuk ka asnjë dallim në Kishë mes një fetusi të formuar dhe një të paformuari. Aborti konsiderohet vrasje, jo vetëm sepse është shkatërrim i fetusit, por edhe sepse gratë që i janë nënshtruar abortit, kanë rrezikuar jetën e tyre dhe shpesh kanë vdekur. Kanonet e Shenjta përcaktojnë qartë qëndrimin e Kishës ndaj çështjes së abortit të qëllimshëm, të cilin ata e konsiderojnë një vrasje të qëllimshme të fetusit dhe një kërcënim për shëndetin dhe jetën e gruas.

Arsyeja është se një jetë njerëzore i jepet fundi, anullohet një dhuratë nga Zoti dhe manifestohet përbuzja e kandidatit për prind për një person tjetër, dmth. për fëmijën e ngjizur. Aborti zbulohet se shkakton probleme të mëdha morale, ndenja faji, të cilat mund të çojnë në kushte të këqija psikologjike dhe të krijojnë trauma mendore. Sot, është bërë gjithnjë e më e qartë se fetusi është një jetë, një ekzistencë që ka të drejtë të jetojë. Ai nuk është një pronë e menaxhuar nga askush dhe nuk është një çështje kaq e thjeshtë ndërprerja e një jete.

Ajo që kërkohet nga ne të krishterët është të kemi besim tek Dhuruesi i Madh, Zoti ynë Jisu Krisht dhe ndjenjën e përgjegjësisë personale për dhuratën e jetës që na është dhënë. Të punojmë sa më fortë për të ruajtur dinjitetin tonë njerëzor, për të patur mbarim të krishterë, pa dhimbje e faqebardhë. Amin.